top of page

14 MARSI

Updated: Mar 14, 2021




Ideal Serjani Mentor Serjani. I • KUÇUMELJA (Karamelja e dheut). • KARAKAFTJA (GOJA E UJKUT) DHE DITA E VERËS: 14 MARSI (guduveret, gjerdanët). Kuçumelja apo karamelja e dheut, siç e quanim ne në fëmijëri,është një nga frutat e rralla të pyllit. Emri shkencor I bimës është Ruckus aculeatis. Kur ishim nxënës, gjatë rrugës për në shkollën 8-vjeçare Piqeras, si nga rrugët këmbësore, por edhe automobilistike, e kërkonim këtë frut të rrallë e të ëmbël që fshihej nën hijen e shkurreve, shumë herë më të larta se ajo, në stinën e dimrit dhe të pranverës. Më shumë e gjenim në monopate (rrugë të shkurtra), midis koiledhes (kthesës) së Spiros, koiledhes së Qeparizave e të Bitre, si dhe kthesa në Soponicë,te sqindet e mëdha poshtë Gurit të Borshe në fshat etj. E gjurmonim këtë frut të rrallë e të pakët, si ata qëntë e gjahut, duke nuhatur për ta gjetur e që mezi prisnim ta shijonim si gjahtari prenë e vet, ashtu siç shijonim lastarët e njomë te millocfakave, millot (frutat e cfakave), frutat e vogla të kuqe të përrallit, ato të cmartes, ksillot (harupet), fiqtë e egër (egromash), fiqfrëngëshit, lëndet e ëmbëla të valanidhit, bixhgot e ëmbla të Lavanit, koçimaret, hizet (çuçumet), manaferrat, etj. Duhet të veçojmë këtu frutin e millocfakës (millon), e cila rritet vetëm në kodrën e Harcës ,Harcalës dhe në asnjë vend tjetër. Pra, përveç lëndëve të programit mësimor, mësonim edhe për prodhimet e pyllit, pra ishte si të thuash një formim yni jashtë-shkollor, jetësor, i gjallë duke mbetur përherë i tillë në memorien tonë . Por çfarë është kuçumelja? Ajo është një bimë karakteristike me ngjyrë jeshile dhe gjelbërim të përhershëm. Rritet në Europë , Azi, Afrikë . Kuçumelja është tolerante ndaj thatësirës, nxehtësisë , kripëzimit dhe rritet në lartësinë 200-300m mbi nivelin e detit. Shkurre me gjelbërim të përhershëm dhe të përjetshëm. Janë bimë mashkullore-femërore dhe vetëpllenuese. Përveç se rritet nën hijen e shkurreve të tjera, si një kaçube e vogël, ajo rritet edhe në shkëmbinjtë bregdetarë . Njihet ndryshe dhe me emrin <<fshesa e kasapit>>, pasi është përdorur nga këta të fundit për pastrimin e ambienteve të tyre të punës. Ka një përdorim në mjekësi si diuretik dhe antioksidant. Edhe pse na shponte, me gjëmbat e gjetheve të saj, ne e kërkonim të etur atë. Kënaqësia ishte e madhe për këtë frut, por edhe oreksi për ta konsumuar na shtynte drejt gjetjes dhe përfitimit të tij, si të rinj që ishim, të moshes 11-14 vjeç, si klasa të larta të shkollës 8-vjeçare (unikes, siç flitej atëherë nga të moshuarit. Por edhe (pse mos ta themi) uri na vinte, pas 6 orëve mësim, rrugës rraskapitëse, vajtje e ardhje rreth dy ore si dhe mosushqyerja e pamjaftueshme nga familja, sidomos pas vitit 1972, që u bëmë Ndërmarrje Bujqësore Shtetërore, ku edhe ato pak ngastra toke apo gjë të gjallë që i përkisnin pronës private, brenda pronës së grupit, u hoqën. Por, sidoqoftë, vitet e femijërisë, me të mirat e të keqijat e tyre, mbeten të bukura, të veçanta, të paharruara dhe të pakthyeshme. Kjo është një bimë e veçantë dhe nxitja për të bërë një shkrim për <<kuçumelen>> tonë të dashur, u bë interesimi im rutinë në internet, ku mësova edhe gjëra të tjera më specifike, veç atyre pak që dija, qysh nga koha e fëmijërisë. Duke i shkruar këto radhë nga mërgimi them, me një dhëmbje të thellë dërrmuese: - Ah, sikur të kisha mundësi të hidhesha <<një vrap pele>> dhe t’u futesha monopateve <<me kokë>>, për pak <<karamele dheu>>, per disa kuçumele të bukura e të shijshme, që aq shumë për vite me radhë i kemi