Vlera e rallë estetike e diskursit poetik të Enkeleda Ristanit
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Jan 30, 2023
- 5 min read
Updated: Jan 31, 2023

Vlera e rallë estetike e diskursit të poezisë së Enkeleda Ristanit
Fatmir Terziu
“Për tu çmendur duhet të jesh i bukur“ është një nga poezitë e poetes shqiptare Enkeleda Ristani, në vëllimin e saj poetik „...nesër është e vona ime“ (Ristani, 2014: 11). Ky vëllim, pra „...nesër është e vona ime“ ka tre emra që e shoqërojnë atë, dhe të tre, janë emra të mirrënjohur të letrave shqipe, Aqif Hysa, Rexhep Shahu dhe Izet Duraku. Ndërsa dy të fundit janë recenzentë të vëllimit poetik, redaktor dhe botues i saj është Aqif Hysa dhe „Adonis a.h.“. i shtova këta emra dhe këto detaje, pasi nuk mund të lija formën estetike të qasjes së këtij vëllimi poetik, aq më shumë skicimet në brendësi dhe kopertinën fine që e shoqëron atë. Përgatitja grafike nga art-grafik-studio Adonis a.h. dhe korrektimi letrar nga Alda Hysa natyrisht nuk mud të liheshin mënjanë në këtë 'çmenduri' bukurie që vërtet është ngjizur me tërësinë e plotë diskursive dhe estetike të ikjes nga personaliteti në rastik poetik.
„...nesër është e vona ime“ është vërtet një vëllim poetik, që nuk e di pse ka mbetur kaq mënjanë syve të kritikës, pse ka mbetur një memecëri për të gjitha ato poezi, që janë jo thjesht të tilla, por melodi, muzikalitet, ëmbëlsirë leximi, filozofi, një kërshri poetike e personalitetit të plotë në tërsinë e tij më të mirë. „...nesër është e vona ime“ ndoshta do të shkonte përshtat për këtë mosvëmendje, por jo si një titull që sot është dita e bukur e më e bukura e një leximi të poezive të mrekullueshme të kësaj poeteje, që do të thoja kërkon jo thjesht vëmendje, se është besimi i plotë i ikjes nga personaliteti, një linjë më tej që të shpie midis besimit të Eliotit, se poezia "nuk është shprehje e personalitetit, por një ikje nga personaliteti", aty ku postmodernistët jo më kot ndoshta propozojnë të kundërtën. Atë të kundërt që vetë poetja e detajon pasi kërkon që „dashuria duhet të më shkruaj mua“(faqe 3), pra poetes që thotë se „nuk e gjej dot tani/atë momentin fatal/që ma shkërmoqi përkufizimin e dashurisë“. Ndërsa dashuria duhet ti shkruajë poetes „gërmë mbas gërmë/trandjen e shpirtit“ vetë ana diskursive të shpie tek thelbi, aty ku rrëfehet mes vargjeve estetike vetë estetika e dashurisë. Ajo nuk thjesht një lojë romantike, lojë fjalësh, por një anë postmoderne e kapjes së thelbit, komunikimit estetik, rrëfimit dhe mirëkuptimit filozofik.
Poezia e tillë është një poezi e dashurisë progresive, dhe si e tillë mbetet një poezi universale. Qëllimi i vargut të saj nuk është thjesht të ribashkojë të gjitha llojet e veçanta të figuracionit dhe të vendosë poezinë në kontakt me filozofinë dhe retorikën, por të krijojë komunikimin e fortë dhe postmodern poetik edhe në aspektin lirik. Përpiqet dhe arrin të shkrijë poezinë me lirikën, frymëzimin dhe kritikën në vetvete të estetikës, poezinë e artit dhe poezinë e natyrës, dhe ta bëjë poezinë të gjallë dhe të shoqërueshme, dhe jetën dhe shoqërinë të komunikojë me një të vërtetë poetike, në rastin kur vendos „poetët për në front të parë“ (faqe 8), në realitet poetizon zgjuarsinë dhe mbush format e artit me çdo lloj lënde të mirë, të fortë për mësim ku edhe i gjallëron ato me pulsimet e humorit e alegorisë „thonë se poetët sirianë janë fajtorë/për luftën në Siri/thonë se egjiptianët e lashtë/i fshinë poezitë nga pllakat (po aty).
