NELI
TREGIM NGA MYSLIM MASKA
-Ç’kërkon në këtë të ftohtë të madh? – dëgjova një zë. Ktheva kokën dhe u ngrita në këmbë. Projektori më ngeli ashtu si qe, i ndezur. Përballë meje qe një burrë rreth të gjashtëdhjetave, me kostum, kolllare, dhe me një mjekër të bukur e të bardhë si të një shenjtori. Qysh në çastin e parë, domethënë kur ai më bëri pyetjen “ç’hall të ka zënë në këtë të ftohtë të madh”dhe kur unë u ngrita në këmbë për ta respektuar, dhe sidomos për të mësuar, në dinte, kishte parë, apo dëgjuar diçka për Xhesin tim, më la përshtypjen e një njeriu të bukur e fisnik, që rrallë e gjen në kohën tonë.
Zbriti nga motori, e fiku, u afrua dhe, kur pa nga afër sytë e mi të përlotur, më hodhi dorën e djathtë mbi shpatulla dhe më ripyeti me një zë të dridhur: “Ç’hall i madh të ka rënë? Më fal se nuk të njoh dhe nuk më njeh, por mbase mund të ndihmoj, kushedi!” Dhe më fërkoi shpatullat me dashuri. “Prandaj vijmë në këtë botë, për të ndihmuar njëri tjetrin”, vazhdoi, ndoshta ndoshta për të më ngushëlluar e qetësuar, siç mendova më vonë. “Po! – thashë me vete, - prandaj vijmë, për të sharë e për të fyer, njëri tjetrin”.
-Më ka humbur Xhesi, - i thashë, duke e parë drejt e në sy.
-Djalë apo vajzë?
-Djalë
-Sa vjeç?
-Dymbëdhjetë për trembëdhjetë.
-Policia, lagja e di?
-Sigurisht, të gjithë, - i thashë ftohtë dhe prerazi.
-Hajde, - tha pas pak dhe rregulloi motorin anës rrugës.
-Ku? - pyeta ashtu kot.
-Hajde!
Sepse ndjeva atë çast vërshimin e një lumi të madh e të rëmbyer, ku cërklat e dallgëve të shkumbëzuara përplaseshin brënda meje në kafazin e kraharorit, rreth barkusheve, në zgavrat e syve, në kafkë. Pas pak sikur u vesha i tëri me brymë. Ndjeva aq shumë ftohtë, sa u drodha i tëri. Po mbërdhija, po ngrija. Edhe pse isha i ndërgjegjshëm, vështrimi m’u për të fërkuar sytë, gishtat përshkuan një push të butë flokësh. Dikush më puthi në faqe, tek sytë. “Mos u mërzit, - mu bë se dëgjova, - mos u mërzit, se kjo botë s’ka paqe.”
Xhesi ishte në kraharorin tim. E shtërngova pas vetes, e përkëdhela, e putha. Po ashtu dhe ai.
-Eja, - mu bë se dëgjova prapë. I trullosur siç isha, m’u deshën dy tri sekonda të bija në realitet.
-Ku?
-Eja me mua, - dhe më kapi për krahu. Të them të drejtën, edhe pse s’besoja shumë, u mbusha me shpresë…
* * *
Vërtetë asgjë nga këto s’ndodhi. I panjohuri më lëshoi nga krahu vetëm kur më uli në tavolinëne një taverne. Ishte ashtu siç ua thashë, veçse poshtë syve kishte shumë rrudha. Ndërsa unë nxora kutinë të dredh një cgare, i panjohuri nxori nga portofoli një fotografi, e vërtiti nëpër duar, e puthi disa herë, pa më thënë asgjë dhe pas një heshtje të shkurtër porositi peshk të freskët dhe verë. Ora duhet të ishte dy ose tre më të gdhirë.
-Gëzuar! – tha kur mbushëm gotat. Nuk të njoh, nuk më njeh. Kështu është. Jeta, or mik, qënka një gënjeshtër e madhe, por jashtëzakonisht e bukur. Apo s’është kështu? Për të mos e ndërprerë pohova me kokë
-U dashurova me një vajzë këtu e shumë vite më pare. Bëmë katër fëmijë, por nuk na rrojtën. Kur ngeli shtatzënë me të fundit, mjekët na dhanë shumë shpresa. Ti si prind e. kupton se çfarë lumturie është të presësh një fëmijë pas tre dështimesh. Apo jo?
