Begzad Baliu: NUHI VESELI DHE GJUHËSIA SHQIPTARE
- May 21, 2024
- 8 min read

Në vend të hyrjes
Diku në fillim të viteve ’90, isha angazhuar gazetar dhe redaktor i faqes së kulturës në të përjavshmen e Prishtinës “Fjala jonë”. Në një situatë kur nuk arrinim të gjenim hapësirë për të botuar tekstet me analiza dhe komente politike kundër diskriminimit dhe dhunës që pushteti serb bënte në Kosovë, një burrë plot vullnet dhe mirësi në sytë e në sjelljen e tij, që fillimisht prezantohej si shkrimtar, krahas poezive sillte edhe artikuj të shkurtër për probleme të drejtshkrimit të shqipes dhe përdorimit të saj në mediet e kohës.
Që në takimet e para, tek ky burrë shumë modest në sjellje dhe plot dritë, më parë se sa krijuesin, shihja një roje të shqipes së shkruar e të përdorimit të saj, prandaj mora guximin dhe i thash që më parë se sa poezi, të cilat nuk na mungonin në redaksi, ai të sillte rregullisht tekste të shkurtra për gjuhën shqipe.
Vetëm pas disa vjetësh kur fillova punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, e kuptova se ai ishte një gjuhëtar i specializuar, që më parë se sa dellin e letrarit e kishte përkushtimin e shkencëtarit. Kështu, për më shumë se dy dekada kam përcjellë punën e tij shkencore, kur duke e vlerësuar kontributin e tij në fushë të historisë së gjuhës dhe problemeve të fjalëformimit, për të cilat kisha vlerësim të madh dhe madje insistoja që ato t’i botonte qoftë edhe vetëm në formë elektronike; kur duke mos u pajtuar me disa diskutime të tij të ‘merakut’, për disa struktura tashmë të tejkaluara të shqipes, sikur është paskajorja.
Prej kronologjisë së botimit të veprave të tij nuk ishte vështirë të kuptohej orientimi i tij për leksikun, Çështje të shqipes standarde në fushë të leksikut dhe fjalëformimit I (1997), por ndërkohë për shkak të mundësive me gjasë subjektive ai botoi dy vëllime me temë paskajoren dhe çështjen e standardit, Paskajorja, çështje e shqipes standarde (2000) dhe Paskajorja dhe standardizimi i gjuhës shqipe (2000), për t’iu rikthyer edhe njëherë veprave më të rëndësishme të tij: Foljet me -o në gjuhën shqipe (2002); Rreth formësimit të emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe (2015); Rreth identitetit të gjinisë asnjanëse në shqipen e sotme (2015); Shumësi dhe shquarsia e emrave në shqipen standarde (2015); Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (2015); Kontributi i Asdrenit në formimin e gjuhës letrare kombëtare (2015); Çështje të shqipes standarde në fushë të normëzimit II (2015), si dhe vëllimeve të tjera të kësaj natyre, të cilat presin të botohen.
Kontributi i Asdrenit në formimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe
Prej kronologjisë së punës kërkimore shkencore të këtij studiuesi ndërkaq shihet se veprimtaria e tij ka filluar me monografinë, temë të magjistraturës Kontributi i Asdrenit në formimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe, ka vazhduar me disertacionin e doktoratës Struktura fjalëformuese e emërtimeve të njerëzve sipas profesionit ne gjuhën shqipe, dhe ka kulmuar me vëllimin Drejt standardizimit të gjuhës shqipe, një vëllim përvijues ma karakter historik të shqipes deri te standardizimi.

Në monografinë për gjuhën e Asdrenit dr. Nuhi Veselaj na e kujton se edhe vetë shkrimet e Asdrenit na ndihmojnë për të shndritur shëmbëlltyrën e tij. Në tekstet orale të tij a në kujtimet e bashkëkohësve ai tregon për adhuruesit e tij prej nga kuptohet edhe formimi shpirtëror e poetik i tij. Prandaj me të drejtë konkludon autori, vepra e Asdrenit del si fryt i bimës së Rilindjes sonë kombëtare, madje ajo është vetë pemë që mbuloi dhe dha fryt në vazhdën e gjelbërimit të përhershëm të kopshtit poetik të gjuhës e të letërsisë sonë. Ajo mbeti e gjallë edhe sot e kësaj dite, me fuqi potenciale frymëzimi.
Asdreni i vë rëndësinë e merituar gjuhës, si njëra nga anët më të rëndësishme dhe më të pazëvendësueshme në të gjitha sferat shoqëroro-politike të kombit, përkatësisht të shtetit. Gjerësisht është trajtuar koncepti i tij mbi gjuhën dhe rolin e saj dhe kjo është parë edhe nga shkrimet e tij teorike si dhe nga vargjet poetike ku është prekur drejtpërsëdrejti apo në mënyrë tjetër kjo çështje. Prej qëmtimeve të tij del se Asdreni ishte i interesuar të njihet sa më shumë e të pajiset me leksikun e gjuhës sonë si dhe ndikohej edhe nga ortografia e shkrimeve të kohës, por gjithnjë kishte në ndërgjegje konvergjencën. Në të vërtetë ai i shtroi vetes detyrë që të jetë poet i tërë kombit pa dallim dialekti. Asdreni nuk kishte një ortografi të qëndrueshme, por lidhur me këtë duhet potencuar faktin se ortografia e tij tejkalon kufijtë e ortografisë së variantit të toskërishtes veriore duke kaluar në një koine mbidialektore dhe kështu ka ndihmuar njëfarë dore në përfshirjen apo bashkëjetesën e trajtave të dialekteve e të folmeve të ndryshme dhe kështu e ardhmja të zgjidh trajtën më të përshtatshme.
