top of page

Albert HABAZAJ: EVARIST BEQIRI DHE VLERAT E SHKRIMIT

  • 22 minutes ago
  • 2 min read

 

EVARIST BEQIRI DHE VLERAT E SHKRIMIT “NJË ROMAN ME PESHË HISTORIKE”: “HALIMI” I PETRO MARKOS

 

 

Qysh në krye të këtij shkrimi reflektues, dua të shprehem: Faleminderit dr. Evarist Beqiri për shkrimin “Një roman me peshë historike” (kushtuar romanit “Halimi” i Petro Markos)

 

Ky shkrim lakonik dhe me shumë vlera i Evaristit, birit të denjë tërbaçiot, dr. Evarist Beqiri për romanin e shkrimtarit të shquar Petro Marko, kalorësin rebel të lirisë kushtuar Halim Xhelo Tërbaçit tonë të idealeve të larta kombëtare meriton mirënjohje jo vetëm për risjelljen në kujtesën e sotme të dy burrave të mëdhenj të kombit tonë, (shkrimtari i humanizmit universal nga Dhërmiu, luftëtari dhe frymëzimtari i Njëzetës nga Tërbaçi), por sidomos për çka unë e quaj një kambanë kushtrimi për ndërgjegjen kombëtare sot ndër ne.

Shkrimi i Evaristit më ktheu mbrapa në kohë, kur unë isha nxënës i shkollës 8-vjeçare "Halim Xhelo" Tërbaç në Gryka, ndoshta në klasë të tretë. I kam pasur qejf librat e mirë, qysh fëmijë. Atëherë kemi ardhur në Vlorë me grupin e fatosave, ndoshta të pionierëve me drejtor Dragoin e këngës labe Kujtim Mici dhe këtë e verifikoj, duke kërkuar në bibliotekën time romanin "Halimi" të Petro Markos, blerë në Skelë, më 10 shtator 1969.

E kam dashur shumë Petro Markon për veprën e tij të shkëlqyer letrare, sidomos për romanin "Halimi" (Tiranë; "Naim Frashëri"; 1969, 207 f.), për romanin etnologjik "Ultimatum" me objekt Luftën e Vlorës, 1920 (Tiranë, "Naim Frashëri", 1972, [328] f., ku ndër personazhet kryesorë është Halimi ynë, po ashtu Selman Hyseni, Murat Tërbaçi etj.

Po ashtu e dua Petro Markon, këtë burrë që kullon fisnikëri e karakter edhe për vjershën e tij "Të kish' rritur Labëria" thurur më 1937 për Halimin, e cila këndohet në Tërbaç e gjetkë si këngë e përvajshme e përjetësimit të Heroit.

Sa ngjanin në karakter e dinjitet Halimi me Petron!

E dua shumë Petro Markos, saqë do të kisha dëshirë të ishte nga Tërbaçi (po yni është dhe Dhërmiu, se derë e tepsi kemi qenë, si i thonë fjalës), të paktën, sipas burimeve shkrimore, qysh nga koha e Nilo Catalanos (vitet 1630-1640 e në vijim).

Evaristi meriton mirënjohje për mesazhet që jep, duke u shprehur se "romani "Halimi" nuk është thjesht letërsi. Ai është kujtesë, ideal dhe karakter...Sa grimca nga ajo djalëri e kulluar e shqiptarizmës jeton ende tek ne sot?"

Në nderim të 5 Majit - ditës simbolike të dëshmorëve, sjell ndërmend këngën popullore

"Lule more trima

Që ratë për Atdhe"

dhe shtoj:

Ju e bëtë detyrën

Çfarë po bëjmë ne?!

Evaristi më tej nënvizon: "Ndoshta nuk është rastësi që disa libra nuk plaken kurrë. Sepse nuk flasin [thjesht] për kohën e tyre...por për ndërgjegjen tonë".

Mendojmë se është e duhur që të kujtojmë se një nga pseudonimet që përdorte Halim Xhelo në shkrimet që botonte ishte "NDËRGJEGJJA KOMBËTARE"

Ç'mendje parashikuese kishte për të ardhmen gri me nuanca të murme...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page