dëshiruar. Kur merrnim ndonjë notë negative në shkollë apo kur hanim ndonjë <<dackë>> nga mësuesit tanë, merreshim me luledelet, me pyetje-përgjigje, duke hequr petalet, të shoqëruara me alternativat <<kaloj- s’kaloj>>, <<më do- s’më do>>, apo lulevathet, që i bashkonim bashkë, duke i bërë si fushat e blerta, apo i varnim në vesh. Shijonim prodhimet tona në kopshtin e shkollës, gatimet tradicionale, që i përgatitnim bashkë me mësuesit,në orën e ekonomisë shtëpiake.Gjëra të thjeshta,pa interes, do të thotë ndokush, por për botën e një fëmije janë të domosdoshme, nga ana pedagogjike dhe psikologjike. Kush m’i kthen këto vite?! Në klasat e larta të shkollës 8-vjeçare, për të realizuar detyrat mësimore, mblidhnim edhe bimë të ndryshme si: çantë bariu, këputje, algat ujore e likenet nga shkëmbinjtë për t’i parë në mikroskop, për të plotësuar albumin e botanikës, që atëherë e quanim Herbarium. Kapnim insekte të ndryshme që i balcamosnim në orën e biologjisë. Bënim eksperimente me letër lakmuesi dhe fenoftaleinë në lëndën e kimisë, fizikës, ngritja e rretheve letrare dhe atyre të historisë. Këto veprimtari përbënin botën tonë të brëndshme shpirtërore dhe intelektuale. Sot jeta ka ndryshuar falë teknologjisë, por kjo jetë e mbyllur brënda katër mureve, është pa jetë, pa oksigjen. Vitet e një të riu sot, janë të ngurta, ndërsa brezi ynë ishte pjesë aktive e gjithë jetës, brënda biodiversitetit dhe ekosistemit të saj. Brezi ynë ishte më i hedhur më i gjallë më aktiv, më i kalitur me vështirësi. Kurse brezi i sotëm më i dobët se u rrit me më shumë lehtësira, pra duhet të luftosh me jetën që të bëhesh i zoti, për vete dhe për shoqërinë. Por le të vijmë tek kuçumelia. Në fëmijërinë tonë të hershme, por edhe me vone kujtojmë ne se , kuçumele kish me shumicë në vendet që thamë më lart. Ne e merrnim atë për të bërë zamkë (ngjitës) për etiketat e fletoreve, për balona, për fërr-fërre etj. Atëherë këndonim edhe këtë këngë: Mele-mele, kuçumele// Më ka bler’ babai një dele// Është dele, dele rude// E ka leshin shumë të but’. Kjo këngë këndohej nga i ndjeri Xhafer Memi, në dialektin e Veriut pasi ai kish qenë me punë në Nënprefekturën e Pukës. Me këtë këngë e shoqëronim mbledhjen e kuçumeles, në mëngjes dhe në drekë kur shkonim dhe ktheheshim nga shkolla, nga Piqerasi. II Karakaftja ose (Hermodactylus tuberus), është një bimë barishtore që rritet si edhe kuçumelja në hije, por jo në atë të shkurreve, por në atë të ullinjve, përballë diellit dhe në vende <<zërminja>> (shkëmbore; të rjepura nga bimësia; të varfëra). Këtë lule e kemi quajtur edhe <<lule gojëujku>>, për shkak se petalet e saj kanë formën e gojës së ujkut kur hapen. Kanë ngjyrë midis të zezës dhe të kafejtës (kara- e zezë; e kaftë-kafe), që përfundon në një ngjyrë të kadifejtë. Kjo lule kur hapet, hapet njësoj si goja e ujkut. Në fshatin tonë Sasaj, karakaftja rritej nën hijen e ullinjve në Gropë të Vardhanit. Kjo lule e vogël delikate duket si mëkatare pasi rritet në një mjedis të papërfillshëm. Gropa e Vardhanit nga sanskritishtja do të thotë gropë me ujë dhe i tillë ka qenë Vardhani, për nga burimet e shumta dhe gropëhambar për nga prodhimet e gjithfarëllojshme. Kjo lule rritet pra në Sasaj, por edhe në Moqivala të Piqerasit. Në vende të ndryshme ka emërtime popullore të ndryshme. Për karakaften, veç ndjesive tona të veçanta për këtë lule, kemi lexuar edhe autorë të ndryshëm, siç janë; p.sh. Akademik, profesor Dhimitër Shuteriqi, i cili, si një tregimtar i rrallë, e ka përshkruar shumë bukur këtë lule, në librin me tregime <<Kur rendte hëna nëpër re>>, i cili e vendos