Agim Bajrami: Në vënd të një esseje, për datëlindjen e një njeriu antidiktaturë
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Dec 21, 2025
- 4 min read

Në vend të një eseje, për datëlindjen e një njeriu antidiktaturë
Sot, heroi i burgjeve antidiktaturë dhe njeriu i qëndresës, Hysen Haxhiaj, duhej të festonte datëlindjen e tij. Do të mbushte 83 vjeç, për të hyrë në të 84-in. Ne, miqtë e tij të letrave dhe gjithë miqtë e burgut që i thërrisnin dajo, do të mblidheshim si gjithmonë rreth tij, tek lokali “Molla”, poshtë shtëpisë së tij, për ta uruar, për t’i dhuruar ndonjë libër dhe për të vazhduar shakatë tona të zakonshme. Do të kthenim edhe ndonjë gotë dhe do të ngrinim ndonjë dolli, sepse me të biseda kishte gjithmonë më shumë lezet. Natyrisht, në krah të tij do të ishte edhe Dila, gruaja amazonë dhe bashkëshortja e tij fisnike, që e ndoqi qeli pas qelie dhe burg pas burgu, duke e rrethuar me dashurinë e saj deri në çastet e fundit. Ndonjëherë na priste ajo, ndonjëherë e prisnim ne.
Kur hynte ai, edhe lokali dukej sikur merrte më shumë dritë dhe kamarierët buzëqeshnin nga fjalët dhe prania e atij njeriu të mirë. Vitet vërtet kishin bërë të tyren, por ai nuk e hiqte nga vetja buzëqeshjen dhe pamjen tipike prej babaxhani.
Por sot ky lokal nuk po na fton të ulemi si dikur për të festuar. Fryn një erë e ftohtë nga deti dhe lokali na ngjan sikur nuk është më ai i pari. Kanë ikur kamarierët e dikurshëm dhe kanë ardhur të tjerë, ndërsa portreti i Hysen Haxhisë, njeriut antidiktaturë që provoi 15 vite burgje dhe tortura çnjerëzore, që kaloi rininë dhe një pjesë të burrërisë nëpër galeritë e nxjerrjes së piritit në Spaç, në ato gryka “si gojë përbindshash”, të rrethuara me gardhe telash me gjemba, si nëntë rrathë ferri, siç do të shprehej diku shkrimtari i madh Visar Zhiti, tashmë u ka tretur ajrit. Ai ka shkuar në qiell për t’i dhënë fund dhimbjeve të sëmundjes dhe për t’u takuar me shokët dhe bashkëqëndrestarët e tij të luftës, mundimeve dhe sakrificave, ata që i thanë ndal diktaturës së egër dhe nuk pranuan të bëheshin palë me ligjet dhe natyrën e saj vrastare. Do të ketë rast të përqafohet me shumë prej tyre. Së pari me Mandelën shqiptar, Osman Kazazin, që e donte dhe e adhuronte aq shumë për burrërinë dhe karakterin; më tej me Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon dhe Hajri Pashën, heronjtë legjendarë të revoltës së Spaçit, që e vizatuan me gjakun e plagëve të tyre shqiponjën e flamurit tonë kombëtar, pa yllin e kuq komunist mbi të, por me sfondin e kaltër të qiellit të lirisë. Ashtu si titanët, ata nuk u frikësuan nga pamja prej përbindëshi e diktaturës, por e mbrojtën me trupat e tyre dhe e mbajtën të ngritur për dy ditë rresht mbi godinën e burgut.
Dajo do t’u lexojë poezitë e ndjera që ka shkruar për ta; do të çmallen dhe do të rikujtojnë edhe njëherë së bashku vitet e tmerrshme të burgut, vagonët e rëndë me pirit, shiun acid që u rridhte si lumë mbi trup, kërbaçët e policëve të burgut dhe “Tartin”, qenin e gjorë të burgut, që i donte aq shumë të burgosurit dhe nuk linte polic t’u afrohej. Edhe atë e dënuan me varje, si armik të popullit dhe të Partisë. Më tej do të flasin për demokracinë, që ata aq shumë e ëndërruan, por që nuk erdhi asnjëherë. Ishte ky zhgënjim nga kjo demokraci e gënjeshtërt që, ashtu si te të tjerët, hapi edhe te dajo një plagë më të rëndë se ajo e burgut.
Hysen Haxhiaj u mësua që i vogël me plagët dhe prangat në duart e të afërmëve dhe me tmerrin e luftës së klasave. Edhe pse nuk kishte mbushur ende gjashtë vjeç, ai e kishte gdhendur në kujtesë momentin kur dy policë ia shkulën me forcë babain nga krahët, duke e marrë me vete për të mos ia kthyer më kurrë. Ndoshta ishte ajo dhimbje e madhe, ose shikimi i fundit që i hodhi i ati përpara se të zhdukej nga sytë, që do t’i ktheheshin dalëngadalë në forcë dhe do ta ndihmonin të mbahej në gjithë peripecitë dhe momentet e vështira të jetës, kur pushteti i mori gjithçka dhe i la të vetëm në rrugë të madhe; kur e përjashtuan nga viti i fundit i institutit dhe e lanë pa punë; kur e privuan nga çdo e drejtë njerëzore dhe e futën në burgun famëkeq të Spaçit, duke e ndarë edhe atë nga krahët e njomë të vajzës dyvjeçare.
Jo më kot thonë se fuqia e burrit matet përballë furtunave të jetës. Në gjithë jetën që e lanë të jetonte, para dhe pas burgut, por edhe përballë fytyrës cinike të regjimit dhe lakejve të tij, Hysen Haxhiaj nuk pranoi ta shiste dinjitetin dhe fisnikërinë e tij të lindur, sepse thirrja e rrënjëve të tij mallakastriote ishte e fortë dhe e pavdekshme. Kjo e rreshton atë me ata njerëz që, po t’i takosh njëherë, të mbeten përjetë në kujtesë me fisnikërinë dhe madhështinë e tyre. Hysen Haxhiaj nuk është më, dhe lokali “Molla” nuk arrin të më joshë për ndonjë kafe a bisedë. Megjithatë, kujtimi i dajos sonë ka mbetur përjetësisht aty. Ai duket sikur ka zgjatur gotën e vogël të dollisë së datëlindjes së tij dhe po na pret që të hyjmë. I vdekur mund të jesh, por jo i harruar. Gëzuar ditëlindjen, miku ynë i përjetshëm, Hysen Haxhiaj. Gëzuar, dajo.
(Redaktoi dhe formatoi: Fjala e Lirë)









Comments