-Patjetër, - thashë duke e parë në sy me dhimbje, me mendjen gjithmonë tek Xhesi.
-S’qe e thënë! Megjithëse shita dy apartamente, që i kasha trashëgim nga babai. Ajo që bëhet, bëhet. Ajo që s’bëhet, s’bëhet, po qe se nuk është e thënë nga Zoti. Ka edhe diçka tjetër, që duket e pabesueshme, por s’është ashtu, - më tha. – Të pabesueshmet janë pa diskutim të ndodhura, janë pjesë e jetës, vazhdimësia normale e saj. Domethënë, edhe ti kur ke vdekur, ato vazhdojnë vijimësinë tënde, pavarësisht se mund të vijnë në një formë tjetër.
-Ç’doni të thoni me “vijimësi në një formë tjetër”? – I thashë unë tepër i përqëndruar dhe i habitur njëhershi. Me vete mendova: “Zotrote paske shkuar për lesh bubi”. Dhe pashë me kujdes rreth e qark se ç’përshtypje kisha lënë që shoqërohesha me një të krisur. Duke qënë i kësaj lagje qysh fëmijë, të gjithë duhej ta njihnin më së miri. Për çudinë time asnjë reagim. Githkush ishte në hallin e tij, megjithëse shumë e përshëndetën kur hymë.
-Thjesht fare. Kur ti ke vdekur, shpirti yt hyn dhe rron në shpirtin e një pëllumbi të gjallë, në shpirtin e një maceje të vogël të porsalindur, në shpirtin e një milingone, që ti e gjen rastësisht në tavolinë. E vë në pëllëmbë të dorës, e përkëdhel. E sheh me kaq vëmendje sa s’e ke parë kurrë në jetën tënde. Të bënë kaq shumë për vete, sa nuk di si t’i shërbesh… Të duket si një mrekulli.
Të them të drejtën, unë besoj tek Zoti. Besoj dhe atë pjesëz të doktrinës që shpirti (kur njeriu vdes) futet në qënie të tjera. Po! Kjo është shumë e vërtetë. E thashë dhe pak më sipër. Dakord. Të pakën, ky është mendimi im. Dhe jo vetëm i imi. Megjithatë më habit një gjë: Përse njeriu u ngrit nga hiçi, domethënë nga pluhuri, balta kozmike etj…dhe i dhanë mendje, shqisa, sy? Që të gjykojë, të shpikë, të krijojë, të shijojë e të shikojë gjithçka; kur në konceptin e pafundësisë kohore rron një apo dy sekonda? Atëherë përse ia dhanë shqisat, shikimin dhe gjykimin? Që të vuajë më shumë? Më the që je arkitekt dhe unë jam poet. Jemi ë njëjta race. Si të duket ty, është e drejtë? Sigurisht, - vazhdoi, - ne s’vëmë në dyshim Zotin, por, të pakën, duhet të kuptojmë diçka nga kjo enigma, nga kjo e fshehtë misterioze. Ndoshta këtë nuk duhet ta dime. Mbase ky është sekreti më madhor i jetës. Ndoshta këtu qëndron dhe bukuria e saj. Askush nuk e di kur do lindë dhe kur do vdesë. Mirë. Po pse një lojë e tillë marroke me njeriun, me qënien më të magjishme e më hyjnore? Kur e nxore nga hiçi, përse duhet të bëhet prapë hiç, baltë, pluhur kozmik e të vërtitet pa kuptim rreth një dielli, që ai as e sheh dhe as e ngroh më? Përse katër fëmijëve të mi s’iu dha rasti t’i hidhnin një sy kësaj jete të pistë? Ndoshta kjo s’është pyetje, por ja që duhet bërë…
* * *
U kthyem nga materniteti të pikëlluar. Duke ditur se ç’gjëndje të vështirë psikologjike kalonte ime shoqe, më takonte mua të vetëpërmbahesha. Me gjithë përpjekjet që bëja, s’dija ç’t’i thosha. Më e mirë m’u duk heshtja. Dhe kështu bëra. Ime shoqe ishte njëqind here më ë tensionuar se unë. Kur s’dija të ngushëlloja veten, si mund të ngushëlloj atë? Sa mbërritëm tek dera e apartamentit, u ndjeva aq i lodhur, sa për një çast m’u veshën sytë. Nxora çelësin. Poshtë këmbëve të mia, pikërisht përballë derës, qe mbledhur kutullaç një macushe. E vockël, e vockël fare, dy ose tri ditëshe.
