top of page

XIII:


Perëndim apo...?!

Novelë-


Pjesa -XIII-


Vitet kalonin një nga një e bashkë me vitet dhe rritja e fëmijëve. Linda tashmë ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme. Po afronte koha e provës së madhe. Fillonin ethet e konkursit. Erdhi çasti që do të tregonte aftësitë e saj. Aty do të dukej se sa e talentuar dhe e denjë ishte vajza jonë për të vazhduar studimet e larta. Që të merrte pjesë në konkurim duhej leja e partisë në lagje ose “leja e superiorëve”. Për fat tonë të mirë, kryetar i Frontit në lagjen tonë, (ku banonin oficerët e sigurimit dhe familjet më të besuara të partisë), ishte mësuesi Mehmet Sinani, i cili e njihte mirë familjen e Timit. I ati i Mehmetit, dikur kishte ndërtuar shtëpi në trojet e Qatajve, pranë familjes së Timit. Qysh atëherë si fqinjë të mirë, e vazhdonin ende miqësinë me njëri-tjetrin. Meqë Sekretari i Partisë ishte me lejën vjetore, vërtetimin për të marrë pjesë në konkurs e firmosi Mehmeti dhe n/kryetari i këshillit. Para se të niseshin për në Tiranë, i ati i tha vajzës: -Linda, të kam shumë zemër. Për ty kam harruar veten, kam lënë pas dore mamin dhe vëllanë tënd. Dua që ti ta justifikosh punën e bërë me kohë dhe pa kohë, në erë, në shi e në tufan. Ku nuk kemi shkuar babë e bijë, për të bërë mësim në violonçelë, në Durrës, Tiranë, Elbasan, Pogradec dhe Korçë. Nuk kanë qenë pak, por për 11 vite rresht të dy kemi ngelur deri në mesnatë në shkollë dhe në majë të makinave. Mbaji mend mirë këto që po të them. Babi nuk ka mik atje lart, nuk ka telefon që të kërkojë ndihmë dhe nuk ka as para që të paguajë pranimin tënd në Institut. Duhet të fitosh me zotësi një nga tri vendet e para. Nëse nuk e përballon dot, më thuaj që të mos nisemi fare. -Jo babi, do të shkojmë. Unë jam përgatitur dhe jam e bindur në njohuritë e mia. Pastaj e ka fati në dorë... -Fal zotit, Linda mori pjesë në konkurs dhe fitoi vendin e parë midis qindra konkuruesve. Qysh në vitin e parë të institutit, atë e punësoi orkestra simfonike e radio-televizionit shqiptar. Jam krenar për të, se edhe pas katër vitesh studime, pasi u diplomua, e mbajtën në punë në orkestrën e televizionit. Aty u njoh me një djalë, trompist të talentuar, Lek Spathari nga Shkodra. Qysh studentë të dy punonin bashkë në TVSh. Pasi u njohën mirë, u dashuruan dhe qëndruan të fejuar dy vjet. -E megjithë vuajtjet e tua, talentin dhe punën e saj, prapë shoqja e saj me të ëmën shkuan dhe u ankuan në Ministri... -Shoku Ministër, si ka mundësi që i dhatë të drejtën e studimit në Institut të Arteve një vajze reaksionare? A nuk i takonte vajzës sime jetime që kishte babanë doktor, komunist dhe ka vdekur duke dalë nga shërbimi në spitalin psihiatrik?! -Përsa dokumentat e saj kanë kaluar lumin Vjosë, për mua si institucion nuk ka problem. Tani më thoni si quhet vajza që ka fituar padrejtësisht dhe i ka zënë vendin vajzës suaj? -Pasi dëgjoi emrin dhe mbiemrin, zv/ministri Bardhyl Golemi, u përgjigj prerë e me zë të lartë: -Kjo vajzë që quhet Linda, ka zënë vendin e parë mes 800 konkuruesëve. Cilado qoftë ajo vajzë dhe e bija kujtdo qoftë, talentet e rralla ne nuk i humbasim kurrë. Më thoni pak emrin e vajzës suaj... -A.Tafil... -Vajza juaj ka