Alban Kraja: Thirrje Presidentit
- 3 days ago
- 4 min read

Prof. Dr. Alban Kraja
Thirrje Presidentit
Atdheu në rrezik!
Zoti President i Republikës!
Ju e dini që jeni trashëgimtar direkt i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Sigurisht, në rrafshin institucional, por dhe në atë praktik. Ju jeni Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare. Ju jeni drejtues dhe përfaqësues i shtetit shqiptar. Ju jeni Nr. 1 që duhet të mbrojë interesat e kombit shqiptar. Pra, Presidenti i Republikës së Sotme të Shqipërisë është asgjë më pak dhe asgjë më shumë se ajo që ishte dhe detyra, roli i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ndaj, Zoti President, roli Juaj është shumë i rëndësishëm, është jashtëzakonisht jetik sot për Shqipërinë. Ju e dini që jeni përfaqësues i një populli jo të vogël, pasi Ju përfaqësoni një popull jashtëzakonisht të madh. Ju përfaqësoni popullin e gjenezës. Populli shqiptar është themeluesi i kontinentit tonë të vjetër. Ne flasim gjuhën bazë të kontinentit europian. Pra, Ju përfaqësoni një komb që ka dhënë me dhjetra perandorë perandorisë romako-ilire. Ju përfaqësoni një komb që ka dhënë papë Vatikanit. Ju përfaqësoni një komb që ka dhënë muzikantë, kompozitorë, skulptorë, filozofë pa fund Europës dhe gjithë botës. Pra, Ju përfaqësoni një komb gjenial, një komb që duhet të jetë në pjedestalin më të lartë të kombeve të nderuara në të gjithë botën. Prandaj duhet një përfaqësim dinjitoz, një përfaqësim i sinqertë, një përfaqësim prej një dashnori të vërtetë të atdheut tonë. Unë Ju krahasova me Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Gjon Kastriotin Skënderbeun, në aspektin institucional, por mbetet te Ju dëshira për t’u ngritur në rolin e Tij dhe si përfaqësues i vërtetë i popullit, si mbrojtës i interesave të tij.
Zoti President!
Unë Ju bëj këtë apel Juve sot, që të ngriheni në lartësinë e detyrës Suaj, në lartësinë e asaj që Ju përfaqësoni dhe mishëroni për kombin shqiptar. Unë nuk Ju njoh personalisht, nuk i di dëshirat, pasionet tuaja personale, por di që Ju keni qenë ushtarak dhe, si ushtarak, duhet t’i ngjani edhe më shumë Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Ju keni bërë një betim mbi flamurin e tij, Ju keni bërë një betim mbi shkabën dykrenare, të njëjtin, me të cilin luftonte Heroi ynë Kombëtar dhe mbronte kombin tonë. Ndaj, Zoti President, unë i bëj thirrje pozicionit Tuaj, institucionit Tuaj, asaj që Ju mishëroni për kombin shqiptar. Mos i firmosni ato ligje që po aprovon sot parlamenti shqiptar, ato ligje që dëmtojnë rëndë, rëndë, integritetin kombëtar shqiptar, ligjin për shitjen e pronave bujqësore, e tokave bujqësore. Është një rrezik i madh për kombin tonë. Shitja e këtyre tokave të huajve, do të sillte mbase një kolonizim të Shqipërisë, e cila ka mbetur pa shqiptarë, pasi ka një tendencë prej njëzet e ca viteve, tridhjetë viteve të shtyrjes së shqiptarëve për të ikur, për të gjetur arratinë dhe për t’u strehuar në vende të tjera, për të lënë vend të lirë. Dhe tani që Shqipëria po çlirohet nga shqiptarët, pikërisht tani duan të miratojnë një ligj që të shitet toka, dhe jo bujqësore, te të huajt.
Zoti President!
Nuk duhet asnjë inteligjencë e madhe për ta kuptuar që këtu ka diçka që nuk shkon. Ka diçka që nuk shkon, pasi është një ligj tjetër i tmerrshëm, që është ai i Paketës së Maleve, i cili nuk duhet dekretuar, i cili duhet kthyer mbrapsht, pasi ëhtë i rrezikshëm, pasi po shitet përtej bregdetit, përtej tokave bujqësore, pasi po tentohet të shiten edhe malet.
Zoti President!
