top of page

ARKIV I GJALLË


ARKIV I GJALLË

 

 

 

Muzikanti dhe studiuesi Maksim Kulla ka krijuar tashmë një galeri të bukur me portrete artistësh nga qyteti i tij, Lushnja, ku ai punoi dhe dha ndihmesën e tij. Dhe ato portrete janë me vlera më gjithpërfshirëse, deri edhe kombëtare. Ai është shndërruar në kujtesë kolektive për kulturën e një qyteti, edhe i veçantë, me veçori disi ndryshe, sepse Myzeqeja është dhe hambari i Shqipërisë dhe Lushnja qyteti i Kongresit të madh, që u quajt dhe “Pavarësia e dytë e Shqipërisë”, nga kanë dalë emra të njohur në të githa artet, por është dhe vendi i të larguarve, të të larguarve, në rrethina të tij janë fshatrat e internime, nga ku pati talente, që nuk i shmangën, por i thirrën, nevoja e kulturës dhe e propapagandës, por ishte dhe mundësi shpalosjeje.

Maksim Kulla, edhe pse tani larg në Boston, në SHBA, falë hulumtimeve të tij, me medesti dhe në heshtje, por dhe me pasion i ka ruajtur ato kujtime e dëshmi, ka grumbulluar të dhëna plot dhe vazhdon të grumbullojë, ka krijuar një pasuri me fotografitë, tashmë pronë e tij dhe i shpalos në rubrikën e tij ne fb, “Lushnjë e dashur mirëmengjes”, pa fjalë mburracakësh e narcizizëm bosh, aq shumë i modës tani.

I shpreh mirënjohjen. Kesaj here i erdhi radha time eti. Unë duke e patur dhe shok klase Mkasim Kullën, ishkruajta se nderimi për etërit, ësht:e nderim për jetën, për kujtesën e së ardhmes.  

Visar Zhiti

 

 

"LUSHNJË E DASHUR MIRMËNGJES"

35 VJET PA TË MADHIN HEKURAN ZHITI

- Mësues, aktor dhe dramaturg -

 

Nga Maksim Kulla

 

..lindi nё fshatin Milovë, nё 13 prill të vitit 1911 në njё familje me tradita patriotike dhe arsimdashëse dhe me mirëqenie. Vjen nga Tomorica e Skraparit, janë me origjinë nga Gramshi, andej nga janë dhe vёllezёrit Frashërllinj. Mali i Tomorit shihej si Olimpi i shqiptarëve.

Nё qytetin e Beratit do tё fillonte shkollimin e tij dhe do tё kryente shkollën e famshme, Normalen e Elbasanit. për mësues në 1932.

Menjëherë do tё shquhej pёr talentin e tij në poezi, sidomos në satirë, dhe në lojë teatrore, në improvizime, por vendi s’kishte teatër.

Do të tёrhiqte vёmendjen e mësuesve të tij, figura patriotike e intelektuale si Karl Ljarja, babai i aktorit Rikard Ljarja, dhe Simon Shuteriqi, babai i shkrimtarit Dhimitër Shuteriqi, të Vasil Andoni, etj, shok klase do të kishte dhe shkrimtarin e ardhshëm, Sterjo Spasse. Po kështu do të tërhiqte vëmendjen dhe të shtypit tё kohёs.

Nё Normalen e Elbasanit do tё shkëlqente me grupin teatror, ku do tё jepnin shfaqje nё skena tё improvizuara e nё qytete të ndryshme të vendit. Rolet e tij do të ishin të shumta, gjithmonë kryesorë, nga vepra të autorëve shqiptarë, por dhe të huaj. Portretin e tij e shëtisnin rrugëve punëtorë, se kështu mund të bëheshin lajmërimet për shfaqje dhe dhe publiciteti i tyre.

Të gjithë pedagogët e shkollës “Normale” të Elbasanit dhe studentë të saj firmosën një letër dhe ia dërgonin Mbretit Zogu I, ku i kërkonin një burse për të studiuar jashtë shtetit për aktor Hekuran Zhiti, një student me talent të jashtzakonshëm. Por kjo nuk u dha, Shqipëria nuk kishte teatro….

Hekurani si një kulm të jetës së tij studentore do të quante takimin me At’ Gjergj Fishtën në Shkodër.

Do tё fillonte punё si mёsues nё Roskovec e mё pas nё Pogon tё Gjirokastrёs dhe do të kthehej nё qytetin e Beratit. Ndërkohë do të kishte një ndalesë, arrest nga xhandarmëria si antizogist, simpatizant i ideve noliste, por do të vazhdonte punën.

