top of page

Zili do ta kisha dhe një murg.


Bajame Hoxha-Çeliku



Ilir Zhiti:  Zili do ta kisha dhe një murg.


Në çantë të futa një libër të bukur të një patriotit tonë, e di që e ke për zemër dhe besoj se do kënaqesh. Do të t’i hajë nja dy pasdreke kohë por ia vlen, më beso!

Sakaq më përshëndeti dhe u largua duke më lënë mua ashtu të futur nëpër kujtimet e kohërave.

Eh, psherëtiva, dhe në mendje më shkrepi mbiemri “Zhiti” Visari, thashë me vete. Ishim mësuar tashmë me krijimtarinë brilante të Visar Xhiti, të cilin e njihja prej kohësh, jo si Visar, por së pari për një gjimnazist të bukur, e më vonë një student jo vetëm i bukur, por tepër tërheqës në shoqëri. Tashmë kush nuk e njeh Visarin, thashë me vete. Në autobus vështrimi gjëkundi s’më ndalej, por mendja më kishte fluturuar larg, shumë larg:

Eh, psherëtiva përsëri, dhe brenda psherëtimave të mia pashë jo vetëm Visarin e ri, por dhe të atin e Visarit, aktorin dhe poetin e madh Hekuran Zhiti. Diktatura e egër do ta godiste deri në fund si një intelektual, artist dhe poet. Por, në çast po vështroja përsëri Visarin ndër vite: Visarin student, Visarin në Kukës, Visarin në burg, Visarin e lirë e të suksesshëm ku po i buzëqeshte fati në çdo hap që hidhte në ditët e demokracisë. Visarin e martuar me një vajzë të shkëlqyer, Visarin që çau shtrëngatat, dhe... ah që ah!

- Sytë mu mbushën me lot sa me zi hapa derën dhe hyra brenda duke hedhur çantën mbi krevat me mendimin se, si e mërzitur që ndihesha vetëm aty do të shfletoja librin e Visarit.

Oh, bëra pa dashje kur pashë se në kopertinën e librit vërtet qëndronte mbiemri ”Zhiti” por jo Visari. Qëndrova e befasuar disa çaste, e rrotullova librin disa herë në duar, dhe së fundi lexova me zë të lartë: Ilir Zhiti.

Ç ‘surprizë! Libër voluminoz! Krejt pa dashje, librin e hapa nga faqja e fundit dhe aty mbeta. Çuditërisht më mbështollën ca fjalë të urta ku shumëkush do t’i quante filozofike ku autori e kishte shkrirë talentin e tij. Ishin aq të forta dhe përcjellëse sa nuk më lëshonin. Kështu po e vazhdoja leximin nga faqja e fundit për ta mbyllur në faqen e parë. S’ka gjë, thashë me vete, edhe kështu lexohet shpesh poezia.

Fjalët e mençura, që poeti i ka quajtur: “Mendime të lira”, zinin disa faqe të mira në libër. Pikërisht, ishin ato faqe që jo vetëm s’më linin t’i braktisja, por më shtrëngonin gjithnjë e më fortë. Duke qenë kaq tërheqëse edhe unë ashtu e vazhdova leximin deri sa mbërrita te faqet e poezive, të cilat nuk ishin të një shkalle më poshtë por përkundrazi të jepnin një frymëzim të gjallë.

Te poezitë e Ilir Zhitit, gjeta dhimbje e brenga, dashuri dhe lot, gjeta psherëtimën dhe lotin e nënës, dhimbjen dhe rinin e motrës, gjeta burgje e sakrifica, po mbi të gjitha qëndronte nëna! Ah, nëna kreshnike dhe babai i tyre fisnik me ballëlartë.

ZËMRA E NËNËS

Rruga e lodhshme,

e gjatë…

Plakë e sëmurë;

fuqi e paktë,

çehrja e zverdhur,

shpirti si trung.

Nëna nëpër ecje,

i biri në burg.

Kaq dëshpërim,

kaq sfilitje,

kaq mall,

kaq pritje,

kaq dëshirë,

kaq drithërim,

kaq torturë,

kaq poshtërim,

kaq brengë…

Dhe një zemër vajze

njëzetvjeçare

do plaste pa frikë

si shalqi i pjekur

kur i vëmë thikën.

