top of page

BASHKËBISEDIM ME VETEN


Mihal GJERGJI


Gjumi thuajse më ka braktisur. Më ndodh shpesh të flas me atë fëmijën që përgjon brenda meje, si bufi që ruante hyjneshën Minervë. Eh, mosha! Kështu dua të besoj. Në kërkim të një jete më të mirë, të gjithë nxitojmë t’i ikim vendlindjes, por në fakt ikim tek ajo. Fëmijët mund të rriten pa prindër, por jo pa atdhe. Ngado që shkojmë zemra mbetet atje. Unë kam me kë flas; me malet, me korijet e lisave, me rrëketë e rrëmbyera, me drurët shtatlartë, me të larguarit nga kjo jetë, të cilët më trokasin në kujtimet e largëta. Kam edhe të vdekurit e mi me të cilët çmallem. Era e vendlindjes më mbështjell trupin si një shall i butë. Atje kemi mbjellë dashuritë tona, të cilat presin t’i kositim me draprin e mallit. Edhe plagët atje i kemi. Unë kam të mijat, të trupit dhe të shpirtit, e ato vazhdojnë të dhembin. Shpesh më duhet të besoj se kam lindur duke vdekur. Ishte koha e murtajës së kuqe. S’kam ekzistuar asnjëherë e përsëri ndodhem mes jush. Në krahinat e braktisura jetojnë njerëzit e mbetur pa mburojë e mbështetje. Ndoshta prej një shekulli, Kurveleshin e kanë trajtuar si fëmijë të botës, anipse është zemra e Labërisë, e kanë ndarë e përçarë për ta sunduar më lehtë. Jemi ushqyer me gënjeshtra të bradha, kohë pas kohe. Po njeriu s’mund të ndahet nga trualli i tij, ashtu si shpirti nga trupi. Shumë herë kam dashur të shkruaj diçka për mësuesit e mi, po s’kam mundur. E dini pse? Janë më pak se gishtat e dorës ata që kanë mundur të mbeten në memorien time, e çuditërisht asnjë nga fshati im. Këtë boshllëk s’kam ditur si dhe me çfarë t’a mbush, ndaj kam heshtur. Gjithsaherë kërkoja spjegime, ka pasuar një heshtje e gjatë. Shumë pyetje që ende vazhdojnë të godasin si çekiç brenda meje kanë mbetur pa përgjigje. Gjithë ajo urrejtje brenda një grushti njerëzish! Përse vallë?

Shkrimtari nobelist Rudiard Kipling ka afruar përvojën e vet për të analizuar e zgjidhur problemet që shkaktojnë shqetësime: “Unë mbaj gjashtë shërbyes të ndershëm. Ata më mësuan gjithçka që dija. Emrat e tyre janë: Çfarë, Pse, Kur, Si, Ku dhe Cili”

Thuajse asnjë emër mësuesi të shkollës fillore s’mbaj mënd, sepse askush prej tyre s’dinte të afronte dashuri dhe buzëqeshje. Pamjet e tyre më kujtonin njerëzit prej leckash që vendosnim buzë arave të mbjella, për të ruajtur grurin apo misrin nga dosbalat. Ende s’kam mundur të kuptoj se çfarë përpiqeshin të bënin; mësim përmes edukimit apo edukim përmes mësimit? Shoqëria pa moral është e destinuar të rrënohet, ndërsa nocioni i lirisë s’mund të ndahet prej mendimit etik. Ai që s’është edukator i mirë në familje, si mund të bëhet i tillë në shkollë? Si në mjegull më shfaqet portreti i Zaçe Veshit. Përpiqej të ishte ndryshe, të tregohej i afërt, mirëpo mes kolegëve të tij me maska ngjasonte si një fëmijë i plakur. E po të përdorja gjuhën e Nolit, do thoja se Zaçja fliste toptançe, pa llustrën që fsheh ligësinë. Ruaj vlerësim të veçantë për

