top of page

Adnan Mehmeti: Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2025

ree

Veprimtaria e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë gjatë vitit 2025



Adnan Mehmeti


Stamford, 27 dhjetor 2025



Viti 2025 shënoi një periudhë të pasur dhe të veçantë për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Anëtarët e saj vazhduan të shkruajnë dhe të botojnë vepra letrare, duke kontribuar në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë. Ky vit u karakterizua nga promovime librash, panairi i librit, edicioni i katërt, botime të reja, dekorime dhe njohje ndërkombëtare për anëtarët që përfaqësojnë letërsinë shqipe jashtë trojeve etnike.


"Pena e gruas" mozaiku letrar i grave shqiptare përtej atdheut


"Pena e gruas" është një antologji që përmbledh krijimtarinë e grave shqiptare në SHBA dhe Kanada, duke pasqyruar botën e tyre krijuese. Në faqet e saj shpalosen tema që lidhen me dashurinë, familjen, kujtesën, identitetin dhe përvojat e jetës në mërgatë.

Vepra dëshmon rolin e rëndësishëm të grave në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare jashtë atdheut. Ajo sjell qasje të reja në letërsinë shqipe të diasporës përmes ndjenjave, reflektimeve dhe rrëfimeve të sinqerta. Lexuesi gjen në këtë antologji një mozaik të pasur zërash, ku fjala e gruas jehon dhe shndërrohet në burim frymëzimi.

Ky botim shënon një moment të rëndësishëm për Shoqatën, duke nënvizuar rritjen e rolit të autoreve dhe forcimin e pranisë së tyre në krijimtarinë shqipe të diasporës. "Pena e gruas" është më shumë se një vepër letrare; është një thesar që ruan vlerat, kujtimet dhe ëndrrat e komunitetit të autoreve shqiptaro-amerikan.


Panairi i Librit Shqip, edicioni i 4, 2025


Një tjetër ngjarje e rëndësishme ishte Panairi i Librit Shqip 2025 organizuar në Galerinë e Arteve në Stamford, ku autorë, poetë, përkthyes, gazetarë dhe artistë të ndryshëm ndanë krijimtarinë dhe përvojat e tyre me lexuesit. U prezantuan botime të reja, u zhvilluan leximet poetike dhe diskutime mbi letërsinë shqipe në diasporë, duke forcuar lidhjen mes autorëve dhe komunitetit.


Dita e Visar Zhitit në Illinois


Më 28 janar 2025, shteti i Illinois shpalli këtë datë si Dita e Visar Zhitit, për të kujtuar lirimin e poetit nga burgjet enveriste në vitin 1987. Guvernatori JB Pritzker njohu kurajën dhe kontributin e Zhitit, që përmes poezisë dhe artit luftoi për lirinë dhe të drejtat e njeriut. Kjo ditë nderon poetin, shkrimtarët dhe artistët që vuajtën nën regjimin diktatorial dhe thekson rëndësinë e kujtesës historike dhe të letërsisë në ruajtjen e kulturës shqiptare.


Dekorime dhe njohje ndërkombëtare për Mëhill Velaj dhe Dr. Bexhet Asani


Gjatë vitit 2025, Mëhill Velaj dhe Dr. Bexhet Asani u nderuan në Uberaba, Brazil, me titullin Doctor Honoris Causa për kontributin e tyre të çmuar në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Kjo përbën një njohje të rëndësishme ndërkombëtare, që dëshmon përkushtimin e Shoqatës dhe të anëtarëve të saj në përfaqësimin dinjitoz të letërsisë shqipe jashtë trojeve etnike. Çmimi dhe dekorata u akorduan nga institucioni kulturor dhe letrar "Pegasi" -Brazil, në një ceremoni solemne që nxori në pah rolin e shkrimtarëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare dhe vlerësimin për arritjet e tyre letrare dhe kulturore.


Promovimet e veprave të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj


Shoqata e Shkrimtarëve në bashkëpunim me Aleancën Shqiptare organizoi në Garfield, New Jersey, promovimin e dy veprave letrare të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj, "Kush na mallkoi" dhe "Pikëllim dhe Shpresë". Ngjarja mblodhi studiues, shkrimtarë, kritikë dhe dashamirës të librit, të cilët vlerësuan krijimtarinë e saj si një kontribut të rëndësishëm në letërsinë e mërgatës shqiptare. Lexime poetike dhe fjalët e autores e bënë promovimin një përjetim të veçantë shpirtëror, duke forcuar lidhjen mes krijuesit dhe komunitetit.


Revista "Pena" botohet me numrin e saj të ri


Një tjetër arritje e rëndësishme e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ishte botimi i numrit të 13 të revistës "Pena", i cili përfshiu krijimet më të reja të autorëve dhe pasqyroi gjallërinë e letërsisë shqipe në diasporë. Ky botim dëshmon vijimësinë dhe seriozitetin e revistës si një hapësirë e qëndrueshme letrare për autorët që jetojnë dhe shkruajnë në SHBA.

Revista letrare "Pena" i sjell lexuesit një numër përfaqësues, duke reflektuar pjekurinë krijuese të autorëve, larminë tematike dhe nivelin shprehës të letërsisë shqipe në diasporë. Ky numër përfshin krijimet e autorëve: Dr. Yllka Filipi, Arjeta Ferlushkaj Kotrri, Adnan Mehmeti, Luljeta Lleshanaku, Armenida Qyqja, Alma Jaku, Raimonda Moisiu, Kastriot Fetahu, Thanas Gjika, Pal Ndrecaj, Mëhill Velaj, Ani Gjika, Dr. Iris Halili, Reshida Çoba, Valbona Ahmeti, Kozeta Zylo, Laura Konda, Sokol Paja, Dr. Bexhet Asani dhe Visar Zhiti.

Ky numër forcon lidhjen mes shkrimtarëve dhe lexuesve, duke ushqyer dialogun kulturor dhe duke ruajtur gjallë frymën krijuese të komunitetit shqiptaro-amerikan.


Reflektim për vitin 2025


Viti 2025 dëshmoi se Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë vazhdon të jetë një vatër e fuqishme e letërsisë, ku autorët ruajnë lidhjen me lexuesit, kulturën dhe historinë e tyre, duke siguruar që fjala e shkruar shqipe të mbetet gjallë në çdo kontinent. Përmes botimeve, promovimeve, panaireve dhe aktivitetve të tjera, Shoqata e Shkrimtarëve kontribuon në ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke ofruar një platformë për autorët e mërgatës dhe duke ndriçuar letërsinë shqipe në arenën ndërkombëtare.

Ne falënderojmë të gjithë anëtarët e Shoqatës, të gjitha bashkëpunimet me lexuesit, revistat letrare, gazetat, gazetarët dhe institucionet që bashkëjetojnë me letërsinë shqipe në ditët e sotme.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page