Vuajtësi i Drejtë


Astrit Lulushi ‘Lart’ e ‘Poshtë’ tregojnë se të ngjitesh është mirë a gëzim; të zbresësh është keq ose vuajtje. Majat e maleve shënojnë kufijtë e tokës me qiellin, dhe ultësirat, kufijtë e tokës me nëntokën. Historia e njerëzimit është rrugë humbjesh e suksesesh, me të qara e të qeshura, që kalon nëpër vargmale. Sa herë që një gjë arrin kulmin, njeriu çlirohet dhe vazhdon udhën, poshtë dhe përsëri ngjitje. Nga një ankth i tillë lindi një ide e re. Njerëzit dolën me një koncept të tmerrshëm: mëkatin - shumë i ndryshëm nga mëkati i sotëm - nuk ishte koncept moral, pasi nuk merrej me sjelljen e një personi, por bëhej fjalë për ndonjë gabim që mund të kishe bërë gjatë një rituali, që e bënte Zotin të ndjehej i çnderuar dhe ky të ndëshkonte përmes forcës të tij - një lloj policie e shtetit. Njeriu as nuk mund t’a kuptonte që kishte gabuar, por ishte frika se mund të kishte gabuar që krijonte ankthin; se nëse goditesh nga fatkeqësia, kjo ndodh sepse kishe kryer shkelje kundër një Perëndie; nëse shtëpia përfshihej nga stuhia a shembej nga tërmeti, ishte faji yt. Dënimi ishte provë e fajit. Nëse dikush goditej nga fati i keq, shpresa e vetme ishte që me nështrim a servilizëm të fitonte mbrojtjen e zyrtarit që ky të ndërhynte pranë Perëndisë a kryetarit. Ishte si të japësh ryshfet për të thirrur policinë të hetojë krimet e tua. Poezia “Vuajtësi i Drejtë”, është shkruar rreth vitit 1500 pes, në Mesopotami nga Shubshi-meshre-Shakkan. Autori vuan, por ai nuk e di pse. Ai ka qenë besnik në të gjitha detyrat e tij ndaj perëndive, dhe spekulon se mbase ajo që është e mirë për njeriun është e keqe për perënditë dhe anasjelltas. Poema është gjetur e shkruar në katër pllaka guri dhe botuar për herë të parë më 1960. Emrat alternative për poezinë përfshijnë: Righteous Sufferer ose the Babylonian Job. Vuajtësi i Drejtë (shqipërim) Unë, që ecja krenar, Aq madhështor, por Më mësuan të rrëshqas, Për t’u bërë servil. Vëllai im armiku im u bë Miku im u kthye në demon malinj, Më mallkoi haptas Në mbledhjen e ‘Frontit’ Edhe njeriu im. Skllevër të ndodhur Para lakmisë më shpifnin Vetëm varri priste ndokënd Të fliste mirë për mua, Ndërsa ai që thoshte shpifje Spiunonte ndaj meje. Dhe caktuan një tjetër Detyrat e mia përsipër t’i merrte Dhe një të huaj për të drejtat e mia. Burimet e jetesës m’i bllokuan, Ata këndonin këngën e korrjes Nga fushat e mia.



8 views

Shkrimet e fundit