Barie Çupi: Postulat i një zgjimi meditues
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 4 min read

Mirëmëngjesi i thashë ditës së re sapo u zgjova.Nuk më ktheu përgjigje,krejt lehtë më kaloi përpara qepallave të rënduara, duke m’i freskuar sytë e duke më tërhequr drejt ballkonit.
Binte një shi i lehtë.
Qielli i zymtë,por një kohë e mjalttë ishte për tokën që nuk ngopej me ujë.Ndërsa përtej ndërtesës 5 katëshe dëgjohej zhurma e makinave në rrugën kryesore. U ula për pak minuta duke soditur e duke mërmëritur me veten. Në fakt ajo përshëndetje,ishte të folurit tim shpesh, me dritën,që bëhet arsyeja e lëvizjeve të mia.
Po ç’të lëvizësh,jemi si ai zogu në fole që edhe po ia le dritaren hapur nuk largohet,sepse është mësuar me atë lloj lirie të kufizuar. Ndërsa ne vetkufizohemi,sepse kështu ndodh të jetosh disa kate lart.Nuk mund të prekësh direkt me shputat e këmbëve tokën,as të lëvizësh një degë peme,as të dëgjosh një turmë zogjsh që mblidhen mbi tela shtyllash korenti,as të shkelësh mbi bar apo të rrokullisësh guralecë nën këmbë,as të hapësh një portë të madhe e të nisësh udhëtimin e bardhë të ditës së re.
Je nën ombrellën e një pamjeje,që përpiqesh t’i prekësh me sy e ta vëzhgosh si me nostalgji atë lirizëm që buron nga indet e tua të një jete krejt ndryshe.
Kafeja u bë dhe libri më pret aty në tavolinën prej kashte që kam vënë në ballkonin tim. Shiu i vetmi shoqërues dhe panorama krejt e parregullt përpara. Nuk din ku ta përqëndrosh të shikuarin e pamjes,vetëm se në shiun si vesë mbi parvazin e ballkonit.Befas u zhyta në ca mendime. Të vetmet përgjigje do i merrja nga vetja në rast se do kisha pyetje.
Këtu ka njerëz plot.E përditë i takoj,sikur t’i kem njohur një jetë. Përditë jam në kontakt me ta,me fëmijë,me të moshuar,me të rinj,me çifte bashkshortësh që kujdesen secili në përgjegjësinë e tij për të voglit e tyre,për mbarëvajtjen në shkollë,për përgaditjen mësimore,për shëtitjet,veshjet,blerjet. Shumë gjëra që i kërkon përditshmëria e secilit.
Në fakt janë të gjitha ditë jete që ecin nën këmbët tona,udhëhiqen nga mendja jonë dhe qeshin apo hidhërohen nga ndjesia e shpirtit,gëzojnë me zemër,ose thyhen në copash e mbeten ashtu. Ndërsa sheh para syve kur çdokënd që kalon përanë shkel mbi thyerjet e tua,ndoshta dhe pa dashje e ty të dhemb gjer në palcë. Por ka dhe nga ata që shkelin enkas për të të provuar sa forcë e durim të ka mbetur si njeri.Ka nga ata që përpiqen të të thonë,të paktën këto thyerje mbuloji me avujt e tu që mos duken aq…
Koha kalon dhe kafeja po mbaron,mbaruan dhe meditimet ,dhe këndvështrimi,por një pyetje shpesh më ka munduar.
Këtu këta njerëz kaq të ndryshëm,kaq të panjohur deri dje,kaq të largët e të afërt ndonjëherë. Po ata që lash pas,që u rrita e u gjenda prezent mes tyre për një gjys shekulli-si ishin?
Pyes veten jo tjetër njeri.
Në fakt të gjithë ishin njerëz të mirë?
Të gjithë ishin njerëz të dashur?
Të gjithë të duruar e punëtorë?,
Të gjithë më erdhën në përfytyrimin tim njësoj me këta të cilët shoh çdo ditë. Më vjen në mendje një fjalë e urtë popullore”S”ka pyll pa egërsira” edhe njerëzit janë të ndryshëm,me synime,me ndjesi apo dashuri ndryshe. Popo e kam pranuar gjithmonë këtë,nuk janë të gjithë njëlloj,por janë të njëjtë në këndvështrimin “njerëz”…me një fillim,me një jetesë,janë me një energji,me një fizik,por me përfundim po të njëjtë.
