top of page

Ata do të paraqiten si të mençur dhe shkurt do të dijnë asgjë...


Sokrates

SA KUSHTON NJE NJERI NE ZARF?!

Dr Fatmir Terziu



Ne jemi zarfuar prej kohësh. Brenda një kuboidi prej letre ndodhet qenia jonë. Ndodhemi ne aty! Ndodhemi në atë pjesë letre të përzgjedhur, ashtu tendosur pa frymëmarje. Gjendemi të pllakosur në zarfin e madh të pushtuar nga mori ngjyrash. Ashtu të deshifruar në copëza letrash, kemi fatin, identitetin, moralin, autoritetin, vlerësimin, paraqitjen, talentin, dhuntinë, veprën dhe madje edhe jetën në atë zarf, që pronar ka vetëm kupolën.

Kupola ka letrën, zarfin, vulën dhe pështymën që i mjafton të ngjisë e të palosë zarfin tonë aspak numerik, aspak me peshë, aspak të nevojshëm, por të destinuar për një përdorim tejet të stisur. Një zarf mjafton për një jetë, një zarf me pak gërma dhe pak iniciale. Jetë në zarf! Jetë e zarfuar, e paketuar deri në detaje, deri në lindje, vdekje, … e gjitha në një itinerar kohe dhe vendi që vetëm zarfosësit e dinë, vetëm zarfaxhinjtë dinë t’a pështyjnë.

Zarf në zyra, zarf në rrugë, zarf në punëra, zarf për të larë e tharë lotë malli…Pastaj një zarf ku fshihet qenia jote në këtë botë. E gjitha në një zarf, e gjitha në një term identitet, e gjitha nën një motiv me personazh makinën, teknologjinë dhe njeriun prej letre në zarf. Nën zarf shtrihet e fshihet një jetë, dhe mbi zarf ngulet një makinë që godet papushim të vulosë në të thatë dhe të gozhdojë si në arkivol shpirtin ende të padalë të njeriut.

Pastaj me gjithë zarf, shëtisim mes thasëve, zyrave, qosheve, rrugëve, deteve, qiellit dhe shteteve, derisa diku përfundojmë me gjithë zarf nën dryna kasafortash, sirtare tavolinash, apo malesh me dosje. Diku zarfat i ‘gëlltit’ teknologjia e re, i gllabërron media e re, interneti, apo edhe një lloj më i avancuar që i përket kodifikimit.

Një zarf, një kod dhe një gjurmë gishtash, ja sa vlerë ka jeta e një Njeriu. Ja sa kushton një njeri në zarf.

Por jo vetëm kaq. Ne jemi zarfuar edhe nga zërat, zhurmat, fjalët, fjalimet. Ato kanë formuar një rrjetë merimange rreth nesh, disi të padukshme, disi të neveritshme. Dhe në këtë rrjetë zardore, merimangore ndodhet dhe pështymoset vetë zërima që del nga altoporlantet. E aty edhe muzika vihet në shërbim zarfor… në shërbim të zërave, pëshpëritjeve, klaneve, planeve… sa zanore, aq dhe hakatore. Jo më kot… Ne themi: “Muzika duhet të mbushë hapësirën ajrore.” Ne kur nuk themi, “Muzika duhet të zëvendësojë një pjesë të këtij segmenti ajror…”

Ne dëgjojmë zëra nga të gjitha anët, pa u fokusuar mbi ta. Zëra na vijmë nga ‘tanët’, nga “jo tanët”, ‘ku nuk dihet se nga vijnë’, vijnë drejt e në veshin tonë nga rruga, vijnë nga ‘majtas’, vijnë nga ‘djathtas’, nga ‘qendra’ madje dhe nga hapësira.

Ne s’mund të shuajmë këto zëra. Ne s’mund t’i ndalim ato automatikisht. Ato prodhohen nga makina-shtet dhe makina të tilla kanë fuqi, fuqia e tyre ka një qëllim. Qëllimi është të pushtojë hapësirën tonë edhe me zëra. Ne i ndiejmë dhe i dëgjojmë ato zëra edhe kur grahma e tyre na mbyll në ndonjë zarf. Aty ku ne jemi zarfuar edhe nga zërat.

Ne thjesht jemi ndërtuar e ristrukturuar tashmë si të tillë. Ne nuk jemi ‘prodhuar’ për të qenë makina, por prodhojmë vetvetiu makina për të qenë në shërbimin tonë zarfor. Ne nuk kemi mjetet e nevojshme të kontrollojmë hapësirën, por e bëjmë kontrollin e hapësirës, me zarfimin dhe zërimin tonë. Aty ku hapësira jonë është e organizuar mekanikisht, makinerisht, teknologjikisht e me qindra “isht” ne vetëm jemi lidhur me të si qenie zarfore, në atë mekanizëm ‘jetik’, fare thjesht si një bisht.

Pas zërave vijnë fjalët. Pas fjalëve vijnë gërmat. Gërmat bëjnë alfabetin. Alfabeti ushqen fjalimin… Sokrates nuk e pati ndoshta gabim kur shprehu:

“zbulimi i alfabetit do të krijojë harresën tek shpirti i studiuesit, sepse ata nuk do të përdorin kujtesën, memorjen e tyre; ata do të besojnë tek karakteret e stërgjatura të shkrimit dhe nuk do të vetëkujtohen… Ju u jepni vazhduesve, ndjekësve tuaj jo të vërtetën por vetëm sipërfaqen e të vërtetës; ata do të jenë herronj të shumë gjërave; dhe do të kenë mësuar asgjë; ata do të paraqiten si të mençur dhe shkurt do të dijnë asgjë” (Sokrates, “Phaedrus). Ata do të jenë të zarfuar!


15 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page