top of page

Zhgjumje

Updated: Oct 7, 2021



Zhgjumje

Nga Fatmir Terziu


Kam hapur sytë pas një gjumi të shkurtër. Në fakt, iku bashkë me natën dhe ai, edhe pse zgjimi ndodhi në aknet e tij të ngjyera me grim. Unë kisha fjetur. Kisha fjetur pa ëndërra. Por gjumi më kish zhytur në ngjarjet e 72 orëve të mëparshme. Ajo që kishte ndodhur ishte e pas-gjumta ime. Dhe këtyre orëve të fundit, këtyre orëve fundja-fundit u kisha falur heshtjen.

Mendoja vetëm për veten time. Si do të ishte vetmia ime pa Ty? Si do të sillesha unë në këtë botë duke duruar dhimbjen që durojmë orë pa orë?

Dhe pashë mosheshtjen e 72 orëve si një murr i ngritur në përpjekjen me heshtjen time. Pashë një vajzë të dhunuar, një djalë të përkëdhelur politikisht, që zgjaste duart e tij dhe ulërrinte deri në kupë të qiellit, pashë një rrëmujë në votën e ndërrimit të emrit të një shteti fqinj, pashë dhe atë që ndoshta nuk e kishte parë antidoda e heshtjes sime… Po letërsia sikurse ndodh shkon tek narrativi. Dhe narrativi kapërcen tek historia. Historia shkruhet edhe nga letërsia.

E gjitha kishte ndodhur me heqjen e një statuje. Në Prillin e 2007-tës, shteti i Estonisë në kryeqytetin e tij, Talin, kishte vendosur të shkulte një Memorial të debatueshëm të Luftës sovjetike. Vladimir Putini nuk ishte i kënaqur me këtë. Por zemërimi shkonte përtej zhgjumjes në atë kuptim që shteti i vogël po i kthente shpinën Rusisë dhe i drejtohej Perëndimit. Hapej nga zhgjumja një treg i ri marrëdhëniesh në arenën ndërkombëtare.

Dhe menjëherë Estonia, pikërisht më 27 Prill 2007-të u sulmua nga një ndërhyrje internetike. U quajt dhe quhet: “cyber-attack”! Ishte shembulli i parë i ndodhur ndonjëherë në histori i një sulmi të tillë të sponsorizuar nga shteti.

Dhe ky sulm u quajt “Lufta Internetike 1”. Rezultati ishte tronditës. Shkatërrues! Makinat e parave të bankave pushuan së punuari. Bankat vetë u paralizuan. Sistemi shtetëror i kompjuterave u pushtua nga viruset. Gazetat dhe mediat e tjera u bllokuan. Kjo zgjati disa javë.

Më vonë Ministri i Mbrojtjes së Estonisë tha: “Sulmi ishte i destinuar në të gjithë rrjetin elektronik të Republikës së Estonisë…”. Dhe u pa qartë se sulmi vinte nga Rusia. Arsyeja ishte e qartë, edhe pse Estonia kishte kohë që po shkonte në majat e lidhjeve dixhitale me Botën.

Sot në zhgjumje, edhe pse nuk bënte pjesë me 72 ditëshin tim të heshtjes, 11 vite nga sulmi i tillë në Estoni shoh pak zhgjumje në territoin ballkanik, ku zërat flasin gjithnjë e më shumë për “ndërhyrje” ruse. Dhe në zhgjumje e sipër mendoj për Ty, e shtrenjta vendlindja ime, sikurse për jetën time, për veten time.

