top of page

"ÇEHOVKA" 


          Tregim Nga   Përparim  Hysi       Profesor R... kish kërkuar me ngulm që ta linte katedrën dhe,sado me titull akademik,u largua në pension. Jam i  lodhur,- arsyetoi ai,- kurba ime e jetës po ulet,ashtu siç ndodh me shqiponjën,kur i vjen fundi.Sqepi i përkulet në apogje dhe atëherë shqiponja vdes. Kështu dhe me mua:kam 50-vjet që punoj dhe e ndjej që po afrohen "ditët e prapme të Pompeut". Gjithmonë i kishte analogjitë në majë të gjuhës dhe përmjet analogjive, jo vetëm mbrohej,por dhe sulmonte kur duhej. Qe 77-vjeç dhe nuk qenë pak për një studiues që nuk ishte si ujë i ndënjur,po shkumbonte si ujëvarë që varet nga shkëmbi para një auditori që, kur merrte fjalën ai, bëhej sy e veshë. Tani qe vejan,se bashkëshortja kish dy-vjet që e kish lënë. Sado që qenë si dy të dashuruar rishtas dhe sado që kishin gati 50-vjet bashkë, mjerisht nuk patën fëmijë. Të dy të  dashuruar "rishtas", në jetën e përditshme familjare shkëmbenin batuta shpotitëse me njëri-tjetrin me paranomët:cucë-çun. Kështu e zbusnin mungesën e fëmijëve dhe kurrë,asnjëherë, nuk shfaqën pendesë apo moskënaqësi nga shorti apo rrisku i jetës. Jo vetëm kaq,por kurrë nuk tentuan për të  birësuar një fëmijë. Dhe,kur i pyesnin ata që kishin intimitet,domosdo, përgjigja qe në majë të gjuhës:- Unë e kam një çupë: FIDANEN! Më del e më tepron.Dhe FIDANIA:- R... është çuni im!!! Dhe pse t'i vijmë anës:ÇIFTI I LUMTUR që,siç thoshte një që besonte tek astrologjia:ÇIFT që mos marrshin sy. Kur FIDANIA ndërroi jetë, e humbi pusullën aq,sa shpërtheu në lot si fëmijë Dikush e ngushëlloi:-Ç'bën ashtu,profesor? Mbahu i fortë! Dhe ai:- FIDANIA qe për mua gjithçka.Qe ajëri që më mbushte mushkëritë dhe pa ajër nuk rrohet. Katandisi ca kohë si një njeri që ka humbur një krah. I zhytur në studimet ex-katedra,disi e humbiste mendjen,po,kur kthehej, në shtëpi, i dukej vetja si të ishte mbyllur në një balonë ku mungonte ajëri. Thërriste:- o "cucë",ku je? Pse kështu e patëm kontratën? Dhe konvulsohej,tek i dridhej trupi, se aq dhimbje ndjente shpirtërisht. Nuk duroj dot më. Doli në pension dhe ishte vjeshta e dytë,kur zuri një kabinë buzë detit. Donte të harronte dhe atje,larg banesës, kur sa herë që merrte frymë, i fanepsej "cuca",ndaj erdhi buzë detit.Kabinat janë shumë,por janë të rrallë ata që vijnë buzë detit në tetor. Bënte ec e jak buzë detit dhe, ndërsa me vete hamendësonte se ku do ishte"cuca" tani apo sa mirë do të qe të ishte me të, kur befas dëgjoi një zë:- Profesor, ju këtu? Ktheu sytë andej nga u dëgjua zëri dhe, kur e pa, njohu "ÇEHOVKËN". Këtë paranomë"ÇEHOVKA" ia kish vënë ai, kur ajo shkonte e konsultohej me profesorin ,se po përkthente  novelat e Çehovit. Ish-studenten e quanin SHERJAR ( ai, fillimisht, i thosh :-Je nga Persia!). Se e tiillë me portret qe SHERJARI: me ca buzë të trasha,tërë lëng, me sy të mëdhenj e ca vetulla,që ndryshe nga femrat e tjera, nuk kishin nevojë për kalem."Ustai" i kish goditur si me porosi. Dhe si dy të"porsanjohur", u ulën në dy shezlongë aty para kabinave. -Profesor,- i tha  ajo,- pse zgjodhët vjeshtën për të ardhur me pushime? - Dëgjo,-ÇEHOVKË, i foli krejt në intimitet profesori, vjeshta,- ka thënë Nietcze,- është më shumë gjendje shpirtërore se sa është stinë. Ajo, ndërsa priste përgjigjen, ia kishte ngulur ata sytë e saj që,për çudi dhe profesori i vuri re,ende ruanin bukurinë. Ai e kishte patur studente dhe,sado që kish kohë pa parë, e kujtonte si një vajzë simpatike që turbullonte tërë auditorin. Me siguri, mendoi ai, do ketë ardhur enkas se do ketë për të përkthyer ndonjë roman dhe ka kërkuar vetminë. Radhën e kishte ai.- Po ti, moj"ÇEHOVKË", pse erdhe tek "shtëpia ime"?-pyeti duke qeshur. - Edhe unë,- tha ajo,- po bëj një studim  për ÇEHOVIN:për novelat dhe dramaturgjinë dhe dua të mbrojë gradën e doktorit në letërsi. Pastaj,- shtoi ajo me shpoti,- a nuk e kam atë ndajshtimin tuaj"ÇEHOVKË", sa ma ka tjetërsuar emrin? Qeshën të dy,njëherësh dhe profesori i tha:- As nuk kam dyshim që do ta mbrosh me sukses,por, për t'u  çlodhur,po të tregoj nja dy intimitete për ÇEHOVIN. Jo se do të të vlejnë për temën, por si një apetit pas një lodhjeje apo,kur thonë,si felë pëmbi bishtin. Profesori filloi të tregonte dhe ÇEHOVKA u bë sy e veshë. ÇEHOVI e kish arritur lavdinë e tij si novelist, por dhe si dramaturg. Dramat e tij,- tha profesori,- gati vunë domenin në skenat e teatrit dhe gati të thoshin:"Teatri i ÇEHOVIT". Nga natyra ÇEHOVI ka qenë shumë modest dhe gati tallej me atë që shkruante. Këto,- tha profesori,- ti i di se kot nuk merresh me studime,por  a e di se ç'i ka ndodhur me TOLSTOIN? ÇEHOVKA mblodhi supet. Hë,- qeshi profesori,- në këtë kohë rronte TOLSTOI që ishte NJERI-INSTITUCION. TOLSTOI rronte në JASNA POLIANA dhe  ky fshat i tij,ish bërë si MEKA për Muhametin. Atje vinin njerëz të letrave që nga larg, nga vendet e Evropës. Vendosi dhe ÇEHOVI të shkonte. Të shkonte...,po mos kujto se qe aq  e lehtë që të takoje atë,CARIN e LETËRSISË RUSE.  Këtu porfesori ndaloi pak dhe,kur ndjeu që era u bë më e fortë,tha:-ÇEHOVKË, bisedat vazhdojnë brenda. Pa pritur pohimin e saj,priu përpara dhe shtyu derën,se qe pa çelës dhe hyri brenda. Ajo i ra pas dhe,kur hyri brenda, pa krevatin ashtu të parregulluar dhe krejt dhomën që kish nevojë për një dorë femre.Ndryshe të mbaje leksione dhe ndryshe të mbaje një dhomë . U ul mbi karrike dhe profesori mbi krevat. E di pse të solla brenda?- pyeti profesori. ÇEHOVKA ngriti supet. Se kështu siç po më sheh tani, kështu e gjeti ÇEHOVI,Patriarkun e Letërsisë Ruse. E gjeti,por ÇEHOVI ndërroi tri palë pantollona deri sa u paraqit tek TOLSTOI. TOLSTOI,ulur mbi krevat dhe ÇEHOVI në këmbë.Aty u zhvillua kjo bisedë:

