Natyra është nëna e gjithçkaje mbi këtë tokë. Krijon dhe sjell jetën, ndjenjën dhe dashurinë njerëzore. Edhe Zanën, vajzën e bukur para syve të njerëzve, natyra e kishte mbushur me hijeshi e stolisur për dashuri.
Ajo kishte një zemër të re, e cila çdo ditë rritej e i godiste me forcë kraharorin. Dashurisë së saj po i hapej porta dhe të shfaqej; dashuria po i kthehej në tempull të ngritur me shpirt të gatuar me ëmbëlsi, me shpresë, me dëshira e ëndërrime.
Ishte akoma fëmijë; ishte më shumë se trembëdhjetë vjeç dhe ishte në moshën më delicate; dukej më e bukur, me tipare të hijshme, e shkathët, e hedhur dhe i ngjante një të miture të rritur. E edukuar për moshën e saj, kishte mësuar për moralin, për sjelljen me njerëzit, për jetën, për shkollën e diturinë, letërsinë e artin, për muzikën, pikturën dhe kaq; nga bota akoma s’dinte asgjë, përveç guackës shtëpi-shkollë dhe anasjelltas. Të duken në pamjen e jashtme këto gjëra të hijshme dhe të pranueshme për të gjithë, por edhe shqetësuese e të rrezikshme. Në brendësi të shpirtit të saj ka shumë të panjohura dhe errësirë; me kalimin e kohës në shpirtin e saj bëhen shpërthime të befasishme e tepër aktive. Ai shpirt duhet gatuar me kujdes, me reflekset e ditës, të kohës e realitetit ku jeton, sesa me anën e ashpër. Lëvizje të kujdesshme, të dobishme, ndoshta hijerëndë, me lezet, që pak e nga pak i largon frikën e miturisë dhe rrugën e gabuar. Zgjim me ndjesi të instiktit të nënës, si intuitë e admirueshme, për nostalgjinë e virgjëreshës dhe eksperiencën e gruas së ardhshme. S’ka gjë tjetër që mund ta sjellë e ruajë këtë instikt, përveç një nëne të vetme, që e ka sjellë në këtë jetë, për të brumosur shpirtin e një vajze të re si Zana.
Asaj i kishte munguar nëna deri në këtë moshë, pasi i kishte vdekur kur ajo ishte gjashtë muajshe. Atë e rriti gjyshja nga nëna, që tregoi ndaj saj të gjitha dashuritë, dhembshuritë e përkujdesjet e një nëne të vërtetë, por ajo tani ishte vetëm një grua plakë, ndonëse e moshuar përsëri punën për edukimin e Zanës nuk e kishte ndërprerë. Detyrën e rëndë, që ka çdo nënë për fëmijën e saj, e vazhdonte dhe e kryente për ta përgatitur Zanën për jetën, për padijen dhe për një grua të denjë.
Zana vazhdonte shkollën në gjimnazin “Ismail Qemalin”, Tiranë, pra ajo bënte një jetë kolektive në mes shoqeve e shokëve. Jeta e saj rinore sillte shumë ëndërra, pasione e të panjohura, shikonte çdo ditë shfaqje të çapkënllëkut në shoqëri, të qeshura, ngacmime, propozime etj. Shoqëria me hovet e saj krijon marrëdhënie të lar
mishme dhe, dashje pa dashje, do të futesh në vorbullën e saj dhe të panjohurës që ajo ka. Mbyllja në vetmi të krijon tulatje, depresion e gjendje shpirtërore jo të mirë, zemra vuan e gërryhet, ngaqë nuk mund të hapet e të qeshë e lirë.
Shoqëria është çelësi që të hap botën tënde, por është pikërisht ajo që të shtyp dhe triumfon mbi zemrën e njeriut.
Ajo, për cilindo, duhet të vazhdojë gjithë kohës, gjithë jetën.
S.Athanasi:
Lexoj me shumë kënaqësi këtë prozë-poetike mbi . . .Zanën, apo Zanat e çdo adoleshenteje. Veshja e mantelit të prindit nuk është se e fsheh, por e ndriçon më shumë këndin e mësim-dhënësit. Urime autorit. Për të tlla Ese, ka nevojë rinia dhe jo vetëm./ S.Athanasi/ Athinë.