top of page

Arkiva flet


NUK KA FESTË NË MINESOTA!...

-Duke medituar në 5-vjetorin e Ditëpavarësisë së Kosovës-


5 vjet më parë, përjetuam një dalldisjë gëzimi për lajmin e madh se Kosova do të shpallte pavarësinë. Telefonata, urime, njoftime, organizimi i festës. Bejtush Nomanoviç, do të ishte organizatori i komunitetit kosovar për të bërë një “Ditlindje të madhe”! Në verilindje të qytetit, një sallë e madhe me flamuj dhe këngë. Një prijte tradicionale kosovare, duarshtrëgim, urime, respekt dhe këngë pambarim.Kishte miq të shumtë, ish-ushtarë amerikanë në Kosovë, familje, studentë... Isha i pranishëm në këtë Ditëpavarësie bashkë me Elton Mykerezin dhe Plarent Ymerin. Ishte ditë e ftohtë shkurti 2008!


Sot 17 Shkurt 2013! Heshtje në Minesota. Shqiptarët e Kosovës nuk festojnë. Shqiptarët e Shpipërisë vëzhgojnë trishtueshëm bishtat e finxhanit të kafesë diku në një kafene, a thua është ditëmorti apo ditëfeste... Unë pas një mbrëmje debati me Ridvanin dhe Uljanin, kërkoj ta festoj “online”. Një bisedë surprizë me poeten Lida Buçpapaj që jeton në Zvicër bashkë me poetin dhe analistin letrar Skënder Buçpapaj. Mesazhet vijnë si fjollëza bore nga Zvicëra në Minesota. Lida në mënyrë të virtutshme do të më kërkonte shpjegime “Pse e kisha bllokuar miqësinë e saj në Feisbuk” ndërkohë që ishim miq dhe kushërinj. I shpjegova se llogaria ishte deaktivizuar me dëshirën time, për të fituar pak qetësi dhe privaci. Në ato munita “erdhi” mes nesh poeti lirik Vehbi Skëndri, shpirti i tij krijues lasgushian, legjitimiteti letrar që ai la pas si poet dhe intelektual... “Shkruaj, miku im, nuk kemi çbëjmë, veç të shkruajmë...Nuk na deshën dhe u detyruam të iknim...” shkruante Lida me “gërma bore” nga larg...


Edhe këtu është ditë e akullt. Intervista e Kadaresë që aq bukur përshkruan të shkuarën tonë tragjike, sikur shkrin akullin e ditës. Ndërkohë shoh festën në Kosovë, parakalimet ushtarake, flamujt e pikturuara në trupin “Njuborn” (ende nuk janë bërë 100), kureshtjen e njerëzve. Duket se edhe aty është ftohtë. Dhe pyes: Pse u shpall kjo pavarësi në shkurt? Pse jo në mars? Pse jo në maj? Pse në shkurtin e bishtë? Nuk ishte diçka e beftë, por e zgjedhur me kujdes. Ditë shkurti, ditë kallkani... Mbase për të na dhënë kohë të medojmë paksa, netëve të gjata të dimrit, të meditojmë me vetveten dhe të relfekotjmë, përpara se të tregojmë përrallat e “Një mijë e një netëve”...


Kadareja nga Parisi flet për madhështinë e mbijetesës sonë kombëtare. Ai sjell një tjetër dëshmi dridhëruese nga shekulli i II, ku një autor latin sipas Kadaresë shkruante: “Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën se ditën…” Dhe pyetjes trishtuese të gazetarit, shkrimtari ynë i përgjigjet: “Çfarë t’i bësh fatit, atje u linda”!


Në këtë kontekst të fatit të vendlinjdes dhe vendbanimit, amerikanët kanë një shprehje domethënëse: “Nuk mund ta zgjedh vendin ku linda, por mund të zgjedh vendin ku dua të jetoj”. Unë dhe Kadareja, (falë fatit për mua personalisht) në mënyre të përpiktë bëmë të njëtën gjë: Ikëm nga Shqipëria. Jo vetë unë, jo vetëm Kadare, por sa e sa të tjerë me emër dhe reputacion. Unë jam një ikanak i vogël e natyrisht Kadareja është një “dritëikje” e shekullit të kaluar. Ai është një dritëkombi që na mban gjallë, por ne nuk e kuptojmë dot...Ai flet akoma dhe na bën t’i rikthehemi frazave dhe mesazheve. Kjo na bën mirë.Është shenjë e mirë... Por nuk mjafton një Kadare. Secili duhet të jetë një Kadare … Ndaj me kokulje shkruaj në këtë të djelë shkurti. Shkruaj se dua të them diçka nga brenda: “Kombin e bëjmë të gjithë. Për të duhet të luftojnë të gjithë në “llogoret” që na ka dhënë rastësia, sikurse rastësisht jemi shqiptarë...”(Ju lutem mos më sulmoni )... Vetëm kur të gjithë do të ndihemi të nderuar dhe respektuar, vetëm kur të gjithë vemë një “tullë” në godinën e kombit, “kollonat e betonta” si Fishta, Frashërit, Konica, Noli,Camaj, Kadare, Qose etj. etj. mbeten të pacënueshmë nga çdo lloj tajfuni ballanik...


