VILHELME VRANARI ME NJË LIBËR TË RI





Shpendi Topollaj, shkruan:


Në një studim me vlera të mëdha shkencore e atdhetare

Libri studimor AUTOKTONIA E SHQIPËRISË JUGORE, ENIGMA E SHEKUJVE”, dalë nga Sh. B. “Europrint” sh.p.k. Vlorë, është ndofta kurora më e shkëlqyer e autores së respektuar Vilhelme Vranari–Haxhiraj. “Mjeshtre e mdhe”, anëtare e Akademisë Shqiptaro Amerikane, me seli në New York.

I nisur qysh aty nga viti 1974, dhe i përfunduar pas një ndërprerjeje të gjatë, ky libër i jepet lexuesit pikërisht tani, në një kohë kur ndofta më shumë se kurrë, tematika e tij ka dalë në rend të ditës në marrëdhëniet me fqinjët tanë. Sikur vendit tonë të mos i qenë bërë ato padrejtësitë e mëdha, dhe sikur zullumi i tyre të mos trashej edhe më shumë me kërkesa sa absurde, aq dhe të paturpshme, ka të ngjarë që jo Vilhelmja, por askush nuk do harxhonte aq kohë për të vërtetuar të panevojshmen; pra që ne jemi populli më i vjetër i gadishullit, për të mos shkuar më tej.

Po ashtu, askush nuk do lodhej të gjente fakte dhe arsyetime se janë të tjerët që na kanë gjetur në këto troje, pasi edhe aq sa janë thënë, deri dhe nga të huaj të nderuar dhe të paanshëm, kanë qenë mëse të mjaftueshme për të bindur këdo.

Por kur sheh se politikanët dashakeq rreth nesh, kryesisht të vendeve ortodokse, po tregohen të pangopur në synimet e tyre dhe përbuzës ndaj nesh, pra kur nga Mali i Zi sikur të mos mjaftonte Ulqini, Plava e Gucia, rrëmbehen diplomatikisht edhe nja tetëdhjetë kilometro katrore të Kosovës, kur agresori serb, jo vetëm mban ato krahinat e njohura, por do që t`i shtrijë duart edhe mbi Mitrovicë e Trepçen e pasurive të paçmuara (pa folur për njohje dhe bashkim me Shqipërinë), kur qeveria e Maqedonisë së Veriut, ngurron për t`u dhënë të drejtat e tyre shqiptarëvem, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, dhe kur nga grekët, praktikohet antishqiptarizmi dhe nxitet ideja e Epirit të Veriut, duke pohuar se nuk ekziston çështja çame, atëherë, pse duhet të heshtin forcat tona intelektuale? Ca më shumë, ata duhet ta ngrenë zërin e arsyes, kur shohin se në Shqipëri, nuk ndihen as ata që drejtojnë, as Ministria e Jashtme, as Kuvendi dhe as Akademia e Shkencave.

Dhe ja ku del kjo grua vlonjate, kjo historiane e guximshme, kjo shkrimtare e vlerësuar kudo, brenda dhe jashtë vendit, që duke mos u pajtuar me gënjeshtrat e qarqeve të caktuara antishqiptare, shpesh edhe të disa pseudoakademikëve, na kujton këshillën e Lukianit të mençur se “historia… nuk duron kurrfarë gënjeshtrash, qoftë dhe gënjeshtra të rastit e të parëndësishme”. Por mesa shihet, disa historianë grekë i kanë harruar këshillat e tij, se si duhet shkruar historia, edhe pse ai, i ardhur nga Semseti i Sirisë, jetoi në Athinë për pesëmbëdhjetë vjet (165 - 180 të erës së re), ku jo vetëm dha leksione, por edhe u shqua për sarkazmat e tij ndaj historianëve servilë.

Dhe e keqja është se, Vilhelmja nuk e kursen stigmatën edhe për nënshtrimin që në tërësi ne kemi ndaj të huajve. Ajo e revoltuar gjykon se “”Kësisoj, shqiptarët, duke e zhvendosur te të huajt gravitacionin e mikpritjes dhe të nderimit deri në servilizëm, gjatë shekujve kanë pasë krijuar një boshllëk të ndjeshëm për ngjizjen e unitetit brenda vetvetes, çka ka krijuar truall për përçarjen tragjike që i ka karakterizuar brez pas brezi”. Dhe ja ku jemi; kanë kaluar plot 76 vjet nga çlirimi i atdheut dhe vazhdon i njëjti avaz, e njëjta urrejtje; komunistë e ballistë. Dhe kur nuk e gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin, atëherë si do të bashkojmë zërin edhe për t`u dhënë përgjigjen e duhur qëllimkëqinjve të huaj? A nuk ka ardhur koha që mbrojtës të interesave tona të jemi së pari, vetë ne shqiptarët?

I kemi të gjitha kualitetet si popull, për të qenë krenar. Kemi me se të mburremi gjatë ekzistencës tonë mijra e mijra vjeçare. Kemi pësuar pushtime nga ushtri perandorishë, por jo vetëm kemi rezistuar me nder, por dhe kemi nxjerrë nga gjiri ynë sa e sa Perandorë, Kryeministra, Papë, shenjtorë, burra shteti, strategë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë etj. etj. Dhe përherë, duke ruajtur doket, zakonet, traditat dhe respektin e ndihmën për fqinjët, sa herë patën nevojë. Ata, përkundrazi, me urën e zjarrit, me vrasje, me deportime masive, me diskriminime.