Shkruante dhe krijonte grupe teatrore, kudo ku e caktonin, Hekurani dallohej dhe si mësues, dhe si qytetar dhe intelektual. Vuri në skenë drama dhe komedi, që i shkruante vetë shumicën dhe interpretonte në të gjitha. Kujtojmë “Plagёt e Shqipёrisё”, “Nusja memece”, “Kryengritje shqiptare në parajsë”, etj. Shkon në Itali, në qytetet Brindisi e Bari. Për të parë Europën dhe teatër të saj. Nuk gjen mundësira studimi dhe kthehet.

Pushtimin fashist të vendit e priti duke iu bashkuar protestave të popullit dhe do të bëhej pjesë e lëvizjes nacionaliste, duke bashkëpunuar me figura te tilla si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji dhe intelektualë si Vexhi Buharaja, Mustafa Greblleshi, etj.

Kur Italia fashiste kapitulloi, në shtëpinë e tyre në Milovë do të mbanin ushtarë italianë, do t’u shpëtonin jetën..

Mbas çlirimit të Shqipërisë ai vazhdoi të ushtronte veprimtarinё e vet në Berat, ku shkrimet e tij do tё dёgjoheshin nё qendrёn e zёrit “Radio-Shosha e Beratit”.

Do ta shkëpusnin nga teatri. Gjatë kohës që po shfaqej një komedi e tij në kinemanë e qytetit dhe publiku kërkonte që të dilte në skenë autori, ai dergjej pak më tutje, në një nga qelitë e burgut dhe torturohej. Fitimtarët e kishin arrestuar, por pas një viti burg u lirua si i pafajshëm. Vëllanë më të madh, Maksin, ia vranë, i përfolur si i lidhur me Grupin e Deputetëve. Përndjekja nuk do t’u ndahej familjes Zhiti.

Hekurani do tё largohej për nё Durrës bashkë me të shoqen dhe fëmijët, ku mendonte se nuk do ta njihnin. Aty kishte të vëllanë, më të voglin, Ahmetin, gjeometër, që kishte luftuar për çlirimin e vendit si partizan me armë në dorë.

Hekurani do tё punonte si hamall në port, por e heqin, se porti shihej si zonё kufitare, me vonё punëtor nё komunalen e kёtij qyteti. Çudia është se edhe aty ngriti një grup estrade. Teksa shtronte rrugët me pllaka e gjen miku i tij, ministër i arsimit, Kahreman Ylli, që ia njihte vlerat dhe talentin dhe e emëron mësues në fshatin Karbunarë në Lushnjë. Nevojat për në arsim ishin të mëdha

Hekuran Zhitin e mbajnë mend dhe si arsimtar të mrekullueshёm. Po dhe aty ai ngriti grupin artistik të shkollës.

E kalojnë arsimtar në qytet në shkollën 7-vjeçare “Skënder Libohova”. Ëndërra e tij ishte skena dhe kur erdhi vendimi nga lart, që Lushnja do të kishte estradë profesioniste, në vitin 1962, ai do të ishte me themeluesit e saj, Avdyl Tufa-drejtor, me regjisorin Tahsin Demiraj, drejtuesin e orkestrës Niko Deda, përmendim këtu se këngëtarja Vaçe Zela ishte larguar në Tiranë para krijimit të estradës profesioniste. Krahas talenteve vendas, aktorëve si Dhimitraq Nushi, Zana Aliçka e Jovan Bizhyti e më pas Aneta Gjermëni, Bajram Çakalli, Petraq Dhimitri, Sulo Kosova, do të bashkëpunonte edhe me këngëtaret Liri Llazo, Vide Puka, Milika Prifti, e Athina Vogli, Adile Meçe, Rita Vako etj, ku më pas do të thirreshin dhe talente nga fshatrat e internimeve si parodisti i njohur Gjosho Vasija apo trompisti Franc Pali, në bateri Gëzim Peshkёpia, me baba të pushkatuar, U duheshin. Mungesat ishin të mëdha.

Hekurani e kishte filluar me prezencën e tij në estradën amatore të Shtëpisë së kulturës para viteteve 60-të, ku bashkëpunoi me Shefqet Karain-drejtor, Vaçe Zelën-shefe muzike dhe regjisorin Tahsin Demiraj. Gjatë viteve pas krijimit të Estradës Profesioniste do të bashkëpunonte me regjisorët Gëzim Libohova, Neim Nova e Myzejen Nepravishta dhe me dirigjentin Fotaq Filipeu.

 



HEKURANI SIPAS KOLEGËVE:

Ja, si do ta kujtonte njëri nga kolegët, aktori Jovan Bizhyti:

Ishte më i madhi nga ne, jo vetëm në moshë por dhe shkëlqente me individualitetin e tij, nga mënyra si dialogonte, me mprehtësi duke vendosur komunikime me partnerin me plot humor e befasira.