Keni mbetur mbase figura e fundit që mund të vihet kundër, kundër kësaj masakre që po i bëhet kombit tonë. Përmenda më parë Heroin tonë Kombëtar. Por janë me dhjetra dhe me qindra shqiptarë që kanë dhënë jetën, që e kanë larë me gjak tokën tonë, ndaj Ju lutem pafundësisht, në emër të të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të të gjithë atyre shqiptarëve që e duan kombin e tyre, pash bukën që ha, President, pash gjakun e të parëve, mos lejo që të shitet kombi ynë. Do të mbetemi si kurdët, pa atdhe. Në këtë mënyrë, do të shuhemi si komb. Është Thirrja e Gjergj Kastriotit, është Thirrja e martirëve tanë, është Thirrja e të parëve tanë, është Thirrja e gjakut të atyre që e kanë bërë pa u trembur, që ne sot e gëzojmë një atdhe. Ndaj, President, Ju përgjëroj, dilni hapur. Ka njerëz që mendojnë që nuk dihet se ku jemi. Unë e di që Ju po mendoni, po reflektoni, e imagjinoj, sepse Jeni Presidenti i shtetit shqiptar, nuk mund të heshtni. Dilni aty ku duhet, Zoti President, dhe i thoni “jo”, i thoni “jo” shitjes së kombit tonë. Unë e di shumë mirë pozicionin Tuaj të vështirë, unë e di shumë mirë që Ju nuk jeni President i zgjedhur nga populli, që t’i kundërviheni institucionit që Ju ka zgjedhur, që është parlamenti, por Ju garantoj, Ju them me siguri të plotë: do të keni mbështetjen e të gjithë popullit nëse Ju bëni një veprim të tillë, nëse ju do e mbroni me nder, me shpirt, me zemër të drejtën e mbijetesës së kombit tonë.
------------------------
Koment i autorit në youtube:
Motra e vëllezër shqiptarë! Unë jam i bindur që, jo larg në kohë, vendi ynë do të udhëhiqet nga atdhetarë të sprovuar. Ndaj, kushdo që ka shitur, shet apo do të shesë interesat e Atdheut, do të përgjigjet para ligjit për tradhti kombëtare… Por sot është detyra jonë që të apelojmë cilindo që mban detyra të larta shtetërore, që të bëjë të penduarin dhe të distancohet hapur e pa mëdyshje nga klasa politike antishqiptare, e cila prej, të paktën, 35 viteve pa ndërprerje dhe pa përjashtim asnjëri, ka marrë në qafë popullin tonë… Kushdo që hesht në këtë situatë kaq të rrezikshme për mbijetesën e Shqipërisë, duhet konsideruar bashkëpunëtor në shitjen e territorit dhe të pasurive të vendit tonë… Unë e dua pafundësisht historinë e Kombit tonë dhe ky është misioni im, por, pa Atdhe, asgjë tjetër nuk vlen… Paçim të gjithë bashkë ne, ithtarët e shqiptarisë, sot e mot, bekimin e Atdheut.








Intelektuali i shquar, Prof.dr. Alban Kalaja, me këtë Thirrje ka lëshuar një kushtrim për rrezikun që i kërcënohet vendit tonë nga kalorësi i helenizmit, kryetradhtari Rama, i cili, gjatë këtyre trembëdhjetë vjetëve të sundimit të tij, ka bërë ç’është e mundur për shpopullimin vendit tonë dhe popullimin e tij me migrantë të gjithfarëllojshëm. Normalisht, Presidenti i Republikës, si Kryetar i Shtetit, duhej ta kishte shprehur publikisht qëndrimin e vet gjatë këtyre më shumë se pesëdhjetë ditëve të protestave të fuqishme mbarëpopullore, në të cilat kërkohet me këmbëngulje dorëheqja e panegociueshme e Ramës, shporrja e tij përfundimtare nga pushteti, bashkë me qeverinë tradhtare që kryeson. Por Presidenti i Republikës, me heshtjen e tij të pahijshme, rri e s’ndihet, si miu në…
Shkrimi i Prof. Dr. Alban Krajës sjell në qendër të debatit publik çështje që ai i konsideron me rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit dhe i adreson ato në formën e një apeli ndaj institucionit të Presidentit. Pavarësisht se mbi temat e trajtuara mund të ketë këndvështrime të ndryshme, është gjithmonë e vlefshme që shqetësimet për interesin publik të shprehen me argumente dhe në frymën e përgjegjësisë qytetare. Falënderim i veçantë për Prof. Dr. Eshref Ymerin, i cili pati mirësinë të ma dërgojë këtë shkrim me postë elektronike, duke më dhënë mundësinë ta lexoj dhe ta vlerësoj.
Respekt për autorin që zgjedh të ngrejë zërin për çështje që i konsideron jetike për vendin dhe që nxit reflektim mbi…