Anjeza Musollari: Korrupsioni vret, deningron, përbalt ndërgjegjen tënde! Ndal!
Winston Churchill theksonte:’ korupsioni shërben si vaj lubrifikues për makinerinë e demokracisë’. Shtetari i madh britanik, me alternim të mençur, dinte të distilonte retorikën për momentet e vështira dhe cinizmin për ato më pak të vështira. Korrupsioni,sidomos ai politik,zbriti poshtë në origjinën e njerëzimit dhe gjeti terren pjellor në Romën e lashtë. Dhe me Romë të lashtë nënkuptojmë si atë republikane, ashtu edhe atë perandorake.
Akoma më pak njihet korrupsioni në Romë përpara shekullit të III-të:jo sepse ai nuk ekzistonte, por thjesht sepse mungojnë tekste dhe dëshmi edhe indirekte lidhur me fenomenin. Kur në fakt arrijmë në prodhimin e parë letrar, rreth vitit 200 ku shfaqen referime ndaj korrupsionit dhe imoralitetit,si në aspektin privat, ashtu edhe në atë publik.
Fjala korrupsion buron nga fjala Latine ‘corruptus’ Kuptimi i saj në shqip mund të jepet si ‘prishje e plotë’ e diçkaje. Corruptus në greqishten e vjetër përkthehet ‘fthóra’. Fthóra sërish merr shumë kuptime; disa prej tyre janë: zvetënim, prishje, kalbje, degradim etj. Për Aristotelin koncepti i ‘fthóra-s’, te “On Generation and Corruption”, vendoset përballë lindjes, d.m.th ajo do të thotë ‘vdekja’ e një qënieje. Por në politikë, Aristoteli me të njëjtin term kuptonte ‘devijantin’ ose ‘shmangësin’ nga një detyrë ose objektiv i paracaktuar.Aristoteli e lidh korrupsionin drejtpërdrejt me ndershmërinë dhe pushtetin. Sipas tij, ‘ndryshimi midis ndershmërisë dhe korrupsionit është se të jesh i korruptuar do të thotë të kesh pushtet të pakufizuar mbi një pronë ndërsa të jesh i ndershëm do të thotë qeverisja e një shteti sipas nevojave të njerëzve’.Më tej, ai hulumton imanencën (brendaqenësinë) e korrupsionit me pushtetin. Sipas tij, ‘korrupsioni politik nuk është cilësi e individit, një e metë natyrale, por karakteristikë e pushtetit, e çdolloj pushteti, dhe pasojë e ofiqeve.
Në botën moderne, dhe kryesisht në kampin e “demokracisë” parlamentare dhe kapitalizmit —që tashmë ka marrë karakter global— korrupsioni lidhet më shumë me braktisjen e interesit publik në emër të interesit privat. Përqendrimi i pushtetit dhe ndershëmëria nuk përmenden! Në anën tjetër,tradita marksiste, siç tregon Robert Mayer-i në një studim me mjaft interes,nuk shqetësohet shumë për shkakun e korrupsionit. Ndryshe nga Marksi, Lenini shqetësohet shumë për korrupsionin e ‘masave’ Përparimi i lëvizjes kërcënohej nga korrupsioni i udhëheqësve të saj dhe qoftë edhe anëtarët e zakonshëm, burimi i atij korrupsioni që është i shoqërisë borgjeze dhe pasurisë së saj. Marksi dhe Lenini nuk mohuan kapitalizmin sepse ai ishte në mënyrë të pashpresë i korruptuar, por ata besonin se ai duhet të ushtronte një influencë korruptuese mbi lëvizjen e cila kërkoi të transformonte shoqërinë borgjeze Për republikanët termi korrupsioni është ndër përshkruesit më emblematikë të shekullit të 21-të, menjëherë pas zbulimeve teknologjike. Fatkeqësisht, një fenomen i tillë është krimbi i cili ha trungun nga brenda. Meqenëse korrupsioni si fenomen bën vetëm rishpërndarjen (dhe jo krijimin) e vlerave, të krijuara brenda një shoqërie, tek të pasurit dhe rrethi i tyre, fatkeqësisht mbi barrën e më të varfërve që paraqesin një shumicë.
