
Rabije Bytyqi
ZJARRI I BUZËVE
Buzët digjen nga zjarrmia Mos përvelo, të djegtë perëndia Shuaj zjarrin e dashurisë Kënaqi epshet e brendësisë. Mos urre ,por dashuro .
Shëro buzë-mos shkrumbo...
VJESHTË
Si formë e eklipsuar vjen nga kohët e unë e strukur rrathëve danteskë, në përhumbje të rrezeve përflakje, shtegëtimit, larg qenies time në horizont.
Rrathë që ngrihen shtjellës mendim e dihatje e kraharorit tim të pafajshem, që lëngon pas imazhesh të bukurisë qiellore e mbetet përjetë, paskohës vjeshtë.
ZJARRE TË PAFUNDME
Nata është e errët dhe unë e heshtur skutave të saj Hëna fillikate, e përvetme, “Nudo” nëpër qiejt e terrtë dhe unë me vëshrimin përhumbur e vetme përballë tyre shikoj me sytë gri, pak dritëz nga ylli më i largët rrëzëlluar mbi lëkurën e bardhë.
RRËSHQITJE TË ËMBLA
Rrëshqet një trup i huaj misterioz prej hiri. Afrohem t'i prek buzët, veçse një rënkim puthje pafundësisht.
Sikurse qiriri që digjet e vera kthyer kupash derdhur relivesh derdhur mijëra buzësh
YLLI DHE HËNA
Shkrihen nëpër Kumtër e perdet flakur natës çjerrur edhe grisur.
DRITA E KOHËS
Koha zë e qan Në pikëza lotë shiu drita vetëtimë përflak trupat e shkrirë dashuri e thellë, as parë e dëgjuar mëton kupën e qiellit në zjarre të pafundme.
PËRMASAT E EKLIPSIT
Për çfarë sot të belbëzoj Koha e huaj më ka katandisur Duart të hedhura në ajër nuk gjejnë ngushëllim me çka ta shtjelloj detyrën e ditës?
Me epitafe të zbehta nëpër kujtesë me eklipsin e zgjatur të diellit me kaosin e djepave të thyer me thëngjillin e çative të djegura apo nga vaj i qyqes t'i përgjërohem feniksit për tokën e djegur dhe trupat e mbjellë gjithandej që harresën refuzojnë...
Për çfarë sot të belbëzoj kur përmasat e jetës një copë buke e turbullojnë qiellin dhe lisat flasin jermishëm të gjunjëzuar nga pesha e kohës..
(Poezi e shpërblyer me çmimin e tretë në “Flaka e Janarit” - 2014)
MOS M’I TRAZONI KUJTIMET
Si drenushë e bardhë afër lumit të prita, në livadhet gjelbëroshe vargëzova kurora lulesh.
Mallëngjehesha afër Lumbardhit me fletoren e vogël plot kujtime me lapsin shumëngjyrësh. Flisja me diellin , hënën dhe yjet...
U rrëfeja për sytë e bukur si kristal, për zërin e bilbilit duke u kënduar luleve.
Si ke ecur në korridorin e gjatë të asaj kohe Kur hapa derën dhe si ëngjëll erdhe në krahëror. Buzëqeshjen e kishe ngrohtësi shpirti Shikimin plot rreze dielli.
Si dy engjëj të padjallëzuar Si dy të dashuruar në një romancë filmi. Në një të bukur udhëtim ishim.
BUQETË MAGJIKE
Në imagjinatë, në kopsht të kujtesës dola me dëlirësi të bëja një buqetë. Nga Migjeni mblodha apologjinë e bukës dhe dritës Prejt Lasgushit lulet e feksura të liqenit pa kufi Nga Podrimja lule gjaku që përflaknin shkëmbit egër dhe nga Dritëroi fjalë shpirti të mbetura në rafte libri.
Panteone kurorash u thurën. E dizajnuar në ajkë antologjish Nektarin dhe aromën e tyre mblodha Të freskoj dhe ushqej shpirtin tim.
LOTI PRANVEROR
Lumë lotësh rrodhën syrit tim Valë detesh e oqeane trazim Për ty shpirti im, që të kam aq larg, në mërgim.
Sa zjarre duhen shuar me lotë, që të kuptosh se më mungon. Sa shumë vullkane do të digjen dhe shkretojnë të bardhin shpirt.
Mos të bëhem loti i harresës, por vaji im i mungesës... IMAZH I PASKTHYER
Në këtë natë shikoj yje pambarim dhe hapa, që trokasin larg pështjellim.
Të kërkoj kudo, por më kot humbe errësirës së natës pafund.
Nuk po shkruaj më gjatë, më shumë veç dy vargje të lira, për imazhet e kohëve të paskthyera.
DASHURI MAGJIKE
Do të doja të hyja në zemrën tënde U mblodha dhe u bëra lëmsh si një glob, por prapë zemra jote nuk kishte vend.
