top of page

Arjeta Ferlushkaj Kotrri: Panairi i tretë i Librit Shqip në SHBA



“Gjuha është atdheu i shkrimtarit”

 

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

 

Më 7 prill, 2024, në orën 14:00, në ambientet e bibliotekës publike “Ferguson” në Stamford, Connecticut, u hap Panairi i Librit Shqip, edicioni i tretë.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i shoqatës, z. Mëhill Velaj, i cili, pasi përshëndeti të pranishmit, foli për qytetin pritës të këtij panairi, Stamford, si dhe bibliotekën “Ferguson”. Ai permendi punën e bërë nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, jo vetëm për këtë panair, por për çdo aktivitet tjetër. Z. Velaj uroi mbarëvajtjen e edicionit të tretë të Panairit të Librit Shqip në SHBA dhe më pas ia dha fjalën znj.Yllka Filipi, n/kryetare e Shoqatës.

Znj. Filipi iu drejtua audiencës në gjuhën angleze, ku ndër të tjera tha: “Kuintesenca e urës së padukshme prej drite që i lidh kombet në këtë ekspozim vlerash, shpalos shkëlqim, krenari, arritjet e një kodi të përbashkët gjenetikisht të shpërndarë nëpër të gjitha qelizat fjalës së gjallë, i radhitur dendur rresht më rresht në formën e dyfishtë të AND-së krijuese që dëshmon balancën e filozofisë së përkushtimit dhe dashurisë. Vetëm krijuesi, (poeti), vetëm ai di se si t’i kthejë pshërëtimat e atdheut në simfoninë më të ëmbël. Zemrën e atdheut që vuan,e ndien vetëm zemra e krijuesit (poetit).”

Fjalën e radhës e mbajti presidenti i Shoqatës, z. Adnan Mehmeti, i cili përshëndeti auditorin dhe u shpreh se shpresonte që kjo përvojë të jëtë një udhëtim frymëzues për ta. Z. Mehmeti përmendi që në këtë panair kemi një shumëllojshmëri zhanresh dhe historish prej autorëve të rinj por edhe të mirënjohur. Presidenti i Shoqatës pohoi se: “Panairi i Librit Shqip në Amerikë ka një identitet ndryshe dhe në veçanti, synon të përhapë kulturën e leximit dhe të promovojë veprat e shkrimtarëve shqiptarë për një audiencë të huaj.”

Z. Mehmeti e përmbylli fjalën e tij duke bërë falenderimet për të gjithë shkrimtarët, sidomos për ata që kanë ardhur nga larg, për lexuesit, për median dhe të gjithë ata që ndihmuan në organizimin e këtij panairi. Një falenderim më vete shkoi për Departamentin e Kulturës në Bashkinë e Stamford-it, për gjithë mbështetjen e dhënë.

Z. Velaj ftoi Anëtarin e Nderit të SHSHSHA-së, shkrimtarin Visar Zhiti të mbajë fjalën e tij të rastit. Mes emocioneve dhe pas falenderimeve për pritjen e ngrohtë, z. Zhiti tha: “Na mblodhi ky panair i vogël në Amerikën e madhe prandaj edhe kuptimi i këtij panairi është i madh. Ne jemi autorë shqiptarë që nuk kemi mërguar nga gjuha amë dhe gjuha është atdheu i shkrimtarit. Ne jemi lexues edhe të librit shqip dhe libri është kujtesë. (…) SHSHSHA-ja me këtë panair të librit po kryen një akt kulturor me rëndësi sepse, librin shqip, nga një vend i vogël dhe i përvuajtur i Ballkanit, e sjell në vendin më të fuqishëm në botë, në superfuqinë kulturore. Librin shqip të një kombi të lashtë, e sjell tek një komb modern, ky bashkëveprim, është mirëkuptim, është miqësi, është liri, është mbështetje.”

Anëtarja e shoqatës, znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri u shpreh: “Aktivitete të tilla janë të rëndësishme për t’u ndjekur sepse na bëjnë të takohemi me njëri-tjetrin dhe me lexuesin. Sa herë që takohemi, pas çdo panairi, pas çdo libri të shkruar/botuar, ne vijmë ndryshe. (…) Panairet e librit shqip në Amerikë nuk janë e nuk kanë pse të jenë të njëjtë si ato që bëhen në Shqipëri. Ne kemi të tjera misione shtesë, për të cilët duhet të jemi të qartë që në fillim (ajo që quhet “Utile”), por kjo nuk do të thotë që mund të mos tregojmë vëmendje ndaj literaritetit, pra cilësisë së fjalës si art.”

Kryetari i SHSHSHA-së, Z. Velaj bëri një falenderim për mbështetësit e këtij panairi: Nazim Salihu (Noli), Skender Pali, “Albanian Dream” nga Eva Dori, Pal Dushi, Mëhill Gjuraj, Sergio’s Pizza dhe Dedë Lleshi.

