top of page

Baxhul Merkaj: Njeriut nuk i sosen ëndrrat kurrë...

  • 1 hour ago
  • 6 min read

 

Në psikologjinë njerëzore ka gjithmonë një përvojë që përsëritet, gati ritualisht, pas ndonjë ngjarje, në “thyerjet” kohore, në stadet e reja që fiton jeta, por dhe ritualet stinore, ritmi jetësorë merr një start të ri. Dhe në traditën njerëzore të njerëzimit, ndryshe globalitetin njerëzorë, duke kapërcyer kodet para-pagane, pagane dhe ato të besimeve, të cilët mbartin në kujtesën dhe predikimin e tyre, aktin e përtëritjes, mbarimi i një viti dhe fillimi i një viti tjetër, përbën një akt dhe moment shprese njerëzore pavarësisht moshës, seksit, pozitës shoqërore dhe vendit ku jeton. Akti i përtëritjes shpirtërore, tradicionalisht, por dhe në praktikën njerëzore është hyjnorë, i thellë dhe një akt që prodhon dhe vetë- prodhon energji, projekte, motive, ëndërrime dhe kurajë njerëzore.

Ky akt i brendshëm psikologjik dhe social më ka bërë përshtypje, të cilin e kam përjetuar që në rininë e hershme e deri tani, kur unë kam përvojë të rëndësishme jetësore, ndërsa dëshira për të zbuluar këtë ndjesi tek të tjetrit, më ka çuar në këtë opinion që vjel ndjesi, mendime, parashikime dhe refleksione në njerëz të ndryshëm, për të kuptuar çfarë ndjesie zgjon fillimi i një viti, që në ditët e para të muajit janar.

Si e shohin të ardhmen njerëzit e përditësimit tonë përbën ndoshta he një test psikologjik- social në një koncept të gjerë. Jam përpjekur, që përmes një pyetësori të përgjithshëm, nyjëtues në jetën e njeriut, të ofroj një “opinion” se çfarë dhe si mendojnë njerëz të profesioneve të ndryshme për vitin 2026, i cili pse është kalendarik nuk është i njëjtë.

Pyetjet, të cilat iu kam shtruar zbulojnë marrëdhënien që bashkëbiseduesit e mijë krijojnë një mendim për vitin 2026:1.-Si i përjetoni këto ditët e para të vitit 2026?; 2.-Çfarë projektesh keni në këtë vit, në punë, argëtim dhe aspekte të tera?; 3.-Çfarë është për Ju dashuria dhe kë dashuroni më shumë?;4.-Si e mendoni veten në ditët e parë të vitit 2030?; 5.-Çfarë përfaqëson familja për Ju?; 6.-A e dashuroni punën që bëni apo mendoni për një punë të re?; 7.-Nëse jeni në pension, si e kaloni ditën e një pensionisti?- një pyetësor që shquan temën më të rëndësishme jetësore të një njeriu të shoqërisë së sotme.

Ali Barjami, një njeri intelektual, monograf dhe filologjisë i ekuilibruar, fjalëpakë dhe i mençur, më thotë:- Uroj të vazhdoj të shkruaj, të jem me njerëz të mirë rreth vetes, të themi gjëra të vërteta dhe të shkruajmë të vërteta. Librat monografik fenë e vet kanë të vërtetën...!”

Bajram Dosti, më thotë, se  këto ditë të para të vitit i përjetoj me qetësi dhe mirënjohje. Si pensionist, kam më shumë kohë për reflektim, për familjen dhe krenari rrugëtimit tim artistik. Dashuria është oksigjeni i jetës dhe preludi i saj është familja ime, e cila i jep kuptim çdo dite.

Të jem aktor ka qenë dhe mbetet zgjedhja ime më e natyrshme dhe pasioni im i vërtetë, ndërsa si pensionist ditën e kaloj kryesisht me lexim, duke shijuar qetësinë dhe ditët e ngadalta. Ndihem si një plejadë e vjetër, që gjen kënaqësi në çdo rresht libri, në çdo rreze dielli dhe në çastet e çmuara pranë familjes dhe miqve.