Si do të ndodhte sikur dikush të sillte një tjetër në këtë botë duke e ditur dhimbjen që do të durojmë? Ti je ekzistenca! Ti je vetë jeta ime dhe e të gjithëve që të duan me mish e me shpirt! A do të ndjenim dhimbje? Po. Do të ndjenim dhimbje, papërshkrueshmëri, mbushje gjoksi, dhimbje trupi, që fillon nga koka deri te këmbët. Zakonisht nuk mundohem të pikturoj një pamje të përsosur të kësaj bote dhe t’ju lë poshtë juve, që pikturoni aq bukur duke sulmuar e masakruar identitete, duke zhdukur histori dhe fate mijëra vjeçare. Më urreni çdo moment për gjërat që kurrë nuk i kam thënë, por dhe për këto që i them se e dua vendlindjen time. E dua dhe e mbroj edhe internetikisht Atdheun tim. E dua se kurrë nuk dua të mbajmë barrë dhimbjen e Vendlindjes.

Dashuria gjithmonë me ty Vendlindja ime!

Edhe internetikisht, qofsh e pasulmuar!

Kisha hapur sytë pas një gjumi të shkurtër. Në fakt, gjumi kishte ikur bashkë me natën, edhe pse zgjimi kishte ndodhur në aknet e tij të ngjyera me grim. Unë s’kisha fjetur! Isha në zhgjumje.


Vetëm një gjë është e nevojshme


Vetëm një gjë është e nevojshme. E ajo ndodhi si në një ëndërr. Një ëndërr. Një realitet i pas-ëndrrës. Një gjë. Vetëm një gjë është e nevojshme. Një në konfuzionin paralizues të jetës. Nevojitej vetëm një gjë. Duhej patjetër ajo gjë. Në gjithë ankthin e rrethanave jetike duhej medoemos ajo gjë, e vetmja gjë e nevojshme duhej dhe duhet në të gjitha shkurajimet e padrejta. Vetëm një gjë është e nevojshme: në pikëllim të ngutshëm, në ndjenjat e shpejtuara, në mungesën e mungesave, në gjendjen e sigurt dhe të pasigurtë, në zemërimin aq të çmendur të Botës … Vetëm një gjë është e nevojshme.

E kjo është thjesht vetëm një gjë në fytyrën e poshtërimit dhe torturimit të Njeriut, një gjë e thjeshtë e formës më të prerë të refuzimit, tradhëtisë dhe dështimit. Një gjë e rrëndësishme i duhet ndreqjes së themeltë të lajmeve shkatërruese, shpërfytyruese, ata që vrasin më shumë se simptomat e sëmundjes. Një gjë i duhet, dhe vetëm një gjë i duhet shkrimit dhe letrave, për të sfiduar dukurinë e frikës më të keqe të jetës. I nevojitet kjo gjë, vetëm kjo gjë, pra i nevojitet vetëm një gjë i duhet Letërsisë Shqipe të vijë dhe të ulet në këmbët e Frymëzimit Jetik dhe të dëgjojë atë që Ai po thotë për ne dje, për ne sot dhe për ne, në të ardhmen. Le ta dëgjojë këtë gjë që i duhet! Le ta dëgjojë! Vetëm një gjë është e nevojshme.

Tek kjo gjë është besimi, pranimi i pranisë sonë reale. Kjo nuk është vërtet një “Gjë”, por një gjë që është e nevojshme, si tani dhe gjatë gjithë sezonit të jetës, dhe nëse do ta zgjedhim atë, ajo nuk do të merret “peng” më prej të Tjerëve.

Është e vetmja gjë që ia vlen të luftosh për të pasqyruar jetën dhe pa dyshim s’do të kërkosh një “Gjë” të tillë të vdesë përsëri dhe përsëri dhe përsëri ... Por të jetojë si asnjëherë në Tokë me dy Dete të mrekullueshëm, në një vend përrallor me lumenj, liqene, male dhe fusha, në një mjedis me popullin më bujar e mikpritës në Botë, në një odë të ngrohtë shqiptare, ku flitet Gjuha më e Bukur dhe më e ëmbël e gjuhërave të ndodhura ndonjëherë në Planetin tonë.

