Zhvillim
Astrit Lulushi
Vazhdojmë të jetojmë si milingonat, megjithëse legjenda thotë se ishim të tilla shumë kohë më parë dhe ndryshuam, duke u ngritur në këmbë. Dukemi si një vinç i madh, në një pirg ku rrëmojmë me thonj e me duar; gabim pas gabimi truri ynë mpikset, dhe virtyti më i mirë i shtohet mjerimit; jeta shpërndahet në grimca dhe mes tyre viruse që izolojnë.
Një njeri i ndershëm vështirë se i duhet të numërojë më shumë se dhjetë, ose në raste ekstreme ai mund të shtojë gishtërinjtë dhe të kompensojë pjesën tjetër.
Thjeshtësi, thjeshtësi, thjeshtësi! Punët le të jenë dy ose tre, dhe jo njëmijë e një; në vend të një milioni numëro gjysmë duzinë, dhe mba llogaritë në mollëzat e gishtrinjëve. Mes këtij deti plot dallgë të jetës së qytetëruar, të tilla janë retë dhe stuhitë, dhe një mijë e një sende që duhen, që njeriu të jetojë mirë dhe të jetë vërtet një ekonomist që ia del mbanë.
Thjeshto, thjeshtëzo. Në vend të tre vakteve, nëse është e nevojshme ha një; në vend të njëqind enëve, përdor pesë; dhe zvogëlo gjërat e tjera në proporcion. Jeta është si një Konfederatë historike fisesh ilire përbërë nga shtete të vogla me kufinj gjithmonë të luhatshëm, kështu që askush nuk mund të thotë se nga kush kufizohet. Vetë kombi - me të gjitha të ashtuquajturat përmirësime të brendshme, të cilat, për nga rruga, vijnë të tëra nga jashtë dhe janë sipërfaqësore - është thjesht një institucion i mbingarkuar, i veshur dhe i kapur nga kurthet e veta, rrënuar nga skamja mes luksit të tepruar dhe shpenzimet e shfrenuara, që ka nevojë për përmbajtje dhe qëllim të denjë, si miliona familje në botë; dhe i vetmi ilaç për këtë, është një ekonomi e konsoliduar, thjeshtësi e rreptë dhe një jetë e përkorë, ndoshta më shumë sesa mënyra spartane. Izolimi që i ndodhi ishte ndërprerje jete. Shqiptarët tani jetojmë shumë shpejt, duke kapërcyer epokat që u ishin mohuar. Kjo i bën ata viktima të vetes së tyre. Pse duhet të jetojmë me kaq nxitim dhe të jemi të uritur para se të kemi uri? Shqiptarët mendojnë se është thelbësore që vendi të ketë tregti, të eksportojë, të flasë përmes një celulari, dhe të udhëtojë 100 km në orë, nëse munden ose jo, nëse duke kopjuar si majmunë apo si njerëz, është pak e pasigurt. Nëse nuk largojmë gjumin dhe vazhdojmë të merremi me të tjerët, ne falsifikojmë veten, lodhemi kot, nuk mendojmë për jetën tonë për ta përmirësuar. Atëherë, kush do të na i bëjë ndryshimet? Si gjithmonë, të huajt? Nëse rrijmë duarkryq, kush do t’i dëshirojë ato, sepse atëherë i ngjajmë udhëtarit i cili nuk hipën në tren, por treni kalon mbi ‘të.
Shume shume bukur, Astrit....
Thjeshto, thjeshtëzo, thjeshtesi...
Kjo qe iken eshte Jete, ta marre e mira ta marre!