Sot nuk festohet në Minesota. Shqiptarët e Kosovës duken “të ngopur” me Kosovën, me shtetin e saj, me “luftën” brenda vetes... Shqiptarët e Shqipërisë çoroditen përmes mediave vizive, ku kërcejnë ide të çmendura nga një kanal televiziv tek tjetri. Ka humbur e verteta në Shqipëri. Vendi ynë mbetet “..i ngatërruar dhe korruptuar...” siç nënvizon Kadare, ndërsa ne të gjithë shfryjmë ndaj njëri tjetrit përmes ekraneve të qelqtë. Erozioni i gënjeshtrës na ka rrethuar si dikur rrethimet e Krujës dhe Shkodrës...Gënjeshtra, gënjeshtra... E pandershmja, e pa ndershmja. Intriga dhe sajimi pragmatist! Ky gërrim i së vërtetës brenda sojit tonë , kjo luftë pa rregulla, pa “semaforë”, arkaike, kërkëllimat e “shpatave” të pushtetmbajtësve në dy shtetet e një kombi, duket se janë mallkimet tona të shekullit...


Mendoj për Kosovën në këtë përvjetor ditëpavarësie. Mendoj për ata që ranë dhe u përgjakën. Për dhunën shfarosëse sërbe, dhe qëndresën kosovare...Kam pirë kafe një natë më parë me një “ushtar të UÇK”...Ai nuk kishte qejf të festonte... “Duan të na quajnë komb kosovar (!!!)...Ne nuk luftuam për këtë.Jo. Dikush do të na xhveshi nga kombësia shqiptare... Ndaj nuk ja ndjej kësaj feste që ju më uroni...Nuk dua të festoj”... Ky 30 vjeçar në Minesota, që nuk do t’i përmendet emri, ishte 16-17 vjeçar kur jetonte kohën e luftës tragjike në Kosovë...


Në Prishtinë festohet...Festa duket e ndritshme, por e ardhmja disi e mjegullt, fluide. Na mungon një platformë vlerash dhe principesh. Na mungon një dëshirë gjithëshqiptare, për të mbrojtur të vërtetat tona. Ndaj duke bërë “gjullurdi” festash,harrojmë të përcjellim mesazhe. Më vijnë në mendje vitet 80, kur “irridetnizmi shqiptar” ishte etiketuar si rreziku i kohës në ish-Jugosllavi...Në ato vite nuk kishte gjë më domethënëse se sa deklaratat zyrtare të Tiranës për Kosovën. Unë nuk besoj se janë fashitur këto memorje dridhëruese në kujtesën e kombit. Ja pra, nëse duhet të themi diçka pozitive për të shkuarën, unë them se janë ato artikuj redaksionlë të “Zërit të popullit” në vitet 80-të ku qartësisht mbrohej identiteti dhe autenciteti shqiptar i popullsisë së Kosovës. Qofsha i gabuar. Ne shqiptarët harrojmë shpesh dhe shumë shpejt...


Nuk mjafton vetëm kujtesa e shkrimatrit tonë. Duhet të gjithë t’i bashkohemi të vërtetës dhe të dimë të frymëzohemi prej të vërtetës dhe ngadhnjimit të paraardhësve tanë mbi luftën shfarosëse që na impunuan fqinjët dhe tejfqinjët. Në shekullin e kaluar, gazetari dhe intelektuali Kostë Çekrezi, do të botonte në Amerikë librin “Shqipëria, e shkuara dhe e tashmja”, ku si në një film të shpejtë, do të na tregonte të shkuarën dhe të tashmën tonë aq të ngjashme me njëra tjetrën. Studiuesi Amerikan Charles D. Hazen, duke komentuar rreth këtij botimi do të shkruante se

“…kemi një interpretim nga vetë shqiptarët, një shpalojse të historisë së Shqipërisë, një paraqitje të kërkesave të shqiptarëve të drejpërdrejtë, nga mendja dhe zemra e një vendasi...” Këtu rezonon edhe Kadare kur flet për të shkuarnë tonë dramatike. Po e ardhmja? Kush na e ka në dorë të ardhmen? Kush duhet ta rivajëzojë të ardhmen e Kosovës dhe Shqipërisë? Ku janë ,mendimtarët shqiptarë? Ku janë hulumtimet e konferencat shkencore të debateve dhe provave historike? Festat janë fasadë dhe ditë lumturie për politikanët, popullit i duhet e ardhme frymëzuese. Ne sapo bëmë një festë të Pavarësisë shqiptare vjet, ku mungoi një simpozium historik...Vetëm pompozitet euforik. Po kjo “bebe” 5 vjeçare, mos vallë qorrazi ndjek “Gjyshen 100 vjeçare”? Kjo është trishtuese! Euforia është verbim i së ardhmes. Politikanët janë kthyer në “skllavopronarë” të ëndrrave tona. Duhet një platformë e “çeliktë” e vlerave tona, që të mund të ecim përpara... Nëse mbetemi në vorbulla deklaratash, ne jemi të destinuar të vuajmë për një kohë të gjatë…

Sot është një 5 vjetor i kijimit të shtetit më të ri në Ballkan. Akadamikët tanë duket se duartrokasin diku politikanët.

Flet Kadareja! Në Minesota nuk ka festë!...


SHEFQET MEKO

Minneapolis, 17 SHKURT, 2013

13 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page