top of page

A ka populistë të krahut të djathtë në Shqipëri?



 

A ka populistë të krahut të djathtë në Shqipëri? Kjo nuk është thjesht një pyetje retorike, as dhe një adresar që kërkon përgjigje të thjeshtë. Në fakt është një parantesë e kohës në të cilën po kalon Shqipëria. Duke parë se prej vitesh vendi qeveriset nga një forcë politike, e cila thuajse nuk përballet fare me një opozitë reale, dhe në një situatë kur edhe Parlamenti duket disi jofunksional, apo dhe vetë funksioni i shtetit është në një pikëpyetje, pas arrestimit të Kryetarit të Opozitës, apo dhe mjaft gjëra të tjera, duket se vendi po kalon afërsisht në një interregnum. Një interregnum është një periudhë ndërprerjeje ose "boshllëku" në një qeveri, organizatë, ose rend shoqëror. Edhe pse në mënyrë arketipike, kjo njihet si periudha kohore midis mbretërimit të një monarku dhe tjetrit, dhe kur konceptet e interregnum dhe regjencës mbivendosen, në Shqipërinë e këtyre ditëve afërsia e kuptimit jep arsyen e saktë të pyetjes së mësipërme.

Pyetjes së mësipërme i bashkohen dhe faktet pse populistët e krahut të djathtë po lulëzojnë kudo në mesin e partive të djathta. Kjo ndodh sepse pyetjet dominuese të kohës sonë kanë të bëjnë me kombin. Si mund ta mbajmë kombin të sigurtë? Si mund ta mbajmë ndjenjën tonë të identitetit të përbashkët kombëtar? Si mund ta mbrojmë komunitetin tonë kombëtar nga kërcënimet radikale dhe të ngjashme me qëllime të paracaktuara? Është e vërtetë që këto janë pjesërisht debate klasore, pasi që shpesh është klasa punëtore ajo që shqetësohet më shumë për ato çështje. Por këto pyetje kanë të bëjnë kryesisht me kombësinë. Dhe kjo është arsyeja pse partitë populiste do të vazhdojnë të lulëzojnë.

Dua të theksoj se partitë populiste janë shpesh automjete të papërsosura. Kur arrijnë fuqinë për herë të parë, shpesh nuk janë shumë mbresëlënëse. Por ata bëjnë shumë më mirë kur kthehen në detyrë. Trump tani po flet për zëvendësimin në thelb të shtresës së shtetit amerikan që kundërshtoi politikat e tij gjatë mandatit të tij të parë. Dhe Le Pen tani po drejton legjislacionin përmes parlamentit francez në një mënyrë që babai nuk mundi kurrë. Ne kemi të drejtë të jemi të shqetësuar, sepse disa nga këto lëvizje – Trump është më e dukshme – janë thelbësisht kundër demokracisë përfaqësuese. Trump është një populist klasik. Ai nuk është fashist, por ka aspekte të Trumpizmit, që ndonjëherë nuk kapërcehen dot nga një masë intelektuale.

Çfarë po na thotë e gjithë kjo? Së pari, shqetësimet e pazgjidhura për pronën dhe aktivizimet spontane për të shpërblyer plotësisht ish-të përndjekurit po kthehen me hakmarrje dhe sfida alternative politike në Shqipëri. Diku ndodh ndryshe. Në pjesën tjetër të ngjashme politike të Evropës  kjo po na tregon se populistët kombëtarë, nga ana e tyre, janë më profesionistë, më të artikuluar dhe janë bërë aktivistë më të mirë. Dhe gjithashtu na tregon për ndryshimet e brezave. Nëse shikoni të dhënat se kush po voton për partitë populiste në Itali, Gjermani dhe Francë, shpesh janë të rinjtë, ose Gjenerata Z. Këta nuk janë burrat e zemëruar për të cilët ne u paralajmëruam në 2016. Ky është një brez pa besnikërinë ndaj partive të mëdha në të majtë, ose në të djathtë.

Qendrat liberale, të cilët kanë një pikëpamje shumë të shkurtër të politikës, mund të shkruajnë rubrika çdo gjashtë muaj duke argumentuar se populizmi ka vdekur. Por ata kanë gabuar vazhdimisht. Nëse shikoni rreth Perëndimit sot, ajo që kemi parë nuk është vetëm një konsolidim i populizmit kombëtar, por edhe rritja e tij e vazhdueshme. Giorgia Meloni fitoi në Itali në vitin 2022. Partia e së djathtës radikale Vox në Spanjë është tani e pranishme në çdo parlament rajonal përveç njërit. Në Francë, zgjedhjet e vitit 2022 lanë Marine Le Pen si udhëheqësen e partisë së tretë më të madhe në parlament. Demokratët suedezë tani po kontrollojnë efektivisht qeverinë suedeze përmes një marrëveshjeje besimi dhe furnizimi. Viktor Orbán në Hungari nuk ka qenë kurrë aq i fortë sa është tani, pasi ka siguruar mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e fundit në 2022. AfD tani është partia e dytë më popullore në Gjermani. Dhe Geert Wilders sapo arriti një fitore të konsiderueshme në zgjedhjet holandeze në fund të vitit të kaluar.

Në librin e shkruar gjatë vitit 2018, „Populizmi Kombëtar“, Roger Eatwell dhe Matthew Goodwin, shkencëtar politik dhe autor i "Vlerat, Zëri dhe Virtyti“ argumentojnë se lëvizjet populiste nuk shfaqen vetëm përmes votave por dhe nga kushtet dhe situatat në të cilat ndodhen vendet respektive. Dhe normalisht me situatën e krijuar së fundi në Shqipëri nuk mendoj se është fjala tek SPAK, apo tek Drejtësia, por tek thelbi se gjërat nuk duket se janë qetësuar.

Ajo që kemi parë, së pari, është një dështim i klasës politike për t'iu përgjigjur realisht riorganizimit pas një krize të thellë që ndodh tash e sa vjet në politikën opozitare. Dhe është shumë e qartë se Partia Demokratike, në veçanti, ka dështuar të ripërtërihet filozofikisht, ideologjikisht dhe elektoralisht. Kjo është pjesërisht arsyeja pse ajo po lëngon në një mesatare të ulët në votime, dhe po ashtu dhe në sondazhe dhe me gjasa po shkon drejt humbjes në Zgjedhjet e Përgjithshme të ardhshme(?!) Unë nuk mund të shoh asnjë mënyrë në të cilën demokratët mund të shmangin humbjen elektorale, të ndarë në dy kampe, apo dhe në disa grupime, për të cilat Salianji para disa ditësh nga Korça theksoi nevojën e bashkimit më shumë se kurë në këtë kohë. Dhe kështu partia me një lider të sajin tashmë të arrestuar dhe me një grup tjetër të përfshirë në debate inatçore me sa duket më pas do të vazhdojë të zhytet në një luftë civile të zgjatur dhe mjaft serioze mbi atë se çfarë është në të vërtetë nevoja e demokratizimit të vetë opozitës. Tashmë mund të fillojmë të shohim përleshje brenda partisë, të udhëhequr nga njerëz që duan të realizojnë synimet e ëndrrat e tyre personale dhe kundërshtarët e tyre në qendrën liberale. Kjo i lë demokratët në një opozitë si një pozitë shumë e cënueshme dhe fare e brishtë tani. Fundja edhe një herë po e adresojmë pyetjen: A ka populistë të krahut të djathtë në Shqipëri?

32 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page