top of page

As kanceri nuk na ka mundur dhe nuk na ka ndarë


Ilir Levonja

Ilir Levonja

As kanceri nuk na ka mundur dhe nuk na ka ndarë

Nuk kam fjalë ta risjell se çfarë ndjeva, se nga erdhën ato gulçe gjoksi kur dëgjova zërin e një zonje nga Peja, e mira po luftonte me kancerin, këtë virozë shekullore që po na bren për së gjalli. E bukura ajo jepte 50 euro në ndihmë të të dëmtuarve në Shqipëri. Ishte pensioniste, vlera monetare mujore që merrte qe 75 euro, ajo jepte 50. Kërkonte medoemos të ndihmonte Shqipërinë, nevojtarët, ata që zemërdridhur nuk i zinte syri pikën e gjumit. Bash atë fije fryme thellova e thashë para ekranit se as kanceri nuk po na mund dot, as kanceri nuk po na ndanë dot. Megjithatë na ka ndarë e mundur, na ka vënë përtokë politika, vemja e ndyrë.

Nuk e di se si ta shpjegoj këtë mospërputhje shekujsh mes esnafit dhe njerëzve a shoqërisë sonë? Por një gjë është e qartë që informaliteti i deritanishëm qeverisës dëshmoi se sa i pamundur është një shtet i korruptuar jo vetëm ekonomikisht e ushtarakisht por edhe shpirtërisht. Nuk i kushtonte asgjë duke filluar nga presidenti, kryeministri, kryetari i opozitës të ishin ulur bashkë në gjendje emergjence për të dhënë një mesazh bashkëkohor atë të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit. Të jeni të bindur se dhimbja do të dobësohej me okë. Por nuk e bën, thumbojnë njëri-tjetrin megjithëse dështimi është pronë e tyre.

Ta shpif kur shikon se si një kryeministër kërcënon publikisht mediat që sipas tij keq informojnë. Kanë nga një jetë vet që keq informojnë e keq qeverisin dhe nuk i ka kapur asnjë lloj bir ligji, egjithatë kërcënojnë. Ka kaq vjet që bën si i do mender bytha e megjithatë asnjë fije floku nuk i është prekur. Eshtë kohë paniku dhe një qeveritar i korruptuar nuk e kupton dot se i çfarë rëndësie është një apartament i blerë me gjakun e fëmijës emigrant, një apartament të cilit i ka fluturuar faqja e murit dhe ka mbetur ashtu gërmadhë. Nuk ka si ta kuptojnë se nuk e kanë këtë përvojë. Përvoja e tyre është tjetër, ajo e kopjativit që e bën 3-shin 8 dhe se ka problem të të blej një apo dy apartamente. Nuk e ka përvojën e gjakut të dhënë, por të shushunjës që pi gjak. Nuk janë paratë e tia, janë të buxhetit, baxhellos ku nuk ka mbetur gojë shtetari pa u pështymosur. Mirëpo shefi i qeverisë kërcënon dhe u tregon gishtin atyre që tashmë prej ditësh rrinë aty e nuk mund të largohen. I do ekranet të pohojnë çfarë do ai. Megjithëse nuk e kupton dot atë që ka fjetur përjashta, nuk ka mundur të bëjë dush si ai, nuk ka ngërënë mëngjes të ngrohtë si ai, por ka dërrmuar trutë gjithë natën duke kalkuluar se çfarë do bëj me plasaritjet, me gërmadhat, me të humburit etj. Të thotë supe mbledhur se nuk ka ardhur kërkush të më pyesi. Kush të më thotë se do e ruajmë ne. Kërkush të më thotë që është e pabanueshme ose e banueshme dhe unë të filloj ta meremetoj vet, etj. Pastaj atë refrenin e të të lëshuarit shqiptar që dhëntë Zoti e qeveri vë dorë, edhe pse e di se qeveria e tij nuk as Zot as fe. Në fakt ai informaliteti 30 vjeçar nxorri blof një shtet të kalbur që kurrë nuk e kuptoj demokracinë si bashkëpunim dhe balancim pushteti, por një Un kokëfortë që vetëm do t'i shkoj e tija. Se nëse sot do ishin të gjithë të unifikuar, i gjithë faktori politik, me siguri që dhe grupet e shërbimeve civile do ishin më të shumta. Sepse nuk ka asnjë diksutim që edhe mes forcave politike opozitare, brenda apo jashtë parlamentit ka me shumicë specialistë a vullnetarë që duan të angazhohen. Por askush nga njëshat nuk e hedh hapin, askush. Në distancë shpallin dhimbje me ca fytyra fallco dhe fjalë thumbuese karshi njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, tjetër gjë ndodh mes shqiptarëve, vrapojnë t'i ofrojnë diçka njëri-tjetrit, nuk kanë mëri, nuk kanë zemërata, nuk kanë kokat mënjanë, japin edhe në frymën e fundit.


10 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page