-“Po kjo ç’do këtu?” - thashë me vete pa i thënë gjë time shoqe dhe me këmbë e spostova anash me shumë kujdes. Mbasi hyri ime shoqe, çela dritën dhe mbylla derën.
-Po kjo bukuroshe si u gjend këtu? – pyeti gruaja, duke e rrëmbyer në duar.
-Kush?
Dhe kur e pashë në krahët e saj, ngela i habitur. Si hyri nëpër këmbët tona në salon pa u dukur?
-Do ta mbajmë! – tha ime shoqe duke më parë në sy.
Dola vetëtimthi, pa i kthyer përgjigje dhe pyeta derë më derë gjithë apartamentet e pallatit. Të gjithë ngritën supet. “Si është e mundur?” thosha, tek ulesha me asensor në apartamentin tim. “Si ka mundësi kur dera kryesore e pallatit është e mbyllur? Dhe përsepikërisht tek dera e apartamentit tim, kur kishte dhjetë – dymbëdhjetë dyer të tjera?” Pavarësisht nga këto, hyra në shtëpi dhe i thashë sime shoqe:
-Po, do ta mbajmë.
Ajo m’u hodh në krahë. Midis dy trupave tanë ndjeva trupin e asaj krijese të vockël e të brishtë, që mua me time shoqe na shkriu në një të vetëm.
Menjëherë shkova në farmaci. Bleva një biberon, qumësht për fëmijët një ditësh deri pesë muajsh. Tek dyqani i kafshëve të vogla bleva një kafaz dhe rërë aromatike ku urinojnë e ndyjnë macet. Ime shoqe ndër kohë, pas banjës, e kishte e kishte fshirë me peshqir dhe me tharëse flokësh. Kur hyra, e gjeta duke e puthur dhe perkëdhelur si një kalama.
-Ka uri, - më tha. – shiko si më thëthin gishtin.
I dhamë qumësht dhe, pasi u ngop, e vumë në krevat midis nesh. Kjo qe nata më e bukur e jetës sime.
* * *
Pas dy ditësh pyeta time shoqe:
-Po mirë, ç’emër do t’i vëmë?
-Është djalë, - më tha. Dhe më pa në sy me dhimbje. – Si thua, t’i vëmë emrin e djalit që s’qe fat për ne?
-Po, - thashë unë dhe e mora macushen, e putha nëpër faqe, duke i thirrur tek e përkëdhelja: Neli, Neli, Neli. U trondita kur ajo si një përbindësh ma rrëmbeu nga krahët, e shtërngoi pas vetes duke i thënë:
-Neli, Neli i vogël. Bukuroshi i vogël. Çuni i mamit.
Mua atë çast m’u rrotullua dhoma. Isha si i dehur. Dhe pse ndjeva një dhimbje therrëse, të them të drejtën, u lumturova më tepër për time shoqe, e cila para Nelit kishte shfaqur shenja skizofrenie. Me sa më kujtohet, para se të dilte nga materniteti, deshën ta shtronin për kurim në spitalin psikiatrik të pakën për një ose dy muaj. Ngula këmbë unë që e solla në shtëpi. Kur e shihja që puthte Nelin me aq shumë dhembshuri dhe passion, më dukej se puthte thellësitë më të fshehta të shpirtit tim. Ajo, pa e ditur, shëronte dhe plagët e mia. Futej në labirinte që gjuha njerëzore nuk ka mundësi t’i shpjegojë e t’i qartësojë. Aq më tepër t’i shërojë…
* * *
Jeta jonë, nga dy robotë që secili loste letra në kompiuterin e tij, befas u shkri pas një qënie të vogël, të brishtë e të magjishme. U bë si të thuash epiqendra e jetës sonë. E pamundur të rrinim pa të.
