top of page

Vlerat e kohës në vargun poetik



Fatmir Terziu


Sherif Bllaca e ka shtuar aritmetikën e botimeve të tij. Me peshën intelektuale të viteve ai tashmë ka katër libra nën siglën e tij. Por ai mbetet modest. Mbetet Njeri. Dua të them që në fillim se modestia dhe sinqeriteti i njeriut shihet qartë në thënien e hapur të Sherif Bllacës. “Unë nuk jam as poet, as shkrimtar, por një dashamirës që dua me vargje të shprehë dhimbjen, dashurinë dhe mallin nga këto pozicione ku jam”, - shprehet ai. Kështu është shumë lehtë të udhëtosh në këtë modesti mes vargjeve të tij, që sjedhin po atë sinqeritet dhe domethënie në gjuhën shqipe të ruajtur pastër në sepetat e shtrenjta të traditës dhe kulturës së familjes së tij Pejane. Duke lexuar e njohur mirë këtë traditë dhe përkushtim të hershëm të Bllacajve, natyrshëm lehtësohesh dyfish. Njëherazi prej karakterit të Sherif Bllacës dhe për së dyti nga krenaria që shijon në këtë oxhak të pasur qytetar, kulturor dhe patriotik shqiptar. Kjo gjendet edhe në strofat e tentuara poetike të Sherifit, shihet edhe në mesazhin e vëmendshëm e domethënës shpirtëror të njeriut që gjendet i gatshëm në mes ndjenjës, lotit, pikës së djersës dhe rrudhjes mendore për të përcjedhur dashamirësinë e ndjenjën njerëzore tek tjetri, tek brezat. Kjo lloj krijimtarie synon një marëveshje të heshtur dhe shtjellon deri në detaj forcën e karakterit të njeriut në imigrim që pushtohet nga mijëra probleme të jetës që e rrethon. E këtu është pikërisht ky varg që vjen në ndihmë ashtu duke sfidur tërësinë rrethuese.

Në mjaft poezi të Sherif Bllacës, zë vend e tashmja dhe shqetësimi i saj, e shkuara lakohet dhe latohet në stilin popullor dhe e ardhmja është një sfidë në mesazhin e tij të dobishëm. Poezitë e tij “Ajo është bujare”, “Në pranverë”, “Dielli dashuron”, etj kanë një lidhje tepër të ndjeshme me këtë harmoni kohore dhe me stilin e traditën popullore të vargut. Sherif Bllaca ka një arsye të qartë që e gjen forcën e mesazhit tek vetja, tek personalja dhe jetikja. Ai është një ndërlidhje historike që kapërcen emocione dhe dhimbje, një dëshmitar i shumë rrjedhave politike dhe Kombëtare dhe për të flamuri, Skënderbeu, Kombi, Peja dhe tërë Kombi janë simbole zemrash, jo thjesht zgjedhje simbolike për të shprehur dashurinë, dhimbjen dhe ndërtuar mesazhin e tij.

Në leximin kronologjik të vargut të Bllacës shihet një grumbullim vitesh, një magazinim idesh dhe njohurish që shpërthejnë në kohë, vend dhe hapësirë të gjetur. Ai di të fiksojë të mirën, të dënojë regresiven dhe të urdhërojë një ndjenjë për progresiven. Në këtë hapësirë vargu i tij kapërcen disa barriera, që shpesh duken në trajtëformim, gjuhë, strukturë e ligjësinë poetike. Edhe pse ndodh dhe shihet qartë se deridiku është një modesti krijuese jashtë ligjësive, vlerat e krijimtarisë së Bllacës, janë në nivel, pasi ai krijon për të vlerësuar ndjenjën dhe jo për të krijuar të veçantën. Bllaca sjell në mesin e lexuesit atë që ndjen dhe atë që mendon, ndaj edhe pse diku shfaqen mangësi ai ka vlera mesazhi, vlera që duhen parë e vlerësuar mirë.

Unë nuk do të nxitohesha të lartësoja krijimtarinë e Bllacës, por as t’a nënvlerësoja atë. E thënë troç, në këtë sfidë autori ka fytyrën e vet, ka fjalën e thjeshtë, ka një hapësirë që mund të lexohet nën pushtetin e vargut të lirë, nënn ndjenjën e fjalës shqipe të shprehur nga zemra dhe autorësia e lotit dhe dhimbjes në imigrim.

Krahas kësaj poezitë “Nënës”, “Ibrahim Ruugovës” apo mjaft figurave të tjera historike dhe patriotike dhe po aq ato familiare kanë një stil tipik që flet shumë, dhe me pak punë kapin nivele të lexueshme.

Kështu poezia e Sherif Bllacës të bën të ndjehesh mirë, të bën të ndjesh frutin e një njeriu që përkushtohet dhe shkruan pa bujë. Ai natyrshëm e ka një arsye. Dhe ajo mbetet tek Njeriu!

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page