Është vetëm një gjë, … Një gjë! Dhe kjo nuk ndodh të ndodhë si një ëndërr, apo një realitet i pasëndrrës. Një gjë që kërkon të kemi sytë në ballë, të shohim me dashuri Lart! Vetëm një gjë është e rëndësishme. E ajo mbetet tek Njeriu!


Do të jetë mirë, e dashur Letërsi, do të jetë mirë!


Në rrëzë të Tomorit kalova një pjesë të fëmijërisë sime. Im atë ishte një nga qindra të Tjerët, që mbanin mbi supe peshën e Ngritjes së Shqipërisë së viteve shtatëdhjetë, duke përfshirë edhe Poliçanin e destinuar të mbante në gjoksin e tij Uzinën sekrete ushtarake të asaj kohe. Dhe fëmija kureshtar, si një fëmijë i tillë, duke lexuar “Djemtë e Rrugës Pal” kërkonte përditësinë fëminore në athtinë e pishave dhe flladin e Malit Mit, si dhe zhurmën e ngandjedhshme të Osumit … Jeta ishte si një zog …

Një zog, i lidhur me tokë, i paaftë nga lindja.

I lënë jashtë, i braktisur dhe madje i ulëritur nga të tjerët, edhe kur trumconte ndonjë thërrmijë të lënë diku nga pakujdesia, edhe kur i afrohej një kavanozi me reçel të hapur me racion, edhe kur gabonte aritmetikën e blerjes së një buke dhe një shishe vaji kikiriku, sepse nuk ishte vetëm ndryshe, por nuk ishte i aftë të bënte atë që bënë ndonjëherë të parët e tij, ata që kishin tokë me hapësirë të madhe, ata që kishin pasuri, ata që kishin emër, ata që kishin dyqane, ata që bridhnin botën si zogj të lirë … Eh Ata!

Duke u nisur në blunë e qiellit të mrekullueshëm, qielli shumë më lart, e më lart i dukej. I pakapshëm. Një pamje dhe një shije me Tomor ballor të Madh. Një pamje pa shije e një dite me shi, e sjellë nga thatësira e emocioneve, kur i vetmi emocion ishin pullat postare që mblidhnim sikurse na sillnin fat.

Një fat, që kurrë s’hiqet, përveçse mendimit nëse ai e gjen një Tjetër të jetë gjysma e tij Tjetër, ku thyhej vetmia. Vetmia e thyer, vallëzimi në errësirën e jetës, hije e pafundme dënimi, frikë dhe zili e zbukuruar në shpirtin e atij zogu, që mbeti duke shikuar poshtë në greminën ku hapej përditë e më e madhe, por që ishte ende e përcaktuar, me shpresë se çfarë mund të mbajë e ardhmja, ajo e ardhme me krahë … Të gjitha ishin dhe mund të jenë ende thjesht mendime kalimtare, … vërtet mund të jenë në gjendje të shkrihen brenda dashurisë, brenda rritjes, brenda memorjes, brenda teje tashmë e dashur dashuri letrare.

E dashur dashuri letrare, e dashur Letërsi! Gjaku rrjedh nëpër venat e fatit dhe më pyet që në fëmijëri. E ke ndjerë, e ke parë?! Më pyet me stilin e zogut cicërimtar: A je ti dashuria ime? A je ajo që më në fund do të përhapë me krahun që kam dhe të fluturoj, larg? E përgjigjja shkrihet, e ne shkrihemi…

Le të shkrihemi, sikur se bënë Të Tjerët, që nuk ishin në gjendje të ndihen të vetmuar, të dashuruar! E këtë na e jep vetëm memorja, kultura e saj, shkrimi, letrat që shohin tej e tej nga largësia e largësive, mes bukurive të pashkruara ndonjëherë. A mbetet memorja një fakt? A ushqehet dashuria tek ajo me takt? Pra, mos u trembni, përjetoni bukurinë e madhe të qiejve, për të shkuar kot më lart, pasi të gjithë ne jemi dy bizele në një tenxhere, të grimcuar nga e njëjta jetë-fat e shkruar dhe ashtu me ide dhe mide të Tjetrit, të trazuar e të gatuar.