Në punë mezi prisja orën, vetëm e vetëm për të qënë pranë Nelit. Sa herë kthehesha në shtëpi e gjeja duke më pritur tek dera. Edhe kur iknim, na përcillte gjer tek dera. U marrosëm pas tij aq shumë, sa u bë si fryma e jetës tone. Ndoshta se tek Neli shihnim shpirtin e djalit, që s’pati fatin të jetonte. Ndoshta! Kot thashë ndoshta, se kështu ishte. Ai lëvizte nëpër shtëpi tërë gjallëri, i bukur, vezullues. Me një durim prej milingone, ime shoqe e mësonte se ku duhej të urinonte. I bleu shampo, krehër, bile dhe thonjprerëse për të. Çdo muaj i festonim ditëlindjen. Në ditëlindjet i blenim konserva nga më të shtrenjtat. Pasi fshinte buzët me doçkat e bardha e të bukura, Neli na falënderonte duke u rrokullisur në dysheme. Pastaj hidhej sa tek unë tek ime shoqe. Atëherë unë ngrihesha, merrja 20 – 30 letra formati e I bëja shuk. E vija Nelin në mes të portës së sallonit dhe i hidhja topat. Rrallë qëllonte të mos i kapte. Ne e duartrokisnim. Pastaj ime shoqe e lumturuar ë rrëmbente në krahë, e puthte faqeve tek sytë, duke i thënë: “Ku është çuni i mamit, bukuroshi i vogël!”dhe shkonim në dhomën e gjumit. Neli shtrihej midis nesh. Vinte kokën mbi jastëk dhe lëpinte në faqe sa njërin, tjetrin. Pas pesë minutash ngrihej dhe shtrihej mbi jorgan tek këmbët tona. Në dhjetëvjetorin e Nelit, ime shoqe ftoi të motrën dhe të kunatin. Sigurisht, pa përmendur fare Nelin dhe të fshehtën misterioze se ç’qe ai për ne. Prandaj vendosëm dhe porositëm dy turta. Njërën ta ndanim me ta, ndërsa tjetrën, kur ata të iknin, Neli do fikte dhjetë qirinjtë. Ata qenë njerëz cinikë dhe pedant, ose, po ta themi ndryshe, aspak origjinalë. Prandaj dhe nuk i doja, por meqënëse gruaja këmbënguli, nuk ia prisha. Sa shtruam darken, Neli shkoi menjëherë në prehrin e sime shoqe, siç bënte zakonisht. Pasi hetoi mysafirët, ngriti dorën e djathtë dhe i kërkoi “së ëmës” që ta ushqente. Ime shoqe këputi një copëz mishi nga racioni i saj dhe ia futi në gojë.
-Uau! – ia bëri ime kunatë sikur ta kishte pickuar gjarpëri dhe, duke përplasur thikën në tavolinë, u ngrit në këmbë. – Këtu tek ju s’është për të ardhur. Të hajë macja në tavolinë me njerëzit? As është parë, as është dëgjuar. Flakeni këtë djall. Ju ka marrë Perëndia mendjen. Ç’dreqin e mbani në shtëpi? Hidheni të bredhë nëpër plehrat si macet e tjera. Ky, - tha, - duke m’u drejtuar mua jo pa inat, - shkruan dhe vjersha për të, kur s’është kujtuar për ne. Ndërsa ti, - iu drejtua të motrës si një bishë, - ke lajthitur fare. Si nuk e ndjeni që shtëpia vjen era mace? Jeni mbushur tërë qime dhe dhe s’keni sy t’i shihni. Rrezik edhe unë kam ngrënë ndonjë qime në gjellë, dhe hapi gojën e provokoi të vjellën. – Përsa kohë ta mbani këtë shejtan këtu, kurrë s’kam për t’ju shkelur.
Rrëmbeu pallton e u drejtua nga dera.
-Në dreq të vesh, nga sytë këmbët! – i tha ime shoqe dhe tek fshinte lotët, dridhej aq shumë, saqë u trëmba mos e zinin krizat.
Neli menjëherë sa dëgjoi britmat histerike të “Tezes”, u largua i tmerruar për në dhomën e gjumit e u struk poshtë krevatit.
