top of page

Albert HABAZAJ: HIMNI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”


HIMNI I UNIVERSITETIT “ISMAIL QEMALI”, VLORË DHE BOTIMET TONA UNIVERSITARE

 

Albert HABAZAJ

bibliograf, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

 

Himni i Universitetit "Ismail Qemali" Vlorë me tekstin tim (Albert Habazaj), me muzikë të kompozitorit Artur Dhamo "Mjeshtër i Madh", interpretuar nga solistët e Teatrit të Operas dhe Baletit, u prezantua për herë të parë pikërisht sot, më 15 Nëntor 2024 nga Rektorja e Universitetit, prof. dr. Aurela Saliaj në festën e 30-vjetorit të lindjes së UNIVLORËS.

 

Shkurtore

Qysh të hënën e datës 11 nëntor 2024, kur nisi java festive e 30-vjetorit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë me simpoziumin e Fakultetit të Shëndetit, dhe në vijim çdo ditë me Fakultetin e Ekonomisë, atë të Shkencave Teknike dhe Natyrore dhe dje me Fakultetin e Shkencave Humane, ligjëruesit e përcaktuar në program kanë paraqitur e përuruar edhe botimet përkatëse të pedagogëve të departamenteve për çdo fakultet.

Në punën tonë të përditshme me librin, ne, specialistët  e kësaj fushe, punojmë me paradigmën: “Bibliotekat sigurojnë akses në informacion dhe në ide pavarësisht nga mjedisi dhe pa njohur kufij. Ato shërbejnë si porta drejt dijes, mendimit dhe kulturës, duke ofruar mbështetje për vendimmarrje të pavarur, zhvillim kulturor, studim dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës për individë dhe grupe” (shih: Rezoluta e IFLA-s për bibliotekat, shërbimet informuese dhe lirinë intelektuale, Glasgow, 2002). 



Paraqitja e buletineve shkencorë të UV: 2001-2024

Së pari, vlen të prezantoj buletinet shkencore të Universitetit "Ismail Qemali", Vlorë, që, pasurojnë koleksionin e serialeve të Bibliotekës Shkencore "Nermin Vlora Falaschi" të këtij universiteti, në funksion të studentëve, të pedagogëve, kërkuesve shkencorë dhe studiuesve tanë.

Nuk ka qenë i mundur botimi i buletineve shkencore qysh me themelimin e universitetit më vitin 1994.

Buletini Shkencor Nr. 1 u botua në  vitin 2001, kur rektor ishte prof. dr. Bilal Shkurtaj (1998-2008); nën kujdesin e tij vijuan botimet periodike deri në Buletinin shkencor Nr. 13 (2008), me logon në ballinë Universiteti Teknologjik “Ismail Qemal Vlora” dhe Universiteti Teknologjik “Ismail Qemali” Vlorë në fletën e brendshme [pa ISSN, por ne i kataloguam me numër të brendshëm, sipas standardeve të përshkrimit bibliografik të njësive libra dhe jolibra]. Kujtojmë me respekt ata që plotësuan këtë buletin me artikuj, autorët fillimtarë: Yllka Bejo, Nexhip Mërkuri, Aleks Trushaj, i ndjeri Zeko Braho, Mirela Koçi, të ndjerët Hito Jaze e Muharrem Shehu, Ilirjan Lipi, Bilal Shkurtaj, Spiro Caushi, Kajtaz Alikaj, Petrit Kotori, Vladimir Kasëmi dhe Sokol Mehmetaj.

Po në vitin 2001 u botua guida e parë e studentit; pati disa botime të gazetës së studentit, me kryeredaktor Shkëlqim Sinanaj, (atëhere student i Fakultetit tonë të Ekonomisë. Gjatë atyre viteve u botuan edhe materiale të tjera si manuale, simpoziume, konferenca shkencore, etj.

Më tej, kur rektor ishte Prof. Tanush Shaska (2008-2010) buletinet e universitetit vijuan si burime elektronike (on line), por në fomë manuale (të shtypur) në Bibliotekën tonë nuk erdhi asnjë kopje.

