top of page

Vullnet Mato: TË BËSH E TË MOS BËSH



 

Të biesh në dashuri, është urdhër suprem në jetë,

për një kohë të shkurtër, apo relativisht të gjatë,

të shijosh në çarçafët djersitur, lumturi të vërtetë,

këtë e bëjnë në botë, të gjithë burrat me gratë...

 

Të dëshirosh një grua, deri në afrimin e saj fizik,

me shpirtin sakrifikues e trupin e mëndafshtë,

Të duash një burrë, me muskujt e fortë elastik,

këtë e bëjnë të gjitha gjinitë, që lidhen bashkë...

 

Por të pengosh dashnorët, t’i përgojosh me emra,

është t’u zësh diellin me oksigjenin e frymëmarrjes,

të shpifësh e të ngresh gracka intrige për dy zemra,

është poshtërsi e ulët, që pason rrënimin e ndarjes.

 

Të tradhtosh dashurinë, është pabesia më e hidhur,

për krijuesit, që të besuan e dhuruan të vetin bekim;

ke plagosur sinqeritetin, me të cilin të kanë lindur,

duke lënë partnerin, me plagë të fshehtë në përjetim.

 

Të vrasësh dashurinë, ke bërë krimin më monstruoz,

duke këputur zinxhirin e disa brezave të pavdekësisë,

ke ndërprerë, vazhdimësinë jetike të genit njerëzor,

të përcaktuar nga zanafilla, për arritjen e përjetësisë.

 

Të vdesësh bashkë me dashurinë, në përfundim të jetës,

është të kesh rilindur shumë herë, përgjatë vijimësisë,

nëpër disa shekuj ardhmërie, ku i ke zgjatur fillin vetes,

me trashëgim ngjashmërie, të nisur drejt pafundësisë...

2 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page