Po të dalësh në rrugë me juristin Ferzi Çollaku në krah, numuri i njerëzve që do të të ndalin është praktikisht i pafundëm: qytetarë e fshatarë, të rinj e të moshuar, të majtë e të djathtë... Ferziu apo Feska, me modesti të rrallë, i rezervon secilit kohë të mjaftueshme për ta falenderuar e për ta pyetur për shëndetin, për familjen e për të afërmit. Respekti ndaj Ferziut në thelb është mirënjohja ndaj fisit të tij famëmadh, që u ka dhënë kombit e atdheut gjatë kohërave mënd e gjak. Në Mokër, ku i kanë rrënjët e hershme, dhe nga ku shekuj më parë zbritën në Pogradec, Çollakët shkëlqyen për patriotizëm të kulluar, çka e treguan në betejat kundër pushtuesve të huaj dhe veglave të tyre vendëse. Në Luftën Nacionalçlirimtare fisi Çollaku u përfshi aktivisht duke u bërë strehë e rezistencës antifashiste dhe burim luftëtarësh. Reshiti, Heroi i Popullit Shqiptar dhe i Popujve të Jugosllavisë, akademist në Romë, jo vetëm nuk u betua para Sëpatave të Fashizmit, por, përpara se të kthehej në atdhe ia ktheu mbrapsht një oficeri italian pistoletën që ky i pat dhuruar duke i thënë: “Merre, o koleg italian, se nuk dua të të vras me armën tënde”. Në ballë të çetës së Mokrës, që e krijoi dhe e udhëhoqi me mënçuri e guxim në beteja të përgjakshme, Reshiti u bë figurë e shquar, e njohur anembanë vendit e jashtë kufijve. Shëmbullin e tij e ndoqi i vëllai, Muharremi, intelektual edhe ai. Të dy ranë në fushën e nderit. Një titan i vërtetë ishte xha Isufi, babai i tyre, ky burrë zamani, që, në krye të fisit, u bëri ballë të gjitha vështirësive, sakrificave dhe sprovave të panumurta. Pas Çlirimit, fisi Çollaku, i ushqyer me virtytet e pastra të të parëve, nuk e rreshti ndihmesën e gjithanshme për të mirën e vendit dhe, me maturi e guxim të rrallë, e tha fjalën me zë të lartë sa herë ndeshte në padrejtësi dhe në shkelje të të drejtave të njerëzve. Zëdhënës i fuqishëm në këtë aspekt u bë intelektuali i dalluar, pedagogu Qani Isuf Çollaku, i cili, me letrën që i dërgoi udhëheqjes më të lartë të Partisë Shtet, nxori në shesh të gjitha të palarat e regjimit. E burgosën, por nuk e mposhtën. Në fakt, duke i parë si konkurrentë për shkak të meritave, regjimi komunist bëri çmos t’u gjente “kleçka” klerikëve dhe familjeve të mëdha. Kështu veproi në Pogradec me fisin Çollaku dhe me fisin Gusho, mik i ngushtë i Çollakëve. Nga gjiri i këtij të fundit, Gjoka u zgjodh delegat në Kongresin e Lushnjës më 1920, ndërsa bijtë e tij, Koli dhe Pirua, luftuan heroikisht. Koli ra dëshmor në Luftën e Pojskës, më 16 korrik 1943, ndëra Pirua ishte kuadër komandues në Brigadën e Parë Sulmuese e pas Çlirimit mbajti poste të larta drejtuese. Ra viktimë e intrigave dhe prapaskenave të neveritshme. Por le të kthehemi tek Ferziu, i cili është konkretizim i përkryer i faktit që geni i fisëm është përjetësisht vital dhe pasurohet parreshtur, gjithmonë në shërbim të kombit e të atdheut.
Comments