top of page

Aestetika dhe kumti i kohës si art dhe aspekt filozofik


Halit Shamata

Aestetika dhe kumti i kohës si art dhe aspekt filozofik


Mbi krijimtarinë e shkrimtarit Halit Shamata


Dr Fatmir Terziu


Dihet qartë nga filozofia se një ‘aestetikë’ është filozofi e artit. Në anën tjetër po vetë aestetika na ndihmon të kuptojmë se ‘poezia’ dhe ‘proza’ janë kryesisht një filozofi e letërsisë (Ryken, 2002). Kjo analizë mbështet të dyja në një pikëtakim të ndjeshëm me prozën dhe poezinë e shkrimtarit Halit Shamata. Më saktë lidhet mes krijimtarisë së autorit në një sfond të Kritikës Ndryshepër të ndriçuar disa çështje kryesore të artit në krijimtarinë e autorit.

Çështjet kryesore të artit dhe letërsisë që shënohen në krijimtarinë e shkrimtarit Shamata janë pak a shumë arsye që lidhen me shumë faktorë. Midis më kryesorëve janë pyetje që gjejnë përgjigje mes vetë mesazhit filozofik. Atij mesazhi që vjen përpos faktit se vetë subjekti i artit dhe letërsisë është një debat më vete. Pasi vetë debati dhe krijimtaria e Shamatës tentojnë të shpjegojnë rrugën filozofike të marëdhënieve mes artit dhe jetës, aestetika si mjet determinues forcon bindjen rreth disa lidhjeve, marrëdhënieve dhe pikasjeve të mëparshme.

Këto marëdhënie Durim Çaça i gjen tek mbështetja mbi “groteskun që e ndjek atë si një sagë tronditëse dhe bashkë me të edhe humori me ngjyra pa dritë” (Çaça; 2009). Yzedin Hima e mendon shkrimtarin mes krijimtarisë së tij se “e jeton të përditshmen si një paradoks estetik” (Hima; 2008). Nexhati Tafa, aestetikën dhe lidhjen filozofike e shpreh duke thënë se, "Halit Shamata, ka lindur poet... Elitar i niveleve të larta". Ylli Xhaferri (2009) mendon se “autori operon në rrafshe të ndryshme kohore”, që lë të nënkuptohet pra, se elementi filozofik i kohës mbetet një detaj i rëndësishëm midis artit të krijimtarisë dhe vetë jetës.

Dhe më tej me një dukuri më të ndjeshme në këtë pikë Behar Gjoka vjen duke riformatuar krijimtarinë e tij me një nga romanet e autorit, pikërisht romanin “Një viti i brishtë” ku mendon se autori“...ka ndërfutur dhe gërshetuar me kapitujt kryesorë ndarjet, madje hera-herës edhe nënndarjet, që kanë të bëjnë kryesisht me jetën erotike, shpirtëroren e prekshme në çdo prani artistike...” (Gjoka, 2009).

Derivati kapërcyes i pragkohës

Por ndërsa këto pikasje ndihen të detajshme, arsyeja që tenton të kapërcejë paksa mbi detajet e tyre, është vetë lidhja derivate midis jetës, krijimtarisë, vendit, kohës dhe hapësirës si aspekte filozofike dhe jo si një tendencë diktuese (De Luze, 1980). Mjaft studiues e quajnë Halit Shamatën një shkrimtar të suksesshëm të pas viteve 1990-të. Mjaft e vendosin në funksion pragkohor këtë autor për të formatuar prezencën e tij politike. Madje disa e vendosin jo më kot Halit Shamatën edhe në rolin e funksioneve politike të tij, pas këtij pragu kohor.

Kështu shkrimtari, vetë njeriu Halit Shamata, profesionisti dhe krijuesi Shamata, apo më tej poeti dhe shkrimtari me këtë emër e mbiemër, duket se krijojnë një konfuzion. Ja si përshkruhet në disa media: “Halit Shamata është një nga shkrimtarët e talentuar të viteve 90'.” Shamata është shkrimtar dhe autor i pesë vëllimeve cilësore me poezi dhe i tre romaneve të vlerësuara nga kritika: “Autograf”, (poezi, 1990); “Tatuazh”, (poezi, 1995); “Moshë e pakohë”, (poezi, 1997); “99 paradokse”, (poezi, 1999); “Dyer të paputhitura”, (roman, 2001); “Dy dorëshkrime”, (roman, 2004); “E kuqja është blu”, 2005 (poezi nga Sanguineti) si bashkëautor dhe “Një viti i brishtë”.” Në plan të parë duket drejt. Të shohësh botimet, vitet dhe kohën kur ai botoi mbetet asgjë për të ndryshuar, asgjë për të kritikuar e kundërshtuar. Por të kesh parasysh vitet kur poezia e tij u gatua, po të kujtosh kohën kur krijimtaria e Halit Shamatës doli për herë të parë në dritë, natyrshëm mendon mes fakteve, mendon ndryshe.

