top of page

ATJE KU NDEROHEJ ATDHETARI ...


NJË TAKIM MBRESËLËNËS POETIK ATJE KU NDEROHEJ ATDHETARI PJETER BUDI


Rruga e vjetër për Burrel, me bukurinë e vet primitive, gjithmonë më ka magjepsur dhe më ka ngjallur poezi në shpirt. Ca më shumë me datën 2 shtator, ditën që së bashku me miqtë e mij Kadri Tarelli e Merita Thartori, duke pasur në timon bashkëshortin e saj, pedagogun e njohur Alushin, ishim nisur për të marrë pjesë në Festivalin e shtatë “Muza Poetike Budjane” që organizonte klubi letrar “Pjetër Budi” i Matit. E dinim se gjithçka do të shkonte më së miri, jo vetëm ngaqë e kishim parë edhe herë tjetër seriozitetin dhe përkushtimin e drejtuesve të këtij klubi, shkrimtarit të palodhur Hamdi Hysuka dhe poetes së talentuar Lindita Doda, por edhe se aty do të takonim plot nga miqtë tanë poetë apo do të njiheshim me shumë të tillë të ardhur nga të gjitha trevat ku flitej shqip. Pastaj, dihet se matjanët janë dalluar gjithmonë për mikpritjen e tyre të rrallë. Pra, po shkonim në atë vend që nga gjiri i saj kanë dalë sa e sa burra të ndritur që me veprën e tyre, sidomos atdhetare, i kanë bërë një shërbim të madh edhe historisë së kombit tonë. U gëzuam kur pamë se para nesh aty kishin mbërritur edhe poetë të tjerë nga Durrësi e qytetet e tjera të Shqipërisë, por më shumë na entuziazmoi prania e disa të tillëve nga Kosova, miq të hershëm të qytetit tonë, si politikania e aktivistja Flora Brovina, vajza nga Elbasani e martuar në Gjakovë, Migena Artalli dhe energjiku Berat Batiu nga Prizreni me shokë apo ata nga Maqedonia e Veriut, e deri Suedia. Natyrisht që nderimi i parë u bë te busti i Budit në oborrin e shkollës së mesme, prelatit që nga të parët jo vetëm luftoi kundër pushtimit turk, apo që ndërgjegjësoi popullin të mos pranonte klerikët e huaj, si dhe përhapi me përkthimet dhe shkrimet e veta kulturën, por dhe kërkonte në letrat e tij deri edhe në Vatikan, çeljen e shkollave në gjuhën shqipe. Pastaj, në një sallë të përshtatur më së miri u promovua vepra e dy autoreve; Adivije Hoxha (“Hije ëndërre”), dhe Trëndafile Molla (“Jehona e valëve të jetës”), e para vajzë Mati e ardhur familjarisht në Durrës dhe e dyta bijë Durrësi, por që kishte ardhur posaçërisht nga Italia ku jeton prej vitesh. Referuam, respektivisht unë dhe Fatmir Neli dhe u kalua te deklamimet e 44 poezive të përzgjedhura nga juria e përbërë nga Prof. dr. Shyqri Galica, Kujtim Stanaj e Vera Istrefaj. Poezitë ishin njëra më e bukur se tjetra dhe u recituan me kompetencë. Ato, me vlerat e tyre artistike dhe mesazhet që përcillnin shkaktuan te të pranishmit emocione, ndaj dhe u duartrokitën nga të gjithë. Binte në sy trajtimi i temës së bashkimit të kombit, mospajtimi me largimin e të rinjve dhe stigmata për korrupsionin në gjirin e politikanëve tanë. Herë pas here veprimtarinë e shoqëruan artistët matjanë me mjeshtërinë e tyre të pashoqe në përdorimin e veglave muzikore popullore si çifteli e fyell. Në fund u ndanë edhe çmimet, ku rastisi që juria më nderoi mua me çmimin e parë për poezinë “Në Athinë në autobusin urban”. Fitues të vendit të dytë ishin Rajmonda Qose dhe Haqif Heta dhe në vendin e tretë Mevlud Buci, Zyrafete Kryeziu dhe Lulzim Hajdari. Po ashtu iu dha çmimi i poetëve konkurues Migena Arllatit si dhe çmime të tjera për Adivije Hoxha, Adile Baleta, Ramë Oraca, Rubjana Nika dhe anëtar nderi i klubit Prof, dr. Ejup Hajdini. Sponsorët ishin kujdesur që dreka në restorantin modern “Sofra e Luanit” të kalonte sa më mirë mes këngëve dhe valleve popullore. Ishte një atmosferë mbresëlënëse, mes motrave e vëllezërve poetë që me krijimet e tyre e duan Shqipërinë edhe më të bukur, edhe më të begatë edhe më evropiane. Ishte takimi i organizuar aq mirë, nga ata që dukej se kërkonin të pohonin drejtësinë e asaj thënies së mençur se “Shoqëria njerëzore ka nevojë për poetët si nata për yjet”. Në kthim ndaluam për një kafe buzë liqenit të Ulzës, ku mjedisi meriton vëmendje edhe nga piktorët. Ndiheshim të lumtur se kishim kaluar një ditë të paharruar.

18 views1 comment

1 Comment


kadritarelli
Sep 03, 2023

Pershendetje Shpendi, per kete reportazh te bukur dhe plot hollesi, mbi kuvendin e poeteve (Keshtu e quaj une festivaalet apo konkurimet e krijuesve). ishte vertet nej dite e paharruar!/


Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page