Ardita Jatru: Lulet e mungesës
- Sep 7, 2024
- 1 min read

Shoh qark meje këtij mëngjesi
që ngjan si shpresë në cakun e vetëvrasjes
dhe ndihem e fyer me kohën
që më rrëshqet nga sytë dhe në kufi të dritës zhduket,
një hënë shoh, që sjell një tjetër hënë
një tokë që rrotullohet dhe nuk e ndjej
një korb që hedh arrën në asfalt nga lartësia
një pemë ulliri që kokrrat i varen ende
një grua me çantën në kurriz që shkon në hall të saj.
një qiell të ngarkuar me mërzi e nuk po shkrehet.
Një grumbull gjërash shoh,
që struken rrëmujshëm teksa i mbledh me një shikim,
por do të shuhen dhe këto
e fytyrat s’do t’ua mbaj mend.
Si lulet e mungesës që m’u vyshkën në kokë.
Asgjë nuk paska kuptim,
veç ajo pjesë, që rrit një foshnjë
të mbahet si njeri
me këmbët në tokë.
----
As terr, as dritë- Botimet Naimi, 2021









Comments