Po zemra e nënës,

(plakë e sëmurë)

si e duron vallë,

gjithë këtë torturë ?

Oh, vetëm zemra

e nënës, e brishtë,

mund të thyejë ligjet

e bushtrës diktaturë.

ËNDËRROJ NJË BOTË …

Ëndërroj një botë

që për veprimet e mia të gjykohem

dhe jo për ato që s`kam bërë

të paragjykohem.

A ISHA UNË NJË ËNDËRR ?!

A isha unë një ëndërr,

a Zoti pa një ëndërr,

që ishte

Jeta ime !?

“ HAKMARRJE “

Jeta pa ty,

një moçal trishtimi.

Fytyra jote

si një detektiv

më ndjek në mëngjes.

Edhe në drekë më ndjek.

Në mbrëmje më vdes.

RROTA E FATIT

Në një kohë,

që ishte vetëm në atë kohë,

një i ditur po mendonte :

-Njeriu bëri shpikjen më

gjeniale, shpikjen e rrotës,

por me siguri

nxitjen fillestare e pati

kur pa rrokullisjen

e fateve njerëzore.

IU MBURRA TIM ETI …

Iu mburra një herë babait

se isha i mirë në mësim.

Por më pas fytyrën vrenjti

se për shokun shfaqa nënvleftësim .

-Askush s`është i pa rëndësishëm,

çdokush ka aftësinë e tij;

në botën ku jemi të pranishëm

nuk janë të gjithë gjeni.

Pa punën e “ të rëndomtëve”,

ku jemi dhe ne pa dyshim,

gjenitë e mëdhenj të Botës,

do vdisnin, patjetër, për ushqim.

Ilir Zhiti është i vëllai i Visarit, por ai ka ditur të ngjitet në pied me këmbët e veta e jo me të vëllait. Poezia e tij ka një stil krejt tjetër, një ngjyrë dhe një aromë trëndafili. Të bën ta rilexosh ta duash poezinë dhe ta dashurosh atë, atë, poezinë e Ilir Zhitit.

Shumë poezi të ngrinin peshë, disa të qëllonin në zemër, disa të mësonin se si jetohet dashuria, disa të tjera të rrëqethnin shpirtin e disa të trokisnin në telat e zemrës. Që të flasësh për poezinë duhet ta ndjesh atë, të dish ta trajtosh, dhe të ndjekësh me shpirt aty ku e kanë burimin e kthjellët. Aty ku është freskia e fjalës, freskia e vargut, dhe tërë poezia të duket se është një udhëtim i gjatë ku dallgët e saj të rrëmbejnë dhe të nxjerrin në bregun tjetër të lehtësuar, të dashuruar me jetën. Dhe këtë e bënë libri: “ Zili do ta kisha dhe një murg”, i poeti Ilir Zhiti.

Po ju përcjell disa thënie brilante:

“309. Sikur veprën më të mirë në Botë të bësh, as mos e mendo, se do ta pëlqejnë të gjithë.

312. Ja logjika e agresorit : Kosova për Serbinë është e Serbisë , kurse banorët e saj, kosovarët, janë shqiptarë që duhen vrarë.

285. Gruaja ka aq aftësi sa t`ia përcjellë të gjithë dokrrat e saj edhe burrit më të zgjuar.

271. Njeriu nuk e fiton dashurinë gjatë jetës, sepse ata kanë lindur së bashku.

302. Gjithmonë do të ëndërrojmë për një botë më të mirë, sepse ajo asnjëherë s`do të jetë aq e mirë sa duhet »

Në tërësi libri është i një niveli të lartë poetik. Fjalë e vargje të duken se kanë shpërthyer e po fluturojnë nga një shpirt i bekuar, i prekur, bujar, nga një shpirt që ka provuar trysnin e mendimit, të fjalës së lirë, dhe që kishte ditur të donte jetën dhe poezinë në ditët më të vështira.

Mu kujtua familja Shtraus që u quajt: “Mbreti i valsit.” Po këta tre kolosë babë e bij? Si mendoni t’i quajmë? Mendoj sa familja Zhiti, meriton të quhet: Mbretëria e Artit dhe e poezisë.

Me nderime të thella për familje Zhiti.

Bajame Hoxha-Çeliku, Bruksel

25 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page