Poetja tek „e pamundur të jesh grua“ (faqe 10) përfshin gjithçka që është thjesht poetike, që nga sistemet më të mëdha të artit, që përmbajnë brenda vetes sisteme të mëtejshme, deri te psherëtima, puthja që frymon fëmija poetik në këngën pa art, tek 'duke masakruar Darvinin me gjithsej/në këtë vend mëkati është Zoti/ta vendosë në ferrin me emrin AlbEden“. Ajo mund të humbasë veten në atë që përshkruan, saqë dikush mund të besojë se ekziston vetëm për individët poetikë që karakterizojnë të gjitha llojet, e megjithatë ende nuk ka një formë kaq të përshtatshme për të shprehur gjithë shpirtin e një autori: kështu që shumë artistë që filluan të shkruanin vetëm një vëllim, përfunduan duke na ofruar një portret të tyre, ashtu sikurse 'një spermatozoid i shkathët/kapi rastësisht një vezë të gatshme me një frymë“ (faqe 12).
Kështu referuar vargut të Ristanit vetëm ajo mund të bëhet, si eposi, një pasqyrë e gjithë botës rrethanore, një imazh i epokës. Dhe atje gjithashtu, më shumë se çdo formë tjetër, ne të gjithë, mund të qëndrojmë pezull në mes të portretit dhe portretizimit, pa çdo interes personal, real dhe ideal, në krahët e reflektimit poetik dhe mund ta ngrejmë atë reflektim përsëri dhe përsëri në një fuqi më të lartë, mund ta shumëfishojmë atë në një varg të pafund pasqyrash, se për poeten kjo është „botë e hidhur“: „mbi pluhurat e shafranit u pikturuan mallkime shkop gungaç/urithët nxorën turirin në pjacë/kish vdekur drita/kurse zoti s'di ku ka kokën“ (faqe 15).
Poezia „dilema me dyer të mbyllura“ ka mjaft estetikë, filozofi, mjaft rëndësi në komunikim dhe mirëkuptim estetik rëndësi. Në brendësi të saj dashuria është një ikje nga „Amorous Estetics“ (Estetika dashurore) që përpiqet ta rivendosë atë si kuptimplotë për gjendjen postmoderne duke rimenduar konceptin logjik të dashurisë. Poezia „edhe kërmijtë kanë qiell“ ka shumë për të na mësuar për dashurinë dhe natyrën ekologjike. Dashuria aty ripohon çështjet e komunitetit, socialitetit dhe ndërlidhjes në mënyra që mund të hedhin dritë të re mbi dinamikën dhe ekologjinë e marrëdhënieve njerëzore pasi „po të mos qe për çmendinën mund ta lejoja të më thyej guacka/por jashtë bën ftohtë çmendine/në guackë fryn e rë lirie“ (Sa kuptimplote!“) (faqe 21).
Vlera e rallë estetike e diskursit të poezisë së Enkeleda Ristanit duket në mjaft poezi të tjera si „dita shkon që kur vjen“ (faqe 90); „udhë milingoresh“ (faqe 133); „copëra jete me shkrim“ (faqe 150) apo dhe nëmjaft të tjera pa tituj, si një preferencë tjetër estetik e komunikimit poetik të poetes Ristani me lexuesin e saj. Mes kësaj estetike diskursive poetike gjithnjë ka dashuri, dashuri tiplologjike të Enkeleda Ristanit. Dashuria enkelediane përfaqëson një përbërje të re të ndjenjave të përjetshme, ose universale, një konceptim të ri të dashurisë për një botë gjithnjë e më moderne. Së bashku me natyrën dhe imagjinatën, dashuria është një forcë lëvizëse në poezinë e Ristanit, ku vetëm ajo mund të lidhë jo vetëm mendjen e njeriut me natyrën, por edhe individët me njëri-tjetrin dhe me komunitetet patriarkale, apo e kundërta.
Në fakt në leximin e parë të poezive të këtij vëllimi duket se dashuria nuk është në skalionin e parë, por në leximin e thellë dhe estetik të diskursit të tyre, ndjejmë se dashuria estetiko-poetike është një hap përpara të gjitha dashurive në vëllimin „...nesër është e vona ime“, që në fakt vetë kjo poezi është poezia që duhet, poezia që konkurron.
Comentários