Ben Huna është një emër i njohur imobilarë, i cili gëzon një besim të madh në këtë fushë, falë dhe një komunikimi të urtë. Ai nuk nxiton kurrë të flasë shpejt, profesioni i tij është ai i komunikimit dhe besimit reciprok me njerëzit. Ai më thotë:- Baxhul! Uroj të jem mirë me njerëzit që punoj, puna ime lidhet me njerëz që kanë halle, shqetësime dhe fate të ndryshme, puna imobilare kërkon të hysh brenda shpirtit dhe hallit të tjetrit. Sa herë që marrëdhëniet tona me njerëzit funksionojnë, unë dhe kolegët e mi jemi mirë. Këtë i lus 2026!”

Profesor. dr. Bardhosh Gaçe, lektori dhe studiuesi i njohur i ngarkuar me projekte të rëndësishme, me shqyrtesa studimore deri në trashëgiminë kulturore- folklorike dhe letrare të Vlorës dhe Labërisë, mendon, se :-... viti 2026 është ndoshta më i ngarkuari në jetë,- unë jam bir Labëri, e dua Labërinë dhe dritën që ajo mban brenda shpirtit të saj, dua ta shohin shqiptarët atë dritë,- këtë uroj për vitin 2026.

Publicisti Shpëtim Bozha  nuk harron kurrë të shohë vitin 2026 përmes një shprese dhe besimi  hyjnorë, prandaj më shprehet tekstualisht kështu:- Me bekimin e Zot, dua të kem mirë familjen, në një harmoni, e cila më bën të besoj vërtetë në praninë  e Zotin mes nesh, pastaj frymëzimi dhe gjërat që unë shkruaj, t’iu shërbejnë njerëzve çdo ditë, kjo është shkollë për mua.

Aleksandra Arshia më thotë se ditët e para të vitit  janë ditë reflektimi dhe shprese. Kam projekte krijuese. Do të shkruaj në shtypin periodik, si edhe të punoj për botime të reja. Dashuria është thelbi i jetës, siç është dhe ndjenjë, përgjegjësi. Unë dua familjen, ajo është baza e çdo force. Jam në pension, por dita ime është aktive: lexoj, shkruaj, reflektoj dhe komunikoj, pra është vazhdim, jo ndalesë.

Esmeralda Eugenis jeton jashtë vendit, në SHBA, e larguar nga kohë, por ajo mban një lidhje të fortë me Shqipërinë, shqiptarët dhe Vlorën. I pëlqen të shkruajë për gjithçka i kujton Shqipërinë. Ajo më shkruan, se:- Gjyshja, ose nëna Vera, që ishte nga Peja e Kosovës, e kishte babanë mësues. Erdhi në Shqipëri që në vitin 1930, sepse nuk e duronte regjimin serb. Nëna Vera ishte e emancipuar, ajo dhe në vitet “43-“44 ecte me biçikletë rrugëve të Tiranës . ishte e bukur. Shpërndante trakte. Pastaj doli dhe partizane. Partia i gënjeu njerëzit shkruan ajo në kujtimin për nëna Verën. Iu premtua lugë floriri, pastaj filloi regjimi dhe kufizimi në çdo aspekt të jetës, tollonat, radha e qumështit, burgosjet, internimet, jeta e tmerrshme në fshat,... ndërsa më çon disa vargje poetike, ku shquajnë “Qielli pikon shi,/ nga dritarja ime më përshëndet nata,...” duke afruar një përjetim dhimbjeje dhe dashurie nga Amerika e largët.