zënë vendin e fundit. Kjo tregon se është pa talent. Si nënë, ke kryer krim ndaj vajzës tënde se e ke torturuar për 11 vite, kur shumë mirë mund të mësonte normalisht dhe të dilte një mësuese e mirë. Ato të dyja, nënë e bijë shkuan si ulkonja, por u këthyen në shtëpi me bisht ndër shalë e kokëulur. -Eh, çfarë kohësh të vështira kanë qenë. Ishte heroizëm për prindër si ne që, me rroga të vogla e të përndjekur nga çdo drejtim, përballuam jetën e vështirë, arsimimin e vajzës e më vonë edhe të Vladit, - psherëtiva unë. -Aja, koha që u arsimuan fëmijët tanë, ishte varfëri e tejskajshme, një ngërç i madh ekonomik dhe politik për të gjithë. Fundi i viteve ’80 e gjeti vendin tonë të rrënuar. Në fabrika e uzina mungone lënda e parë. Shtetet e huaja na mbyllën rrugët e importit të lëndës së parë e të çdo produkti industrial, bujqësor, blegtoral e mjekësor dhe gjithçkaje që s’prodhohej në vend. Me ne, të vetizoluarit, bota e zhvilluar eksperimentoi për të parë, se sa do t’i rezistonim mungesës së lëndëve të para, të domosdoshme për ekonominë. A do të na ushqente vallë uji, ajri dhe drita?! Për sa kohë do të mbijetonim në të tilla kushte?! Apo do të mjaftonin si ushqim shpirtëror idetë antihumane të diajve të kuq që sollën varfërimin e Shqipërisë së bukur si në ëndërr dhe të pasur si në përralla? Ndoshta “Ata” ishin të ngopur me atë çka solli komunizmi, varfëri ekonomike, mendore dhe ndërgjegjësore të shqiptarit. Reagimin e “jetës luksoze” që bënin shqiptarët, e tregoi vend ynë i sakatosur që dukej si një skelet pa mish e pa gjak, i mbuluar nga papunësia. Punëtorët i vërvitën pa mëshirë në rrugën e madhe kundrejt një shume qesharake me 80% të pagës. Atëherë mbanin gjallë disa vende pune, sa për të thënë se punohej.

Aty kishte një kleçkë të madhe, por ne nuk e dinim se çfarë parashikohej të ndodhte. Si pasojë prej kohësh kishte filluar uria. Nga skamja dhe varfëria u rrit pakënaqësia e qytetarëve. Ky ishte rezultati i një gjelle të paprovuar më parë që na ushqeu me ide euforie utopiste, duke na ngopur, madje ishim të tejngopur dhe të velur me lugën e zbrazët. Ndaj këtij sistemi të kalbur të sovjetëve, u ngrit Evropa lindore, u rrëzua muri i Berlinit më, 1989 që për gjysmë shekulli e ndau kombin gjerman në dy kampe armike të njëra- tjetrës. -Po, po. I kam të freskëta dhe më kujtohen të gjitha. Mua në vitin 1989 më lanë pa punë se gjoja u shkri vendi i punës. Unë si invalide pune, në ato vite, punoja në arkën e Atelies. Lëvizja studentore në Tiranë që shpërtheu më 8 dhjetor, 1990, ishte shkëndia e parë kundër një regjimi të urryer diktatorial. Rinisë dhe të gjithëve u kishte vajtur gjaku në tru dhe thika në zemër. Nuk pyesnin më as për jetën e tyre të re. Mungesa e lirisë dhe skllavëria është e padurueshme. Dhembja e shqiptarëve për gjithçka të munguar për një jetë të qetë dhe pa andralla, ishte më e madhe se frika. Të mposhtësh frikën, do të thotë se nuk të ka ngelur më asnjë ndjesi shpirtërore. Në çaste të tilla, je kthyer në një kufomë të boshuar që nuk ndjen më asgjë. Kur je një hiç, një asgjë, nuk merr dhe as nuk jep diçka jetësore. Të katandisur në një gjëndje inerte ose inekzistente, si kurrë ndonjëherë, intelektualë, të rinjë, të burgosurit