* * *
Pas dy vitesh na ndodhi ashtu siç të ka ndodhur ty. Kur u kthyem, s’e gjetëm në shtëpi. S’lamë gjë pa kthyer e njeri pa pyetur.
Sa kthehesha në shtëpi, ime shoqe më shihte duarbosh dhe qante. Më mirë se unë s’e njihte askush shpirtin e saj. “Mirë Neli më iku, - thosha me vete tek e kërkoja, - por do më ikë dhe ime shoqe që e doja shumë” dhe ngurosesha, sepse ishte shtruar tri herë në psikiatri pas çdo vdekje fëmije. S’dija ç’të bëja. Ditën e tretë në njoftimet që vura në lagje, dhashë një shpërblim 2000 euro për atë, që do e gjente dhe pas një jave, para se të shkoja të konsultohesha me profesor doktor akademikun e kafshëve të vogla, vura shpërblimin 5000 euro.
Akademiku K. L., pasi më dëgjoi me vëmendje të madhe, u ngrit në këmbë, erdhi drejt meje duke më thënë:
-“Ngushëllimet e mia. E ndjej dhimbjen tuaj. Ajo ishte si fëmijë për ju. Jo si fëmijë, u korregjua pas pak, por fëmijë. Por…kaq rrojnë macet e trajtuara si fëmijë. Kur u vjen çasti i fundit, ato gjejnë mënyrën dhe ikin. Dalin jashtë, kthehen drejt shtëpisë, mjaullijnë disa herë, dua të them qajnë me dhimbje duke u lënë lamtumirën pjesëtarëve të familjes dhe struken diku për të vdekur në vetmi. Ky është ligji i tyre…”.
Më erdhi mirë që akademiku nuk tha “për të ngordhur”, por “për të vdekur”.
-Mos kërko më, - vazhdoi. – Më beso. Unë e di mirë këtë punë. Me një temë të tillë kam mbrojtur disertacionin. Macet ndoshta janë më fiisnike se njerëzit. Kurrë nuk vdesin përballë pjesëtarëve të familjes, se s’duan t’u shkaktojnë dhimbje.
Pasi u këshillova dhe me mjekun psikiatër, vendosa t’ia them sime shoqe një për një. Dhe kështu bëra. Ajo më dëgjoi me vëmendje të madhe dhe atë natë m’u duk se u qetësua.Vërtet bëri gjumë të thellë, por pa haluçinacione.
Të nesërmen pasdite, kur erdha në shtëpi dhe hapa derën, s’desha t’u besoja syve, aq sa pa dashur vura duart në kokë. Mijëra topa të vegjël letre kishin mbushur korridorin, që ajo i hidhte nga salloni. S’kishe ku të hidhje këmbën. Sa më pa, u ngrit në këmbë dhe më foli e çakërdisur dhe me një fjalor banal, si asnjëherë në jetën tonë bashkëshortore, bile, as kur qe e shtruar në psikiatri:
-Të dhjefsha mu në profesorë doktorët dhe akademikët e tu! Kujtojnë se i dinë të gjitha misteret ë botës, por ja po ta them unë, hunj gardhi janë të gjthë. Zoti nuk është kaq budalla sa ta bëjë dhe njeriun më gjeni, më të mënçur se veten. Neli ja tek është: i gjallë, i bukur dhe vigan sa një mal.
U ul në kolltuk, mbështeti kokën mbi duar dhe nuk e mora vesh kurrë nëse qante apo qeshte. Jashtëzakonisht i tronditur, hodha sytë rreth e rrotull të gjeja Nelin, që s’po e shihja. Pas dy – tri sekondash ajo u ngrit rrëmbimthi, hapi krahët dhe tek porta midis sallonit dhe korridorit, pikërisht aty ku Neli “sipas saj” ishte portier, e rrëmbeu në krah duke i thënë: “Çuni i mamit, bukuroshi i vogël, Neli i mamit!” dhe nisi ta puthte duke qarë. Kur pashë që vuri dorën e djathtë pak më poshtë gjoksit, dorën e majtë tek supi i djathtë dhe filloi të puthte ajrin, pësova një gjëndje shoku. I çoroditur siç isha, çapita drejt saj, e putha në faqe dhe putha “Nelin e saj imagjinar”, duke përsëritur të njëjtat fjalë që i tha ajo. Në çastin që u ul “me Nelin” në kolltuk e nisi t’i këndojë ninulla, u shkëputa dhe shkova në studio. Mbusha një dopjo uiski skocez nga më i forti dhe me dy – tri gllënjka e ktheva njëherësh. Mbështeta kokën në tavolinën e shkrimit dhe qava hidhur.