   - Erdhe? Hajde puthëm! ÇEHOVI e puthi tërë druajtje. E di,- tha Tolstoi, që shkruan. Por shkruan keq!!! Mos u mërzit,- i tha,se keq shkruan dhe SHEKSPIRI !!! ÇEHOVKA:-Ua, profesor! Pastaj, për të treguar se dhe ajo di nga kto vlerësime,shpesh herë subjektive të shkrimtarëvë për njëri- tjetrin,tha:-Edhe GËTE vlerësonte më shumë Walter SKOTIN se sa HYGOIN. Edhe GËTE,- tha profesori,- ka patur huqet e TOLSTOIT dhe ashtu madhështor si TOLSTOI për Letërsinë Ruse,është GËTE për LETËRSINË  GJERMANE. GËTE,- tha profesori, kur qe 75-vjeç ra në dashuri si një adoleshent me atë rusen e bukur që ish apo nuk ish 17-vjeç. ÇEHOVKA e humbi sensin e bisedës dhe harroi moshën e bashkëbiseduesit dhe tha proçkën që nuk pritej. Profesor,-tha ajo,- a nuk thonë që maçoku plak,kërkon minj të kërthinj!!!

ÇEHOVKË,- mend thirri profesori,- po vërvit pleshta! Ua,- mend lebetiti ajo duke u ndjerë keq,- të më falësh,ndoshta ju lëndova pa dashje. U përkul që ta përqafonte me shenjë pendese, po kur i dha dorën,ndjeu që profesori jo vetëm e kapi atë dorë,por e tërhoqi butësisht nga vetja dhe e puthi. E puthi ashtu  siç puth një ashik i djegur. Tani ÇEHOVKA shkoi dhe më tej: u fut në krevatin e profesorit.. Dhe aty, mbi krevat, atë ditë vjeshte, kur frynte pak erë,ÇEHOVKA dhe profesori jetuan një copë pranverë. Kur sosën"betejën e lashtë, ajo e çliruar nga pengu i drujatjes, i tha:- Profesor, gjithmonë të kam  dashur! Edhe unë,- tha profesori. Kur mendoja buzët e tua të trasha, mollëzat e faqeve si të atyre vajzave nga AZIA, qysh atëherë të pata thënë:- Sherjar,ti je nga PERSIA!. Ajo qeshi dhe,për t'u bërë më këndellëse, i tha:- Profesor, nga fin që ke qenë,tani ke pak bark. Ai që kish nevojë për fre dhe jo për shtyrje, shpotisë iu përgjigj me shpoti:-ÇEHOVKË,burri që nuk ka pak bark,është si një femër që nuk ka gjoks.  Një me një,- bërtiti ÇEHOVKA. U puthën ngrohtësisht dhe u ndanë.

                                                              Tiranë, 26 tetor 2020

67 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page