Ajo që më mundon është. Ngado shkoj kam plot miq,mikesha shumë të mira,ndajmë biseda e mendime,ndajmë kohë e respekt.
Pyetja ime është po të ishin këta miq gjaku im,çfarë mardhënie do kisha me ta?
Dhe anasjelltas,po të ishin njerëzit e gjakut tim “të huaj,a do t’i bëja ndonjëherë miq vallë?
Kam përshtypjen se shumë nga ne do seleksiononte deri në masë.
Do mbeteshin fare pak nga të dy krahët. Shumë miq nuk do donim kurrë t’i kishim të afërt…shumë të afërt as nuk do na shkonte kurrë mendja t’i bënim miq.
Por ja që ca gjëra janë vendosur nga një rregull i mbinatyrshëm besoj,askush nuk mund të bëjë zgjedhjet e përkryera në këtë jetë,…është fati vallë?…është vendndodhja?…është intuita?…është rastësia?…mentaliteti?…kurioziteti?…prapambetja? …varfëria?…dobësia?…mendjelehtësia?…serioziteti?…ndikimet?…këndvështrimi?
Për ta mbyllur me pozitivitet këtë postulat të këtij mëngjesi me shi po shpjegoj sipas këndvështrimit tim “jeta është emocioni që ne na udhëheq”.
Nëse njeriu mbart dashuri,mirësi, pozitivitet,edhe nëse ka të kundërtën përballë,mund të mos fitojë,por ama do të shpëtojë për mrekulli.
Produkti i raportit,varet nga çfarë secili nga ne ka brenda vetes dhe si e shfaq atë.
Nëse do thosha:-Lashë shumë njerëz të këqinj pas,sërish unë do kisha të njëjtin mendim edhe për ata që do gjej përpara.
Nëse mendoj e them:-Lashë edhe shumë njerëz të mirë pas,atëherë shumica që do gjej para,do jenë të mirë.
Dashuria dhe urrejtja janë në brendësinë tonë.Ndonjëherë shpëtojmë veten dhe të tjerët duke shmangur jo vetëm negativitetin,por gjithmonë duhet të përjashtojmë urrejtjen,cmirën,zilinë ,xhelozinë,dashakeqësinë.
Nëse nuk i sheh brenda vetes,mos i ndiq tek tjetri,lëre në të tijën,vazhdo rrugën e dritës tënde duke nxitur harmoni,respekt që të ndihesh i vlerësuar dhe i pranuar.
Dashuria për jetën,për familjen,për punën,për natyrën,për njerëzit duhet të jetë qëllimi ynë i përmbushjes.
Dashuria dhe besimi në Krijuesin tonë është qartësia e të gjithave,çfarë ne kërkojmë në botën e madhe të gjithësisë.
E para shuaje etjen e jetës me ujë të pastër,që të jesh si uji që nuk ndalon kurrë,sepse nëse ka përbërës tjerë brenda kalçifikohet dhe do ngurtësohesh në çdo pengesë.Si sheqeri edhe kripa ndryshojnë shijen e ujit dhe e turbullojnë atë.Pija e këtyre dy substancave,pa një masë të caktuar,të çon në prishje të ekuilibrit dhe qarkullimit të çrregullt të jetës.
Lëre trupin me shpirtin,siç bën toka me shiun.
Kanë filluar të dalin manushaqet e para,
luledelet,lulebatrat,tulipanët,
margaritat dhe mimozat.
“Stinët flasin më shumë se njerëzit”
DHE NJË POEZI NGA POETJA BARIE ÇUPI
Temjani i zemrës
Tani që dita po bën planet e saj,
dhe këmba rrugën gjen,
dhe trajtat e zhurmës ndryshojnë,
mëngjesi fluturon me temjanin e tij dimëror,
diku një zjarr kërcet,
dhe era ulërin,një baladë plagësh godet.
Rrotullohen akrepat e orës,në qetësinë e tyre intime,
zëra të myshkët,vaditur nga lot i qiellit,
në pezmin e zemrës mblidhen,
e bëhen pasazhe,
dhe foleja e pëllumbave dhe një mall nëne në vargje.
Nuk na u dashkan mërzitë,
as lirikat e nxehta si dielli në verë,
as brenga e përzier me ndjesi foshnjore,
kufij të përcaktuar,
dhe zbresim në të njëjtin stacion,
në galaktika ku ndizen yje,
dhimbjet nuk duan ciceron.









Comments