Halit Shamata ka botuar poezitë e tij që në vitet e ekzistencës së revistës së përmuajshme letrare artistike shoqërore e politike “Nëntori”, që në vitet kur me krijimtarinë e tij ndryshe në heshtje e pa bujë, me modesti u bënte leksion të tjerëve, të cilët ndoshta me ‘pretencën’ e intelektualëve zyrtarë botues edhe i nënqeshnin si me ndjenjë ‘botuesi’ të asaj kohe. Kështu krijimtaria e Shamatës erdhi nga vitet, për kohën dhe hapësirën demokratike, jo si një ‘perlë’ e kyçur syndyqeve, por si një gonxhe mes një lulishteje ku mbyteshin dhe mbijetonin lulet e vërteta.

Vërtet shkrimtarin Halit Shamata studiuesit e kanë pikasur dhe njohur pas pragut të viteve 90-të, por krijimtaria e tij ka qenë më herët. Ka qenë dhe është fakt ajo krijimtari, që ka njohur krenare ‘fletët e botimeve’, që për shumë arsye ndoshta sot disa prej tyre për disa ‘botues’, ‘krijues’ e mjaft të tjerë, janë shumë të zverdhura.

Koha si aspekt filozofik

Mjafton të bësh një udhëtim imagjinar në një pjesë të krijimtarisë së Shamatës, të gjesh faktorin kohë si aspekt filozofik. Poezia e tij është një fakt i gjalllë. Te “Paradoks ‘99” autori e sheh këtë “që nga koha kur Pilati/vërtiti duart e lara/në shesh, këtu mungon/krejtësisht uji dhe/prapseprap nuk ka/asnjë dorë të palarë/sheshit,/që nga koha kur mungon Pilati”.

Në poezinë “Dhimbje” koha si aspekt filozofik funksion mes përpëlitjes së fundit të jetës së një frymori shpend: “Përpëlitjen e fundit të një shpendi/të sapovrarë/e di përmendësh./Më mpikset në buzë gjaku i një puthje të vrarë.” (“Moshë e pa kohë”).

Tek romani “Një viti i brishtë” koha është vetë “realiteti shqiptar në thierzën e një analisti të hollë të gjendjes sociale, politikës së ditës, traditave të nëpërkëmbura dhe bërë lesh e li nga diktatura komuniste, është një përzhbirim i botës emocionale, gjendjeve shpirtërore të trazuara si vetë tranzicioni i gjatë dhe sfilitës shqiptar, është promovimi i një mënyre të re jetese të protagonistëve të demokracisë sonë të brishtë, i filozofisë së jetës në shoqëritë e hapura, i ballafaqimit të ekonomisë së tregut të lirë, deri në botën e oligarkisë së bankave, për të arritur natyrshën tek shembja e kështjellave të moralit fals e steril” (Gazeta shqiptare).

Po nga ky burim “koha për Shamatën është një masë plasteline që ai e gjysmon, e pakohëson, e tret, e dyzon, pastaj si magjistar e nxjerr nga mënga e shkrimit si frymë të pamatëshme. Ajo si thërmikël zhive shpërbëhet në grimca rruzaresh që nuk përmblidhen dot më.”(Ibid)

Në këtë mënyrë koha si aspekt filozofik në tërë krijimtarinë e Shamatës është një lidhje organike e botës materiale me botën shpirtërore, gërshetimi i mesazhit lirik me mesazhin filozofik, me trajtimin me thellësi mendore të situatave të fuqishme që ndërlidhen me jetiken, historiken, identitetin, memorjen kulturore dhe integralen e njeriut në kohë, hapësirë dhe vend. Gjejmë në këtë krijimtari aspektet më immediate, ndërthurjet më stigmatike dhe qëmtojmë jetën nga kënde të ndryshme e delikate deri në mendim. Vetë autori shprehet kështu në lidhje me romanin e tij "Dy dorëshkrime": "fati i një individi, që në kërkim të pashpresë të identitetit eshte kthyer ne hije te vetes, pikëtakon fatin e nje qyteti te mbetur pa emër.

Mungesa dhe shpërdorimi i lirisë sjellin mungesen dhe krizen e identitetit njerëzor dhe historik. Metafora fatale e një vendi, qe nuk i zbardh më dita, qe i kthen njerezit ne fantazma te ngjashme, duke krijuar regjimin e nje terri pa fund, krijon tek lexuesi një gjendje asociative, që të kujton me fatin dhe mbijetesën tonë historike dhe jo vetëm historike".