politikë dhe të persekutuarit shpërthyen dyert e ambasadave të akredituara në Tiranë. Nga çdo cep i Shqipërisë, vinin turma njerëzish të lebetitur e me thirrje të forta që çanin kupën e qiellit: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, marshonin drejt së panjohurës. Me anije difektoze në riparim e sipër, me gomone, me voza ose trarë, duke vënë jetën në rrezik, kalonin kanalin e tmerrshëm të Otrantos. Ky kufi detar, i errët gjatë këtyre viteve është shndërruar në një lubi që ka gllabëruar mijëra jetë shqiptarësh. Këto beteja shprese që ishin vetëvrasëse dhe vdekjeprurëse, mjerisht vazhdojnë edhe sot pas 32 vitesh për një grimë liri. Arratisjet e njëpasnjëshme u bënë për të shpëtuar nga kolera komuniste, e cila u kishte shkurtuar jetën, u kishte helmatisur shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve, të cilët u larguan, duke ia lënë rrugën e lirë së keqes. Mërgimi i rinisë dhe i qindra e mijëra shqiptarëve i ka dhënë të gjitha mundësit forcimit të neokomunizmit që po gërryen palcën dhe trurin e kombit, duke e kthyer pas rrotën e historisë. -Në ato vite, kur tek të gjithë filluan të lindin shpresat e humbura, askush nuk dinte se ç’rrugë do të ndiqte jeta e tij. Sa herë që mendoj them me vete se as vet nuk dimë se si e realizuam dasmën e Lindës në vitin 1991. Një dasmë e bukur, e veçantë në shkallët e Kuzumbabasë, tek ish Muzeu. Ahengun që bënë krushqit shkodranë edhe sot e kujtojmë me nostalgji. Jemi të lumtur për fëmijët. U jemi mirënjohës që nuk na e hodhën poshtë mundin dhe as djersa jonë nuk na shkoi dëm. Qysh fëmijë ishin të mbarë dhe pa pretendime. Fal zotit vuajtjet, mosvlerësimi dhe denigrimi që u bënin të dy fëmijëve tanë, u dhanë mend dhe i bënë njerëz më të mirë. Kjo ka rëndësi për ne si prindër. -Zemër, është çmenduri të bësh dasmë gjatë përmbysjes, apo rrëzimit të diktaturës komuniste dhe hedhjes së bazave të demokracisë. Ti i pari dhe pas teje unë, ishim nga të parët që u angazhuam familjarisht në lëvizjen demokratike. -Si ne, u ngrit gjithë shtresa e mohuar, e shpërfillur, e​ keqtrajtuar dhe e leqendisur nga shteti apo shoqëria. Gati nga të gjithë kërkohej përmbysje e sistemit politik dhe ndryshim rrënjësor. -Tani që analizoj faktet në qetësi, vë re se, ndodhi një prooces i çuditshëm politik. Sikur ishin piketuar dhe programuar nga një dorë e fshehtë dhe e padukshme, lindën partitë politike si kërpudhat pas shiut. Katovica ndoshta ka ngelur një projekt në miniaturë, por përsa po ndodh në vendin tonë, po ndiqen po ato udhëzime që janë të shkruara aty. Tek ne lindi pluralizmi që gjeti shprehje në disa parti politike, të cilat si me urdhër të shkopit magjiik ndanë detyrat, pozicionet mes njerëzve të besuar të diktaturës. Shumica, si të persekutuarit dhe ata pa përkrahje, u përdorën si tabelë qitjeje, për ta mbajtur gjallë komunizmin nën një petkë të ri dhe me terma të reja, por në thelb është po ai sistem vrastar, madje më i egër. I gënjyen pronarët legjitim se do t’u kthenin pronat, por ligji 7501, ishte një reformë e dytë agrare që zhduku ato pak dokumente pronësie të mbetura. Qëllimi i tyre ishte t’i mbanin me ujë të ngrohtë pronarët e moshuar e të drobitur që të leqendiseshin gjyqeve