30 VJETORI I LIGES QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE


Leonora Laçi

30 VJETORI I LIGES QYTETARE SHQIPTARO-AMERIKANE KREMTOHET MES KOMUNITETIT SHQIPTAR TË ZVICRËS

Leonora Laçi /Zvicër


Nentori i festës së flamurit u parapri nga jubileu i 30 vjetorit të krijimit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. Përvjetori u mbajt në zemër të Zvicrës, Zurich, më 24 nentor, mes shqiptarëve që priten me padurim dhe përzemërsi arbreshin ish- kongresistin amerikan z.Joseph DioGuardin me bashkëshorten znj.Shirley , ndjekur nga delegacioni i tij ardhur posaçërisht nga SHBA përfaqsonjës të Ligës publicistin z.Agim Aliçkaj, biznesmen i suksesshem dhe nji nga veteranët e Ligës së bashku me bashkëshorten Sadeten, si dhe z.Faton Bislimi anëtar i Bordit të Ligës prej shumë vitesh.

Zvicra mbetet një nga shtetet ku komuniteti shqiptar është i lidhur fort mes vedi. Shqiptarët aty janë të integruar dhe ka nga ata që kanë bërë famë në fusha të ndryshme, kjo si dëshmi së në Zvicër nuk ka rendësi origjina nga je por aftësitë dhe kontributi që mund të japësh për vendin. Dhe në këtë aktivitet pati shqiptarë që dëshmuan këtë që sapo shkrojta. Manifestimi u zhvillua në mesditen e së dieles ku shqiptarët mbushën sallen e madhe, në prani të medias dhe njerëz të ardhur enkas nga Shqipëria, Kosova, Italia, Maqedonia.  E gjitha u zhvillua në Pentorama Amriswil Arbonerstrasse 4, 8580 Amriswil.

ZHVILLIMI I AKTIVITETIT

Aktiviteti u hap nga Lutfi Hajrizi me grupin muzikor. Nën moderimin profesional të Ardita Lokaj dhe Fortesa Mustafa, programi vazhdoi më tej me një prezantim të shkurtër të aktivitetit të Ligës për 30 vjet, të z.Joseph DioGuardi dhe znj.Shirley, si dhe të Lobit të sapo krijuar në gjirin e shqiptarëve të Zvicrës.

Përveç festimeve të 30 vjetorit të Ligës pra u themelua dhe një Lob i ngjashëm e quajtur Shoqata shqiptaro-zviceriane me synimin e qartë promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar në Zvicër.

Antarët e Lobit shqiptaro-zvicerian u thirrën në podium, dhe ky Lob përbëhet me në krye presidentin e shoqatës Luan Duraku dhe antarët e tjerë, të cilët ishin; Lorenc Stefa, Arsim Asllani, Gazi Shabani, Milihat Alijmi, Driton Jonuzi, Samet Rexhepi, si dhe Uliks Gjonaj. Organizatorët e evenimentit u shprehen qartë se Lobi nuk është një organizatë politike, ata kërkojnë që të adresojnë problematikat e shqiptarëve në dyert e diplomacisë së Europës. Fatmirësisht nuk mungojnë kapacitet njerëzore dhe intelektualët e shkolluar në Zvicër që të kontribuojnë në këtë drejtim.

Evenimenti vazhdoi me Ansambli Sharri, që përformoi mrekullisht nën tingujt e kangëve patriotike. Ishte kënaqësi tek sa shihje këto shqiptaro-zviceriane të vogla të përformonin me mjaft emocion në fytyrat e tyre.

U shfaqen disa sekuenca videosh të aktivitetit të Ligës ndër vite ku u komentuan dhe nga z.Joseph DioGuardi.

 Ish-kongresisti amerikan z.Joseph DioGuardit në fjalën e mbajtur dha një mesazh të qartë për shqiptarët duke u shprehur se puna e Ligës nuk ka mbaruar. Kemi organizuar takime me kongresmen të rinj për të parë se çfarë mendimesh kanë ata. Përgëzoi startin e Lobit të ri shqiptaro-zvicerian. Tashmë në do të fillojmë që të punojmë për të ndaluar emigrimin e shqiptarëve, por për punën tonë kërkojmë mbështetje financiare. Tani duhet të kalojmë në një hap të dytë, që të krijohet lobi i ri në Europë që të bashkërendojmë punën të dy lobet së bashku për gjëra më të mëdha.

