top of page

Antologjia “Eagle`s Voices” [Zërat e Shqipes]


Ilir Kalemaj

Antologjia “Eagle`s Voices[Zërat e Shqipes]


Nga Ilir Kalemaj


Para disa kohësh doli nga shtypi në Londër një antologji e poezisë bashkëkohore shqipe, e cila u editua nën kujdesin e publicistit, poetit dhe studjuesit Fatmir Terziu. Antologjia me titull ‘Eagle`s Voices” [Zërat e Shqipes], botuar në anglisht, është një përpjekje e parë por e rëndësishme për njohjen e kontributeve letrare të disa prej autorëve më të spikatur të periudhës post-soc-realiste nga një publik i huaj, konkretisht ai anglez. Sikundër shkruan z. Terziu në parathënien e kësaj antologjie: “media dhe poezia përgjithësisht njihen si pikat nevralgjike dhe aspektet më të rëndësishëm të kulturës së një kombi dhe kultura nga ana tjetër përbën një ndër elementët bazë të identitetit.”


Një iniciativë kjo vërtetë e lavdërueshme e cila përfshin poetë të konfirmuar nga kritika letrare ndër vite dhe emra të shquar si Xhevair Spahiu apo Fatos Arapi, ashtu sikundër dhe prurje të reja me kontributet e tyre poetike. Shtrirja gjeografike është vërtetë e larmishme duke përfshirë shqiptarë nga të gjitha trevat e Ballkanit, si dhe autorë të diasporës të cilët prej vitesh kanë kontribuar në antologji të ndryshme apo kanë botuar përmbledhje poetike në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Gjithashtu është i rëndësishëm të vihet theksi edhe te backgroundi ndër-disiplinar i autorëve të cilët vijnë nga fusha të ndryshme të krijmtarisë (përvec natyrisht poezisë) ku disa kanë spikatur në prozë, të tjerët në publicistikë apo në shkrime të karakterit studimor dhe kritik.

Ky vëllim është gjithashtu i rëndësishëm pasi jep një prezantim me idenë e identitetit shqiptar në poezi, memorjes që mbruhet në fushën poetike, kulturës si dimension midis poezisë dhe medias, aspekti i formacioneve të fuqisë që në gjuhën e Foucault janë rregullat e fuqisë dhe materiali që vjen si pasojë e rregullave poetike. Idetë ngjisin, ato që mbrujten në formën e vargut apo tw prozws shpesh janë ato që mbeten, pasi proceset e memorizimit, pra të një historie që nuk rrjedh në akse vertikalë, linearë dhe të ngurtësuar, por në rrafsh horizontal, fluid, sikundër dhe vetë identitetet e shumëfishta, janë të përtypshme nga një masë më e gjerë njerëzish dhe krijojnë një qasje më miqësore, më të përtypshme për publikun, në këtë rast atë anglez.

Tematika e poezive të përfshira në këtë antologji variojnë nga ato me karakter universal si për shembull poezitë “Migrimi i H5N1” i socilogut të mirënjohur Zyhdi Dervishi apo “Internacional” e Ilir Kalemajt deri te ato me karakter kombëtar si poezia e mirënjohur e Fatos Arapit “Atdheu” apo “Rrënjët” e shkrimtares dhe poetes Vilheme Vranari. Gjithashtu poezi të shkruara nga poetë të diasporës, si ajo “Londër” e Fatmir Terziut apo “New Yorku pa dallendyshe” i poetit dhe botuesit Petraq Risto sjellin flladin dhe aromën e vendeve të largëta ku autorët prej vitesh kanë gjëtur shtëpinë e tyre të dytë. Gjithashtu tematika e trajtuar është e larmishme ku trajtohen simbolikisht tema të tilla universale si dashuria, jeta, vdekja, malli, pavdekësia deri te gjërat e vogla të jetës, si për shembull prerja e flokëve për herë të parë të djalit te berberi sikundër e trajton në një prej poezive të tij shkrimtari dhe poeti i nderuar Faruk Myrtaj. Poetë të tjerë të njohur si për nga volumi ashtu dhe nga larshmëria dhe cilësia e vargjeve të tyre si studjuesi, poeti dhe shkrimtari Sazan Goliku, poeti dhe gazetari kosovar Agim Gjakova, poetja e talentuar Ilirjana Sulkuqi apo profilikja Rozi Theohari e cila ka fituar disa cmime ndërkombëtare në këtë lëmë, janë gjithashtu pjesë e kësaj antologjie e cila shënon një përpjekje të lavdërueshme për prezantimin e poezisë bashkëkohore shqiptare dhe pasqyron një ndërthurje të mencur të vlerave të traditës me risitë postmoderne të vargut dhe stilit. Shpresojmë që përpjekje të tilla për shpërhapjen e vlerave që sendërtojnë identitete mos të jenë shteruese dhe iniciativa e z. Fatmir Terziu të ndiqet nga studjues dhe dashamirës të letërsisë dhe arteve. Janë pikërisht këto që janë dhe ambasadorët tanë më të mirë në prezantimin me publikun e huaj, duke ndjekur traditën e korifejve tanë të letrave tashmë të konfirmuar dhe të njohur ndërkombëtarisht.


22 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page