Ja, këto rendit Vilhemja në këtë libër. Ajo nuk shfaq mllefe ndaj të tjerëve, nuk denigron, duke mos ua mohuar grekëve në këtë rast edhe vlerat që kanë, pa harruar t`u thotë se nga vinë dhe kur kanë ardhur në trojet e të parëve tanë, pellazgëve. Tregon artefaktet, gjetjet arkeologjike, zbërthimin e shkrimeve të vjetra, konkluzionet e historianëve të lashtësisë dhe u bën analiza jo vetëm krijimeve letrare, por edhe vetë mitologjisë. Kjo e fundit nuk është aq e kollajtë, pasi askush nuk ka arritur ta ndajë saktësisht mitin nga historia. Veç e di mirë, se ato kanë qenë thurur në atë mënyrë, që t`i shërbejnë një synimi të mbrapshtë.

Por ajo ka ditur të sqarojë edhe lidhjet me mitet e kulturën e të parëve tanë. Madje konkludon se më së shumti aty ka qenë dhe burimi i tyre. Në gjithçka që thotë kjo autore, ka konstatime të drejta e të pamohueshme nga figura të shquara të botës, nga ata që i kanë dhënë Shqipërisë, vendin që i takon në bashkësinë e popujve të tjerë.

Vilhelmja, pa u ngutur, ka mbledhur një bibliografi të pakundërshtueshme. Ajo sikur edhe na kujton se këta burra e gra që kanë bërë aq shumë për ne, duhen vlerësuar në jetë të jetës, por njëkohësisht, ajo nuk ngurron të polemizojë me zgjuarsi me të gjithë ata që dashje pa dashje kanë gabuar në ato që kanë shkruar. Ajo pas një pune këmbëngulëse, ka arritur të gjejë dhe t`i vendosë në libër, harta deri para greke.

Janë disa thënie të gjithëpranuara që flasin për lashtësinë tonë. Vetë Herodoti shprehej se “Përpara se ne të vinim në këto troje ku jemi sot, këtu ishin Pellazgët”. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe; këto troje kaq të favorshme për jetesë; me klimë, toka, pyje, lumenj e dete pa tjetër që do banoheshin nga të tjerë, shumë më të lashtë se ata që fillimisht u quajtën danaj (Laokoonti ka një fjali lapidare: “Timeo danaos et dona ferentes”). Pra kishin ardhur nga vendet afro-aziatike.

Autorja i kushton vëmendje të posaçme gjuhës tonë, për të cilën Plini Plak thosh se “Romakët alfabetin e morën nga Ilirët”, kurse A. Lamberti me studimet e tij serioze, provoi se “Shqipja është gjuha më e vjetër indoevropiane”. Po ashtu edhe Leibniz i kishte dhënë karar se, “Gjuha shqipe është gjuha e ilirëve të lashtë”, aq sa rekomandonte që, “Nëse doni të zbuloni Historinë para Krishtit dhe shkencat e tjera, studioni gjuhën shqipe!”

V. Vranari mjaft mirë na jep plot shembuj edhe nga etimiologjia, ku del fare qartë ndikimi i gjuhës tonë te popujt e tjerë. Ajo kundërshton edhe autorët shqiptarë, kur gabojnë në përfundimet e tyre, për të mos thënë se ajo i kundërvihet edhe vetë enciklopedisë italiane Treccani, e cila tregohet mjaft tendencioze, duke shkruar pa përgjegjësi dhe duke dalë kundër autoktonisë ilire. Ashtu sikurse përshëndet punimet e Domeniko Mystillit, arkeologut Italian, që duke qenë me mision në Shqipëri, shfaq bindjen shkencore, “duke hedhur poshtë pretendimet greke për Epirin se qenka tokë greke dhe paska qenë i banuar nga grekët”.

Edhe Virgjili tek “Eneida” ka shkruar se: “Thuhet se banorët e parë të Italisë sonë ishin pellazgët”. Ndofta, ai që e shteron këtë çështje është Stipçeviçi, i cili ka thënë: “T`u jepet fund debateve mbi autoktoninë e cila, sipas të gjitha të dhënave, u përket shqiptarëve”.

Kur e lexon këtë libër, që s`është tjetër veçse thirrje për t`u shkundur nga përgjumja, kupton se jemi para një pune sa të përgjegjshme, aq edhe kolosale, gjë për të cilën kjo kaniniote, bijë e një familje fisnikësh, me kurajën dhe dashurinë për Atdhe, do të rreshtohet me të tjera gra të shquara si Dora d`Istria, Nermin Vlora, Eleni Kocaqi etj. Se është ashtu sikurse shprehet i nderuari Mujë Buçpapaj: “Asnjë shkrimtar tjetër i ndaluar nga regjimi komunist, nuk ka mundur të imponohet me kaq dinjitet njerëzor dhe letrar sa Vilhelme Haxhiraj”, ndërsa unë do të shtoja dhe dinjitetin historik e politik.

Urime “Vivra”! Presim edhe libra të tjërë me po kaq vlera shkencore e atdhetarie!

Shpendi Topollaj

Durrës. Tetor 2020.

22 views1 comment

Shkrimet e fundit