top of page

Begzad BaliuBAJRAM KRASNIQI - SINONIM I STUDIUESIT DHE INTELEKTUALIT

ree

(Në 35 –vjetorin e ndarjes nga jeta)

Këto ditë u bënë 35 vjet që kur u nda nga jeta zotëri Bajram Krasniqi (Majac, 1951- Prishtinë, 1990), studiues, kritik, shkrimtar. Në këtë kohë janë ndarë nga jeta edhe personalitete të tjera shkencore, krijues, publicistë dhe madje martirë e dëshmorë të zhvillimeve politike e kombëtare që po bëheshin atë kohë, por vështirë të gjenden të dhëna më të pasura dhimbjeje, kujtimi e vlerësimi në shtypin ditor, kulturor e shkencor, se sa për vlerat shkencore, intelektuale e njerëzore, sa për mikun jetëshkurtër, Bajram Krasniqin.

Studimet universitare i mbaroi në Universitetin e Prishtinës (1974), ndërsa tezën e doktoratës po këtu, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe (1983). Kërkimet shkencore dhe botimet e para i bëri në gjysmën e dytë të viteve ’70 kur në Kosovë, sapo ishin krijuar institucionet e para universitare, shkencore e akademike, ndërsa brezi i Bajram Krasniqit sillte një frymë të re në fushë të krijimtarisë letrare dhe sidomos në fushë të kërkimeve shkencore të karakterit nacional dhe europian.

Ishte koha kur në ish-Jugosllavi ishte krijuar një frymë e re liberale e mundësisë së komunikimit me botën dhe dijen më bashkëkohore, të cilën Bajram Krasniqi dhe brezi i tij e shfrytëzuan në ato përmasa të cilat nuk mund t’i interpretonin bashkëkohësit e tij në Tiranë.

Që në fillim të kërkimeve të tij ai u shqua për metodën bashkëkohore dhe karakterin monografik e analitik të leximit të prozës dhe poezisë, prandaj vepra e tij e parë sillte një monografi “Poetika e prozës së Ismail Kadaresë”, që ishte një prej sintezave të para të prozës së tij, si dhe disa studime për romanin shqiptar. Do të mbahet mend gjatë dhe do të kujtohet qasja që i bërë romanit të Profesor Qosjes “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, ndërkohë që për këtë vepër ishin shkruar disa vlerësime, analiza e diskutime për llojin letar, temën dhe madje vetat gramatikore.

Duke qenë punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe në mënyrë të veçantë asistent i Profesor Qosjes, ai u shqua për hulumtimet teoriko-letrare dhe shkencore në fushë të prozës dhe të kritikës letrare, duke kaluar “nga kritika stilistike (në fillim) te poetika strukturale historike (më vonë)”, sikur shprehej bashkëkohësi e miku i tij Profesor Agim Vinca (Krasniqi, 1996: 240).

Ndërkohë që një pjesë e bashkëkohësve të tij, në vitet ’70-’80, vazhdonin kritikën tradicionale, ndërsa një pjesë tjetër citonin e imitonin koncepte e pikëpamje të studiuesve të caktuar si Umberto Eko, Roland Bart, etj., ai së bashku me një grup studiuesish të afruar rreth koncepteve dhe projekteve historiko-letrare të Profesor Qosjes, si Agim Vinca, Sefedin Fetiu etj., shkollën e strukturalizmit në letërsi e bënë metodë dhe metodologji, dije dhe kulturë, në artikujt studimor dhe në monografitë shkencore, duke e kurorëzuar atë edhe me një konferencë shkencore të organizuar në Institutin Albanologjik më 1984, në të cilën referatin kryesor e lexoi Bajram Krasniqi, në bashkautorësi me bardin e kësaj shkolle në Kosovë, Profesor Rexhep Qosjen. Veprat e tij, sidomos nga “Letërsia dhe vetëdija...” deri te “Kode të ligjërimit...” shquhen për përdorimin e saktë të termave, nocioneve dhe koncepteve letrare, si: analizë (gjuhësore, kritike, strukturale etj.), figurë (e të folurit, kontekstuale, metonimike, mitologjike etj.), retorike etj.), formë (artistike, letrare, e ligjërimit, klasike, poetike, oratorike, romantike etj.), funksion (poetik, referencial, sakralizues, struktural etj.), gjuhë (diturore, diskurzive, eseistike, e intelektualizuar, kritike, retorike, simbolike etj.), kategori (antropologjike, etike, gjuhësore, historike, poetike, filozofike etj.), kritikë (letrare, intelektualiste, imanente, pragmatike, utilitare, semiotike, strukturale etj.), si dhe me nocionet për kodin, konceptin e kondenzimin, konvencën e konvencionalizimin, ligjërimin e modelet, nëntekstin e opozicionin, personazhin e poetikën e prozës, perceptimin e receptimin, rrafshet, semantikën e semiologjinë, stilet e strukturat etj.

Në vitet e protestave të mëdha, burgosjeve të mëdha të pjesëtarëve të lëvizjes kombëtare, si dhe diferencimeve e përndjekjeve të jashtëzakonshme kundër intelektualëve shqiptarë në institucionet arsimore e shkencore, Bajram Krasniqi ju përkushtua temave të mëdha historike në raport me letërsinë dhe inteligjencën. Këto kushte, si asnjë gjini dhe lloj letrar në letërsinë shqipe i përplotësonte proza romanore në njërën anë dhe mendimi kritik e intelektual pothuajse i munguar. Nuk është e rastit që vepra e tij e dytë do të trajtojë tema të mëdha dhe do të ketë një titull po kaq të veçantë “Letërsia dhe vetëdija historike”(1984), në të cilën vendosi përballë njëra /tjetrës janë vënë letërsia e traditës dhe koherenca e saj në letërsinë e sotme, vepra letrare e Anton Santorit, diskursi kritik i Fan Nolit, proza Jakov Xoxës, poezia e Ismail Kadaresë, dramat e monodrama e Rexhep Qosjes etj., sinteza “Kontribut tipologjisë së prozës së sotme shqipe”, duke i parë ato brenda strukturës estetike të tyre dhe në raport edhe me rrethanat e kohës kur janë krijuar. Në krye të teksteve kritike, historiko-letrare e intelektuale të sintezave të këtij vëllimi qëndron trajtesa “Kritika si funksion i vetëdijes historike”, një prej sintezave më brilante në letrat shqipe.