Do të doja...! Të banoj aty, ku dhe kam dëshirë. banore e përjetshme e të bardhit shpirt.
AH, KITARA IME!
Ligështim mbjell në shpirt e zemër Pikëllimin ta mbështjell me lumturi, Mrekulli që orkestron burimin e jetës Ah! kitara ime, e përjetshme simfoni.
I ligjëron ëndrrat në prehje e dehje, vallen e engjëjve si një kumbim Tingujt e tu, klithmë e shpirtit tim. Ah! kitara ime, e përjetshme simfoni.
Jetës ia kthen magjinë e dikurshme, Dashuritë e vjetra, si një sëmbim e largëta jehonë rikthehet tronditshëm Ah, kitara ime, e përjetshme simfoni.
AI DHE UNË
Mbaj mend akoma takimin tonë të parë dimër ishte dhe bënte ftohtë, acar akujt varur strehëve, kalldrëmit të gjatë krisnin hapat tanë mbi borën e bardhë.
Në orët e vona poshtë urës harkuar shkrinë akullnajat nga shpirtrat dashuruar.
MENDJENDRITURIT
Rilindin me vepër Kapërcejnë shtigjet e kohës dhe mbeten: Piedestaleve të arta të kohës.
Trashëgimi lënë pas diturinë, distanca rrugëtimesh përmbushin, si substanca vlerash të gjalla përjetësohen.
Secili pllakoset në kohën e tjetrit
dhe ti në të dhe në kohëra të tjera, më shumë ringrihen, jetësohen.
BIOBIBLIOGRAFI
Rabije Bytyqi u lind më 20.5.1965 në Radost të Rahovecit. Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, si nxënëse shembullore, ndërsa të mesmen në Rahovec. Gjatë shkollimit, jo vetëm që u mor me shkrime, por ishte dhe valltare e shquar, ku interpretonte në çdo aktivitet shkollor në ato vite. Që nga viti 2000 punoi dhe veproi në organizatën humanitare gjermane ”Lahen Helferin” në kuadër të KFOR-it, në kontingjentin e CIMIC-ut gjerman, ku u dallua për rezultate të larta në punën e saj shumëvjeçare. Gjatë kësaj kohe, për punën dhe kontributin e saj u dekorua dhe mori shumë mirënjohje, si Citat - mars 2002, nëntor 2004, maj 2005, tetor 2008, nëntor 2010. Me iniciativën e saj dhe të organizatës ka siguruar ndihma për ndërtime, por edhe forma të tjera përkrahjesh për shumë familje në nevojë pas luftës. Me shkrime ka filluar të merret shumë herët, që nga bankat e shkollës fillore, por shumë shkrime të saj u zhdukën gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Shpeshherë autorja thotë: “… m’i vranë vargjet, por jo shpirtin”. Edhe pse u zhduk një thesar i krijimtarisë së saj, ajo s’u dorëzua, duke vazhduar përsëri të merrej me shkrime poetike. Vëllimin e parë poetik me titull ”RRUGË JETE” e botoi në vitin 2014. Është shpërblyer me Mirënjohje: Në Orën letrare tradicionale me rastin e shënimit të 15-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit – Jahir Mazreku, Hysen e Maliq Sopaj në Malishevë, më 3 prill 2014; në Gjakovë më 30.5.2014, në Konkursin e Poezisë “Në rrugëtim me Yllka Domin, poete dhe dëshmore”; në Prekaz, më 27.9.2014; në Manifestimin “100 mijë poetë për ndryshime - poetët e kombit apelojnë“; për pjesëmarrjen dhe kontributin e dhënë në Orën e madhe letrare, “Prekazi 2014” me moton: ”Kërkojmë zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë ”, Gjilan 30 .1.2015 . Është fituese e çmimit të tretë, në ”Flakén e Janarit” me poezinë “ Përmasat e Eklipsit” në Prizren, më 17.2.2015, për pjesëmarrje në manifestimin kulturor ”ORA E PAVARËSISË”, ndër 10 poezitë e zgjedhura konkurruese, e përzgjedhur për Çmimin “Xhemil Doda“ me poezinë ”Në qytetin e ndjenjës “. Është fituese e ”Çmimit të Dytë për pjesëmarrje në Orën e madhe letrare” Fryma e Lirisë“, në përkujtim të Xheladin Gashit (Komandant Plaku), me poezinë “Odë trimërisë“ (2015), si dhe fituese e Çmimit II në Gjakovë (2015) me poezinë “Jehona e dhimbjes!”. Nga një cikël poezish i ka botuar në disa media të njohura letrare, duke qenë e shpërblyer nga Imazhi Kombëtar Shqiptar në Tiranë 2015. Pjesëmarrëse në disa antologji poetike dhe laureate mirēnjohjesh të panumërta për kontributin e dhënë në fushë të letërisë. Anëtare e Lidhjes së Shrimtarëve të Kosovës, bashkëshorte dhe nënë e katër fëmijëve. Jeton dhe punon në Prizren.