Nuk ka as edhe një shtet të vetëm në botë, i cili nuk përballet me cilëndo nga format e korrupsionit në një dozë të caktuar, ku kjo shumë thjeshtë mbështetet nga fakti se mbi 6 miliardë njerëz në botë jetojnë në vende të cilat kanë problem serioze me korrupsion (Transparency International, 2015).
Kur dikush flet mbi korrupsionin, fatkeqësisht ne kemi në mendje vetëm termat si
‘vjedhje,‘shpërlarje parash’ ose forma të tjera të ngjashme më të përhapura të tij.
Nëse korrupsionin e limitojmë vetëm në këto trajta të shfaqjes së tij, atëherë ne nuk mund të gjejmë zgjidhje për korrupsionin sepse nuk e kemi definuar akoma mirë atë si problem.
Edhe pse de jure ekzistojnë një mori ligjesh të cilat definojnë sanksionet për korrupsion apo edhe shumë shkelje tjera,thënia se “Rregullat janë bërë për tu thyer”, ka zënë një vend dominant.
Arsyeja pse ekziston përceptim kaq i lartë për korrupsionin,është sepse janë shumë të dukshme frutet e hidhura të tij,korrupsioni është shumë më shumë se sa ajo çfarë ne kuptojmë me termin ‘korrupsion tradicional’.Ai në një farë mënyre degëzohet duke i prekur së pari të gjitha institucionet, komunitetet e pastaj edhe neve si individë, duke u shfaqur në trajta të ndryshme.
Korrupsioni, pra efektet e tij i ka edhe në formë të papunësisë, burokracisë, konkurrencës jo të drejtë në treg e cila rrjedhimisht destimulon hyrjen e bizneseve të reja por edhe operimin e atyre ekzistuese,mungesës së cilësisë së shërbimeve publike qofshin ato në shëndetësi, kulturë, arsim, infrastrukturë etj; vjedhje, pandershmëri, humbje të pasurisë publike, shfrytëzim, mashtrim, skandal, neglizhencë e përgjegjësive etj. Të gjitha këto së bashku sjellin situatën aktuale jo të kënaqshme shoqërore, të cilat në rrënjët e tyre si shkaktar kanë korrupsionin. Pra, ajo se çfarë ne duhet të arrijmë të kuptojmë është se korrupsioni nuk është si efekt anësor i papunësisë apo problemeve tjera me të cilat po ballafaqohemi si shoqëri, por përkundrazi është shkaktari rrënjësor i këtyre problemeve.
Përderisa ka shumë institucione që luftojnë korrupsionin,sfida kryesore mbetet bashkimi i përpjekjeve për ta luftuar atë, bashkëpunimi në mes të institucioneve dhe aktorëve të përfshirë në luftën kundër korrupsionit, një sërë nismash anti-korrupsion, përgjegjshmëria institucionale dhe integriteti në vend janë në zhvillim e sipër.
Fenomeni i korrupsionit është një ndër më shqetësuesit në shoqërinë mbarë globale. Duke shfrytëzuar terrenin e një shoqërie demokratike, ky virus e zhyt shoqërinë duke mos e lejuar te kapërceje në trampolinat e zhvillimit human e demokratik.
Është e rëndësishme të kuptuarit mirë të këtij definicioni, sepse në shumë raste mund të anashkalohet kuptimi i tij i vërtetë, duke u deformuar e duke marrë trajta të tjera, kjo për arsye se ka një prirje nga ana e publikut shqiptar që të përfshijë në konceptin e “korrupsionit” edhe dukuri të cilat nuk janë të tilla. Për të analizuar sjelljen e shoqërisë karshi këtij problemi duhen pasur parasysh disa situata, të cilat çojnë në një tjetër tezë: “Sa te varur jemi ne nga korrupsioni”? Kjo nënkupton se shpeshherë ne jemi viktimat apo inicializuesit e tij?