E tёrhiqte spektatorin si me magji duke e futur në realitete mbi të pёrditshёm, nё shqetësime e gaz, në probleme dhe në çlirimin prej tyre. Hekurani ishte njё talent i lindur, spontan, me bagazh intelektual e tё kompletur, me njё pёrvojё skenike nё normalen e Elbasanit dhe nё Berat. Shquhej si aktor humori shumёplanesh me tipat e karakteret qё krijonte, ishte tepёr origjinal pёr forcёn e batutёs humoristike dhe si aktor nga mё tё suksesёshmit për kohën, i njohur tashmё si njё artist në nivel kombëtar.

1.

E harruan emrin e tij dhe e thërrsinin me të personazheve, xha Zequa, p.sh. nё skeçin famoz “Nga fshati nё qytet”. Ai shquhej për atë që e krijoi vetë dhe e quajti “Posta e fshatit”, ku derdhte vargje tё pafund, kujtoj një rast: 1170 vargje humoristike nё katёr premiera në turne, ku ai, pasi njihej me problematikat e zonës, thurte poemën e tyre, e shkruante dhe në mullarët e barit dhe kur jepej shfaqja, dilte dhe e interpretonte në fund, plus, duke shkaktuar tё papritura e ilaritet dhe njё atmosferё gazmore, ku spektatori koopperativistë shikonte si nё pasqyrё ato ç’ka atyre u ndodhte nё jetёn e përditëshme. Dhe kjo e bёnte shfaqjen mё tё arrirë dhe suksesin të sigurtë. Humori në batutat mjeshtërore të aktorit Hekuran Zhiti, e ngrinin lart estradën duke u bërë proverbial..

2.

Persoanzhi tjetër i Hekuran Zhitit - dembeli klasik, që t’i bënin bisht punës, shkon në klinikat mjekësore për raport, s’e do punën, s’e ndiente të tijën, por pagën e do nga sigurimet shoqërore. Mjekja luhej nga aktorja Aneta Gjermёni. Priste pacientët një e nga një në vizitat mjekësore, shumica të shtirur si të sëmurë rëndë.

Hyn Hekurani marramendës.

- Ti xhaxha nga se ankohesh ? - e pyet mjekja.

- Çfarë s’kam, më thuaj, – u kollit ai. – Më dhëmb i gjithë trupi, madje vazhdon më tej?

- Ku?

- Prapë te trupi im kthehet, nga dje në nesër. (Këto s’ishin në tekst).

- Më thuaj konkretisht nga se vuan? – Ia kthen mjekja.

- Shoqja doktoreshë, më luan koka me gjithë veshë. Syri i djathtë më sheh majtas dhe i majti djathtas, të dy bashkë nuk shohin fare. Dhe e tundëte kokën si kau dhe i çakërdiste sytë sa spektatorët shpërthenin në të qeshura duke tunduar edhe ata kokat.

3.

Edhe një dialog tjetër në një skeç tjetër: kalojnë dy të rinjë të dashuruar, të përqafuar me njëri-tjetrin. Një i moshuar, luajtur nga aktori Hekuran Zhiti, i vëzhgon me shumë kurreshtje. Djalit, që i bëri përshtypje vëzhgimi, e pyet:

- Çfarë ke, xhaxha, që na shikon ?

- Maçoku plak do minjë të njomë, - ia ktheu ai. Mënyra spërdredhëse si e tha, kantilena hokatare jo vetëm që shkaktoi të qeshura, por u bë dhe shprehje që e dëgjonim rrugëve.

Në një rast tjetër, mes një grupi që kishin dalë në rrugё për të pritur ndonjë makinё të rastit, ishin dhe dy të sapomartuar, të luajtur nga aktorët Aneta Gjermёni dhe Jovan Bizhyti. Babain e djalit e luante Hekurani. Dy qytetarë të tjerë, një këpucar dhe një rrobaqepës, role këto të luajtura nga Petraq Dhimitri dhe Dhimitraq Nushi. Të gjithë shohin çiftin e ri dhe u bën përshtypje veshja elegante e tyre. Elegancë e asaj kohe. Këpucari i afrohet çiftit dhe i vështron nga këpucët.

- Më falni, - u tha ai, - si iu duken këto këpucë ?

- Shumë të mira, - u përgjigj djali, - tamam të modës, siç i do rinia.

- Shumë faleminderit, janë prodhimet e mia, - u përgjigj gjithë mburrje këpucari. Pas tij afrohet rrobaqepësi dhe duke i vëzhguar i pyeti :

- Po këto kostume që keni veshur, si ju duken ?