Nga viti 2013 e në vijim, kur rektor ishte prof. dr. Albert Qarri (2011-2016), nisi një punë e vështirë, e mundimshme, por e domosdoshme për njohjen ndërkombëtare të botimeve të artikujve shkencorë të përfshirë në buletinet shkencore me emërtimin zyrtar Buletini Shkencor Universittei “Ismaili Qemali” (shqip dhe anglisht) me format 30 x 20, me ISSN 2310-6719.

Edhe në vitet 2016-2024, kur rektor ishte prof.dr. Roland Zisi vijuan botimet periodike të serialeve, jo vetëm me punime të pedagogëve, por edhe të studentëve, apo buletine specialë, sipas fushave shkencore ku përfshihen buletine shkencore, botime speciale apo konferenca shkencore, simpoziume, libra abstraktesh, guida etj.

Edhe këtë vit, pasi prof.dr. Aurela Saliaj fitoi zgjedhjet për të qenë në krye të Universitetit tonë, siç po e vërejmë, kemi begati botimesh, nga të cilat përmendin 1 buletin shkencor, nr. 7, vëll, 3, librin me ISBN “30 vjet Universiteti Ismail Qemali” Vlorë, që vjen si botim i veçantë,  katalogu: “Viti akademik 2024-2025 Universiteti Ismail Qemali” Vlorë” (shqip, anglisht), fletë-palosje për 4 fakultetet për këtë vit akademik, si dhe numrin special 30 vjet statistika të UNIVLORËS, që është në proces. 

Nuk e gjykojmë të nevojshme të bëjmë listimin e përgjithshëm  të buletineve shkencorë me ISSN, sepse ato janë hedhur në faqen WEB të Universitetit, por kujtojmë që nga viti 2013 deri më sot janë botuar 26 numra buletinesh shkencorë dhe botime speciale, pa përfshirë konferencat.

Në këtë simpozium jubilar, nuk mund të rri pa përmendur ato që punuan aq shumë e pa u dukur, si bleta punëtore, si Ajola Çobani, e cila në vitin 2013 aplikoi dhe pas shumë procedurash, arriti të siguronte ISSN për buletinet (e cila, ndryshe nga ISBN-ja për librat që merret në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, ajo jepet nga një kompania e fushës në Francë). Mbas Ajolës këtë punë e vijoi Lorena Gerveni me PIC (Pikun) për Erazmusin, kodin që merret nga Komuniteti Europian. Ndërsa Roksana Nowak, e cila ka punuar si specialiste e botimeve, ka realizuar edhe punën online (ISSN online) të buletineve.

Në bashkërendim me Zyrën e Publikimeve të Universitetit, kemi marrëdhënie korrekte me bibliotekat universitare të Shqipërisë dhe me Bibliotekën publike të qytetit të Vlorës për shkëmbimin e buletineve shkencore e materialeve të tjera libra, përmbledhje punimesh etj., në fund të fundit, që puna kërkimore-shkencore e Universitetit të mos na japë imazhin e akuariumit, por të jetë burim informacioni për komunitetin.

Dy bibliografitë e Universitetit

Ndërkohë, duke kryer një shërbim të domosdoshëm të standardizuar për botimet libra të pedagogëve të Universitetit tonë në funksion të mësimdhënies për studentët dhe studiuesit apo të interesuarit e tjerë, si dhe, duke dhënë një ndihmesë të thjeshtë e të nevojshme në fushën e Bibliotekonomisë, kemi përgatitur dy bibliografi, ku përfshihen botimet e autorëve - pedagogë të universitetit.

Në vitin 2006 është botuar Bibliografia: Botime të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës (1994-2004), Pjesa I. Redaktor i librit është prof.dr. Bardhosh Gaçe, recensentë prof.dr. Nexhip Mërkuri dhe znj. Liljana Gjika, ish - drejtoresha historike e Bibliotekës së qytetit të Vlorës, me parathënien “Një punim serioz e me vlera për Universitetin e Vlorës” nga prof.dr. Spiro Caushi, themeltar i Universitetit dhe, qysh më hapjen e tij -  Zv/Rektor dhe dekan i Fakultetit të Marinës (i cili është cilësuar si dekan i Zëvendës Rektorëve të Universitetit të Vlorës, por ndoshta në rang Republike, sepse këtë detyrë e ushtroi deri ditën që doli në pension, në vitin 2012). Në atë bilbiografi janë përfshirë 167 tituj librash të 65 autorëve. Në këtë jubile, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen ish - kryetares së Degës Mësimore të Universitetit zonjës Aneta Xhelili, ish - rektorit historik të UV, prof. Bilal Shkurtaj dhe Senatit të asaj kohe, që miratoi dhe mundësoi botimin e asaj bibliografie.

