top of page

ANTON HILA DHE ANJA...


ANTON HILA DHE ANJA , SI ZANAT E ULIKSIT NË NJË HISTORI DASHURIE….

- Një rrëfim “kthyer përmbys” në emër të familjes, dashurisë dhe pavdekësisë njerëzore nga Ahmet Prenci në romanin “ANJA” ( 2020 )



Rrallë, shumë rrallë si “kronika” e Markezit në dramën e grave të vetmuara në botë apo dhe në rrjedhën e tragjedisë me skutat e errëta të të rinjve që lanin trupin në gjak, mund të ketë një enigmë të tillë shqetësuese me personazhet në roman….Por, në realitet, i vetmi burrë i përkushtuar ndaj “kultit” të ceneve të veta, është personazhi i Anton Hilës në romanin “Anja”Ahmet Prencit, ndryshe nga karakteret protagonist si Klotilda Armentos të ndërtuar nga intuita krijuese e shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez… Ndryshe edhe nga Antoni i Cvajgut, Anton Hila i Anjës është një ngjizje e bukur dhe e mrekullueshme e ndjenjës së jetës dhe dashurisë me Arbërin që trashëgoi ëndrra të përbashkëta si shkëndijë drite në përditshmërinë e mërzitshme…

Larg recetave klishe letrare me tituj që nuk ngjallin mahnitjen në leximin e librit, shkrimtari i “rrëfenjave të rëndësishme letrare”, Ahmet Prenci ka zgjedhur një stil të vecantë rrëfimi me gjuhën origjinale të personazheve dhe na vjen befas në një konstrukt të tërë me “goditje metaforike” shumë të gjetura, duke e shndërruar imazhin artistik në një ritual njerëzor që rilind dashurinë e ëngjëllit. Ai nuk flet për një legjendë dashurie, por rrëfen legjendën e Zanës së Uliksit, Anjën e bukur në“qiellin romantik” të lumturisë hyjnore të Anton Hilës në imazhin lumturues të qytetit provincial. Si një vajzë magjike plot fantazi, ajo i buzëqesh ëmbël “princit” të saj, që mbartte e përcillte botën e saj femërore. Si mbretëresha “DEA” përjetësuar në meruarën e bardhë, Anja e rritur në Parisin e Hygoit, Balzakut e Napolonit, e “drodhi” së brendëshmi fantazinë mashkullore të Anton Hilës dhe në këtëdritë dashurie” Antoni fisnik vështronte botën e tërë midis Parisit e Tiranës, ndjenjë që ishte dyzuar midis dy qyteteve, që i përkisnin vetëm shkrimtarit Ismail Kadare…

Dhe legjenda vjen e bukur me detajet e një vendlindje: Anton Hila shëtiste diku në Paris, aty pranë “Harkut të Triumfit” apo kullës “Eifel” me bukuroshen ANJA përkrah…Një ecejake Paris – Tiranë, që përbyste krejt të shkuarën e errët vetëm me një dalldisje lumturie.Kjo “kurtiznë pariziene” në një cep të qytezës së Drinasit ishte në fantazinë e Antonit, një bukuri plot kujtime që e bënte tjetër burrë, tjetër njeri, tjetër mashkull si në një “Oaz” ngjyrëplot. Në afshin e tyre të nxehtë, si një “dehje e lehtë”, zjarrmia e njeri-tjetrit përfundonte gjatë në puthje, në mbrëmje të ndezura e të paharruara dhe si të zënë nga “qymyri” ata harronin cdo përditshmëri të kot dhe “mbyteshin” në dashuri pa kufi si “Romeo me Zhuljetën”. Të dy dalldiseshin si “deti pa gjumë” në histeri seksuale, në “furtuna erotike”, në “sprova dashurie”, që nuk i gjeje në kalendarin e historive të dashurisë në atë llojë mënyre sic vepronin ata të dy.

- “Dashuri parajsë”, - e quajti Antoni dhe vetja i dukej “mbret dashurie”. Si në teoritë filozofike, ai donte të gjente bazën e burimit shpirtëror me “farë” magjike në shpirtë !....

Autori Ahmet Prenci, me një lirikë dashurie pa titull e një “admirim të fshehtë” rrëfyes, përshkruan monumentin e jetës së një inxhinier ndërtimi që i jepte Tokës gjallëri, dritë e ambicje profesionale. Si në një “soditje të madhe” ngazëllyese, autori na jep një personazh original që cuditi edhe Diellin nga bukuria, edhe Hënën nga dashuria, edhe femrat nga pastërtia mashkullore brilante në një marëdhënie. Si një “mollë e artë” ai kalëroi deri në unazë të qiellit !...

Universi që la pas Anton Hila me jetën e vetë, është si një “trokitje e fortë” në kujtesë. Në apartamentin e tij në Kryeqytet gjendet galleria e autorëve te artit, letërsisë dhe shkencës. Gjithashtu një “duzinë” kujtimesh melankolike dhe dashuri me Anjën…Befas trondit një “trokitje në kujtesë” edhe nga ardhja e djalit të Antonit, Arbërit me fytyrë të mrekullueshme si e derdhur në bronz. Ai lëviz mes kujtimesh dramatike në atë apartament të vogël që ngjan si “kështjellë” dhe aty bashkë me të dhe Anton Hila “ i gjallë”, por i harruar mes majëmalesh e mes luginash nga prodhonte dritë e ku ndërtonte arkitekturat shumëkatëshe…Edhe Anja kështu e përshkruante: “një njeri që prodhonte dritë e që vetëm ndërtonte”!....Edhe Arbëri në këtë “shëtitje universi” të Anton Hilës, tashmë një “monument kujtese” në sytë e tij, do të trazohej nga e njejta “fantazi heroike” dhe do të citonte me krenari: “Babai im!”, i grimcuar në padukje si shpirtë i ikur me “maratonë kozmike”…Përpara tij Anton Hila mbeti i heshtur e gjithmonë në atë rruzull të bukur e të magjishëm që ka jetë e dritë, duke ikur në përjetësi me një ceremoni soditëse në Tokë nga Hëna e largët !....

Ky roman, që tashmë “ngacmon” mendjen e fantazinë e lexuesit të shumtë, është një “sprovë e madhe” krijuese e autorit Ahmet Prenci, i cili nga udha poetike me “Udhë në Pasqyrë”, kaloi në “udhën e rrëfimeve” përmes romanit, me një gjuhë të pasur artistike dhe një shtresim metaforash, që “trondisin” shpirtin njerëzor me bukurinë sublime të jetës dhe dashurisë !...

Gjithcka prej shpirtit dhe vëzhgimeve jetësore në një dashuri të vërtetë, që tingëlloi në shpirtin oaz e Antonit dhe Anjës, Ahmet Prenci e ngriti në art me një “magji të këndshme”, duke na dhënë të gjithëve një “rrëfim mbresëlënës” në kujtesën e jetës !... Bashkë me librat e tjerë “ Vice Versa” dhe “Udhë në Pasqyrë”, romani i ri “ ANJA” plotëson një konstrukt mendimor e shpirtëror të jashtëzakonshëm në fushën e letrave shqipe.



63 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page