dhe pa një ekonomi, derisa të vdisnin njëri pas tjetrit, pa marrë pronën që u përkiste. Tashmë ato janë tjetësuar dhe përvetësuar nga “dhei lëshuan ”. Zhgënjimi që pësoi fisnikëria, ka qenë mashtrimi më i madh që u është bërë atyre, duke mos u dhënë as pronën dhe asnjë post drejtues në organet e larta shtetërore, parlamentare apo gjyqësore. Shkatërrimi i këtij segmenti shoqëror është bërë me kujdes dhe i planifikur, pas çdo fushate zgjedhore, derisa të zhduken fare si ekzistencë klasore. Pikërisht për të mos zbatuar asnjë premtim, u krijuan firmat piramidale nga oficerët e sigurimit dhe të aviacionit. Falimenti i tyre ishte preteksti që solli revolucionin evgjito- fshatar të 1997. Shkaku ishte më i thellë dhe politik. Duheshin penguar e ndaluar kategorikisht reformat demokratike në vend. Por shkaku i vërtetë ishin socialistët që u iku pushteti nga duart dhe ngritën në këmbë turmat e tyre, bashkë me fqinjët tanë që liruan dhe i lëshuan si qentë nga zinxhiri kriminelët e bugosur. Humbja e parave ishte preteksti, por në revoltë ata kërkonin zhdukjen e PD. Ndaj kërkonin përmbysje me të cilën shkatërruan vlerat kombëtare të ngritura me djersë dhe të mos lejonin fisnikët e nëpërkëmbur që të rimerrnin veten. -Nuk ka nevojë të marrim modele. Shembulli më i mirë është djali ynë, Vladi. Të gjithë të persekutuarit morën falas, pa konkurs të drejta studimi, vende pune, kurse për djalin tonë, duhej t’i kërkoje nder Kryetarit të Parlamenit, z.Pjetër Arbnori, për diçka që i takonte. Ai personalitet i vuajtur të ftoi në zyrën e tij në Kuvend dhe ia dha të drejtën e studimit në fakultetin e drejtësisë. Djali bënte rrugën Vlorë-Shkodër mes plumbave dhe bandave në vitet 1997 -1998... dhe ne të dy prisnim në ankth sa ai kthehej në shtëpi. Një jurist si Vladi, me një trashëgimi të madhe nga nëna që shtrihej nga Uji i Ftohtë, Shashicë, Kala e Kaninës, Ullishtat e Mëdha, Kuzumbaba, Mesovun dhe çifligiu i Qishbardhë, sot të ndara mes politkanëve të çdo ngjyre, u bëhej pengesë hajnëve të pangopur dhe të korruptuar. Për ta menaxhuar dhe tjetërsuar pronësinë më lehtësisht, çfarë nuk shpifën, paguan dhe çfarë nuk bënë për të mos e patur ferrë nëpër këmbë, Vladin, fajtorin e pafaj. Sot ai është ende pa punë. A nuk po vazhdon një etapëe re e luftës së klasave. ;adje edhe i biri i tij, Raini, është brezi i pestë që shihet vëngër nga partia-shtet. -Cila ishte bërthama e tyre vallë dhe ç’synime kishin apo kanë? -Aja, ne të dy jemi dëshmitarë për sa ka ndodhur.Aq më tepër ti që ishe në strukturat e PD. Punuam të dy me shpirt për zgjimin e grave nga gjumi letragjik. Zonjat e fisme të Vlorës të zgjodhën kryetare të Lidhjes Demokratike të Gruas. Anëtarët e çdo partie, nuk ishin jashtëtokësor, ishin shqiptarët që para 8 dhjetorit kishin qenë pa parti apo anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Punës. Pikërisht ata u ndanë mes partive sipas dëshirave ose sipas orientimeve të mirëstudiuara nga qarqet e kampit socialist të lindjes. Të gjitha subjektet politike të sapo krijuara, ishin si vëllezërit siemezë, ishin pjellë e asaj partie shtet që na solli në atë gjendje të mjeruar. -Si anëtarë të Partisë demokratike, ne punonim me gjithë shpirt për të rritur