Bashkim Saliasi: Pena e Xheladin Mjekut, me një figuracion të pasur artistik
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 17
- 4 min read

MENDIME RRETH LIBRIT
“NËNA E LIRISË”, ME AUTOR XHELADIN MJEKU
“Rastësia, është mbreti i gjithçkaje”, - thotë një fjalë e urtë.
Ishim ulur me mikun tim Viron Kona dhe po diskutonim se, cilat ishin zbulimet, që do kryente Bubulinua në Kiruna të Suedisë para se “të niset” për në planetin Mars. Bisedën tonë interesante e ndërpreu zilja e telefonit. Vironi më kërkojë ndjesë dhe u përshëndet me prof. Murat Gecajn, i cili na ftoi që të takoheshim te lokal “Postiqja”, me mikun tonë nga Prishtina, të mirënjohurin Xheladin Mjeku.
U ngritëm dhe, për pak minuta përshkruam rrugën deri te lokali, ku u takuam me prof. Gecaj dhe mikun e shtrenjtë nga Dardania, Xheladin Mjeku.
Biseda nisi e ngrohtë, sikur njiheshim prej vitesh. Që në fjalët e para, Xheladini më krijojë një përshtypje të njeriut të thjeshtë dhe i matur në bisedë me bashkëbiseduesit. Fliste dhe dëgjonte. Ishte nga ata njerëz që e respektonin biseduesin dhe dinin të dëgjonin.
Qëndrova pak çaste me miqtë e mi, sepse më duhet të paraqitesha në punë.
Para se të flas për veprën e Xheladinit, objekt i të cilit është ky shkrim, dëshiroj të njohë lexuesin me jetën e autorit:
Cili është Xheladin Mjeku?

I datëlindjes 1961. Shkruan dhe boton prej dekadash poezi dhe prozë për të rritur dhe për fëmijë. Bashkautor në disa libra me poezi dhe kritikë letrare, ndër të cilat:
“Prelud poetik” (1997), “Zhbërja e ikjes” (2006), “Hijet e thyera” 2008, “Aromë gruaje” (2011), “Bedri Dedja në kujtesën tonë” 2010, …Me Dritëroin, etj. Fitues i disa çmimeve letrare në prozë dhe poezi, kurse në vitin 2010 fitoi çmimin e parë për librin poetik “Mëkatet e Orfeut”, nga klubi i Shkrimtarëve Shqiptar në botë “Drita” dhe Istituti i Librit dhe Promocionit “Toena” –Tiranë. Jeton në Prishtinë.
Është anëtar i Klubit të Shkrimtarëve të Shqipërisë. Para lexuesit vjen me librin e dytë “Nëna e lirisë”, rreth të cilit po jap disa nga përshtypjet e mia.
Në një çast, i drejtova pyetjen mikut nga Kosova, nëse kishte dijeni për një fshat ose histori për “Mollën e Kuqe”? Shkurtimisht, Xheladini, më tregoi se, në vitet 1878, në luginën e Preshevës ka ndodhur një reprezalje e madhe dhe, për “Mollën e kuqe” është shkruar dhe shkruhet shumë.
Por, unë, - m`u drejtua ai, - miku im, po të dhuroj librin që sapo kam botuar dhe, aty, shpresoj se do gjesh shpjegimin e duhur. Tregimi “Gjashtë lisat” dhe tregimi për Mollën e kuqe i Xheladin Mjekut, përkojnë me historinë e lisave, që tregojnë në fshatin tim të lindjes, në Dobrushë të Skraparit.
XHELADIN MJEKU
Shëron plagë me vdekjen lufton,
Jetës i jep jetë me duart e veta.
Vlerën e tij vetëm i sëmuri e çmon,
Që i thotë jetës dhe një herë: Tungjatjeta.
Dardani Xheladin e do Shqipërinë,
Po ilaçet e tij s’kanë efekt në politikë.
Kjo sëmundje, thotë, do bisturinë,
Të heqim të keqen që vret çdo ditë.
Libri është një thesar për lexuesin. Ai përbëhet nga tre kapituj: Harta e shqiponjave: që përmbledh dhjetë tregime; Kushtetuta e fëmijve, me dhjetë tregime dhe, kapitulli i fundit:
-Ekspozita e stinëve, me njëmbëdhjetë tregime.
Pena e Xheladinit, me një figuracion të pasur artistik, na sjellë në kujtesën tonë dashurinë për vendlindjen.
Ndër mesazhet e shumta që, autori, përhap në këtë libër të vogël e plot vlera, shpalos botën e tij të brendshme.
Me një gjuhë të thjeshtë, ai u përcjell lexuesve ndjenjën e thellë të atdhedashurisë.
Në tregimin “Gjashtë lisat”, Xheladin Mjeku, di të gjej gjuhën dhe të përcjell te lexuesit mesazhe, se do vijë dita që, “Gjashtë lisat” do të bashkohen përsëri në trungun e vetëm që kanë pasur... Zotësia e Xheladinit, është që, me një gjuhë të thjeshtë dhe tërheqëse, përshkruan tipa dhe karaktere si, ai, i heroit kombtar të Kosovës, Adem Jashari.
Gjinia e tregimit nuk është e lehtë të lëvrohet, por Xheladini na i përshkruan bukur dhe me ndjenjë. Tregimi për Mollën e kuqe, më ngjalli një ndjenjë të brendshme keqardhje për vendlindjen, por edhe më lumturoi, sepse më çoi në vendlindjen time, atje në Dobrushë, në vendin e quajtur Kryzë, arë e xhaxhait tim, ku ishin dy mollë, që çdo vit bënin kokrra të kuqe dhe familja jonë i ruante me “fanatizëm”, nga dëmtimet ose prerja e ndonjë “dore të keqe”. Ndoshta dhe këto dy rrënjë molle fshinin ndonjë sekret, që unë nuk kam arritur ta zbulojë dot deri më sot.
Enigma e “Mollës së kuqe”, nuk ngacmon vetëm penën e Xheladinit, por dhe shumë dashamirësve, të cilët ruajnë këtë “enigmë”, në zemrat e tyre dhe mundohen që të zhbirojnë diçka nga kjo histori e dhimshme që fshihet si një gurë kyç, që nuk është e lehtë të zbërthehet nga vendi ku “fshihet” ky sekret.
Mollë e kuqe! – enigmë.
Mos vallë është kjo histori e bukur ose sajesë, që simbolizon një ngjarje që ka lidhje me trevën tonë?! Në të gjitha tregimet e këtij libri, secili ka diçka të re, të bukur për të thënë, ku mbarten vlera të larmishme të shkruara me dashuri nga autori. Ai i përcjell ato te lexuesi, në formën e mesazheve për të mos harruar kurrë të kaluarën.
Meritë tjetër e librit, është stili i shprehjes së mendimit në kohë dhe me fjali të shkurtra, të cilat e tërheqin natyrshëm dhe pa sforco lexuesin.
Xheladini me mënyrën e vet të treguarit, përpiqet të na tërheqë dhe të na bëjë për vete me stilin e të shkruarit të tregimeve të këndshme që na ka dhuruar, duke na rrëfyer rrugën e atdhedashurisë për t’i ruajtur të pacenuara vlerat e të parëve tanë.
Nuk dua të shuaj kuriozitetin e lexuesit, por do t’i thosha çdo dashamirësi të librit: Lexoni Xheladin Mjekun, sepse pena e tij është risi dhe e mrekullueshme.
Comments