top of page

Anjeza Musollari: KURRË MË  

KURRË MË? – KUJTESA E HOLOKAUSTIT DHE HIPOKRIZIA E SOTME E NDËRGJEGJES NDËRKOMBËTARE

 

Anjeza Musollari

 

Holokausti si plagë e hapur e njerëzimit

 

Sot, bota përkujton Holokaustin, krimin sistematik të nazizmit kundër hebrenjve, romëve, personave me aftësi të kufizuara, kundërshtarëve politikë dhe pakicave të tjera. Një krim i përmasave industriale, i projektuar dhe zbatuar nga një shtet modern, që përdori ligjin, shkencën dhe burokracinë për të shfarosur miliona jetë njerëzore. Holokausti nuk është thjesht një kapitull i errët i historisë evropiane, ai është një plagë e hapur e vetë ndërgjegjes njerëzore. Për këtë arsye, ai është dënuar pa ekuivok nga komuniteti ndërkombëtar dhe është përfshirë në dokumentet themelore të së drejtës ndërkombëtare si shembulli ekstrem i asaj që njerëzimi nuk duhet të lejojë kurrë më.

Për dekada me radhë, Holokausti është shndërruar në busull morale globale. Jo vetëm si kujtesë e dhimbshme e së kaluarës, por si paralajmërim i vazhdueshëm për rrezikun e urrejtjes, racizmit, dehumanizimit dhe nacionalizmit ekstrem. Por pikërisht këtu lind pyetja thelbësore, a po përdoret sot kjo kujtesë si udhërrëfyes moral, apo si instrument politik?

 

Kur kujtesa ndahet nga morali

 

Kujtesa historike, e shkëputur nga koherenca morale, shndërrohet në hipokrizi politike. Ajo humbet funksionin e saj etik dhe bëhet ritual bosh, ceremonial formal dhe deklarativ, pa asnjë ndikim real në vendimmarrje. Europa e ka jetuar për dekada peshën e fajit historik. Disa vende vazhdojnë edhe sot të mbajnë mbi vete barrën morale dhe politike të bashkëpunimit, heshtjes ose paaftësisë për të ndalur krimin nazist. Kjo është arsyeja pse përkujtimi i Holokaustit është i domosdoshëm. Por përkujtimi nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me qëndrime të qarta morale ndaj krimeve të sotme.

 

Shqiptarët dhe zgjedhja morale në Luftën e Dytë Botërore

 

Në panoramën tragjike të Luftës së Dytë Botërore, shqiptarët zgjodhën një rrugë tjetër. Në një Europë ku hebrenjtë dorëzoheshin, denoncoheshin dhe deportoheshin drejt kampeve të shfarosjes, shqiptarët refuzuan t’i dorëzonin. Jo vetëm kaq, ata i strehuan, i ushqyen, i fshehën dhe i mbrojtën, shpesh duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të tyre. Shqipëria doli nga lufta me më shumë hebrenj sesa kishte në fillim.

Kjo histori nuk flet aq për hebrenjtë e shpëtuar, sa flet për shqiptarët që zgjodhën nderin mbi frikën, moralin mbi urdhrin dhe jetën mbi ideologjinë. Është një shembull i rrallë ku një shoqëri e vogël, e varfër dhe e pushtuar, tregoi një madhështi morale që mungoi në shumë vende të zhvilluara të Europës.

 

Ceremoni pa përulësi morale

 

Pikërisht për këtë arsye, simbolika e vizitave, ceremonive dhe fjalimeve solemne sot shpesh tingëllon e zbrazët dhe hipokrite. Sepse më shumë sesa spektakël përkujtimor, Holokausti kërkon përulësi morale. Kërkon falënderim për ata që shpëtuan jetë. Kërkon reflektim të sinqertë për ata që heshtën. Dhe mbi të gjitha, kërkon konsistencë etike në përballjen me krimet e sotme. Kur kujtesa përdoret për të shpëlarë imazhe politike, për të justifikuar aleanca ose për të mbuluar krime aktuale, ajo pushon së qeni kujtesë dhe kthehet në propagandë.

 

Gaza: krime të reja nën hijen e një tragjedie të vjetër

 

Sot, bota përballet me një realitet tronditës në Gaza. Ajo që po ndodh atje nuk është thjesht konflikt i armatosur. Është një krizë humanitare e përmasave katastrofike. Bombardime të vazhdueshme, shkatërrim sistematik i infrastrukturës civile, spitaleve, shkollave dhe strehimeve. Përdorimi i urisë si mjet lufte. Ndëshkimi kolektiv i një popullsie të tërë. Zhvendosje masive të detyruara. Vrasje të mijëra civilëve, përfshirë gra dhe fëmijë. Dhe ndërkohë, Holokausti i djeshëm përdoret si alibi morale për të mbyllur sytë ndaj këtyre krimeve.

 

 “Kurrë më” për kë?

 

Retorika “kurrë më” përsëritet çdo vit në ceremonitë për Holokaustin. Por sot ajo duket gjithnjë e më selektive. “Kurrë më” për hebrenjtë  me të drejtë.Por pse jo “kurrë më” edhe për palestinezët e pambrojtur?Pse uria, bombardimet dhe shkatërrimi masiv justifikohen si “domosdoshmëri sigurie”? Këtu qëndron paradoksi moral i kohës sonë: një botë që përkujton krimet e djeshme, por relativizon krimet e sotme.

 

Faktet që politika përpiqet t’i anashkalojë

 

Raportet e Kombeve të Bashkuara, deklaratat e agjencive humanitare dhe vlerësimet e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut kanë ngritur alarme të vazhdueshme për shenja të një politike me tipare gjenocidiale në Gaza. Përdorimi i urisë si armë lufte, ndëshkimi kolektiv, zhvendosjet e detyruara dhe vrasjet masive të civilëve janë shkelje flagrante të Konventave të Gjenevës dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Këto nuk janë opinione. Janë fakte të dokumentuara.

 

Mësimi që nuk u mësua

 

Historia na ka treguar se njerëzimi shpesh dështon të nxjerrë mësime nga e kaluara. Holokausti duhej të ishte kufiri i fundit moral. Por sot, ai rrezikon të kthehet në precedent të instrumentalizuar. Nëse Holokausti përdoret për të justifikuar heshtjen ndaj krimeve të reja, atëherë ai tradhtohet dy here, një herë nga xhelatët e djeshëm dhe një herë nga hipokritët e sotëm.

 

Kujtesa si përgjegjësi, jo si justifikim

 

Përkujtimi i Holokaustit është detyrim moral. Por ai nuk ka kuptim nëse nuk shndërrohet në mbrojtje aktive të jetës njerëzore sot. Drejtësia nuk mund të jetë selektive. Humanizmi nuk mund të ketë kombësi. Dhe kujtesa nuk mund të përdoret për të heshtur ndërgjegjen. Nëse “kurrë më” nuk vlen për të gjithë, atëherë nuk vlen për askënd.

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page