Vehet Bashën. Rrezantonte edukatën e shëndoshë familjare. Sa shumë ndryshojnë banorët e Lekdushit nga ata të fshatrave të tjera brenda të njejtës krahinë! Ndoshta nga ky mësues më është shtuar qysh atëherë dashuria për shkencat ekzakte, matematikën dhe fizikën. Vite më vonë, në shkollë të mesme gjeta një tjetër mësues të spikatur, Mersin Shena. Me gjykimin e nxënësit dhe të moshës së at’hershme e çmoja si fizikant të përgatitur, të cilin s’nguroj ta quaj specie në zhdukje. Ai futej në klasë si era dhe dilte si reja me breshër. Gjithmonë kam qënë në kërkim të modeleve; për veshjen e bukur, ligjëratat interesante, sjelljen e bukur, inteligjencën e mësuesve, aq shumë të munguar mes tyre. Asnjëherë s’i kam kënaqur pritshmëritë e mia. Ndërsa shkruaj këto rreshta, kujtoj me nderim Sadete Hadërin nga Rexhini, një zonjë fisnike dhe intelektuale. Në arkivin tim, mes shumë materialeve, u ndala tek një dëftesë e shkollës së mesme, viti i parë. Më çuditi shënimi poshtë notave: “Përparimi mbi mesatar. Nuk justifikon besimin e shokëve, nuk ka ndihmuar në problemet e organizatës së rinisë. (3.7.1977)” Poshtë emërit të drejtorit (Iliaz Xhebro) kishte firmosur zëvëndësi i tij, një fshatar nga periferitë e Tepelenës. Ngaqë tregoj kujdes të veçantë për higjenën e gojës, emërin s’po ja përmënd, ndërsa mbiemri i tij më kujton Qelën e priftit ose hapsanën e shtetit. Një qënie e shëmtuar me dhëmbë të shtrembër dhe sytë në gjyrën e humnerave. Si për të zbutur mjerimin e këtij përbindëshi, fati i kishte afruar në krah një grua të bukur. Inspiruesi i ligësisë së tij shpirtërore ishte sekretari i partisë së fshatit tim. S’kisha ç’bëja, isha i pafuqishëm për të luftuar sekretarin. Ai s’kishte nder, ishte shtëpi nënudhe, s’kishte dinjitet, sepse ishte pjellë e turpit. Padronët ua mbanin të gjatë zinxhirin këtyre zagarëve. Punë e madhe nëse kafshonin, s’u hynte gjemb në këmbë. Vite më vonë, për këtë gusmariot, më sojsëzin e sojsëzëve, mësova se kishte ngordhur diku në Tiranë. Në rrugën ku kalonin ata s’duhet të shkelte as hija ime. Pablo Neruda ka një poezi interesante titulluar: “Një qen ka vdekur”. Tamam si shpallje publike, si njoftim varrimi. “Qeni im vdiq/ E varrosa në kopësht”. Shikoni çfarë nderimi për kafshën shtëpiake, që i qëndron besnike njeriut. Nuk di për kë paguaja, por ndjeja urrejten hakmarrëse që drejtohej kah meje. “Të shtatë kundër Tebës”- është njëra nga tragjeditë e Eskilit. Ja, kështu ndjehesha dhe unë mes të ashtuquajturve mësues, që u gremiseshin fjalët nga goja dhe më shikonin me sytë e të tjerëve.

