VLORA DIKUR, QENDËR E HEBRAIZMIT NË MESDHE



Nga Luan Çipi

Prezenca e pare e hebrenjve në qytetin e Vlorës, sipas gojëdhënave, është 2000 vite më parë dhe ka lidhje me një anije që shkonte në Romë me skllevër hebrenj në bord, që ishin kapur rob, pas pushtimit gjakatar romak të Palestinës. Anija, rastësisht do të përfshihej nga stuhia dhe detyrohet e zbarkon në brigjet e Ilirisë, pranë Vlorës. Ilirët vendas, që ishin në luftë me romakët, i patën ndihmuar skllevërit e arratisur nga anija dhe i kishin strehuan në qytetin e tyre mikpritës.

Pas kësaj ngjarjeje, vërehet në vazhdimësi, prania, mandej dhe dyndja e hebrenjve në brigjet shqiptare. Përmenden në histori hebrenjtë, që shisnin kripën arbërore nga Vlora në Dubrovnik (Republikën e Raguzës) gjatë shekullit XIV. Po kështu mësojmë dhe nga dokumente venedikase të të njëjtës periudhë, për tregtinë me hebrenjtë nga Aulona e Arbërisë, deri në kohët e vona. Kujtohet, murgu benediktin italian, Bartolomeo di Capua, që kishte rol të rëndësishëm në rajonin e Puljas në Itali, kur do të denonconte publikisht hebrenjtë si fajtorë për disa krime. Ai pati vendosur t’i konvertonte hebrenjtë në të krishterë me dhunë, e si pasojë shumë hebrenj do të arratiseshin, duke gjetur strehë në Vlorën mikpritëse, që gjendej përballë, në anën tjetër të ngushticës së Otrantos.

Dëbimi i Hebrenjve nga Spanja në vitin 1492, si dhe eksodi i hebrenjve të Portugalisë që do të fillonte në vitin 1497, do ti shtynte dhe ata, nga Kastilja e Katalonja, ndërsa ca më vonë, edhe nga Portugalia, drejt Vlorës.

Të tjera rrethana anësore, do të shkaktonin shtimin e numrit të hebrenjve që arratiseshin drejt Vlorës. Në Ankona të Italisë  ndodhi një ngjarje tragjike, me djegien e 24 hebrenjve të konvertuar në të krishterë (converso), ardhur nga Portugalia, të cilët i qenë kthyer judaizmit. Ky akt u bë shkak i ndërhyrjes së flotës osmane në vitin 1555 për të parandaluar ekzekutimin e të tjerëve “converso” të dënuar me vdekje, e derisa Duka Guido i Urbinos, do të urdhëronte dëbimin e të gjithë “converso-ve” nga Ankona drejt Vlorës, ku mirëpriteshin nga bashkatdhetarët e tyre, nga vendasit tolerantë e paqësor, po dhe nga përkrahja e qeveritarëve turq.

Një anije me 70 “converso” të tillë do të largohej nga Pezaro për në Vlorë  dhe

në prill të vitit 1557, një tjetër anije do të arrinte në Vlorë dhe shumica e hebrenjve do të zbarkonin e do qëndronin aty.

Nga dokumentet turke të gjetura nga Nikolai Todorov në Sofie, por që hasen edhe në librat shqiptare të historisë, në vitin 1520, Vlora kishte 945 familje, nga të cilat 528 syresh qenë hebrenj, domethënë, rreth 3600 hebrenj në një popullsi totale prej afërsisht 5000 banorësh, që do të thotë se 72% e popullatës ishin hebrenj.

Duke pasur Vlora një port të mrekullueshëm natyror, hebrenjtë Romaniotë, me lidhjet e tyre në Greqi, veçanërisht në Korfuz; Sefarditët spanjollë, me të afërmit e tyre në zonën e Maqedonisë e Bullgarisë; hebrenjtë Puljezë, me lidhjet e tyre në Itali, si dhe hebrenjtë nga Portugalia me dhuntitë e tyre të shquara në tregtinë ndërkombëtare, me depozitat dhe veprimtarinë bankare, si dhe dërgesat e mallrave me anije, do ta shndërronin Vlorën në një qendër të madhe të tregtisë në Mesdhe.