Ndërsa Shirley u kthye pas në kohë duke treguar sesi u njoh me Joseph DioGuardin dhe si filloi të merret me çështjet shqiptare. Ajo tha mes të tjerash se e dinte se Millosheviqi do vepronte në Kosovë ashtu siç bënë Nazistët gjerman me hebrenjt dhe kështu duhej bërë diçka. Kështu filloi e gjitha. Ajo ndalet dhe tek disa kontribute direkte të saja për çështjen shqiptare, siç ishte intervenimi i saj për të dërguar Millosheviqin në Gjykatën e Hagës, ndalimi që UÇK-ja të quhej një organizatë kriminale apo terrroriste, në vitin 2003 dërgova Legjislacionin në Departamentin e Shtetit për të shpallur pavarësinë e Kosovën ndonëse ajo ndodhi në vitin 2008. Neve na u kërkua të heshtim, kështu që nisëm fushaten e quajtur “Le të thyejmë qetësinë”. Faton Beslimi anëtar i bordit tonë që e kemi të pranishëm sot, solli edhe njerëz nga e gjithë Kosova që të firmosin dhe u mblodhen 1 milion firma dhe u dërguan në Kongresin Amerikan e ky ishte çelesi për ndryshime në Kongresin Amerikan.”

Fjala iu dha më pas Anëtarit të Bordit Ekzekutiv, i ardhur enkas nga SHBA z.Agim Aliçkaj, ai përshëndeti evenimentin dhe tha se: “Për të fituar një luftë duhet të jetë fronti dhe prapavija. Z.Joseph DioGuardi dhe bashkëshortja e tij znj.Shirley janë fronti i luftës për të fituar shqiptarët të drejtat e tyre kombëtare, ndërsa prapavija jemi ne rreth 50 anëtarë të bordit ekzekutiv që nuk kanë mundur të jenë të pranishëm sonte, dhe unë i përfaqësoi ata. Jam shumë krenar që kam pasur shancin që gati pothuajse për 30 vjet jam me Ligen. Porosia që kam unë është se secili shqiptar me mundësitë që ka dhe aty ku gjendet mundet me ndihmu dhe kombin. Shpesh më është bërë pyetja prej bashkatdhetarëve:-Pse po i ndihmon Amerika politikanët e këqinj. Arsyeja është se politikanët e këqinjë janë kudo në trojet tona, e në Kosovë e Shqipëri. Politikanët shqiptar mendojnë se janë patriot dhe politikan jo të këqinj. Kosova prej nga dita që ka dal e pavarur e deri më sot ka humbur, nuk ka fituar, prandaj nuk mund të themi se kemi politikan të mirë nëse nuk ka rezultate. Desha të them që Amerika nuk i përkrah politikanët e këqinj por Amerika na ka sjell lirinë. Pra na ka sjell shtëpinë me tokë përreth prandaj jemi ne që duhet ta rregullojmë shtëpinë tonë. Nuk mund të vij Amerika të na rregulloje atë, ajo e ka bërë detyren e saj duke na sjell lirinë. SHBA ka shumë çështje më të mëdha për të zgjidhur. Prandaj ne si Lobi punojmë pra Lobojmë tek diplomacia amerikane që Kosova të jetë një çështje jo ma pak e rëndësishme se të tjerat. Ne po presim rezultatin e zgjedhjeve të reja, nuk përkrahim asnjë parti politike, por përkrahim ata që punojnë për kombin. Ne kemi nevojë për ndryshme, nëse klasa politike që vjen nuk mund të ndryshojë gjërat, demokracia këtë ka ndryshimet. Kur nuk mundet një parti politike të jetë produktive do konkurrohet nga një tjetër që mund të punojë për vendin.”

Shqiptarët e Zvicrës edhe këtë herë e treguan dashurinë për atdheun përmes kremtimit të 30 vjetorit të një nga organizatave më të rëndësishme në SHBA dhe përtej saj. Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane me Joseph DioGuardin dhe krahun e djathtë të tij znj.Shirley, kanë qënë pranë komunitetit shqiptar në ngjarjet më vendimtare, për çështjen e Kosovës kryesisht, por duke mos u ndalur vetëm aty.

Pa zërin e fuqishëm të DioGuardit në instancat më të larta në SHBA, në media dhe në çdo takim që ai mori pjesë nuk mund të ishte primare çështjen e Kosovës në SHBA, e ndoshta një Srbrenicë e dytë, nuk do ishte e largët.