Sintezat, trajtesat dhe kërkimet e para sintetike ai i ka projektuar në monografinë “Poetika e romanit historik shqiptar”(1985), një nga veprat më të mira shkencore të kësaj kohe. Ai e ka bërë sintezën më të mirë të romanit historik, mbështetur në metodën më bashkëkohore të studimit të prozës historike dhe bashkëkohore. Parë në tërësinë e saj, Bajram Krasniqi strukturën e romanit historik e ka trajtuar në pesë rrafshe: në rrafshin pseudohistorik, në rrafshin e romanit-epope, në rrafshin e personazhit, në rrafshin e raporteve ndërmjet historisë dhe letërsisë së letrarizuar, si dhe në rrafshin e prirjeve moderne të disa prej romaneve të fundit.

Duke bërë sintezën e romanit historik shqiptar nga fillimet deri në vitin 1980 dhe duke e parë atë kur e kur edhe në raport me romanin europian e botëror, ai ka diskutuar gjerësisht për romanin aventuristik, romanin epope, romanin heroik, romanin historik, romanin estetizant, romanin familjar, romanin fejton, romanin filozofik, historik etj., ndërsa duke shkruar për romanin shqiptar në përgjithësi, ai ka diskutuar edhe për romanin humoristik, romanin e ideve, romanin e dashurisë, të ngjarjeve, romanin me tezë, të personazhit, romanin klasik, romanin lum, romanin modern, romanin monologjik, piktoresk, publicistik, psikologjik, pseudohistorik, realist, satirik, tradicional, shoqëror, trivial etj.

Libri i fundit i botuar në të gjallë të tij “Kode të ligjërimit letrar” (1988) është një nga veprat e veçanta në të cilën Bajram Krasniqi disa nga trajtesat e tij të shkruara, të ligjëruara dhe të botuara gjatë viteve ’80 për kritikën për poezinë, prozën, kritikën letrare dhe një sythi me trajtesa. Megjithëse në një gjendje të rënduar shëndetësore në këtë vëllim ai sillte mendimin e formuar kritik e teoriko-letrar të dijes bashkëkohore (Modernja në letërsinë shqipe, Studimi struktural i letërsisë etj.), si dhe sinteza të reja që pretendonin të bëheshin monografi shkencore për romanin shqiptar (Romani shqiptar në Jugosllavi, Tregimi ynë i sotëm nga pikëpamja e mikrostrukturës gjuhësore-stilistike etj), kapituj për monografi të karakterit historiko-letrar etj.

Vepra “Kode të ligjërimit letrar” në vetvete hap edhe një rrafsh të angazhimeve kulturore e intelektuale të Bajram Krasniqit, në vitet e stuhishme të diferencimit e të atakimit të popullit shqiptar, të kulturës e trashëgimisë së tij nga shtypi dhe institucionet kulturore, akademike e politike serbe dhe jugosllave. Artikujt, trajtesat, esetë, polemikat sjellin më së mirë portretin e intelektualit të formuar. Njohës i mirë i historisë, miteve, simboleve e prirjeve përvetësuese serbe në përmasa ballkanike, Bajram Krasniqi, lexoi në takimet e krijuesve në Prishtinë dhe jashtë Kosovë në Serbi e në Maqedoni, tekste që dëshmojnë për guximin intelektual dhe analiza që dëshmojnë për përgatitjen e tij intelektuale.

Megjithëse Bajram Krasniqi u nda nga jeta në vitin 1990, ai la të botuara disa artikuj kritikë, historiko-letrar, publicistikë e intervista të kohës, në të cilat shkruante e fliste për gjendjen në Kosovë dhe për shqiptarët e atakuar rëndë nga nacional-shovinizmi serb tani jo vetëm me artikuj, vjersha, këngë e mite, po edhe me armë policore e tanke ushtarake. Le të kujtojmë këtu artikujt për letërsinë: “Me çka ballafaqohet kritika sot”, “Opuset e veprës së madhe të Nolit”, “Vepra letrare e Luigj Gurakuqit” etj.), artikujt aktualizues “Realiteti dhe letërsia”, “Ese mbi inteligjencën” etj., në të cilat ai trajtoi disa aspekte të kritikës bashkëkohore, raportet historike e aktuale serbo-shqiptare dhe gjendjen politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi (“Katër vjet pas 1984-tës”, “Jugosllavizmi dhe shqiptarët”), qëndrimin e intelektualit të angazhuar (“Indiferenca si cinizëm estetik”), perspektivën e lëvizjes kombëtare (“Për popullin s’ka cak të paarritshëm”) etj.

Studiuesi, kritiku, publicisti e intelektuali Bajram Krasniqi, u nda nga jeta në moshën 39-vjeçare duke lënë pas veprat e tij të pasura shkencore. Ai ishte një prej kritikëve më të mirë në letrat shqipe, si dhe autor i monografinë më të mirë deri më sot për romanin shqiptar.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page