Tregtarët hebrenj importonin mallra nga Ballkani, si lëkurë, tapete e mëndafsh, dhe i rieksportonin ato. Nga Italia ata importonin stoli argjendi dhe ari, qelqurina, si dhe të tjera prodhime nga Evropa Perëndimore, që gjithashtu i rieksportonin.

Hebrenjtë e Ballkanit prodhonin vaj ulliri, verë, mjaltë, si dhe produkte të tjera agro-industriale dhe i eksportonin në sasi të konsiderueshme.

Tregtia e kripës, element tejet i rëndësishëm për ushqim në njerëz e kafshë, bëhej përmes vijës tregtare Korfuz – Vlorë – Dubrovnik.

Hebrenjtë portugezë do të themelonin një vijë tregtare të specializuar për erëzat, në drejtimin Stamboll – Selanik – Vlorë – Dubrovnik – Venedik, ndërsa në rrugë tokësore përgjithësisht tregtonin nga Sofja për në Austri, Poloni, gjer në Rusi.

Në studimet e tij, Bernard Blumenkranz (nga Sorbona), do të arrinte në përfundimin se kish pasur thuajse një ekskluzivitet të hebrenjve në vijën ndërmjet Vlorës e Korfuzit, si dhe në vijën ndërmjet Vlorës e Raguzës.

Me rëndësi të veçantë, gjithashtu, ishte edhe fakti se hebrenjtë e Vlorës, gëzonin monopolin e plotë të tregtisë së lëkurëve të përpunuara dhe të katranit që nxirrej nga pisha. Ai vë në dukje, gjithashtu, se e gjithë tregtia për import-eksport në portin e Vlorës kontrollohej nga hebrenjtë.

Është koha kur tregtia  me jashtë do të dëmtohej shumë nga piratët e banditët e ndryshëm. Të dhënat tregojnë se thuajse gjysma e dërgesave me anije nga Vlora në Stamboll, në përmasa të mëdha, dërgesat nga Vlora në Dubrovnik, do të humbeshin si pasojë e piratëve, mbytjes së anijeve, si dhe të zjarrit.

Ishin këtë arsyet që i shtynë hebrenjtë vlonjatë të themelonin disa kompani sigurimesh (kompanitë e para të sigurimeve në historinë e Shqipërisë) për ta lehtësuar e konsoliduar import-eksportin vlonjat.

Vlora ishte shndërruar kështu në magnet të mirëfilltë tregtare primare, ku hebrenjtë zotëronin dyqane dhe importonin mallra fort luksoze e të preferuara, nëse kemi parasysh nivelin ekonomik të krejt Ballkanit në periudhën midis shekujve XVI e XVIII. Sekreti në këtë pikë është se pronarët hebrenj të dyqaneve në Vlorë u bënë partnerë me pronarë të tjerë hebrenj dyqanesh, anembanë Ballkanit, duke shkëmbyer mallrat e ndarë bashkë fitimet.

Nëse qëmtojmë emrat e familjeve kryesore tregtare hebreje, do të hasim në Vlorën mesjetare, përfaqësues nga të gjithë llojet e hebrenjve: Catinella, Graziano, nga Italia; Benvenisti, Cabillo, nga Spanja apo Portugali; Mazza, nga Korfuzi; Arah, hebrenj Romaniotë; Trink, hebrenj me origjinë   gjermane, etj.

Tregtia përmes konsujve ishte një tjetër sistem i përdorur nga tregtarët në mesjetë, që i ndihmonte ata në tregtinë e tyre nga një qytet në tjetrin. Konsujt rrinin nëpër porte që gjendeshin në shtigjet tregtare mes Perandorisë Osmane dhe fqinjëve të saj. Tregtarët i dërgonin mallrat te këta konsuj me udhëzime të hollësishme, lidhur me destinacionin e tyre. Jo rastësisht, studiuesit kanë zbuluar se autoritetet e Raguzës përgjithësisht caktonin hebrenjë si konsuj të tyre në Vlorë.

Isak Trink ishte Konsulli i parë i Raguzës në Vlorë në vitin 1541, i pasuar nga nipi i tij Angelo Samuel. Ai do të pasohej nga Yaako Kodutto, pjesëtar i një familje hebreje nga Ankona, që do ta mbante këtë post për njëzet vite. Pas tij do të vinin Daniel Kodutto, Zakaria  Graciano, Josip Maestro, e sërish nga familja Kodutto (në vitin 1637, Angelo Kodutto).