 Indikator i rëndësishëm për mbarëvajtjen e Ligës dhe jetëgjatësinë e saj është roli i  Anetarëve te Bordit të saj, biznesmenëve, miqëve e prkrahëseve shqiptarë apo të huaj, duke i dhënë krah dhe mbështetje kauzës së DioGuardit për të levizur mekanizmat e nevojshëm të  politikës së  jashtme amerikane në dobi të kësaj kauze, ku dha rezultatet e pamohueshme siç ishte liria dhe pavarësia  e Kosovës, demokratizimin e Shqipërise, dhe përpjekjet për sigurimin e të drejtave të plota për shqiptaret në Mal te Zi, Maqedoni, dhe Luginë të Preshevës!

Për rendësinë e Ligës dhe presidentit të saj, dëshiroj të citoj një paragraf nga intervista që MA. Agim Aliçkaj (anëtar i Bordit Drejtues tek Liga) i dha editorit  të Gazetës Illyria z.Ruben Avxhiu, mes të tjerash veçoj:-“Mjafton të përmendi vetëm dy deklarata. Presidenti Rugova pat thënë se “Liga ka bërë punë në Uashington sa një shtet”, ndërsa krimineli Millosheviq, në Hagë, me dëshpërim deklaroi se “Liga e udhëhequr nga Joseph DioGuardi, i hapi kanalet zyrtare për separatistët kosovarë në Kongresin Amerikan dhe ndikoi në krijimin e disponimit anti-serb dhe shkatërrimin e Jugosllavisë”. Puna e lobit të parë shqiptaro-amerikan- LQSHA është e dokumentuar dhe duhen libra të tërë për ta përshkruar, gjë që do të bëhet në të ardhmen e afërt. Aktivitete të panumërta për tri dekada në mbrojtje të të drejtave të njeriut të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera të okupuara nga sllavo-grekët si dhe afirmimit të çështjes gjithëkombëtare: protesta të ndryshme, demonstrata dhe tubime masovike; seanca dëgjimore në Kongres, takime me senatorë, kongresistë, përfaqësues të Departamentit të Shtetit dhe institucioneve tjera amerikane; takime me gazetarë, deklarata publike, artikuj, intervista dhe debate në shtyp, radio dhe televizion (FOX News, CNN, ABC, PBS, CSPAN, NY Times, NY Post, Uashington Times, Voice of America e shumë tjera); organizim të vizitave të gati të gjithë liderëve dhe personaliteteve të njohura nga të gjitha trojet tona në SHBA (Rugova, Berisha, Demaçi, Arbnori, Buxhovi, Qosja, Ramajli, Bukoshi, Xhaferi, Sulejmani, Haradinaj, Sopi, Gjergji, Rexhepi, Godo, Gjini, Stavileci, Mustafa,  Halimi, Kamberi, Fejziu – nga Lugina – Draga dhe Lleshi – nga trojet shqiptare në Mal të Zi – dhe shumë të tjerë), si dhe të delegacioneve të Ligës , shumë herë bashkë me senatorë, kongresistë dhe përfaqësues të rëndësishëm të jetës amerikane, kudo në trojet tona sipas nevojës për përkrahje. Duhet veçuar takimi i Presidentit Rugova me Presidentin Clinton, i organizuar nga Gilman dhe DioGuardi. Ky takim, edhe pse i shkurtër, ia dridhi themelet Serbisë. Dëshiroj të nënvizoi edhe faktin se Liga ishte e para, që me deklaratë publike i dha përkrahje të parezervë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në SHBA. Pra, meritat historike të Ligës, themeluesit te saj, Joseph J. DioGuardit, këshilltares për çështjë ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi, Bordit ekzekutiv dhe të anëtarësisë së gjërë janë të jashtëzakonshme. Aftësia komunikuese dhe depërtuese e Joe’s e përforcuar me aftësitë për analizë, organizim dhe parashtrim të çështjeve të Shirley’t janë të pashembullta”-përfundon z.Aliçkaj.

Aktiviteti u përmbyll me pyetje që iu drejtuan z.DioGuardit për çështje të ndryshme shqetësuese siç ishte; shengeni ballkanik, emigrimi i shqiptarëve dhe parandalimi i tij etj. Po e përmbylli këtë artikull me shpresën se ky lob i ri, tashmë në Europë të lobojë në politiken evropiane për pranimin e Shqipërisë por edhe të Kosovës në Bashkimin Europian.

Po lë Zvicrën e ftohtë për nga moti por që pritja e shqiptarëve e ngrohi atë. Po e lë me përshtypjet ma të mira për komunitetin shqiptar atje që nuk e harrojnë atdheun edhe pse larg tij.

#leonora #laci




173 views

Shkrimet e fundit