top of page

Agim Lika: Një veprimtari dinjitoze


 

NJË VEPRIMTARI E KURUAR, MBRESËLËNËSE DHE ME VLERA TË SPIKATURA

NË PROMOVIMIN E VËLLIMIT POETIK “HOJET E VARGUT”

 

Më 22 janar 2026, në ambientet e hotelit “D’Oro City” në Tiranë, u zhvillua promovimi i vëllimit poetik “Hojet e Vargut” të autorit, pedagogut dhe studiuesit Profesor Jaup Zenuni. Aktiviteti, i organizuar nën kujdesin e Shoqatës Atdhetare dhe Kulturore “Gramshi” dhe familjes së autorit, mblodhi rreth 60 pjesëmarrës, krijues, studiues, pedagogë, miq, familjarë dhe bashkëqytetarë të autorit.

Veprimtaria u hap nga moderatori z. Hysen Tabaku, i cili i uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe foli shkurtimisht për jetën, veprimtarinë dhe krijimtarinë e poetit Jaup Zenuni, duke e përqendruar fjalën e tij në vëllimin e ri poetik “Hojet e Vargut”.

Në fjalën hyrëse, moderatori theksoi se aktiviteti nderohej nga pjesëmarrja e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare dhe Kulturore “Gramshi”, Prof. Maringlen Kasmi, poetit Luan Mema, poetit dhe kritikut letrar z. Veprim Halilaj, pedagogëve nga Kolegji Universitar dhe Akademia e Forcave të Armatosura, mësuesve, ish-mësuesve, si dhe miqve e familjarëve të autorit.

Më pas, ai ndaloi gjerësisht te profili jetësor dhe profesional i Profesor Jaup Zenunit. I lindur më 20 dhjetor 1954 në fshatin Tunjë të Gramshit, Zenuni ka ndërtuar një karrierë të gjatë e të suksesshme në fushën e arsimit, gjuhëve të huaja, didaktikës, përkthimit dhe studimeve akademike. Ai ka ushtruar detyra të rëndësishme si mësues, drejtues shkolle, pedagog, studiues, drejtues departamenti dhe drejtor i Qendrës së Gjuhëve të Huaja në Akademinë e Forcave të Armatosura. Krahas kësaj, ai ka një veprimtari të gjerë botuese, me libra poetikë, monografi, tekste mësimore dhe botime shkencore, si dhe është vlerësuar me urdhra e medalje shtetërore për kontributet e tij.

Në vijim, fjala iu dha poetit Luan Mema, i cili bëri një analizë të thelluar ideo-artistike të vëllimit “Hojet e Vargut”. Ai e cilësoi librin si një kontribut të qëndrueshëm në poezinë bashkëkohore shqiptare, ku fjala poetike shërben njëkohësisht si mjet estetik dhe si bartëse e identitetit, kujtesës dhe përvojës njerëzore. Sipas tij, titulli i vëllimit mbart një simbolikë të fortë, duke lidhur rrënjët shpirtërore me formën artistike të vargut.

Poeti Mema u ndal në temat qendrore të librit: atdheu, vendlindja, identiteti kombëtar, familja, dashuria dhe reflektimi shoqëror. Ai vlerësoi mënyrën e matur dhe të ndjeshme me të cilën këto tema trajtohen, larg patetizmit dhe deklarativitetit, duke i dhënë poezisë thellësi mendimore dhe autenticitet estetik. Në veçanti, ai theksoi simbolikën e Malit të Tomorit, reflektimin etik dhe filozofik, si dhe ciklet liriko-emocionale të dashurisë dhe familjes.

Në planin artistik, u vlerësua përdorimi i vargut të lirë, gjuha e pastër poetike dhe harmonizimi i tonit epik me lirizmin intim. Në përfundim, Luan Mema theksoi se “Hojet e Vargut” nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një dëshmi kulturore dhe shpirtërore që pasuron letërsinë shqipe bashkëkohore.

Më pas, moderatori ftoi gazetarin dhe botuesin Albert Zholi, i cili interpretoi me ndjeshmëri dhe mjeshtëri dy poezi nga vëllimi, të pritura me interes dhe duartrokitje nga publiku.

Fjalën e mori më pas studiuesi dhe kritiku letrar z. Veprim Halilaj, i cili bëri një analizë të detajuar stilistike, tematike dhe figurative të librit. Ai theksoi kulturën e gjerë të autorit, pjekurinë artistike, përdorimin e vargut klasik me rimë, muzikalitetin dhe pasurinë leksikore. Halilaj u ndal në ciklet e poezive, figuracionin e pasur letrar, metaforat, apostrofat, paralelizmat dhe temat e atdhedashurisë, vendlindjes, revoltës shoqërore, elegjisë dhe dashurisë lirike, duke i ilustruar vlerësimet e tij me citime konkrete nga libri.

Në vijim, përshëndeti poeti Besim Elezi, i cili uroi autorin për librin dhe e inkurajoi të vijojë krijimtarinë e tij në të njëjtin nivel cilësor. Në diskutime morën fjalën edhe profesorë dhe ish-kolegë të Profesor Jaup Zenunit, të cilët vlerësuan kontributin e tij profesional dhe krijues. Kryetari i Shoqatës Atdhetare dhe Kulturore “Gramshi”, Prof. Maringlen Kasmi, shprehu falënderime dhe mbështetje për autorin, duke i uruar botime të reja në të ardhmen.

Në fund të aktivitetit, fjalën e mori vetë autori, Profesor Jaup Zenuni, i cili falënderoi me mirënjohje të gjithë të pranishmit dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në botimin dhe promovimin e librit, si dhe familjen për mbështetjen e vazhdueshme. Në përmbyllje, znj. Alma Cenaj i dhuroi autorit një tufë me lule, ndërsa pjesëmarrësit u ftuan në koktejin e organizuar me këtë rast. Një veprimtari dinjitoze, e organizuar me kujdes dhe dashuri për librin, poezinë dhe autorin. Suksese të mëtejshme, Profesor Jaup Zenuni, dhe udhëtim të mbarë librit tuaj drejt lexuesit!

 

Tiranë, 23 janar 2026

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page