“Mirë Neli që më iku, por tani më iku dhe ime shoqe”, thosha me dhimbje. Pas një ore ose më shumë, mora në telefon doktorët e familjes: Psikiatrin dhe psikologun.
- Më mirë se ti s’e njeh askush tjetër. Duhet të gjesh një gënjeshtër të bukur, të besueshme për të dhe ta sjellësh urgjentisht në psikiatri më thanë të dy, pavarësisht nga njëri tjetri.
* * *
Tërë natën s’vura gjumë në sy. Duke patur parasysh temperamentin e saj, mendoja si e qysh ta bindja në mënyrë të natyrshme të shtrohej në psikiatri. Ishte e ndërgjegjshme për sëmundjen e saj nervore, aq sa jo rrallë më kërkonte falje për ndonjë fjalë që e lëshonte ndaj meje pa kandar. Gjithashtu qe mjaft e kujdesshme për vizitat, analizat dhe orarin e pirjes së ilaçeve. Pikërisht këtu u kapa. Sa u zgjua, aty rreth orës tetë, siç zgjohej zakonisht, i çova tabakanë. Një gotë qumësht, kafenë dhe tri – katër biskota.
U ngrit me kujdes ulur në krevat, vuri tabakanë në prehër dhe më tha:
- Shikoje si fle, si ëngjëll.
- Kush? – më shpëtoi mua padashur.
- Neli, kush tjetër.
- Ah, po, - thashë unë duke buzëqeshur me dhimbje, aq sa m’u mbushën sytë me lotë. U zgjata mbi krevat dhe putha jastëkun pikërisht aty ku ajo mendonte se flinte Neli.
- Mjaft, mjaft, - më tha, - se do zgjohet. Edhe unë e di dhe ai e di që e do shumë, - dhe me sy më përkëdheli me dashuri.
U ula në cep të krevatit pas saj, i mora flokët nëpër duar duke i thënë fjalë ledhatuese dhe e putha disa herë në faqe.
- Dëgjo, - i thashë pas pak. - Mbrëmë vonë më mori në telefon Profesori psikiatër. Duhet të bësh analizat dhe të marrësh ilaçet, që po të mbarojnë. Kam lënë takim në orën dhjetë pa të pyetur ty. Të më falësh. S’desha të të zgjoja.
- Dakord, - m’u përgjigj pa qejf, - dakord. Domethënë, prapë do burgosem.
Pas pak pyeti papritur: - A e di ti ç’do të thotë “PSIKIATRI”?
-Besoj, po, - iu përgjigja i befasuar, - vendi ku kurohen strese, halle, dhimbje. Ose, po ta thoshnim ndryshe, vendi ku kurohet pjesa më e ndjeshme, më e dridhshme dhe më e ndritshme e shpirtit njerëzor.
- Pak, - tha, - duke shtrembëruar buzët, pak. Pse nuk ma thua troç, çmenduri. Unë përshëmbull jam një ë çmendur, gjersa shoh dhe dëgjoj zëra që ju të tjerët as mund t’i shihni, as nuk mund t’i dëgjoni dot kurrë.
- Të tjerët mbase, por jo unë. Ndoshta ke të drejtë, ndoshta jo.
Ajo më pa në sy me kaq shumë vëmendjedhe dashuri si s’më kishte parë ndonjëherë dhe duke më krehur mjekkrën me gishta shtoi:
- Me sa më kujtohet, s’të kam folur asnjëherë se ç’shoh dhe dëgjoj në ato çaste. Një mishmash i së shkuarës me të ardhmen. Një amalgamë bukurish dhe tragjedish përzier. Kryessht ç’do të ndodhë pas pesë ditësh, pesë vitesh, pesëdhjetë vitesh. Unë I them të gjitha ç’shoh e ç’dëgjoj, por askush s’ma var. Bile as profesori më i famshëm i botës. Po nuk e përjetove gjer në dhimbje gjendjen time shpirtërore, kurrë s’ke për të më kuptuar mua. Apo s’është kështu? Kur qetësohem disi, ato që më ngelen në mendje i shkruaj. U ngrit, hapi sirtarin që e mbante gjithmonë të kyçur. Nxori një blok me kapak blu dhe duke e hapur, më pyeti:
- Sot është data 15, apo jo? - Ja, lexo ç’kam shkruar në datën 10
E më dha blokun.