Në monografinë e tij për gjuhën e Asdrenit është konstatuar se lëngimet drejtshkrimore të këtij shkrimtari nuk janë të rënda në krahasim me kohën kur u shkruan veprat e tij dhe se aftësia e Asdrenit nuk është për t’u nënçmuar. E gjithë kjo duke e krahasuar atë me bashkëkohësit e tjerë, si: Mihal Gramenon, Lasgushi Poradecin, Fan Nolin, Hil Mosin, Lazar Siliqi etj. Prandaj studiuesi ynë edhe arrin të përfundojë se kontributi i Asdrenit lidhur me gjuhën letrare del si nga konceptet e tij teorike ashtu dhe nga vetë vargjet e tij. Kjo vërtetohet në mënyrë të veçantë nga analiza e veçorive drejtshkrimore, fjalëformuese dhe leksikore të veprës poetike të tij. Lënda gjuhësore e veprës së tij del një thesar me vlerë. Kështu gjuha e tij ndikoi jo vetëm në formimin e gjuhës standarde, por dhe në formimin e kulturës gjuhësore në përgjithësi.
Struktura fjalëformuese e emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe
Monografia e radhës “Struktura fjalëformuese e emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe” është gjithashtu një vepër e diktuar prej orientimeve mentoriale, por me interes për studimet gjuhësore të shqipes dhe sistemin fjalëformues të saj.
Autori i kishte dhënë qëllim vetes që brenda saj: -së pari, të vihet në pah dhe të konstatohen çështjet lidhur me emërtimin e njerëzve sipas profesionit, të njihen dhe të veçohen ato në kuadër të terminologjisë së përgjithshme teknike-shkencore; -së dyti, të shtrohen çështjet e tilla të hapura me qëllim zgjidhjet, qoftë për arsye praktike qoftë për arsye teorike; -së treti, të hetohen mënyrat e fjalëformimit e të formatizimit si dhe prirjet e këtij procesi në mbështetje të faktorëve të brendshëm të gjuhëve të huaja; -së katërti, qëllim kryesor mbetet gjithnjë zbatimi dhe pasurimi i gjuhës së njësuar letrare duke i favorizuar modelet fjalëformuese me elemente të gjuhës shqipe. Në këtë kuadër janë vënë në pah ndryshimet me qëllim konsolidimi e harmonizimi të kuptimeve leksikore të termave të caktuar, sidomos në mes të dy qendrave kryesore shqipfolëse (Shqipëri-Kosovë); -së pesti, të jepen sugjerime se si të ndiqet zbatimi i zgjidhjeve të caktuara edhe në të ardhmen duke pasur parasysh lidhshmërinë e termave të caktuar jo vetëm në suaza kombëtare, por edhe në planin ndërkombëtar.
Për të vënë në pah çështjet e trajtuara në këtë studim përveç hyrjes e përfundimit tërë punimi është ndarë në gjashtë krerë: të cilët trajtojnë anë të ndryshme teorike, metodologjike dhe sidomos praktike e morfologjike të përkufizimit të termit togfjalësh “njeriu sipas profesionit” si një veprimtari specifike.
Në këtë monografi mjeshtri ynë ka sjellë disa konstatime, të cilat dalin nga analiza e çdo kreu dhe gjithsesi duhet pasur në konsiderate, me rastin e trajtimit të strukturës formësuese dhe fjalëformuese të emërtimeve të njerëzve sipas profesionit në gjuhën shqipe.
Pas përcaktimit të saktë të termit profesion, përkatësisht të togfjalëshit “njeriu sipas profesionit” emërtimet në shqyrtim lypset vështruar në përqasje gjithëkombëtare, por edhe në suaza ndërkombëtare, sidomos kur është fjala për profesionet e institucionalizuara. Çështja e emërtimit të njerëzve sipas profesionit nga pikëpamja formësuese e fjalëformuese paraqitet mjaft e ndërlikuar. Semantikisht është i rëndësishëm momenti i formësimit. Në gjuhën shqipe paraqitet e nevojshme çështja e konsolidimit dhe e harmonizimit të emërtimeve të kësaj nënfushe terminologjike në dy qendrat kryesore shqipfolëse. Emërtimet nga tradita si ato të huazuara, ashtu edhe ato që janë krijime autoktone së pari duhet njohur e pastaj edhe shfrytëzuar edhe për nevoja shkencore-historike edhe për nevoja të ditës.