Më sillni tani, atë kohë përsëri, ama ashtu sikurse cicërimat u shestuan tek memorja, m'a sillni atë kohë dhe do ta shihni sa poshtë shkojmë ne sot. Edhe në të shkruarën tonë mbetëm fluturimthi si në të gdhirë! Ndaj po shkundemi, po zgjohemi, dhe ndaj do të jetë mirë, e dashur Letërsi, do të jetë mirë! Vetëm se na duhet rritja, njësoj sikurse zgjimi dhe ngritja.


Helianthus, në Botën Globale


Rritja si kudo dhe në letërsi kërkon tokën, hapësirën, kohën e saj. Ajo mbizotërohet nga një tokë-hapësirë mes ndjenjave, nga një hapësirë ku mbillet dhe zhvillohen emocionet, në një kohë emocionesh. Në këtë tokë, vend dhe hapësirë ndjenjash dhe emocionesh pena dhe mendja janë mjetet e punës. Në këtë tokë, hapësirë dhe vend vijnë dhe ikin stinët. Dhe stinët, sipas stinëve, kujdesen për lulet e zemrës. Shiu i kujtimeve që gdhend farën për një lule që pritet të lulëzojë, dhurata e jetës në lëvizjen e lëvizjes së kohës, formimi dhe strukturimi i bukurisë së brendshme të një gonxheje, ku pos shkrimit të gjitha janë dhe bëhen letërsi.

Gjatë viteve, pranvera e kësaj letërsie, lulëzimi i kësaj bukurie varet nga veprat, dëshirat më të thella: si mirësia dhe intuitat madhështore, ngarrendja jetike, përballja e përditshme, arsyeja logjike, nga të gjitha ato që shpalosin me një shpirt të vërtetë, të sinqertë.

Një shpirt i tillë, i drejtë metohet të qëndrojë me të vërtetë krenar në diell, njësoj si një Luledielli shqiptare, ose si një Helianthus, në Botën Globale. E njëta gjë. Një lule…

Një lule e trishtë e personave të trishtë, e atyre që nuk kanë gëzim dhe ndjenjë lumturie në shpirt, do të jetë e vdekur që në lindjen e saj, që në shkrimin e parë, sikur të ishte fati i saj vetëm thatësira dhe djegja në vapën e verës, por aroma e ëmbël e jetës do të mbushë dhe do të përkëdhelet në lutësi e butësi, si për ajrin, si një kapje e tërthortë e dora-dorës tradicionale për të shkuar përpara edhe në situata të jofavorshme frymëzimi.

Kjo mbetet peng i kapur në ndryshimin e pafund të një djalli të deformuar, të dëshpëruar duke punuar gjithnjë për atë që ai e sheh Personale, për atë që ai e sheh të Nevojshme. Një sherbetyrë e tepruar diabetike me shurupin e ngjyrimeve, që vetëm letërsi nuk është. Për “letërsinë” jep mend diplomati, për letërsinë flet “politikani”!? Thjesht sherbëtori që kërkon dhe nesër të jetë në atë karrige…parlamentare, fundja larg e larg, krejt jo-letrare.

Shërbëtorët e tillë kanë mundësinë të ndikojnë, ose të shkatërrohen në ekzistencën e tyre të përkohshme, duke u zbehur në pluhurin nga kanë ardhur, se aty nuk ka emocione, nuk ka ndjenja, nuk ka bukuri, nuk ka letërsi, nuk ka lidhje me zemrën e njeriut që shkruan, nuk ekziston bukuria e tretur në letër nga ndonjë zemër. Bukuria e hedhur në zemër mbetet përgjithmonë një penë e mbajtur dhe lëvruar me kujdes dhe me një punë të mjaftueshme, mbetet një lule!