Gjyshja ime nga babai është nga Nivica, bijë e fisit Lilaj, ndërsa gjyshja nga nëna është bijë e fisit Bushaj, edhe kjo nga Nivica. Prandaj po ndalem pak më gjatë tek dy emra të tjerë, dhe kjo e ka një arsye, ata janë krijues, poetë të talentuar. Veli Hodaj dhe Halo Mala. Dy natyra të ndryshme, jo pa qëllim i vendos përballë njeri-tjetrit, sepse s’do kuptohej batica pa studiuar edhe fenomenin e zbaticës. Dy brigje mund të lidhen duke ndërtuar një urë me fijet e ndritshme të mendimit. Ata që shikojnë me sytë e mendjes mund të kalojnë. Me të dy kam lidhje të largëta gjaku, me Veliun nga babai, ndërsa me Halon nga nëna. Kjo lidhje ka ekzistuar në rrëfimet e prindërve të mi, si një thirrje kujtese dhe ka mbetur një dashuri e parealizuar. Nuk kam mundur të mësoj arsyet, por them me bindje se të dy janë njerëz të fisëm dhe të nderuar. Gjithsesi më duhet të jem i kujdesshëm me fjalët. Më ka ndodhur të them “shëndet” dhe më kanë thënë “plaç”. Prandaj qëmtova me kujdes edhe datëlindjet e tyre, iu referova edhe mitologjisë. Të dy thuajse janë vërsnik me Republikën, me një diferencë të vogël vitesh. Veliu ka lindur më 16.02.1945, ndërsa Halua më 02.05.1948. Mitologjia kelte, e ngjajshme me atë greke, pranon kalendarin e drurëve pyjorë si model përcaktues të veçorive të spikatura të njeriut.


Të lindurit e muajit shkurt i përfaqëson Pisha ose pema e veçantisë; këtë shenjë e mishërojnë njerëzit që u pëlqen jeta e rehatshme dhe natyrale, janë praktikë, por mosbesues dhe pa ide të guximshme...

Të lindurit e muajit maj i përfaqëson Panja ose pema e pavarësisë; këtë shenjë e mishërojnë njerëzit jo të zakonshëm, plot imagjinatë, të rezervuar dhe ambiciozë, krenarë dhe vetbesues...Janë vlerësime vërtet interesante. Shikoni pra, më duket se kam goditur në shenjë. Veliu i talentuar zgjodhi heshtjen deri në vitin 1990, sikur të kishte bërë një marrëveshje paqeje të përkohshme. E thotë edhe vetë në njërën nga poezitë e tij:

“Kërkoj armëpushim me ty, jetë

S’ke si thua jo...

Gjersa kam ngritur flamurin e bardhë

Prano...”

Kohë më vonë botoi vëllimin poetik: “Këngë e këputur”. Poezi fine që të mbeten në mendje, shkruar me elegancë. Edhe Veliu ka dhimbjet e tij.

“Dhe që nxin

Gur që zbardh...

Nën këtë varr

Im atë bën gjumin e madh...

S’e hiqte cigaren nga buza

“U ke dhënë bukë të padëshirueshmve...”

Akuza...

Pastaj sëmundja

Shtrëngonte mes dhëmbësh

dhimbjen e tmerrshme

Asnjë klithmë

Vetëm heshtje

Gjersa erdhi këtu

Tek ky gur

Tek ky bar

Mbi varr

Heshtja shtrin krahët

si shpend i vrarë!”

Ndryshe është Halua. Guxoi më shumë, s’iu largua devocionit për artin e fjalës, si shtegdalje dinjitoze nga absurdi i jetës, pa nihilizëm dhe vetëvrasjen që ta impononte pushteti i sovjetëve. Krijoi grupin e valltarëve të Gusmarit, shkruante tekste brilante, gjithmonë për Mëmëdheun dhe larg politikës. Pastaj konkuronte në festivalet kombëtare dhe merrte çmime. Fitorja i buzëqesh atij që s’tërhiqet, jo gjithmonë më të fortit. Në korespodencën tonë të kursyer, Halua më shkruante pak rreshta: “Babait tonë i humbi unaza në ugaret pranë shtëpisë. E gjetëm ne fëmijët pas 30 vjetësh. E pastruam nga balta dhe ia dham. Ruante po atë shkëlqim si dikur, shkëlqim floriri”

79 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page