Nga libri me tregime e shkrime psikoanalitike "Misteri i një lajmi".
Zinxhiri i qenit
E lidhi qenin qysh në lindje. E ushqente, e mësonte, e mjekonte kur sëmurej. E stërviste të bëhej rojtar sypatrembur dhe tmerr për shkelësit e banesës së tij. Qeni lehte i gëzuar për jetën qenore dhe i egërsuar kundër çdo qeni të huaj që guxonte të cënonte territorin e tij. Vraponte dhe harlisej i lumtur deri aty ku e lejonte gjatësia e zinxhirit. Dhe kështu çdo ditë, javë, muaj e vite, i bindur se lumturia e tij ishte e gjatë në hapësirë dhe kohë, aq sa gjatësia e zinxhirit. Dikush, një natë pa Hënë e yje, ia zgidhi zinxhirin dhe kur u zgjua u befasua deri në habinë qenore. U lëshua i tërbuar, duke pritur ta ndalonte zinxhiri në fundin e tij, por asgjë nuk ndodhi. Dhe vrapoi tërbueshëm gjithandej i uritur, i etur, i egërsuar deri në lumturi, i lumturuar deri në egërsi. Njëlloj si ai edhe mijra qenër të tjerë. Duhej të mbijetonte, por kjo ishte e vetmja gjë që ai nuk e njihte më parë. Koskën e parë që gjeti tek një kazan pleherash ia rrëmbeu nga goja një qen dy herë më i madh në trup e fuqi se ai. U kthye për të fjetur tek kolibja e vet, por në hyrjen e saj tundej një bisht qeni. Pak më tej pa zinxhirin e tij. I lodhur, i dëshpëruar, i uritur dhe i pashpresë, u nis të kërkonte të zotin, duke tërhequr me dhëmbë, zinxhirin e dashur. @Edmond Shallvari
Comments