- Të mrekullueshme, - u përgjigj vajza, - kështu të modës i pëlqen rinia.-

- E po shumë faleminderit, janë prodhimet e mia, - u tha ai gjithë mburrje dhe iu afrua shokut duke fërkuar duart gjithë gëzim. Kështu bëhej dhe propaganda për prodhimet vendase.

Babai që po i shikonte këto veprime, u afrua dy zanatçinjve dhe i pyeti :

- Po ky çifti i ri si iu duket juve?

- Shumë simpatik, janë si lulja e zambakut, - u përgjigjën ata një zëri.

- Epo shumë faleminderit, djali është prodhimi im, që ka marrë atë vajzë të bukur, - ia ktheu ai kusurin. Interpretimi dinak i Hekuranit donte të thoshte: njeriu së pari…

Duartrokitjet u ndezën dhe nuk pushonin në sallë.

I solla këto shembuj për të dhënë dhe mendësinë dhe shijen e kohës. Por Hekurani arriti role të mëdha dhe me komedi të huaja, franceze p.sh, me

prefektin mashtrues, etj.

Në Olimpiadën e Estradave në Durrës, aty nga viti 67-68, kur njëherë ndodhej dhe Sekretari i Parë i PPSH, Enver Hoxha, udhëheqësi i diktaturës së proletariatit, i cili pas shfaqjeve do të ngjitej në skenë për të përgëzuar aktorët, te Hekuran Zhiti do të ndalte dhe do të thoshte: Ti luan mirë!

E megjithatë nё fillim tё viteve 70-të shekullit të kaluar, shohim njё tërheqje graduale tё aktorit Hekuran Zhiti, ndoshta ndjente njё trysni, nga shkaku i forcimit të “luftës së klasave” duhej të dukej sa më pak në skenë, kur spektatori e kërkonte më shumë e të shkruante sa më pak pёr estradёn, duke mos botuar dot asgjë nga vepra e tij e do tё vinte dita e largimit nga Estrada.

Mezi ç’pritej dalja në pension e tij.

Gjithësesi ai mbetet një aktor profesionist me vlera, qё mund tё jepte edhe pёr shumё vite kontributin e tij nё estradё si aktor dhe autor. Në këto vite ai shkruan dramën “Të mblidhemi në Lushnjë”, me rastin e 50 vjetorit të Kongresit shpëtimtar të Lushnjës, i quajtur dhe si pavarësia e dytë e Shqipërisë. Por ajo dramë s’u vu në skenë asnjёherё atёhere, megjithëse autorit iu dha dhe “Dekorata e Punës”..

Burgosja e djalit të tij më të vogël, Visarit, me shkak poezitë kundër “Realizmit Socialist”, bënë që ai të mbyllet brenda në shtëpi dhe të mos dale më. Hekuran Zhiti ndërroi i jetë, i verbuar, në 15 mars 1989 në Lushnjë.

PUNA MBETET… VLERËSIME:

Shkrimtari i traditës Nonda Bulka e ka quajtur Hekuran Zhitin “Gjergj Fishta i Toskërisë” për satirat e tij, ndërsa kritiku letrar, i njohur në atë kohë,

Razi Brahimi, që ka qenë dhe drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Lushnjë, komedinë në dorëshkrim të Hekuranit, “Të falimentuarit”, do ta quante më të mirë se komeditë klasike të atëhershme “Prefekti” dhe “Karnevalet e Korçës’

Regjisori i Teatrit Kombëtar në Tiranë, Pirro Mani, ka thënë: “Më jepni Hekuran Zhitin dhe më merrni 5 aktorë nga të mitë, zgjidhini.”

Inçizime të “Estradës në mikrofon” me zërin e Hekuranit ka në arkivin e Radio Televisionit – Tiranë, por filmime mund të gjëndet vetëm një, se programet televizive nisën kur ai kishte ikur.

Ndërkaq janë botuar postume poezitë e tij, elegjitë dhe satirat në përmbledhjen “Kryengritje shqiptare në parajsë”, poezi të tij janë botuar dhe në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut e në shtypin arbëresh në Itali. Kanë dalë “7 komedi” të zgjedhura të Hekuran Zhitit, “Nusja në thes” është vënë në skenë nga “Teatri “Metropol” në Tiranë dhe nga trupa tatrore e Podujevës në Kosovё, me regji të Elma Dorezit. Drama për Kongresin “Të mbidhemi në Lushnje” është botuar dy herë dhe është vënë në skenë nga gjimnazistë, pranë shkollës, ku ai ka qenë mësues.

Bashkia e Qytetit të Lushnjës Hekuran Zhitin e ka shpallur “Qytetar Nderi” dhe një rrugë pranë stacionit të trenit mban emrin e tij.

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page