numrin e demokratëve dhe për demokratizimin e gjithë vendit. Bashkë me ne edhe djali jepte ndihmën e tij. Vladi ynë 16 vjeçar, vazhdonte shkollën e mesme të muzikës, për oboe dhe ndërkohë ishte aktivizuar me rininë demokratike. -E zgjodhën sekretar të Forumit të Rinisë Demokratike për Vlorën. Kur mbaroi shkollën e mesme, nuk dëshironte të konkuronte. Atë kohë edhe ty të suprimuan vendin e punës si magazinier për shkak të 80%,por qëllimi ishte të të përjashtonin nga përfitimet e privatizimit të Uzinës. Ashtu siç vepruan me mua, duke më hequr nga vendi i punës gjoja i suprimuar, po në fakt çuan njeriun e tyre në të njëjtin vend. Punova 25 vite në rrobaqepësi dhe nuk mora as një rrotë penjë siç morën të tjerët, makina e dyqane me një çmim të papërfillshëm, gati falas. Ndërkohë ty të kaluan përgjegjës të zdrukthtarisë “Perlat Rexhepi”. Pas privatizimit ti e bleve me punëtorët të cilët kishin një përqindje të vogël dhe si pasojë ty të zgjodhën president. - Eh, moj grua! Sikur ishim në një mendje. Si ti dhe unë po flasim për vitet e para të fillimeve demokratike. -Biseda të tilla nuk dalin kot, shiprti im. Bëhet diçka si shkak a një ndodhi që lë vend për diskutime.Kudo në vendin tonë mungonte përvoja e vendeve të zhvilluara dhe mosnjohja e ligjeve të ndërtimit të një demokracie të pastër e të mirëfilltë. Kur thuhet përmbysje e një sistemi, do të thotë që asnjë nga krerët e zgjedhur nëpër parti nuk duhet të ketë qenë në sferat e larta apo të mesme shtetërore të diktaturës, madje dhe as fëmijët e tyre. Porse pikërisht ata dhe fëmijët e tyre u shpërndanë në mënyrë perfekte nëpër këshillat drejtuese të partive. Oficeri i Sigurimit që hiqej si i “persekutuar”, u bë kryetar partie, deputet, ministër, prokuror, gjyqtar dhe diplomat. Ose me dëshmi të rreme persekucioni ishin ata që kërkuan strehim politik në Itali, Francë, Angli, Gjermani, ShBA. Në postet drejtuese partiake apo shtetrore, u emëruan trashëgimtarët e diktaturës, bijtë dhe nipërit e tyre, si dhe “doktorantët” apo “profesorët”, si simbioza të dalë nga rruga dhe paraja e drogës apo krimit individual, pse jo të organizuar. Ata ishin dje dhe po ata janë sot në drejtim të politikës dhe të shtetit. U fol shumë për dënime të rënda, por krerëve të diktaturës dhe persekutorëve të pasuruar në kurriz të qytetarëve, nuk iu sekuestrua asnjë pasuri, asnjë qindarkë dhe asnjë vilë apo shtëpi...Çuditërisht fëmijët e tyre në mënyrë të rrufeshme hapën bizneset dhe u lidhën me kompanitë më të fuqishme perëndimore. Më thoni kush e hapi kompaninë “Deka”? Të bijtë e një njeriu të dalë jashtë ligjit. Porse të gjitha këto dhe përbërja heterogjene e partisë demokratike ose atyre të vogla, euforia, si dhe mungesa e analizës konstruktive si në fitore dhe humbje, ndikoi negativisht në ndërtimin e shtetit të së drejtës ligjore. Kjo bëri që nga zgjedhja në zgjedhje opozita kaloi në defiçit numerik dhe shpirtëror, kurse brenda Partisë Demokratike u fut tradhtia dhe përçarja. Gjatë 32 viteve tranzicioni të tejzgjatur që është turpi i botës dhe i pajustifikuar, dobësimi i opozitës ndikoi në forcimin e shtetit njëpartiak socialist. Vetëm emrin ka Parti Socialiste se në saje të politikës që ndjek, është ngjallur e