top of page

Jeta


Jeta


Fatmir Terziu


Ajo bërtiste dhe klithmat sigloheshin si në monitor nga skenat e tmerrshme në atë ëndërr. Dhe pastaj u zgjua e djersitur dhe e trullosur, duke mos ditur pse duhej të ndodhte një skenë e tillë. Çfarë kishte dëshmuar ajo në errësirë? Çfarë e kishte detyruar të fliste vetëm dhe e vetmuar në atë errësirë?

“Vajza nuk duhej të vdiste ashtu.”

Tashmë ajo e sheh dhe e riprodhon atë ëndërr… Nuk ka asnjë fjalë, asnjë mënyrë për të shpjeguar atë që ka parë. Kjo ndodhi kur ajo e pa për herë të parë… atë si në ëndërr.

A e ka (për)dhunuar?

Ajo nuk e di pse duhej të mbaronte një ëndërr, që e kishte pritur si të tillë. Pse e ndjeu se një ëndërr e tillë është vetëm krim? Më së shumti e kuptoi kur u ngrit në panik.

Ajo zbriti nga kati i mësipërm në një kat tjetër më të ulët. Dhe mbeti aty ku mbaroi mbrëmë. Aty nuk ishte më vetëm ëndërra, por aty ishte edhe barra.

Barra e vjetër duket shumë e njohur për të. Poshtë të gjithë atyre gjërave që shihte i dukej se kudo ishte një metalikë vrasëse, që varej e ndryshkur. Në të gjitha ndryshkësitë e saj ishte një dorë. Një dorë e strukur, gjithë kohës duke u përgatitur të bjerë nga vendi. Një dorë e gatshme të arratiset nga dera, ndërsa era ngadalë kundron dyshemenë e vjetër prej druri. Ajo lëviz ngadalë nëpër ngrehinën e vjetër dhe shqep sytë për të parë atë ëndërr të frikshme, që kishte hyrë aty dhe e kishte mbajtur gjatë gjithë natës së gjatë dhe të frikshme nën tërë atë trysni dhe luftë me jetën e vdekjen.

Ajo cikërroi mes syve majat e qosheve dhe pastaj i shëtiti aq sa mund të rrokin sytë rreth cepave të murit. Dhe aty në tërë atë flakërrimë sheh një vajzë të vogël. Fytyra e saj e ftohtë, e mukosur si një drenushë mbi shkëmb, ende kishte arsyet e saj të ishte në atë moment drithërues.

Pastaj e goditi me sa fuqi të kishte veten me shpulla. Kjo ishte ajo vajza e vogël nga ëndrra e saj. Ajo i ishte shfaqur gjithë momenteve të asaj nate në tërë ato skena frike. Ajo eci pastaj ngadalë përpara saj, për ta parë vajzën, që i dukej se ende ishte në gjumë.

Duke e prekur, e kuptoi se ajo tashmë ishte e ftohtë, por fytyra e saj menjëherë shkëlqeu me prekjen e dritës së syve të saj të gjelbërta.

Ajo është gjallë, por si ka mundësi?

Vajza e vogël në ëndërr kishte vdekur. Ajo kishte një nëpërkë të vogël të rrethrrotulluar e me gjuhëzën e saj të ngulitur në kyçin e duarve të saj, duke treguar se diçka nuk ishte në rregull.

Ndoshta ajo ishte … ndoshta ajo kishte ikur.

Si do të kishte shpëtuar? Vajza e vogël ngadalë fillon të pëshpërisë … ‘Jeta’ duke iu referuar emrit të saj. Është një emër kaq i ëmbël, i domosdoshëm, i pafajshëm me sa dukej jo vetëm për të, megjithatë ajo dukej aq e tronditur në zemër.

Si kishte ndodhur të shpëtonte, si kishte ndodhur të ikte para se të zgjohej? Jeta nuk kishte arsye të tjera…

55 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page