Bashkim Hisari: Pas festivitetit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 days ago
- 3 min read

Dija, politika dhe hendeku drejtë Evropës
Shkruan: Bashkim Hisari
Kurrë s’e kam kuptuar se si një popull i vogël si shqiptarët e Kosovës ka mundur të nxjerrë kaq shumë njerëz të papërgjegjshëm e të pandershëm, që sillen si rrugaça. Në vend të bashkëpunimit, të tillët nxisin përçarje të thella, të cilat duken sikur nuk do të zhduken kurrë. Një numër prej tyre nuk kanë pjekurinë për të pranuar rezultatet e zgjedhjeve dhe as gabimet e veta. Ata shpikin qindra histori mashtrimi, japin deklarata, shkruajnë komunikata dhe në rrjete sociale plasojnë gënjeshtra, vetëm për të mos u ndier fajtorë në sytë e popullit. Jo rrallë, disa veprojnë sipas thënies: “Shqiptari, nëse nuk ka bisht, ia ngjesim, nëse ka, ia këpusim”.
Në Kosovë, shumë familje jetojnë në varfëri, ndërsa keqpërdorimet dhe hajnia janë bërë pjesë e përditshmërisë. Moszbatimi i ligjeve dhe korrupsioni e minojnë besimin në institucione, duke e bërë drejtësinë të ndjeshme vetëm për një pakicë të privilegjuar. Përditshmëria shpesh reflekton mashtrime dhe sjellje joqytetare. Mungesa e edukimit qytetar dhe respektit për rregullat bën që kultura primitiviste të mbizotërojë në shumë mjedise.
Në të kaluarën, njerëzit i afroheshin dijes me respekt të thellë. Qëndronin të heshtur para librave dhe mësuesve, dëgjonin me kujdes çdo fjalë, si diçka të shenjtë. Dija ishte dhuratë, dhe njeriu i ditur një dritë në mjegullën e padijes.
Dikur, në mahallën time rreth Kompleksit Memorial të Lidhjes së Prizrenit, prerja e pastërmës për dimër ishte traditë solidariteti. Mishi ndahej me të afërmit, kojshitë dhe familjet në nevojë. Ishte detyrim moral, jo thjesht bujari.
Ceremonitë e dasmave përfshinin pjesëmarrjen e të gjithë banorëve të mahallës – burra, gra dhe fëmijë – pa ftesa formale.
Buka gatuhej në shtëpi dhe piqej në furrën e mahallës. Gratë e vendosnin bukën e gatuar para derës, dhe kush kalonte i pari i merrte bukët, të radhitura mbi një dërrasë të gjatë, për t’i çuar në furrë. Nëse ishte pite, pas pjekjes ajo ndahej edhe me kojshitë.
Puna e parë që bënin gratë në mëngjes ishte pastrimi i oborrit dhe i hapësirës para shtëpisë. Në rast se dikush ishte i sëmurë ose mungonte, këtë detyrë e kryente njëra nga kojshitë.
Këto ishin vetëm disa nga zakonet e pashkruara që mbanin të forta lidhjet shoqërore dhe frymën e edukatës e solidaritetit mes banorëve të mahallës.
Sot, gjërat janë ndryshe. Askush nuk pyet më për atë që di dikush, por për pozicionin që mban në parti apo institucione publike, pasurinë e tij, apo sa shpesh shfaqet në ekranet televizive – jo për ato që ka bërë me vlerë. Vlera nuk matet më me dijen, por me dukjen. Padija dhe mungesa e solidaritetit kanë humbur turpin, ndërsa zhurma e disa mediave dhe rrjeteve sociale ka shtypur arsyen në opinionin publik
Në këtë kohë, kur lajmi shpesh merr më shumë vëmendje sesa e vërteta, kur “zëri i fortë” mposht mendimin e matur, problemi më i madh nuk është mosdija, solidariteti, morali por indiferenca ndaj tyre. Mbetet pyetja: a do të dimë një ditë të qëndrojmë para dijes, drejtësisë dhe civilizimit me respekt, apo do të lejojmë që zhurma të mbushë boshllëkun që lë padija dhe arroganca ?
Kosova aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, por realiteti socio-ekonomik i qytetarëve mbetet larg standardeve evropiane. Në vendet e BE-së, drejtësia funksionon, shëndetësia dhe arsimi janë cilësorë, korrupsioni është pothuajse i papërfillshëm, ndërsa respekti për ligjin është pjesë e kulturës së përditshme. Paga mesatare mujore bruto sillet rreth 3.200–3.300 euro, ndërsa të moshuarve u garantohet siguri dhe dinjitet. Përveç pensionit prej rreth 1.500 eurosh, ata përfitojnë mbështetje për strehim, energji, qasje të plotë në shërbime shëndetësore dhe sociale.
Në Kosovë, situata është krejtësisht ndryshe. Paga mesatare prej rreth 600 eurosh dhe pensioni bazë prej vetëm 150 eurosh nuk sigurojnë një jetë dinjitoze. Qytetarët, veçanërisht të moshuarit, përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike dhe mungesë të mbështetjes institucionale.
Niveli i ulët ekonomik, importi shumëfisht më lartë se eksporti, manipulimet me tendera, përplasjet e vazhdueshme politike, interesat partiake dhe personale, si dhe mungesa e koordinimit institucional po e mbajnë vendin të bllokuar. Këto probleme po dëmtojnë drejtpërdrejt shërbimet publike, projektet sociale, shëndetësinë dhe infrastrukturën, duke rritur pakënaqësinë qytetare. Gjasat për të tejkaluar këto sfida dhe për të krijuar një ambient më të mirë për qytetarët në vitin 2026 janë shumë të pakta.
Pa përgjegjësi politike, reforma reale dhe fokus të qartë në interesin e qytetarit, integrimi evropian mbetet vetëm një aspiratë në letër. Kosova nuk matet me fjalë dhe premtime, por me standardin e jetesës që u ofron qytetarëve të saj.









Teksti ndërton një tablo të qartë dhe shpesh tronditëse të kontrastit mes vlerave të dikurshme komunitare, solidariteti, respekti për dijen, ndjenja e përgjegjësisë dhe realitetit të sotëm, ku politika, korrupsioni dhe dukja zëvendësojnë meritën. Duke u mbështetur në shembuj konkretë nga jeta e përditshme, autori e lidh krizën morale dhe sociale me ngecjen drejt integrimit evropian: pa sundim të ligjit, etikë publike dhe investim serioz në arsim, BE-ja mbetet vetëm premtim. Forca e shkrimit qëndron te gjuha e drejtpërdrejtë dhe kujtesa sociale, ndërsa mesazhi kryesor është i qartë: hendeku me Evropën nuk është vetëm ekonomik, por para së gjithash kulturor dhe qytetar dhe ai mbyllet vetëm me përgjegjësi, dije dhe solidaritet real.