ZEUSI I PLAKUR


Timo MËRKURI

ZEUSI I PLAKUR

…ose historia e një libri poetik, në vend të një prezantimi…


( Duke lexuar e vlerësuar vëllimin e pare poetik të Sabit Rrustemit, KU I LA LISAT ERA, “Rilindja”, Prishtinë, 1990 )

Pjesa e II


Kushdo që e njeh sadopak mitologjinë e di historinë e Zeusit, fëmija që nëna e shpëtoi nga ati fëmijëvrasës (Kroni) dhe e shpuri në ishullin e Kretës, ku e rriti me qumështin e dhisë amalthea. Qysh nga ky moment Zeusi shfaqet në historinë mitologjike si triumfues nëpër beteja (me atin e tij dhe titanët) apo si një djalosh çapkën që hynte në krevatin e vajzave të bukura, duke e mbushur dheun me bij e bija. Me së shumti njihet si një mbajtës i rregullit mes perëndive në Olimp apo “fshirës” i zullumeve të tyre në tokë, duke këshilluar me fjalë apo qëlluar me rrufe. Por gjithsesi asnjëherë nuk e kemi hasur Zeusin të plakur dhe këtë e kemi pranuar si konceptin që “perënditë nuk plaken[1]”.

Prandaj u befasova kur mësova se Sabit Rrustemi bash në “mbretërinë e Olimpit jugosllav”, në “stinën” e rrufeve zeusiane ka guxuar të flasë për plakjen e Zeusit si për një plak teveqel, të qorruar nga sytë e shurdhuar nga veshët, të matufosur gjer në skaj…Duke përbiruar botën/Nëpër vrimë gjilpëre/Drita të harroi…/As afër as larg nuk sheh/Sy-verbër sy-shtrembër… As afër as larg nuk ndien/Vesh i shurdhër…

Ndoshta është i pari poet nga Kosova që guxon ta sfidojë Zeusin pikërisht në kohën që ai pëpiqet t’i mbushë mendjen botës se është në kulmin e fuqive të tij si perëndi, ndonëse e sheh se është në prag të greminës Paudhësitë të shpunë/Nga s’kthen më…Me gishtat që dridhen / S’futet peri në vrimë gjilpëre …prandaj …Si i çmendur/Shikon kohët që vijnë/ Në vete çirresh e grihesh/ Pa zhurmë….Ndoshta është i pari poet që guxon t’i bëjë gjyqin politik poetikisht një “perëndie” zullumqare…Zjarrin e ruan gjetkë/Me zili i sheh promethetë/Memec i shekullitdhe që në zjarrin që ka ndezur e ka përfundiminVetveten sëpari djeg….

Tronditëse vijnë vargjet e tjera…Po plakesh/Tash asgjë nuk të kujtohet/…/Kot bëhesh servile/ Fëmijë reprise/…Prej ballit kodër/Vëngër vështron/Presat e vdekjeve kah ndërrojmë..

Një portretizim sa real (te vargjet..po plakesh…) aq dhe ironik te vargjet vijuese, sa që harron se bëhet fjalë për Zeusin “perëndi” për të aritur te vargjet tronditëse ku Zeusi shikon vëngër presjet e vdekjes, dhe pjesëza “kah ndërrojmë” e vargut e cila tregon rolin e poetit në këtë fund plakjeje të Zeusit. Pas këtij vargu lexuesi pyet veten se si ka mundur të shpëtojë poeti pa u goditur nga ndonjë rrufe “zeusiane”.Ja që poeti ka lindur me fat dhe arsyeja e këtij “fati” shpëtimtar është se:

1)- Poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar nga “rrufetë zeusiane” përsosën deri në kufijtë e skajshëm artin poetik. Metafora dhe simbolika e tyre ishte më se e përsosur, sa që edhe ne lexuesit shqiptarë të saj na duhej të mendonim shumë mbi vargjet e poezive të tyre për të zbërthyer mesazhin, i cili na trondiste me forcën e tij, kur e lexonim në kontekst të kohës dhe vendit. Metaforizimi i poezive dhe simbolika e tyre ishin një mburojë e fortë për poezinë dhe poetin nga strukturat policore të kohës, të cilat më së shumti mendonin se kishin të bënin me një “poezi hermetike”, moderniste që folka për Zeusër, Kartagjenat, lisat etj gjëra larg politikës aktuale.

2)-Gjithashtu, ndihmesë të madhe ka patur edhe fakti se poetët më në zë kosovarë, të cilët kishin “fituar” një farë statusi public, ishin gjithmonë në mbrojtje të poetëve më të rinj, që në vrullin e moshës guxonin të qëllonin me vargje Zeusin dhe Olimpin.

Kështu i ndodhi poetit Sabit Rrustemi psh me poezinë “KARTAGJENA” ( nga vëllimi poetic BESOJ NË NJË DIELL, 1992 ), të cilën miku i tij, poeti Faruk Tasholli e botoi me pseudonim[2]..ose për poezitë “MPLAKJA E ZEUSIT” që ishte paraparë të botohej te “JETA E RE”, si pjesë e një konkursi anonim letrar ( 1980 ) dhe ishte renditur e faqosur, por u hoq nga botimi menjëherë për shkak se Sabit Rrustemi u arrestua ( 8 maj 1981 ) dhe kjo poezi mund t’i shkaktonte telashe penale, jo vetëm autorit të saj po edhe stafit drejtues të vetë revistës.

Me këtë qëllim janë hequr edhe dhjetë poezi të tija ( pjesë e vëllimit të parë poetik, KU I LA LISAT ERA, e përgatitur për botim, shkurt 1981) të cilat ishin përzgjedhur për ANTOLOGJINË E POEZISË SË RE NË KOSOVË, "LULET NË BALLKON" nga dr. IBRAHIM RUGOVA dhe që ishin renditur per botim, por për shkak se mund të përdoreshin si shkas për ndalimin e librit ( siç ndodhi më pas, shkaku I përfshirjes së poezive të Mustafë Xhemajlit) po edhe s provë gjyqësore në atë kohë të porsa arestimit kundër Sabit Rrustemit.

Në këtë drejtim, shumë poetë dhe shkrimtarë shqiptarë të cilëve u ka munguar “solidarizimi” real me sivëllezërit e tyre të goditur nga diktatura qëndrojnë kokëulur e të heshtur përpara poetëve e shkrimtarëve kosovarë.

Ruajtja e identitetit kombëtar përmes artit letrar