“10 Janar 3002 (i cili qe prishur) dhe rishkruar 2003, ora 2 e 35 pas mesnate.
Në datën 15 Janar 2003, ora 10, im shoq, pas bisedës me psikiatrin, do më shtrojë prapë në psikiatri. Durim. Me sa duket, do jem në gjendje mjaftë të rëndë. Mua, të them të drejtën, më duket se e kalova krizën”.
Duke e lexuar, u trondita aq shumë, sa nisi të më dridhej trupi e m’u ngritën leshrat e kokës përpjetë.
* * *
-Më fal, - tha, - më fal! Nuk desha ta zgjoja nga gjumi, por e shoh se që s’mund të bëj dot pa të. Ç’idiote që jam. Nxitimthi ngjiti shkallët e pallatit. Pas dhjetë minutash u kthye me dorën e djathtë të harkuar poshtë gjnjve, të majtën drejt supit të djathtë. Sigurisht, fytyra e Nelit ishte ose tek gusha, ose tek supi i saj. Në supin tjetër mbante një çantë me rreth njëzet kg. peshë: Konserva, çokollata, qumësht “Nunu”, biskota, mish pule, mish viçi, enë për të pirë e për të urinuar Neli e gjer tek pampers për të.
* * *
Flaka tërë pasurinë. Shita dhe bensin. Ngela pothuajse fukara. Hallall t’i ketë të gjitha. Por mik i dashur, ajo që bëhet – bëhet. Ajo që s’bëhet, s’bëhet, po s’qe e thënë nga Zoti. Bjeri po deshe edhe murit me kokë. Apo s’është kështu? Pas katër muajsh u bë një konsultë e përgjithëshme ku pjesëmorën: Një profesor i famshëm amerikan, Profesori psikiatër francez dhe një Profesor i shquar arab për sëmundjet nervore. Rezumenë ë konsultës ma bëri akademiku K. L. Mesa më kujtohet më tha: Gjer në këtë çast ajo rron në një gjëndje deliri. Duket e qetë, e gëzuar. Mund të them pa frikë dhe e lumtur. Jeton me djalin imagjinar ashtu siç e riprodhon fantasia e saj. Mbase ka të drejtë, ndoshta kështu është bota. Një iluzion i yni; gjersa në konceptin pafundësor kohor, rrojmë një ose dy –tri sekonda. Askush s’e diti dhe s’do ta dijë kurrë këtë çështje. Ndoshta, në fund të fundit, jeta është një aksiomë dhe mendja e saj kap sinjale që ne të zakonshmit do t’i kapim pas qindra vitesh. Vëri ç’emër të duash; po deshe çmenduri, po deshe përparim. Nejse, le të zbresim në tokë. Për diagnozën thelbësore të saj, me njohjen dhe përvojën që kemi, s’do vazhdoj shumë dhe ajo do jetojë tragjedinë. Me fjalë të tjera, Nelin imagjinar, të bukurin dhe të dashurin e saj të shpirtit, dikush ose do t’ia rrëmbejë, ose do t’ia vrasë në prani të saj, pas një ose dy muajsh, dhe ky do të jetë çasti fatal për të.
Vërtet, pas dy muajsh afërsisht, duke rendur e lemerisur me thikë në dorë për të vrarë të motrën, “që i kishte mbytur Nelin”, ra pa frymë përballë zyrës së akademikut K. L., më tha i panjohuri, tek kapërcyem pragun e derës së tavernës dhe dolëm jashtë.
Po mbytesha. Po më zihej fryma. Ngrita kokën të mbushesha me ajër. Binte një shi imcak dhe akullues si dëborë e shkrirë. Dhe ngrija dhe digjesha. Në thellësi të shpirtit ngashërehesha…
Comments