Pra, kjo lule nuk do të kalbet kurrë, përderisa mbrohet me një dëshirë dhe vullnet për të bërë mirë, të jetë e butë dhe e sinqertë, e zhytur në mendime dhe e mençur, plot mirësi. Mirësia, madhështia dhe shqetësimi i thellë i dashurisë janë një pleh vetëm për lulet e letrave! Përhapni këtë dashamirësi dhe ju mund të mbillni farën për një fëmijë tjetër të bukur të tokës; Një lule e çmuar e letrave të brishta shqiptare, Helianthus, në Botën Globale! Natyrisht, sepse bukuria e luleve është frymëzuese edhe për zemrat më të ftohta.

Në literaturë, Shekspiri kishte një kopsht të vetin, dhe zgjidhte lulet, kur i duhej të shprehte emocionet e personazheve të tij. Thuhet se ai shpiku më shumë se njëqind emra për lule, ndërkohë që disa ende po përpiqen të kuptojnë mendimin shekspirian dhe lidhjen e tillë letrare. Virxhinia Wolf, Oscar Wilde, Dulce Maria Loynaz, jo vetëm, por lista është e gjerë, dhe është me të vërtetë e tillë, ku gjejmë një meditim mbi lulet letrare, përmes të gjitha formave të shprehjeve e qasjeve sinonime me luledielli.

Por, ndërsa “Luledielli” ka hyrë në penelin artistik të Vincent van Gogut, i cili e konsideronte atë të jetë simbol i dritës, rinovimit dhe shëndetit, mësojmë se ajo qëndron lart në lartësitë me buzëqeshjen më të madhe në fytyrat krijuese, kur krijuesi i saj thërret lavdinë e dritës së parë, ditë pas dite ... natë pas nate. Kështu arti, letrat dhe narrativi jo pak herë kanë gjetur frymëzimin tek natyra dhe mitologjia.

Mitologjia greke shpjegon ardhjen e parë të lulediellit. Një nimfë uji e quajtur Klitis ishte e dashuruar me zotin e diellit Apollo, të cilin ajo e kishte parë një ditë në Malin Olimp. Çdo ditë ajo e shihte me dashuri, por dashuria e saj u mek për shkak se Apollo ishte i dashuruar me Kaliopin, muzën e poezisë epike. I pashpresë, Klitis nuk pinte ujë dhe nuk hante ushqim. Pas nëntë ditësh zotat u mëshirën me të dhe e ndryshuan atë në një lule, fytyra e të cilëve do të ndiqte çdo ditë rrjedhën e diellit nëpër qiej. (Besohet se ai i referohet një versioni të mëparshëm të Helianthus, qëkur ata u zbuluan së pari në Amerikë)

Origjina e emrit botanik “Helianthus” nga fjalët greke Helios, për diellin dhe anthusin, për lule. Dhe jo më kot thuhet se emri mund të ketë lindur dhe nga sjellja heliotropike e bimës, gjë që e bën atë të orientojë lulet e saj në diell kur drita lëviz nëpër qiell.

Kur Francisco Pizarro në mesin e viteve 1500 luftoi në Peru, ai gjeti atje lulediellin gjigant (helianthus annuus),e nderuar dhe qafuar nga indianët e perandorisë Inca si imazhi i shenjtë i Perëndisë së tyre diellore. Priftëreshat Incan, vajzat e diellit, mbanin mbi gjoksin e tyre disqe të mëdha diellore të bëra prej ari të virgjër. Disqet e Tezesë u bënë lakmi e më të çmuarve të pushtuesve spanjollë, pasi kishin këtë lule të stampuar. E gjitha shkoi më pas tek arti, narrativi letërsia. Ndaj na duhet leximi, na duhet shkundja, ndaj na duhet zhgjumja.

58 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page