ka hedhur rrënjë neokomunizmi i egër. Vitet 1991-1996, ishin si një fllad demokracie, një lindje shprese që i zhgënjeu të përkushtuarit e të vuajturit. Duke filluar nga zgjedhjet e 1996 e deri në zgjedhjet e 14 majit 2023, në vendin tonë nuk frymon më demokracia. Pushteti gradualisht ka kaluar në monoparti, (parti-shtet). Këto zgjedhje treguan më së miri se ne jemi një popull i gënjyer, i shitur, i tradhtuar, pa dinjitet, pa të shkuar historike dhe pa të ardhme. Ndaj vendi po firon dhe po shndërrohet në një komb astmatik, të plakur, se po ikën rinia, pjesa më vitale e çdo kombi. ............... Dalëngadalë, me biseda, pyetje dhe përgjigje, pa e vënë re, atij perëndimi të pakrahasuar i kishte ardhur fundi. Errësira kishte hedhur pelenën e mugët mbi supet e tokës. Gjithë sendet kishin humbur format, ngjyrat, kufijtë dhe nata kishte zgjatur krahët e saj, duke iu falur trup e shpirt errësirës. Papritur pikërisht mbi kopshtin e lulëzuar që u bë shkak i një bisede të beftë e të pamenduar, nxori fytyrën hëna, e cila na përshëndeti me atë buzëqeshjen e saj mikluese, joshëse dhe enigmatike, siç di të paraqitet gjithë finesë nëpër sallonet e një luksi klasik vetëm një mbretëreshë. Qielli i mbushur me flakëza si qirinj galaksie, duket si një fushë e pamatë e mbushur me xixëllonja që hedhin vallen e yjeve. Ndoshta, ndoshta mund të hedhin edhe vallen e vdekjes. Por a vdesin perëndimet vallë?! Nën strehën e kësaj qartësie marramendëse universale dhe mes një mrekullie qiellore ishim unë dhe ti. Dukej se gjithçka që na rrethonte na përkiste ne të dyve, sikur ishim të vetmet qenie që gjallonim në atë mjedis gjigand. Nën magjinë e kësaj natyre përrallore dhe këtij perëndimi të jashtëzakonshëm, mes një bukurie të paimagjinuar marramendjeje, përballë zgjedhjeve vendore që vulosën fatin e shumicës së shqiptarëve, vura disa fakte dhe ngjarje reale të jetuara dje dhe sot, pa shtojca dhe hiperbola. Kjo ishte pak fare nga e vërteta e jetës së një familjeje, e cila përgjithëson jetën reale të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm dje, por edhe sot në vendin tim të dhunuar, të tradhtuar, të zhgënjyer dhe të mohuar që mbijeton përballë një realiteti të hidhur. Sot thuhet se kemi një shtet pluralist. Cili është ndryshimi mes së djeshmes së hidhur në diktaturën komuniste, me të sotmen e pluralizmit demokratik? Dje na vodhën fëmijërinë, rininë, na helmuan dashurinë, na vodhën të drejtat dhe liritë njerëzore. Na mohuan profesionin duke na flakur pamëshirë në rrugën e madhe, na varfëruan materialisht e mendërisht, na izoluan si miun në çark duke na ndarë nga bota e kulturuar. Me shikimin e lëbyrtë marshonin me krenari të shtirur, se ne ishim “Fanar ndriçues në botë”, kur nakishin vjedhur edhe jetëjn. Përse duhet të mbureshim vallë? Arritëm në një ekonomi zero, sa që shqiptari pa një dyshkë në xhep, kur hante krodhen e bukës, hante dorën. Po pluralizmi demokratik çfarë të mire na solli? Nuk do t’i numërojë gjithë të këqijat, por korrupsioni i babëzitur, po u ha shqiptarëve edhe kockën. Korrupsioni dhe mërgimi i rinisë shqiptare është bërë gangrenizim i shekullit që po grryebn palcën e kombeve. Vjedhja e pronave, tjetërsimi dhe përvetësimi i tyre