Ndërsa, në fund të vitit 2023 u përgatit dhe u botua Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë Pjesa II (për periudhën 2006-2023) Kjo bibliografi ka këtë staf realizues: përgatiti: MSc. Albert Habazaj; redaktorë: prof.dr. Bardhosh Gaçe dhe prof.dr. Roland Zisi, ish- Rektor i UV; autor i parathënies (tekstit shtesë) “Bibliografia - një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë nga prof. asoc. Enkelejd Mëhilli, ish - Zv. Rektor për Kërkimin Shkencor dhe Zhvillimin Institucional; konsulentë: 4 ish- dekanët përkatës: prof. dr. Albert Qarri, prof. dr. Armela Panajoti, prof. dr. Aurela Dai Saliaj, prof. as. dr. Hajdar Kiçaj, dhe ish- Zv/Rektorja akademike prof. as. dr. Frosina Londo; përpunimi kompjuterik/ d-COBISS: MSc. Altin Mahilaj dhe koordinator shkencor: MA. Mirlona Buzo; drejtore e QKPISH (Qendrës së Koordinimit dhe Përhapjes së Informacionit Shkencor) pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) që koordinon rrjetin e përbashkët online të qendrave të informacionit dhe kërkimit shkencor në Shqipëri, nëpërmjet platformave COBISS.AL (Sistemi dhe shërbimet e përbashkëta bibliografike online në Shqipëri dhe ECRIS.AL (Sistemi i informacionit për veprimtarinë kërkimore në Shqipëri) për digjitalizimin, rritjen dhe pasurimin me informacione të indeksuara si edhe qasje në përmbajtjet e lidhura me krijimtarinë shkencore në Shqipëri dhe më gjerë. 

Në këtë dokument përfshihen 179 tituj (njësi bibliografike), nga të cilët 62 monografi shkencore dhe 117 tekste mësimore, prodhim intelektual e shkencor i 108 pedagogëve të Universitetit "Ismail Qemali", Vlorë, 17 përkthyes të këtij institucioni të lartë arsimor. Në listimin e treguesve të Bibliografisë, në fillim është numri rendor dhe në fund nr. i njësisë bibliografike, ku gjenden: autori (përgatitësi/ përkthyesi etj.) titulli, shtëpia botuese etj.

Kujtojmë që numri i autorëve dhe titujve shtohet e përditësohet në sistem nga ana jonë, sepse e tillë është veprimtaria kërkimore - shkencore e pedagogëve tanë, që kurorëzohet me botimin e tekstit për të qenë edhe pronë e bibliotekës shkencore, jo si stoli, por për t’u përpunuar e regjistruar në sistemin ndërkombëtar të përshkrimit biblografik të njësive libra dhe jolibra, dhe, së pari, në shërbim të edukimit universitar të studentëve, patjetër dhe për stafin e përdoruesit e tjerë librorë. Fjala vjen, vetëm pak ditë më parë na mbërriti në bibliotekë monografia “Anatomia e krahasuar”: cikël leksionesh me autore dr. Ina Nasto, pedagoge e departamentit të Biologjisë, FSHTN (bot. i vitit 2024) apo dr. Arjana Kasaj Llano (pedagoge e Deparatmentit të Drejtësisë (FSHH) me 2 tekste të reja të fushës, etj.