tregimin, në vetën e parë dhe kështu rrëfimi është më intim e më i dashur. Ja si shprehet Z. Shuteriqi:<< Karakaftja është një lule për merak. Këtë jua kam treguar dhe tjetër herë. Zë dashuri me të në fëmijëri dhe s’të del as në pleqëri të shkuar. Atë mot që nuk dole të mbledhësh ullishtave, domethënë se ke munguar në Elbasan ose ke qenë i sëmurë. Po dikush tjetër e ka mledhur në këmbën tënde dhe është kthyer në qytet me një tufë, ec e gostit në çdo rrugë, miq e të panjohur, me nga një lule dhe pi një kafe ne klub, me tufën erëkëndëshme përpara>>. Dhe më poshtë me shumë dashuri dhe delikatesë, prof. Shuteriqi shkruan: Është e brishtë, e hollë, dashuria për karakaften një dashuri lulesh, e parfumuar…>>. * * * Prof. dr. Fatmir Terziu, në studimin e tij për karakaften, ka shkruar se <<populli i Elbasanit, vazhdon ta quajë me emrin – karakafte- ashtu siç e quajtën turqit. Ky emërtim ngjizi mirë dhe mbeti kësisoj deri në ditët tona. Fjala <<kara>> si pjesë përbërëse e fjalës <<kaftja>> është me një siglim honorifik, nga titulli që u jepej ushtarakëve, në kohën e Turqisë, atyre që plotësonin 12 kushtet për t’u bërë lider ushtrie, si Kara Mahmuti i Shkodrës etj ,andaj me të drejtë e quajtën <<kryelulja>>, ndërsa mbiemri cilësor “kaftja” ishte shtysa e ngjyrës kafe të petaleve të saj>>. * * * Ja dhe një fragment nga poezia e Terziut, për Karakaften:<<... Jam strukur në flatërzat e tua, Karakaftja e rinisë sime të pakgjindshme, Përgjoj botën me bisht të syrit, Ne ndjekje të gjurmëve të mia, Të ndihshme, të mbetura në makturrnin e krimit, si shkelje të dhimbshme, nga këmbët e ndotura të tjetrit.....>> * * * ....Bukuria jote bojalleshë, petalet e buta, Drita, amëshuar ngjiz, Përmallimi hyjnor tek bruca, Buzet e mia ngjiten mes, Flutërzave te tua si fruta…>>. Në librin“Dita e verës Shqiptare”, Siena, 2016. Prof. dr. Lutfi Aliaj shkruan:<< Sipas mitologjisë helene, hyu Hermes, ishte lajmëtar i Hyjnive, ndaj besohej se karakaftja syzezë që rritej poshtë ullinjve dhe në ballë të diellit. Ishte lajmëtare e pranverës e njoftuar nga Artemisi për Helenet, Diana për romakët dhe Zana- Thana për Ilirët. * * * Akademiku Eqerem Çabej: <<Diana romake u shtri në Iliri, përmbi perëndeshën e vendit, Zana, e cila I përngjante asaj dhe i dha emrin e vet>>. Karakaftja lulëzon në fund të shkurtit, në fillim të marsit dhe është lajmëtare e pranverës dhe e veçantë për ditën e Verës. *** III 14 Marsi, dita e Verës: Edhe tek ne si në çdo vend tjetër festa e Verës festohet më 14 Mars. Atí ynë na tregonte se në këto ditë nënat u vendosnin fëmijëve një rrip ose një fill të zi dhe një të kuq si gjerdan ose byzylyk të lidhur në qafë të dorës që dukej shumë bukur. Ne vitin 1917 kur babai ynë ishte nxënës në shkollën italisht-shqip në Piqeras, pikërisht në ditën e Verës mbante ketë fill të kuq e të zi që ua vendosnin nënat, atëherë u thoshnin <<guduvere>>. Mësuesi italian që ua pa nxënësve të asaj kohe këto simbole kuq e zi, i pyeti se çfarë ishin ato që kishin në dorë, Babai ynë iu përgjigj se këto fije na i kanë vënë nënat, për të mos u nxirë nga dielli. Mësuesi italian qeshi dhe tha se nuk ishte ashtu siç u kishin thënë nënat me të vërtetë. Sigurisht që nënat tona e ruanin një sekret tjetër. Simbolet kuq e zi ishin më shumë shenjat e kombësisë, shënjat e flamurit kuq e zi. Por për të mos rënë në sytë e armiqve të tyre, shqiptarët e maskonin këtë pas ditës së Verës. Kjo, me kalendarin e vjeter, (allaturka), festohej me 14 mars, kurse me kalendarin e ri, (allafrënga), me 1 mars. Sipas prof. dr. Lutfi Aliajt, kjo festë është pagane dhe i përket