Znj. Mimoza Sadushi është një nga emrat e njohur të jurispondencës në Shqipëri dhe më shumë (presidente e noterëve të Shqipërisë) e lidhur shumë me vendlindjen, kulturën kombëtare shqiptare dhe librin. është një nga lexueset e krijimtarisë sime dhe mbështetësja e vazhdueshme, çfarë unë kam shkruar. E kulturuar, e ditur dhe e eliminuar, ajo zgjedh një opinion të çuditshëm, që lidhet pikërisht me botën e librave. Ajo shkruan:-Miku Baxhul, dhe pse të kam kontaktuar vonë, më duket se të njoh që herët, dhe njohja e kësaj natyre vjen nga librat Tuaj, të cilët mbartin në vetvete historinë  e artit dhe kulturës, kinemasë dhe janë një reportazh i ngrohtë për njerëzit. Unë të ndjek në veprimtarinë tënde të shkëlqyer që bën në shtyp, televizion  dhe mjetet e tjera të komunikimit. Për 2026 pres të sjellësh punë të reja për kulturën dhe artin, kinemanë, mendjen dhe publicistikën. Ju jeni i nevojshëm dhe i dobishëm për dijen kulturore shqiptare nga njeriu i thjeshtë deri tek auditorët universitare.

Meshtane Hodaj, më shkruan, se :-Jam pensioniste dhe më duhet të kujdesem për shëndetin tim, me regjimin ditor, me mirë ushqyerjen dhe në aktivitet fizik, ecje në ajër të pastër. Mbaj lidhje me fëmijët që i kam në emigrim, ata janë ushqim force brenda meje, dhe ju këmbëngul që tu flasin dhe shkruajnë shqip nipërve dhe mbesave që të mos e harrojnë gjuhën shqipe Me shoqet e mia mësuese në pension takohemi shpesh për të kaluar çaste të bukura nostalgjie dhe duke diskutuar edhe për realitetin dhe probleme tona si pensioniste

Kristo Çipa, ka një gëzim të brendshëm, që e ruan ndoshta nga fëmijëria e tij. Ai më thotë, se:- Çdo fillimviti të ngjan me një koncert ku të duhet të marrësh pjesë dhe dalja në skenë të ngjan me herën e parë. E para është kënga jonë vëndçe shqiptare, ngelet dashuria jonë e përjetshme, festivalin “Netët e Bejkës së bardhë”, në 60 vjetorin e krijimit të grupit të Pilurit, koncerte jashtë dhe brenda vendit, më motivojnë shumë.

Këtë vit kemi botimin e dy vëllimeve me poezi dhe një me publicistikë.. Ndërsa familja është kështjella e vetme që mbrojti ekzistencën e kombit shqiptar.

Bujar Sinani më thotë:- Mbas 90 menduam se Shqipëria do do të bëhej si gjith Europa, por ndodhi e kundërta. Aktualisht mendoj se Shqipëria po bënë progres  në infrastrukturë në drejtësi, në ekonomi. Turizmi mbetet një burim i madh ekonomik për vendit, uroj të jemi sa më parë në BE.

Xhevat Zenelaj është një njeri i lidhur me libër-shkruarjen. Ai më thotë, se:- Për vitin 2026 kam shpresë të botoj një enciklopedie për rreth 1000 shpend të egër të rruzullin tokësor. Krahas punëve të përditshme ushtroj dashurinë si gjysh për nipër e mbesa. Dashuria, për familjen e fëmijët, shoqërinë, punën dhe Atdheun. Kjo për mua është vet jeta, pa të njeriu mbetet një gjë amorfe pa vlerë familjare apo shoqërore.  Pas botimin të librit për fshatin "Karbunari buzë Vjosës", kam botuar dhe librin  "Zenelajt e Karbunarës" monografi për fisin tim.

Siç shihet, fillim viti mbart një start të ri mendorë, shpirtërorë dhe fizik tek njerëzit, ku shquan dashuria për familjen dhe kulturën kombëtare.

Tiranë, shkurt 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page