Një moment që shoqëroi panairin e sotëm ishte edhe mbajtja e një minuti heshtje për shkrimtarët që nuk jetojnë më, si: Naum Prifti, Dalip Greca, Luigj Çekaj, Xhevdet Bajraj dhe Guri Stefani. Për secilin prej tyre, SHSHSHA-ja ndau nga një çertifikatë mirënjohjeje, të cilat u tërhoqën nga përfaqësues të familjeve të tyre.

Me çertifikatë mirënjohjeje u nderuan edhe tre Anëtarët e Nderit të Shoqatës, z. Visar Zhiti dhe Sami Repishti, Carrie Hooper, gjithashtu edhe anëtarët: dr. Bexhet Asani dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri, mirënjohje që u ndanë nga kryetari z. Velaj dhe presidenti z. Mehmeti. Ky i fundit, kishte rezervuar një surprizë për kryetarin në ikje z. Velaj, ku pas falenderimeve për punën e bërë, z. Mehmeti i dhuroi një pllakatë mirënjohjeje për kontributin mbi 20-vjeçar të z. Velaj pranë SHSHSHA-së. Një përshëndetje të shkurtër për panairin e librit e bëri edhe shkrimtarja Tanya (Hyonhye) Ko Hong, libri i së cilës është përkthyer në gjuhën shqipe (“Mother to myself”).

Në përmbyllje të ceremonisë hapëse të panairit, z. Velaj ftoi lexuesit dhe shkrimtarët që të takohen me njëri-tjetrin, të shkëmbejnë libra dhe autografë. Më pas, ai prezantoi tek të pranishmit anëtarët më të rinj që i janë bashkuar SHSHSHA-së së fundmi: Gjon Fran Ivezaj, Eva Dori, Aurel Naci, Nosh Mernacaj, Sami Mulaj, Azgan Perbati dhe Nexhmedin Syla.

Përfaqësuesi Bashkisë së qytetit të Stamford-it, z. Aaron Miller u ftua nga presidenti i SHSHSHA-së për të përshëndetur auditorin. Z. Miller u shpreh se jemi krenarë që kemi në qytetin tonë një komunitet shqiptar kaq të suksesshëm dhe i uroi suksese të gjithë shkrimtarëve.

Pjesë e panairit ishte edhe një mini-ekspozitë me piktura dhe punime dore të realizuara nga Ramiz Mujaj.

Kryetari i SHSHSHA-së, Z.Velaj e bëri mbylljen e panairit duke bërë një kalim tek tavolina e secilit shkrimtar pjesëmarrës, kalim të cilin e shoqëroi me një prezantim të shkurtër për autorin në fjalë dhe titujt e librave të tyre.

***



Panairi i Librit Shqip në Amerikë, edicioni i tretë, numëron pjesëmarrjen e mbi 30 autorëve: Visar Zhiti, Adnan Mehmeti, Mëhill Velaj, Yllka Filipi, Bexhet Asani, Daisy Elbasani, Tushe Saliaj (Rrapaj), Lufti Brami, Premisa Muca Kerthi, Erlinda Pysqyli, Demir Rusi, Rukiana Kasemi, Lela Qejvani, Suzana Vangjeli, Majlinda Pajaj, Bora Balaj, Merita Prenga, Gjon Fran Ivezaj, Gjeto Turmalaj, Sami Mulaj, Kastriot Fetahu, Selman Dervishi, Luigj Çekaj(përfaqësuar nga e bija), Nexhmedin Syla, Azgan Berbati, Arjana Fetahu Gaba, Ramiz Mujaj, Pal Ndrecaj, Nosh Mernacaj, Sergio Bitiçi, Idriz Lamaj, Arjeta Ferlushkaj, Simon Dervishi Mani, Hamid Alaj, Age Ivezaj Gjokaj.

Ky panair u realizua mbas 14 vitesh nga edicioni i dytë, i cili u mbajt në New York në vitin 2010. Mendohet që tashmë ky panair do të bëhet një traditë çdo tre vite.

Edicioni i tretë i Panairit të Librit Shqip në SHBA u mbyll me shkëmbime librash mes autorësh, me dhënie autografesh për lexuesit dhe shkrepje të fotografive, duke përjetësuar çaste të tilla në arkivin e SHSHSHA-së dhe komunitetin shqiptar në Amerikë.

*Shënim: në mbyllje të panairit, anëtarët e SHSHSHA-së zgjodhën kryesinë e re: kryetare u zgjodh dr. Yllka Filipi, n/kryetare u zgjodh Arjeta Ferlushkaj Kotrri, sekretar u zgjodh dr. Bexhet Asani.

Stamford, 7 prill, 2024

Foto: Kevin Warren

49 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page