nga hajnët dhe mafiozët e politikës është kundër demokracisë. Zhdukja e klasës së fisnikëve të cilët ngelën ish pronar dhe ish të persekutuar, duke i lënë në mjerim e me gisht në gojë, është antinjerëzore dhe antidemokratike. Diferencimi klasor, mostrajtimi, anashkalimi dhe heshtja ndaj vlerave kombëtare të kësaj shtrese të përndjekur, është kthim pas në luftën e klasave. Sot ne jemi një popull i zhgënjyer, i vjedhur, i shitur dhe i tradhtuar. Këto bashkë me shitjen e trojeve shqiptare tokësore dhe detare, na kanë çuar në neodiktaturë komuniste. Së fundmi pyes: -A vdesin perëndimet vallë? -Jo! Ata përsëriten dhe do të vazhdojnë, sepese në rrugën e tyre që perëndon çdo ditë, ne do të shohim një jetë që zvarget, që shuhet dalëngadalë. Nuk është e largët dita kur atdhetarët e vërtetë me dhembje do të shprehen: Na ishte njëherë Shqipëria...!” Ndaj dhe titulli i kësaj novele,”Perëndim apo...?!” është një dilemë e së nesërmes së çdo shqiptari dhe e të gjithë trojeve etnike shqiptare. Janë këto probleme sociale dhe politike që më nxitën të shkruaj dhe të them të pathënat e mohuara të një kombi vital i ndarë dhe shpërndarë në 5-6 shtete. Si ky perëndim, edhe krijimatria ime nuk do të shterë deri sa të kem mendje të kthjellët dhe frymë. -E di zemër. Po të të mungoi kompjuteri, jeta për ty në këtë moshë, nuk do të ketë më kuptimin e dikurshëm. Ne u ngritëm, kur papritur, tri zemrat tona, Rezi, Vladi dhe oksigjeni ynë, Raini, nxorën kokat në derën e verandës dhe drita e shpresës shpërndau errësirën tej e ndanë hapësirës. -Po ju ç’bëni aty në errësirë?! Apo kujtoni rininë dhe iluzoionet e humbura? Ah, të shtrenjtët e mi! “Harro mushkë valarenë, se Ali Pashën e prenë...! Ejani, tani ejani brenda se ju kërkojnë...!”- thirri Vladi. -Kush të jetë vallë?- me të njëjtën pyetje iu drejtuam njëri-tjetrit. Sa hymë në sallon, na dolën përpara syve në ekran, edhe pesë zemrat tona që andej, matanë detit; Leka, Linda, Ivo, Bianka dhe Arsiona e fejuara e nipit! - Sa mirë që qenkeni bërë bashkë, të shtrenjtit tanë! Këta të tetë janë pasuria jonë e vyer. A ka dhuratë më të çmuar dhe lumturi më të madhe për ne të dy se trashëgimtarët tanë që, secili ka krijuar vatrën e vet të lumtur familjare? Ishim një, u bëmë dy dhe quheshim “ne”. Më pas u bëmë tre, katër ... Kurse tani jemi dhjetë dhe i dashuri i Biankës plus një, gjithmonë nëse ata të dy do të vendosin të krijojnë familje...Atëherë kush na mban ne të dyve?! ”, -mendoi secili më vehte atë çast . Realizimi më i mirë dhe arritja më e madhe në jetë është njeriu si trashëgimi, i cili sa të rrojë e rindërton jetën. Këtu qëndron edhe i gjithë sekretidhe bukuria e jetës. -Fëmijët tanë të dashur, me bashkëshortët dhe fëmijët tuaj të shtrenjtë, ju falenderojmë për gjithçka keni bërë dhe ju urojmë jetë të gjatë, suksese dhe lumturi!

Për ne të dy, Ju gjithmonë do të ngeleni po ata fëmijët e vegjël, të pafajshëm me shpirtin e dëlirë dhe të pastër si qelibari.

Kurrë mos ia lëshoni dorën njëri- tjetrit, zemrat tona! Gjithmonë do të keni një sup ku të mbështesni kokën në çdo kohë. Ju duam me shpirt! Babi dhe Mami. Vlorë- Perëndim... Data ,11.6.2023, ora 18-oo

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page