Bibliografia, pjesa II është një dokument standard i fushës, është një përmbledhje e klasifikimit dhe përshkrimit shkencor e sistematik të informacionit nga botimet e ndryshme (libra të pedagogëve dhe studiuesve tanë) ku përfshihen të gjitha fushat e dijes (përveç fesë, teologjisë), është fryt i një pune të gjatë, sistematike, të vëmendshme dhe serioze, një punim shkencor unikal për Universitetin "Ismail Qemali" Vlorë; ndërkohë dhe ndihmesa ime e thjeshtë në fushën e Bibliotekonomisë, falë vullnetit, përgjegjësisë dhe dashurisë profesionale, që vjen si vijim i pjesës I "Bibliografia. Botime të pedagogëve të Universitetit "Ismail Qemali", Vlorë (1994-2006).

Ndryshe nga e para, kjo bibliografi është e integruar në Sistemin dhe Shërbimet e Përbashkëta Bibliografike Online (COBISS), sipas Standardeve Ndërkombëtare të Përshkrimit Bibliografik, si edhe në Sistemin Informues për Veprimtarinë Kërkimore në Shqipëri (E-cris.AL).

Bibliografia “Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006-2023) është botuar në bazë Vendimit Nr. 31, datë 13.12.2022 të Rektoratit të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, nr. 31, datë 13.12.2022, me Nr. 1974/4 prot. dhe në mbështetje të Vendimit Nr. 3, datë 24.01.2023 me Nr. 140/3 prot.

Këtë bibliografi e pasurojnë monografi shkencore dhe tekste universitare të autoriteteve letraro-kultururë dhe albanologjikë-pedagogë të Universitetit tonë si prof.dr. Bardhosh Gaçe me 22 njësi bibliografike të botuara (në sistem janë regjistruar më shumë, por kaq janë përfshirë në këtë bibliografi, jo vetëm për këtë autor, por edhe për të tjerë, në disa raste edhe për mungesë të tekstit manual në bibliotekë), prof.dr. Roland Zisi me 12 njësi bibliografike të botuara, po ashtu të pedagogëve tanë me emër në botën akademike si prof.dr. Nexhip Mërkuri me 9 njësi bibliografike të botuara, prof.dr. Elenica Pjero me 7 tituj,  prof. dr. Aurela Dai Saliaj me 6 tituj, prof. dr. Bilal Shkurtaj me 5 tituj, prof.as. dr. Hajdar Kiçaj me 5 tituj, prof.as. Xhiliola Agaraj me 4 tituj, prof.as.dr. Ilirjan Lipi me 4 njësi bibliografike të botuara, prof.as. dr. Aleks Trushaj me 4 njësi bibliografike të botuara, prof.as.dr. Majlinda Zahaj me 4 njësi bibliografike, dr. Glodiana Sinanaj me 4 tituj, Gladiola Elezi Durmishi me 4 tituj, prof.as. Denada Kasëmi me 4 tituj, dr. Denada Selfo me 4 tituj, prof. as. Fatjona Kamberi me 4 tituj, doktorante Rudina Çerçizaj me 3 tituj, prof. as. Rezarta Lalo me 3 tituj, dr. Jonida Mehmetaj me 3 tituj, prof.as. dr. Kristofor Lapa me 3 tituj, etj.

Një kontribut të vlefshëm kanë dhënë me botimet e tyre pedagogët dr. Llukë Gjidede, Petraq Truja e Vaso Pata, prof.as. Jorgo Mandili, që janë dhe të mirënjohur si intelektualë të qytetit, jo vetëm në fushat e tyre, pa harruar të ndjerët Ing. Sabri Kasimati dhe prof.as. Luan Hasanaj etj., të më falin që s’i përmend dot të gjithë, sepse kjo harresë, siqerisht pa piklën e negativitetit, nuk mund t’ua ulë vlerat intelektuale.

Në këtë Bibliografi, përveç njësive bibliografike - libra të pedagogëve të UV, janë përfshirë dhe punimet shkencore të figurave të njohura të shkencës shqiptare, si prof. Dritan Spahiu, Llukan Puka, Shaban Sinani, Sulo Hadëri, Sherif Bundo, Beshir Ciceri, Ilir Mandro, Agron Xhagolli etj. që, në në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë kanë pasur apo gëzojnë statusin “Personel Akademik i ftuar”.

