Agim Bajrami: Mësuese në pension
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 4
- 1 min read

Mësuese në pension
Vijnë për çdo ditë tek kafja e lagjes
( Të trija si gjithmonë)
Qyteti ka qindra lokale
Por ato kurrë se ndërrojnë
Rrufisin kafet dalëngadalë
Me filxhanët në duar
Seç ka një shije të veçantë
Këtu kjo e bekuar
Përballë tyre, ngrihet shkolla
Oborri mbushur plot
Ato këtu kanë kaq kujtime
Që s'mund ti fshijnë dot
Çdo herë kujtojnë nxënësit e tyre
S'ngopen duke kujtuar
I'u duket vetja prapë mësuese
Me regjistra në duar
Paçka se rrudhat, i'u janë shtuar
Dhe flokët i'u janë zbardhur
Ato jetojnë kohën e tyre
Dhe kohërat që s'kanë ardhur
Mjafton të shohin ndonjë nxënës
Qe i kanë dhënë mësim
I'u ndrisin sytë si qiej marsi
Shndërrohen në gëzim
Harrojnë kockat që i'u therin
(Diabetin kaq tinzar)
Të ndihen prapë vajza të reja
Si dikur, kohë më parë
Qëndrojnë çdo ditë pranë njëra tjetrës
( Rrallë herë ndërrojnë ndonjë fjalë)
Ky është një çast që koha ndalet
Dhe vitet thonë : Më fal.









Comments