Duke u bazuar ne një sondazh te vitit 2019 , kur gjykojnë të dy palët e përfshira në një transaksion korruptiv, shqiptarët tregohen më tolerantë kundrejt “dhënësve” të ryshfetit dhe më të ashpër kundrejt “marrësve”. Një nxënës i cili i jep një dhuratë mësuesit të tij me shpresën se do të marrë një notë më të mirë është vlerësuar ose i pa korruptuar (35.4%) ose i justifikuar (34.7%).Pjesa dërrmuese, që janë viktima të korrupsionit, qëndrojnë indiferentë, duke refuzuar t’i japin zgjidhje këtij problemi të vjetër sa vetë njerëzimi.Arsyeja kryesore që ky fenomen ka ekzistuar dhe është akoma i pranishëm në shoqëri është se shkaqet që çojnë në zhvillimin e këtij fenomeni nuk kanë arritur të eliminohen tërësisht, pavarësisht zhvillimeve që kanë ndodhur me kalimin e kohës.
Hapi i parë për krijimin një shoqërie të shëndetshme është rritja e shkallës së ndërgjegjësimit kolektiv mbi shkaqet si dhe pasojat e korrupsionit në shoqëri. Gjithashtu, është e paevitueshme ndihma e qeverisë në ndikimin e uljes së nivelit të korrupsionit, kjo duke rritur transparencën me qytetarët, ndëshkimin me ligj të iniciatorëve të korrupsionit, arritjen e një stabiliteti ekonomik. Pra, hallka kryesore për reduktimin e këtij fenomeni është zbatueshmëria me përpikëri e legjislacionit nga ana e gjithsecilit. Kjo do të ndikoje, gjithashtu, në rritjen e shkallës së integriteti ekonomik, politik e social të vendit tonë, në rajon e më gjerë. Prandaj indiferenca nuk është përgjigje!
Detyra jonë si individë është të ndihmojmë në prosperitetin e vendit tonë, arritjen e një stadi më të lartë të mirëqenies dhe sigurimin e një të ardhmeje me të shëndetshme për brezat pasardhës.
Korrupsioni është një sfidë e madhe për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ai rezulton në vendime dhe shpërndarje të burimeve që nuk pasqyrojnë interesat e publikut dhe përqendrojnë fuqinë politike në duart e pak personave. Kjo nga ana tjetër bën që udhëheqësit dhe institucionet politike të humbasin legjitimitetin dhe besimin publik, gjë që zvogëlon aftësinë e tyre për të qeverisur.
Sipas Raportit të Progresit të Komisionit Evropian 2020 për Shqipërinë (që mbulon periudhën kohore maj 2019 - tetor 2020), vendi ka përparuar mjaft mirë në luftën kundër korrupsionit. Autoritetet shqiptare përforcuan kapacitetet operacionale, koordinuese dhe monitoruese në luftën kundër korrupsionit, duke plotësuar kështu kushtin për Konferencën e parë Ndërqeveritare.
Shqipëria ka vazhduar përpjekjet për krijimin e historikut të plotë në hetimin, ndjekjen dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit. Megjithëse vetingu i anëtarëve të gjyqësorit është proces administrativ, është e rëndësishme të vlerësohen rezultatet konkrete të Shqipërisë për të luftuar korrupsionin.
Ndërkohë që numri i hetimeve në vazhdim mbetet i lartë, deri më sot, dënimet përfundimtare në çështjet që përfshijnë zyrtarët e lartë mbeten ende të kufizuara. Organet e sapokrijuara të specializuara kundër korrupsionit (SPAK- Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) priten të forcojnë ndjeshëm kapacitetin e përgjithshëm për të hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e korrupsionit.
Comments