VIZITA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEU NË ITALI...


VIZITA E GJERGJ KASTRIOTIT SKENDERBEU NË ITALI

DHJETOR 1466 – SHKURT 1467

Lutfi ALIA


Trashëgimia historike gjashtë shekullore e jetës dhe e veprës legjendare të Gjergj Kastriotit Skenderbeut, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1444 Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë dhe krye-komandant i ushtrisë shqiptare, strategu ushtarak dhe diplomati i shquar, ka arrijt në ditët tona me tërë kompleksin e aktiviteteve dhe veprave heroike, që gjithnjë e më shumë e pasurojnë figurën legjendare të kryetrimit tonë. Rezistenca heroike e popullit shqiptar kundër sulmeve të egra të ushtrive barbare të Perandorisë Osmane, kujtohet dhe nderohet nga shqiptarët dhe nga popujt europianë, që gjithmonë e kanë vlerësuar dhe nderuar kontributin e Skenderbeut në mbrotjen e qytetërimit europian nga hordhitë osmane.

Në nderim të kontributit të Gjergj Kastriotit, popujt europiane i kanë dedikuar vepra të shumta letrare dhe artistike, medaljone, portrete, afreske, bazorilieve në portat e banesave dhe të keshtjellave në Pulja, në katedralen e Shen Jakut në Shebenik - Kroaci, në Dresden në Poloni, në Francë etj, ashtu si dhe monumente madhështore, si monumentet e Gjergj Kastriotit në Romë dhe një tjeter shumë më i hershëm por pak i njohur, qe ngrihet në fortesën Longobarde në kështjellën Kastelleone në Deruta të Provincës së Peruxhia. [10, 11]

Gjergj Kastrioti si shtetar dhe diplomat i shquar, kishte ndërtuar raporte miqësie dhe bashkpunimi me Vatikanin, mbreterinë e Napolit, Venedikun me dukatet e Milanos dhe te Urbinos, me Republikën marinare të Amalfit, të Gjenovës dhe të Pizës, ashtu si dhe me shumë shtete të tjera europiane si me mbretëritë e Hungarisë, te Polonise, të Francës, me Republikën e Raguzës, me Republikën e San Marinos etj. [1, 2, 3]

Krahas letërkembimeve të shumta me mbretër, kryetarë shtetesh, me Papët e Selisë së Shenjtë dhe me shumë fisnike europianë, Gjergj Kastrioti kreu dhe vizita zyrtare në Napoli, i ftuar nga miku i tij mbreti Ferrante, në Rome dhe në Vatikan, ku u takua me Papën Pio II (1461) dhe në dhjetor të vitit 1466 me vizitat në Romë, në Napoli dhe në Vatikan ku u takua me Papën Pali II.


Monumenti i Gjergj Kastrioti Skenderbeu në fortesën Lombarde, në keshtjellën Kastel-leone në Deruta.


Sipas kronikave romane “Le cronache Romane, 32”, në fillim të dhjetorit 1466, Gjergj Kastrioti, me veshje ushtari, i shoqëruar nga një grup kalorësish, u nis nga Durrësi me anije e pas një qëndrimi të shkurtër në Raguzë, lundroi dhe zbarkoi në Ankona. Gjatë qëndrimit të shkurter në Ankona, Gjergj Kastrioti vizitoi kishën e Shen Mikeli Arkanxhelo, ku i gjunjëzuar para shenjtit që e adhuronte, iu lut t’i ndihmonte shqiptarët për të përballuar sulmet e vazhdueshme të hordhive osmane.

Në Romë mbërriti në javën e dytë të dhjetorit, si vërtetohet nga një letër e 15 dhjetor 1466 e kardinalit Gonzaga (Archivio Gonzaga. Nr. 83) [4] dhe në letrën e humanistit - prifti Joannes Pietro Arrivabenus [5] (Arkivio di Stato di Siena). Prifti Arrivabenus ishte i pranishëm, kur Gjergji mbërriti në Romë dhe e ka ndjekur korteun deri në takimin me grupin e kardinalëve që kishin dal ta prisnin. Në letrën e 14 dhjetorit 1466, Arrivabenus shkruan: “El Signor Scanderbeg gionse qui venerdi 12 dicembre et incontra li forono mandate le famiglie de cardinali. È homo molto de tempo, è venuto e da povere homo. Sento vorrà subsidio - Zoti Skenderbeg arrijti të premten më 12 dhjetor dhe për ta pritur kishte dalë familja e kardinalëve. Është burrë i moshuar, ka ardhur si një i varfër. Dëgjova se do të kërkoi mbështetje financiare”. [5]

Papa Pali II, e ftoi të rrinte në kuvendin domenikan të Bazilikës San Marko, por Gjergji preferoi të banonte në shtëpinë e një miku albanez, që banonte në “Trejo”, pranë “Collis Quirinalis”. Miku i tij albanez merrej me importe venash dhe velierash.[5] Sheshi dhe rruga ku banoi Gjergji, sot kanë emrat “Vicolo Scanderbeg” dhe “Piazza Scanderbeg”,ndërsa mbi arkitraun e portës kryesore të ndërtesës ku bujti, ruhet ende afresku me portretin e Gjergjit dhe mbishkrimi “GEOR. CASTRIOTA SCANDERBEG, PRINCEPS EPIRI.AD FIDEM ICONIS REST. ANN. DOM. MDCCCXLIII”. Mbishkrimi thekson se portreti u restaurua në vitin 1843, duke respektuar besnikërisht portretin e vjetër: “Ad Fidem iconis Restauratum”. [10, 11, 12]

Më 24 dhjetor 1466, Gjergji u prit në Vatikan nga Papa Pali II dhe së bashku festuan krishtlindjen. Papa Pali II, u mrekullua me pamjen madhështore, me karizmën, me oratorinë dhe dinjitetin e Gjergj Kastriotit. Gjatë pritjes në Vatikan, Papa Pali II e nderoi me titullin honorifik “Gentium Armorum Capitaneus”, i dhuroi “Pilus et ensis” (perkrenaren dhe shpatën) një medaljon argjendi me portretin e Gjergj Kastriotit dhe një relikue të shenjtë. Shpata ishte prodhuar dhe zbukuruar nga argjendari personal i Papës. Shpatën e llojit “Ensis” (gladius, telum), Papa ua dhuronte princave dhe kapedanëve, të shquar në luftërat për mbrojtjen e krishtërimit. [7, 10, 11]