antikitetit iliro-alban. Atëherë viti i ri fillonte më 1 Mars (dita e parë e Verës) dhe viti ishte me 10 muaj. Më tej z. Lutfi Aliaj vazhdon:<< Djemtë dhe vajzat e Përmetit, Skraparit, Beratit, Labërisë, Lushnjës, Çamërisë, Delvinës, i mbajnë veroret deri më 21 mars, ditën e ekuinoksit pranveror dhe në këtë ditë I heqin dhe I hedhin mbi ferra ose trëndafila dhe presin të vijnë t’i marrin dallëndyshet për të ndërtuar foletë…>> dhe më tej vazhdon, se <<ditën e verës dhuronin koliva me grurë të zier, me perime, zarzavate, arra, etj. Qe ishin praktikuar nga Ilirët gjatë blatimit në tempullin e Artemisit në Apolloni dhe në Butrint, ashtu si edhe në tempullin e Artemisit në Kandoria>>. Eruditi shqiptar, Faik Konica, më 1911, shkruan: - << Ç’ është dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kish lindur ende krishtërimi, kremtonin bashkë me Romanët dhe me Grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeve e të krojeve. Kur çkrin dimri, kur qaset vera, buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë, si në pikturën e Botiçelit, zemra e njeriut ç’garkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit ndjenin një detyrë që t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe kështu leu festa hiroshe e quajtur Dita e Verës>>. Ndërsa At Bernard Palaj, shkruan: <<Dita E Verërave, shtëpi më shtëpi. Në ditët e Verave pjesëtarët e familjes bashkohen rreth zjarrmit, për me lidhe shtrigat, magjistaret, llugjat (lugatët, I.S.), rrallçkat (fallxhoret, I.S), e të gjitha shtesat damtuese: gjarpnin mos t’i nxajë (mos ta kafshojë I.S.), lepurin mos t’i hajë lakrat e bathën, e shpendin emën për emën (të gjitha, një e nga një- I.S), e krymbat e tokës të mos u bajnë dam ndër ara. Tri ditë perpara Verave (Dites së Verës, I.S), duhet me u mfshehë (fshehur, I.S.) sheshat, sitat e me çarte krojet, në mënyrë që mos me i pa këto sende, asnjë rob i shtëpisë, pse përndryshe nuk lidhet gjë, këto ditët e verërave, bijnë (bien- I.S.) gjithmonë ndër ditët e para të marsit. Mbas darke, të gjithë pjesetarët e shtëpisë, bashkohen rreth zjarrmit. I zoti i shtëpisë merr një <<pe>> leshi, e lidh për vargu e një nye (nyjeje) e thotë: këto fjalë:- <<Dridhe Zot e dridhe, e nata e Majit, e dita e Verave. Unë pak, e zoti shumë. Po lidhnim shtrigat. Kështu po përsërit kët veprim, për secilin shpirt, sëmundje, krymba a mandra qe don me lidhë…>>. Per At Bernard Palaj, Dita e Verës, asht një festë e gjithmbarëshme e Ditës së Verave që kishte gjenezë ilire. Botuar ne <<Studime dhe tekste>> dega juridike, Tiranë, 1943; faqe 122-126; nga Instituti i Studimeve Shqiptare, si dhe Revista “Shejzat”, 1972, Nr. 5-8; F. 163;. Për Ditën e Verës kanë shkruar edhe shumë studiues të tjerë, si: Mark Tirta; Hyjni Ceka; Kristo Frashëri; Naim Frashëri, dhe një sërë intelektualësh të tjerë. Naim Frasheri: Nga “Lulet e Verës-ë>> Naimi thotë për ardhjen e Verës. (Primavera-vera e parë; Vera-ajve dytë). “Sot është një dit’ e zezë// Që përsëritet Moti Lind vera, lind ngrohtësia// lind Aliu vetë Zoti… Është një ditë e bekuar Që rrjedh qiejshit, bukurija!// Del ne shesht, Zot’ I vërtetë// Rrëfen fytyrën e tija.” Hyjni Ceka: Zanafillën “Dita e Verës”, e ka në Elbasan, në faltoren, në zonën e Çermenikës. Kristo Frashëri: Kalendari i vjeter i shqiptarëve, është me i hershëm se ai italian, që u shpall ne vitin 46, para Krishtit. Dita e Verës është pjesë përbërëse e identitetit tonë etnik. Dita e Verës dhe Viti i Ri, janë festa e të gjithë shqiptarëve.

Nga :

Ideal & Mentor Serjani.

12/03/2021.



75 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page