Anjeza Musollari: Fundviti si moment reflektimi
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 30, 2025
- 4 min read

Urimi, Festa dhe Shpresa : Nga vitet ’90 deri në 2025 - Një udhëtim psikologjik dhe shoqëror i shpirtit shqiptar
Fundviti si moment reflektimi
Në fund të çdo viti, njeriu ndalet. Jo sepse koha ndalon, por sepse ndërgjegjja e kërkon këtë ndalesë. Është një çast reflektimi, një pauzë e domosdoshme përpara se të vazhdohet marshimi përpara. Në këtë ndalesë, njeriu sheh pas shpine barrën e muajve të kaluar, peshon humbjet dhe fitoret, numëron plagët dhe mësimet, dhe përpiqet të kuptojë nëse ka dalë më i fortë, më i vetëdijshëm dhe më njerëzor.
Dhjetori nuk është vetëm fundi i një viti kalendarik, ai është një moment bilanci moral dhe emocional. Ai na vë përballë vetes, përballë përgjegjësive tona individuale dhe kolektive, përballë mënyrës se si kemi zgjedhur të jetojmë, të shërbejmë dhe të reagojmë ndaj sfidave që na u shtrinë para syve.
Një vit sprovash dhe qëndrese
Dymbëdhjetë muajt që po lëmë pas nuk kanë qenë të lehtë. Shoqëria jonë është përballur me sprova të vazhdueshme, humbje jetësh nga aksidente tragjike, dhunë brenda familjes dhe komunitetit, etje, etje. Çdo lajm i hidhur ka lënë pas një boshllëk, një familje të copëtuar, një dhimbje që nuk shërohet lehtë.
Por përkundër dhimbjes, ky vit ka qenë edhe një vit qëndrese. Ashtu si në disiplinën ushtarake, ku qëndrueshmëria dhe vetëkontrolli janë thelbësore, edhe në jetën civile njeriu është thirrur të ruajë ekuilibrin, të mos dorëzohet dhe të vazhdojë përpara, edhe kur rruga është e vështirë.
Dhjetori dhe rituali i fundvitit
Që nga zanafilla e qytetërimit, njeriu ka festuar ndërrimin e viteve si një akt simbolik të rinisjes. Festat e fundvitit janë rituale që i japin kuptim kohës, e ndajnë atë në kapituj dhe i lejojnë shoqërisë të rigjejë frymëmarrjen e përbashkët.
Fishekzjarrët, tryezat festive, vizitat dhe urimet nuk janë vetëm zakone, ato janë shprehje të nevojës njerëzore për lidhje, për shpresë dhe për vazhdimësi. Në këtë kontekst, urimi nuk është thjesht një formulë mirësjelljeje, por një akt simbolik besimi në të ardhmen.
Urimi si pasqyrë e shoqërisë
Nga një këndvështrim sociologjik dhe psikologjik, urimet e Vitit të Ri mund të klasifikohen sipas kontekstit shoqëror dhe kulturor. Urimi që shkëmbehet në një familje ushtarake, ku mungesa dhe pritja janë pjesë e jetës, ka një peshë tjetër emocionale nga ai që shkëmbehet në rrethana më të qeta.
Megjithatë, një urim mbetet universal: “Gëzuar Vitin e Ri!”. Ky urim kapërcen dallimet sociale, profesionale dhe kulturore. Ai shoqërohet shpesh me dhurata, veçanërisht në familje, duke forcuar lidhjet dhe ndjenjën e përkatësisë.
“Gjithë të mirat!” – një reflektim i domosdoshëm
Në vitet e fundit, krahas urimeve tradicionale, është përhapur gjerësisht shprehja “Gjithë të mirat!”. Në dukje, ky është një urim i plotë dhe i sinqertë. Por nëse e analizojmë më thellë, ai ngre një dilemë morale, a është e shëndetshme të dëshirohen “gjithë të mirat” për një individ të vetëm?
Historia na mëson se përqendrimi i të mirave pa masë dhe pa përgjegjësi ka prodhuar shpesh babëzi dhe shkatërrim. Në këtë kuptim, një urim më i matur dhe më njerëzor do të ishte: “Çfarë t’ju dojë zemra!”. Ky urim nuk nxit grumbullimin e verbër, por dëshirën e ndërgjegjshme për ekuilibrin mes detyrës dhe ndjenjës.
Festat nga vitet ’90 deri në 2025
Vitet ’90 në Shqipëri ishin vite varfërie materiale, por edhe shprese të madhe. Festat e fundvitit atëherë ishin të thjeshta: një tryezë modeste, pak ushqime tradicionale, një televizor dhe një familje e mbledhur rreth njëri-tjetrit. Gëzimi buronte jo nga bollëku, por nga ndjenja e ndryshimit dhe besimi se e ardhmja do të ishte më e mirë.
Në vitin 2025, realiteti është ndryshe. Teknologjia ka ndryshuar mënyrën e komunikimit, tryezat janë më të pasura dhe urimet qarkullojnë në pak sekonda përmes ekraneve. Por paradoksalisht, ndjenja e përbashkët shpesh është zbehur. Festojmë më shumë, por ndiejmë më pak.
Dhjetori si akt përgjegjësie dhe faljeje
Thelbi i dhjetorit nuk qëndron në dritat festive, por në aktin e lëshimit dhe pajtimit. Është koha për të falur, për të reflektuar mbi gabimet dhe për të rivendosur ekuilibrin e brendshëm. Ashtu si në shërbimin ushtarak, ku disiplina dhe vetëkontrolli janë thelbësore, edhe në jetën civile falja kërkon forcë dhe pjekuri.
Duke u bërë më të dhembshur me veten dhe me të tjerët, ne çlirojmë energji për shpresën. Shpresa është forca më bazike e qenies njerëzore, ajo që na mban në këmbë edhe kur gjithçka tjetër lëkundet.
Nga vitet ’90 deri në vitin 2025, nga tryezat e varfra por zemrat plot, tek bollëku material i shoqëruar me lodhje emocionale, një gjë mbetet e pandryshuar: nevoja për kuptim, për drejtësi dhe për njerëzi.
Për mua ky reflektim fundviti është një thirrje për përgjegjësi, solidaritet dhe forcë morale.
Ndoshta urimi më i vërtetë për vitin që vjen nuk është “Gjithë të mirat!”, por: më shumë dinjitet, më shumë drejtësi, më shumë kujdes për jetën dhe më shumë guxim për të qenë njerëzorë në çdo rol që mbajmë.
Dhjetori nuk është vetëm një muaj; ai është një mundësi për të reflektuar mbi atë që kemi bërë, për të falur dhe për të rifilluar. Qëndresa shpirtërore, lidhja me të tjerët dhe shpresa që e bën jetën të vlefshme janë thesaret e vërteta të këtij muaji.









Comments