Kështu koha si aspekt filozofik në krijimtarinë e shkrimtarit nuk njeh as moshë. Mosha me të cilën vjen brumi i ardhur mirë është një këndvështrim special. Ajo diktohet edhe nga fëmijët, edhe nga situatat, por edhe nga mjedisi dhe rrethnajat. Tek poezia “Fëmijët” ajo është e lidhur me kohën që duhet të mbetet pjesë e fëmijëve të tij, por që në fakt ajo ikën dhe vjen si një enigmë mes këpucëve të fshehura: “Une behem gati të dal/ata m’i kanë fshehur kepucët/në mes të një libri me përralla./Provoni të m’i gjeni/Këmbët e mia të zbathura.”(Shamata; “Tatuazh”, 1995).

Rikrijimi stilistik i kohës

Le ta nism më thjesht. Është fjala për rikrijimin stilistik, jo vetëm të jetës, por edhe të të fshehtave të jetës, të padukshmërisë së saj në lidhjen me kohën. Të një rëndësie të veçantë në këtë rikrijim janë edhe vlerat që vijna nga puna e tij seleksionuese, pra janë edhe përkthimet për fëmijë: “Përralla italiane”, (përkthim 2005); “Princi kanarinë”, (përkthim, 2005) dhe “Përrallat më të bukura”, (përkthim 2006). Në poezinë e tij, duke parë nga këndvështrimi i rikrijimit stilistik, Kujtim Mateli sheh se është “frymëzimi’ ai që e bën poetin që të depërtojë në të fshehtat e kohës në të cilën jetojmë, duke na dhënë dritë edhe atje ku ajo mungon.

Pra stili i këtij autori është ai që rikrijon në mënyrë stilistike kohën, vendin dhe hapësirën nëmënyrë që aestetikja të prodhojë mesazhin filozofik. Zbulimi anëve të fshehtë që nuk duken në këndvështrim të parë, por edhe arsyeja që prodhon filozofikja e një elementi të veshjes njerëzore, sidomos të ‘breçkave të mbetura në një tel’ nuk janë thjesht dëshmi kohe, por rikrijime stilistike me kolorit shqiptar. Kështu në krijimtarinë e Shamatës vjen përpos rikrijimit stilistik në kohë edhe vlera e krijimit mes koloritit.

Koha dhe vlera e krijimit mes koloritit

Në aspektin stilistik, Krist Maloki tek “Përpjekja shqiptare” Janar-Mars 1939, numër 25-27 vë në dyshim ‘koloritin shqiptar’në poezi dhe në krijimtari, madje retorikën e kritikës e adreson tek poeti shqiptar Lasgush Poradeci. Ai në këtë retorikë, shumë larg rikrijimit stilistik pyet dhe godet njëherësh: “A asht poet Lasgush Poradeci” (Maloki, 1939:10-31). Duke shkuar më tej ky kritik shqiptar thekson: “Në literaturën shqiptare ashta i rallë koloriti adekvat dhe ato vepra (makar vjersha) që i përjigjen gjithë kërkesave dhe kritereve të një koloriti të vërtetë mund të njihen me gishtat e duerve.” (IbiD) Ai e cilëson po në këtë shkrim si më të varfër në kolorit edhe Naim Frashërin, duke cituar se “Lahuta e Malcisë” ka një kolorit thjesht shqiptar, në formë arkaioko-epike, apo “Hanko-Halla” të Asllanit të cilën e cilëson si me një kolorit gjysëmshqiptar. Por ai vlerat e krijimit mes koloritit ia la kohës. Koha bëri të vetën. Koha e vuri Poradecin në piedestalin e lirikës shqiptare. Kështu menduan për të Pipa, Jolanda Kodra, Dërvella, Skanjeti, Ruta, Stefa, Hasnaji, Filip Fishta, Lumi, Koca, Kastrati e deri mjaft studiues në ditët më të fundit.

Në një këndvështrim tjetër me Malokin, por ngjashëm me shumë të tjerë, kritiku shqiptar Dhimitër Pasko (alias Mitrush Kuteli) mendon se arti është ai që bëhet produkt i rikrijimit stilistik. Ai shpehet se ‘arti është prodhimi më fisnik i shpirtit të njeriut” (Pasko, 1944:1-4). Sipas Paskos kjo shihet tek vlera e krijimtarisë dhe ajo ‘nuk peshohet as me kandarin e dyqanxhiut, as me peshën e dijetarit të laboratorit, - ku një e një bëjnë dy. Sepse në poezi një e një bëjnë një e një e jo ndryshe” (IbiD).

Konkluzion

Kështu ndodh edhe me krijimtarinë e Shamatës, ku arsyet e ‘matematikave politike’ padyshim që nuk mund ta zvetënojnë vlerën cilësore, produktive dhe tepër bashkëkohore të tij. Shamata mbetet një mjeshtër aestetik, që rikrijon jo thjesht nga hici, por që edhe hicit i jep vlera të vërteta matematikore për kohërat dhe brezat.


17 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page