top of page

Zëri i Paraardhësve





Unë shoh Lisin e fuqishëm në një vegim. E pikturoj në një ëndërr. E pastaj meditoj. Meditoj. Nuk jam i sigurt se cili është ky Lis i fuqishëm në atë shteg. Shikoj atë shteg të mbushur me lotë. Ndjehem i trishtuar, sepse e di që nuk i përkas atij. Fushat e mëdha janë të heshtura. Dikur ata gumëzhinin. Ndërsa dordolecët ngriheshin të mbanin të sigurtë farën që mbillej, e macet të largonin e trembnin minjtë dhe brejtësit. Shoh malet e larta, tani të vraga nga shenjat e lakmisë së njeriut. E ashtu duke medituar ulem në një kodër dhe dëgjoj erën. Në frymë të erës dëgjoj këngë të lashta që tani ekzistojnë vetëm në kujtime. Shqiponja e madhe ulërin në qiell, dhe ne jemi tani pak dhe e kaluara jonë po harrohet. Dua të kujtoj urtësinë e atyre që erdhën përpara meje, por zërat e të parëve të mi heshtin sa herë që nuk tregohen historitë e vjetra. E shoh se po shuhemi si bari nën hijen e një shkëmbi gjigand. Sa e trishtueshme të rrish dhe të shikosh një popull dhe një mënyrë jetese të vdesë. Por macja nuk ka interes. Ngre këmbën e saj e lëpin me gjuhë, lutet që ti dalë fjala e gjyshes sime të mbarë: „Shi ka për të rënë, ke për ta parë!“

Dhe për këtë ndjej arsyen e një muze. Gjetja e një muze…të shpie e të shpie tutje e më tutje. Duke kërkuar për frymëzim, duke e lënë mendjen të endet dhe syri të kapë diçka për frymëzim. Në një botë plot me rrëmujë, frymëzimi nuk është gjithmonë i lehtë. Disa mendojnë se bukuria nxjerr fjalët, por edhe shëmtia mund të krijojë frymëzim. Thjeshtësia nuk është gjithmonë forma më e mirë, ndonjëherë kërkohet kompleksiteti. Gjetja e shtresave dhe e cipave që kanë mbuluar rrugëtimin tonë shekullor dhe pastaj për t'ua hequr myshkun, derisa të arrijmë të vërtetën e asaj që kërkojmë, mund të jetë rraskapitëse, por ndonjëherë ia vlen përpjekja. A është një mace në një gardh, vetëm një mace në një gardh?

E ndërsa përgjigjja shkon përtej maces dhe gardhit, në një pikë që tenton të harrohet fare, një mace shfaqet në dritare. Unë kaloj dhe shkëmbejmë vetëm shikimin. Ajo qëndron dhe shikon ndërsa bota para syve të saj parakalon. Ndaloj dhe shikoj vëzhguesin e rastësishëm, i cili nuk më gjykon aspak. Ajo shtrin putrat e saj përpara dhe mbyll sytë në paq. Shtriqet, përfjetet në rrezet e ngrohta të dritës së parë të ditës. Ndihem disi i nënçmuar, por më pas ziliqar, sepse ndërsa po ec me vrap në këtë botë, macja në pragun e dritares rri në heshtje, pa i interesuar se çfarë mendon bota, ndërsa shikon se si rrjedh në sytë e saj vetë koha.

Mbetem i mbytur në fjalë. Emocionet rrotullohen brenda meje, si xhevahire të errëta që rrotullohen dhe shkëlqejnë me një dritë të zezë në sytë blu të maces. Trazimi i shpirtit tim është një kujtesë e vazhdueshme e pavendosmërisë që ndjej në indiferencën e kësaj kafshe të zbutur mijëra vjet më parë për t'u bërë shtëpiake. Rreth e rrotull gropa e stomakut rrotullohet, përpiqem ta nxjerr, por nuk mund të flas e as të shkruaj atë që ndjej. Ndihem sikur nuk mund të marr frymë, ndërsa përpiqem të shprehem. Gjithçka që kam është një det letrash të bllokuara në thesaret e natyrës sime krijuese. E ndjej macen të mjaullij. Thonjtë e saj gërvishin në qelq. Shkruajnë diçka. E kjo e pakuptueshme për dreq. Gjuha e maceve sikurse zhgarravinat e tyre kanë dështuar. Përsëri flas me vete, dhe ashtu sikurse macja dhe vetvetja, duket sikur nuk mund të flas në mënyrë koherente. Është mbytur në fjalë. Ndjehem rëndë e më rëndë dhe nuk dihet se sa do të mund të qëndroj në këmbë.

E vë mendjen në lëvizje. Flas me veten, por askush nuk më dëgjon. Bërtas, por askush nuk i kushton vëmendje. Kështu që ndaloj së foluri dhe filloj të bëj me duar e këmbë. Macja ngrihet dhe më duket se më kupton. E lexoj në sytë e saj. E ndjej se bota fillon të shurllohet. Kur bërtisja, askush nuk më dëgjonte, por tani që jam i heshtur dhe po bëj diçka me këmbë e duar për të sqaruar, shenjat e mia duket se flasin më shumë se kurrë. Macja tashmë lëviz nuk rri. Lëviz sytë dhe ngre e drejton veshët e saj pisk sa në Lindje, në Perëndim, sa në Jug e në Veri. Dhe unë ndjej… ndjej, mos është Zëri i Paraardhësve të mi?!

26 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page