Gjithsesi në kuadër të fondit aktiv të fjalësit të gjuhës sonë lypset dalluar trajtat e specializuara nga krijimet e rastit duke pasur parasysh ligjësitë dhe prirjet fjalëformuese të shqipes së sotme dhe perspektivën e saj. Nga aspekti formësues e fjalëformues del e nevojshme të bëhet dallimi i emrave të njerëzve sipas profesionit brenda klasës së emrave të vepruesit, ku bëjnë pjesë edhe emrat e njerëzve që tregojnë njeriun sipas përkatësisë partiake a doktrinare dhe të atyre që tregojnë cilësinë a veprimtarinë e tij të gjerë.
Në të vërtetë emri i vepruesit vetëm atëherë kur merr tiparin e profesionit semantikisht formësohet si emërtim i njeriut sipas profesionit. Në punim ky formësim është parë në dy rrugë, si krijim autokton dhe si term i huazuar. Në analizë vend të posaçëm zënë emrat në shqyrtim sipas tipave kuptimorë. Për secilin tip janë dhanë karakteristikat përkatëse dhe janë vënë në dukje zbërthimi perifrastik, temat fjalëformuese dhe prapashtesat speciale.
Në fund autori e sheh të domosdoshme nevojën që të gjitha emërtimet e institucionalizuara të sanksionohen në formë zyrtare d.m.th të botohen në një libër të veçantë, natyrisht pasi t`i shtrohen një diskutimi ndërdisiplinor, pra edhe nga pikëpamja gjuhësore.
Drejt standardizimit të gjuhës shqipe
Në serinë e botimeve të tij gjuhësore një vend të rëndësishëm zë edhe vëllimi Drejt standardizimit të gjuhës shqipe (2015). Duke parë rëndësinë e kësaj vepreje, me bazë zhvillimet e brendshme të shqipes nga periudha e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e deri te Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, e shihja të arsyeshme që autori ta shkarkonte prej disa diskutimeve të njohura mbi standardin, me qëllim që vëllimi të merrte vërtet pamjen e një monografie të përmbyllur për historinë e re të albanologjisë, por ja që miku im edhe kësaj radhe kishte qëndrimet e tij në lidhje me mbetjen pezull të disa strukturave gramatikore të shqipes, me referencë ‘merakun’ e paskajores.
Natyrisht nuk e kishim lehtë të pajtoheshim, por na mbante dashuria për gjuhën më parë se sa për dallimet, për gjuhën të cilës i falemi çdo mëngjes si zotit dhe para se të biem në gjumë e lusim atë përsëri, që edhe nesër të mos flasim një gjuhë tjetër para saj!
Jo pak i bëmë ‘politikë’ njëri - tjetrit për këtë ‘merak’: unë e shoh standardin si akt politik, ndërsa mjeshtri im si akt shpirtëror; mua nuk me brengos fakti se gjuhës sime i mungon ndonjë strukturë, qoftë ajo edhe paskajorja, nëse ajo ma prish kështjellën e standardit, ndërsa mjeshtri im gjuhën e shikon si univers, të cilës po i mungoi qoftë edhe vetëm një pasthirrmë është i gatshëm ta përmbysë historinë; unë e jap paskajoren për sistemin e mbyllur gramatikor të shqipes (brenda së cilës nuk ka vend për gegë e toskë, po vetëm për shqiptarë), ndërsa për mjeshtrin tim gjuha shqipe ende është një hulli për të cilën ka vend që të punohet duke e riparë edhe më tej kontekstin historik. Kjo është edhe arsyeja pse unë pajtohem me tri nga katër kërkesat e tij, që lidhen me paskajoren: “a. në thëniet frazeologjike e të ngjashme; b. në stilin poetik, si dhe c. në rrafshin e sinonimisë”; por jo edhe “d. në rrafshin e përfaqësimit të foljes”; e cila në çfarëdo mënyre dëmton strukturën e mbyllur të sistemit foljor. Miku im ngul këmbë që paskajoren ta lëmë të lirë, ndërsa mua nuk më pëlqen që t’ia lë stihisë as edhe një guri të atdheut. Pra, ai insiston që disa anë të shqipes t’i lë të pavarura, ndërsa unë mendoj që ato struktura që nuk i nënshtrohen qarkut të mbyllur të shqipes standarde: ‘t’i var’.
Duke qenë 3:1, në pamje të parë unë e kam humbur luftën me mikun tim dr. Nuhi Veselajn, por unë e pranoj këtë humbje për hir të shqipes standarde, pa prapakthim dhe për shqipen standarde ku dialektet gegërishte dhe toskërishte, si dhe strukturat e tyre, kanë vetëm karakter historik dhe aspak prapakthim në shtratin e tyre.
Le të besojmë se veprat gjuhësore të dr. Nuhi Veselajt këtë qëllim kanë dhe këtë pikë synojnë: shqiptarësinë e shqipes. Atë vlerë kombëtare, që me mund të madh e ka ndërtuar për më shumë se tetë dekada jete, po e kurorëzon me veprën gjuhësore të tij, një pjesë të së cilës tashmë e ka botuar dhe po e përurojmë sot.
Urime Z. Profesor!
Prishtinë, më 20 maj 2015









Comments