Nuk e quajmë të nevojshme për të zbërthyer hollësisht monografi shkencore apo tekste mësimore të pedagogëve sepse skedat e tyre janë të plotësuara me të dhënat e domosdoshme dhe janë renditur sipas kritereve të caktuara në skedarë, janë regjistruar në katalog titujt e tyre sipas parimeve e metodave të këtij klasifikimi me shpjegimet plotësuese dhe janë klasifikuar në biblografi me përshkrimin shkencor e sistematik të librave për t’ua bërë të njohur të tjerëve, përdoruesve.

Përurimi i dy botimeve të UNIVLORËS në Akademinë e Shkencave, Tiranë

E kam quajtur nder dhe përgjegjësi për Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë që mori pjesë në Panairin e 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor, i cili u zhvillua në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 23-25 prill 2024, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës me bashkëpunimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ishte një vlerësim, që Universiteti ynë u përurua ditën e dytë sipas programit të Panairit të 3-të mbarëkombëtar të librit akademik dhe shkencor në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në atë ngjarje të rëndësishme për botën akademike dhe universitare për shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e kudo nëpër botë, ku ata ndezin dritë kombëtare. Sipas kalendarit, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorës ka dy përurime: “Studime ndërdisiplinore në albanologji” me autor Prof. dr. Roland Zisi dhe përmbledhjen e botimeve të pedagogëve tanë “Bibliografia e Universitetit Ismail Qemali, Vlorë. Pjesa II, (2006-2023)”, që është një punim shkencor unikal për Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë përgatitur nga bibliografi Albert Habazaj. 

Dhurata e papritur: libri “Historiku i UV. 30 vjet rrugëtim - Thirrje për të ardhmen”

Para se ta mbyll këtë paraqitje të thjeshtë për botimet e UV, dëshiroj të them se vlen që ne të promovojmë veten, kush jemi ne, si e nisëm, ku arritëm? Jo të tjerët, ndihmëtarët, ata i falënderojmë, por ne jemi këta që paraqitemi, që përditshëmrisht bëjmë mirë detyrat tona funksionale. E përsëris dhe një herë: Universteti ynë nuk është akuarium. Ku e kam fjalën? Ne që shkruajmë e botojmë për UNIVLORËN mirë bëjmë, se jemi brenda nesh, si thuhet në gjuhën e antropologjisë kulturore, jemi tanët, por Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ka edhe një suprizë mirësore të merituar. Një tjetër, një jashtëuniversitar, edhe pse Alumni i UV - s, na bën një dhuratë të veçantë dhe të bukur për 30 - vjetorin e lindjes së Universitetit, e para e këtij lloji deri më sot: librin “Historiku i UV. 30 vjet rrugëtim - Thirrje për të ardhmen” nga gazetari i njohur Ergys Alushi si bashkautor kryesor me dr. Evis Alushi, pedagoge e Universitetit, ndëkohë, fatmirësisht dhe bashkëshorte e autorit të parë të veprës. Nëpërmjet këtij libri, ofrohet një pamje e thellë dhe e pasur e këtij rrugëtimi. Në faqet e tij do të gjejmë tregime nga profesorët dhe studentët që kanë qenë pjesë e këtij institucioni, që ndajnë eksperiencat e tyre dhe ndikimin që Universiteti ka pasur në jetën e tyre. Krenarisht, do të zbulojmë, gjithashtu, përpjekjet dhe sukseset që kanë ndihmuar në ndërtimin e një komuniteti akademik të fortë dhe të angazhuar ...

Synim profesional

Ndihem mirë për këtë realizim të mundimshëm, por, ndërkohë, me synime, dëshirë e mundësi për të bërë edhe Bibliografinë e artikujve shkencorë, botuar në Buletinet shkencore "Universiteti Ismail Qemali Vlorë nga nr. 1 (2002- ) e në vijim (- 2024), si dhe disertacionet për gradën shkencore "Doktor i Shkencave" të pedagogëve të Universitetit tonë.  

Pastë jetë të gjatë sa Vlora, universiteti ynë i dashur, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë për t’u dhënë dritë diturie brezave për begatimin e përparimin e jetës!

 

 

E premte, 15.11.2024

Salla “Ali Asllani”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

13 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page